Freitag, 14. Dezember 2012

Halil Haxhosaj: VARGJE KUSHTUAR KËPUTJEVE TË KOHËS


VARGJE KUSHTUAR KËPUTJEVE TË KOHËS

Sejdi Berisha: “Vargje të këputura”, poezi, botoi “Club Kultura”, Pejë, 2012.




Krijuesi, Sejdi Berisha botoi veprën e tij të 30-të me radhë me titull pak sa të pikturuar me ngjyrën e një përkushtimi, i cili simbolikisht lidh me “vargje të këputura” nyjat e historisë 100 vjeçare të shtetit shqiptar. Andaj vepra është përkushtim i këtij jubileu, i cili sivjet shënon këtë datë historike të këtij shteti kështu siç është, i cunguar, i gjymtuar, që mund të thuhet edhe i pasqyruar vetëm me një krah të shqiponjës, simbol i flamurit kombëtar. Mbi këtë koordinatë, poeti ndërthur tërë lëndën e vet poetike, duke e përbiruar nëpër të gjitha të çarat e kohës që nga fillimshekulli i kaluar e deri në këtë fillimshekull të ri, i cili mëton që dekadat e para të tij t’i mbarështojë duke i pagëzuar dekada të shqiptarëve. Këtë kërkesë e ndeshim edhe në vargjet e poezive të përmbledhjes “Vargje të këputura” të Sejdi Berishës.
 


 Koncepti i rrëfimit artistik me vargje

Ky vëllimi poetik ka strumbullarin e vet të ndërthurur nëpër hallkat e historisë së ndërtuar në shekujt e kombit dhe të shtetit shqiptar. Rrëfimi artistik i kësaj instance poetike rrëshqet nëpër frymëzimin e subjektit, i cili mëton ta pasqyrojë atë me ndjenjën intime artistike. Dhe kjo arrihet duke mos u ngatërruar me asnjë qëllim tendencioz me bagazh teprimesh të të rrëfyerit dhe me deklarime të tepruara. Për të shpërfaqur këtë, autori Berisha kalon nëpër gurrat e bollshme të bagazhit të vet frymëzues, duke e ngjyer pendën e tij aty ku më se shumti do të kullojë frymëzimi i gjetur, i shijuar dhe i shpërfaqur. Dhe këtë e sendërton duke e planifikuar ndërtimin e veprës nëpër gjashtë rrathët e qerthujve poetikë, që janë: 1. Bisedë me vargun tim, 26 poezi, 2. E pëlcas heshtjen time, 18 poezi, 3. Shekujt nuk mjaftojnë, me 16 poezi, 4. Unë kam etje dhe vetëm etje, 14 poezi, 5. Stinë të këputura, 8 poezi dhe 6. Poemë për bisedën e ngelur në fillim, më 10 poezi, të cilat pse jo mund të jenë edhe poema. Kjo arkitekturë artistike që shpërfaqet në strukturën e këtij vëllimi poetik shpesh mëton të identifikohet me intimen e intimitetin dhe me përjetimet e subjektit lirik, që në këtë rast është vet autori, Sejdi Berisha.
Poezinë e tij ky poet e shkruan për qëllim fisnik, sepse poezia është vet e fisme, është fisnike. Ajo është e vendosur në retinën e qiejve të kaltër me rreze të kristalta dielli që ngrohin dhe jetojnë deri në përjetësi. Andaj, kjo poezi specifike në këtë jubile të veçantë, ka patjetër shumëçka nga fëshfërimat e krahëve që shqiponjat e maleve tona këmbejnë me njëra tjetrën edhe pse në shumë dekada, kufiri i vdekjes nuk mund ta pengonte fluturimin e tyre andej e këtej pa shikuar fare për tragjeditë që mund të ndodhnin. Gjaku i shprishur i të së njëjtës zemër kombëtare edhe pse nuk qarkullonte lirshëm, ishte i kuq, ishte i valë, ishte i vakët dhe nuk kursehej nga trimat e heronjtë për ta derdhur në gjinjtë e kësaj toke për lirinë e saj aq të shtrenjtë. E jehona e kësaj rënie nuk pushoi kurrë derisa kufiri u bë vijë vetëm sa për të qenë:

Sa e dua Mollën e Kuqe
Kur e bashkoj me kokrrën e ullirit
Që piqet me ngrohtësinë e jugut
Që kuqëlohet me flladin e veriut


(Poezia: “Ti e paemër”, faqe 19)

Brenda përjetimeve dhe përmallimeve ka një sërë elementesh që kundërshtojnë dhe e plotësojnë njëra - tjetrën njëkohësisht. Në udhëtimin artistiko-poetik të poetit, Sejdi Berisha, drejt kësaj feste përkujtuese njëshekullore zhvishet pelerina e moshës dhe vishet ajo tjetra, e reja, ngase agimet e përgjumura nuk do të zgjohen kurrë më, sepse udha e jonë nëpër meridianët dhe paralelet e kujtesës historike nuk do të përdridhet më. Kjo s’ishte rrugë e lehtë për t’u kaluar, andaj nuk harrohet as gjurma e saj në histori, thotë poeti, sepse:

Qyteti im ...
Edhe po ndërtohet
Edhe po rrënohet
Stinët dikush i ka ngatërruar


(Poezia “Dritaren e përplasi furtuna”, faqe 53)

Për ta kundërshtuar këtë autori ndërton një kohë reale që sintetizohet më së miri në vargjet e poezisë. Brenda këtij konteksti kuptohet se poeti nuk ka qëllimin e as dëshirën të vajtojë për kohën e kaluar, por ai do të rindërtojë një kohë tjetër, andaj, kuptimi i vërtetë i saj duhet përkujtuar gjithmonë, për ta bërë atë aktive. Ky shndërrohet në një peng dhe mllef që e detyroi strukturën poetike të Sejdi Berishës të jetë e pamëshirshme me armiqtë e sunduesit, t’i godasë ata mu në ballë me armën e fuqishme të poezisë, metaforës dhe figurës poetike e letrare. Kështu gjuha poetike edhe simbolika marrin një fuqi të konsiderueshme shprehëse. Kjo qasje i jep mundësi autorit ta zgjerojë gamën e frymëzimit të tij stigmatizues, ta bëj më konkrete, pse jo edhe më të drejtpërdrejtë njëherësh, ndaj i sjellë poezisë një frymë emancipuese, por edhe luftarake kundër sundimit shumëshekullor, hipokrizisë dhe imoralitetit shoqëror që e ka mbytur shqiptarinë me shekuj. Poeti Sejdi Berisha nuk mund të pajtohet me absurdin që ishte dominues në jetën tonë historike. Në shumicën e poezive të këtij autori politika ekspansioniste dhe politikëbërësit e saj karakterizohen si sinonime të së keqes. Edhe pse aroma e gënjeshtrës përhapet, fryma e saj është larg nga portat e ëndrrës së njeriut dhe të vet poetit, ngase:

Tash e di
Asnjëherë s’të paskam njohur
As për të dashuruar
As për t’u gëzuar

për të vazhduar më tutje:

Tragjedia ime je
Me komeditë e botës
Tash të njoh
Jeta ime
Mashtruese e lezetshme
E njeriut


(Poezia: “Tash të njoh ...”, faqe 63)

Koha 100 vjeçare në vargje përkushtuese

Poeti dhe koha e historisë 100 e më shumë vjeçare kombëtare që ai krijon nuk ndihen asnjëherë të pushtuara, por përkundrazi brenda tyre ka aq shumë heronj që luftuan për të sa do t’i kishin zili edhe yjet e qiellit e të gjithësisë. Kështu krijuesi Sejdi Berisha aq sa flet me vargun e tij po aq bëhet edhe zëdhënës i atyre që punuan, luftuan por edhe u sakrifikuan, ranë dhe e derdhën gjakun e vet kundër padrejtësive dhe vendimeve të kancelarive të moteve për kufijtë e arbrit deri në ditët e sotme. Kjo përbën një nga vlerat e poezisë së tij. Kështu këto elemente në vetvete janë sa personale po aq edhe kombëtare, sa të fuqishme po aq edhe krenare për atdheun:

... Duke të kërkuar
Ty Atdhe në jetën time
Dhe jetën
Në Ty Toka ime
Kam ngelur
Vetëm duke kënduar ...


(Poezia: “Duke të kërkuar ...”, faqe 127)

Vargëzimi tash bëhet poetikë mbarëkombëtare sepse ai në poezinë me titull ”Jam këngë arbëreshe apo vazo e thyer (Në 100 vjetorin e Pavarësisë)” në mes të tjerash shkruan:

Njëqind vjet a është një shekull ...
Apo është epokë e para stinëve të tokës

Për të vazhduar më tutje:

E kam në damarët e gjakut
Kosovën tik-takun e zemrës
Çamërinë qortim historie
Shkupin pikëtakim madhështie
Ulqinin port asqerie
....
Preshevën e kam sy që loton kah Prishtina
Kullat e Oso Kukës beden trimërie
E Bjeshkët e Nemuna kurorë legjendash


Por kjo është vetëm si një ëndërr ende e parealizuar, sepse kufijtë e Shqipërisë që janë qëndisur nëpër kancelaritë e huaja apo të Botës së Madhe ende frymojnë njëjtë. Kjo ëndërr është një skalitje e endur në gjumin e gjatë 100 vjet, sepse poetit kur i ikën gjumi sheh se edhe ditën tjetër, pra në ditën e 101 nuk ka ndërruar asgjë dhe vargu nuk shprehu hiçgjë, sepse:

...
Asgjë nuk paskam thënë
O, vargu im
Sikur tash më doli gjumi
E, ëndrra ishte plot trishtim ...


(Poezia: “Jam këngë arbëreshe apo vazo e thyer” faqe 132)

Elementët që e përbëjnë gjuhën poetike të veprës “Vargje të këputura” të Sejdi Berishës arrijnë të ruajnë në vetveten ndjenjën dhe të vijnë gjithnjë në rritje, duke u veçuar nga të tjerët.

Kujtim dhe mos harrim për ardhmërinë

Poeti, shkrimtari, publicisti dhe krijuesi, Sejdi Berisha, pothuajse në të gjitha veprat e veta, por edhe në këtë e kundron fjalën si një formë artistike të manifestimit të ndërgjegjshëm të rregullave të harmonisë, duke e mbrojtur me respekt dhe dinjitet mos shkeljen e kodit të lashtë ilir e shqiptar, sepse ky është qëllimi dhe synimi i tij prej krijuesi. Dhe kësaj ia arrin me sukses e kënaqësi. Vargjet e këtyre poezive janë thesare përkujtimi për ardhmëri. Këto vargje janë perla të kristalta që gurgullojnë sikurse gurrat e krojeve të Ilirisë e të Dardanisë. Duke lexuar këtë opus kaq të pasur e kaq përkushtues patjetër se ndihet aroma e një kremte të madhe, e cila fisnikëron mendjen, trupin, por edhe begaton historinë tonë. Këtyre poreve qarkullon ngjyra e kuqe e gjakut të derdhur për shtetin shqiptar, i cili u mbjellë për ta korrur lirinë dhe pavarësinë. Por, diku-diku kjo tokë ende nuk është ujitur sa duhet me liri, andaj në këtë shekull duhet që të shikohet mbëltimi tjetër farë për të. Mbase edhe kësaj duhet trasuar rruga edhe me vargje e vepra poetike, pse jo.
Vargjet e vëllimit “Vargje të këputura” të Sejdi Berishës bëjnë një shtrirje të gjithanshme për t’i mposhtur qëllimet dashakeqe të të gjitha kohëve, por pse jo edhe të kësaj në të cilën po jetojmë dhe po kremtojmë. Ky poet mëton që me vargje e figura të shkruaj një formë poetike të veten që është poezi edhe me elemente publicistike. Andaj vargu i poezisë së Sejdi Berishës ka ngjyrime të tilla dhe dallohet si veçanti e saj. Madje, forma e këtillë shkon duke u zgjeruar dhe poezia bëhet edhe poemë që autorit i jep mundësi të shprehjes tjetër më të shtrirë dhe më të zgjeruar. Ajo del nga pena e frymëzimit të tij dhe shtrihet në të gjitha shtresimet e truallit të shqiptarëve më i ndryshëm se më parë. Tashmë nga çatitë e përskuqura të shtëpive të vjetra nga lufta kanë filluar të rigojnë currila të kthjelluara. Nga figuracioni i kësaj poezie më nuk vjen si dikur erë baroti e gjaku, por aromë jete e gjallërie tjetër. Andaj poeti nxjerrë nga thellësia e shpirtit të tij kujtimin dhe mos harrimin që do të jetë shembull për një jetë tjetër, për një stinë të re, stinën e bashkimit kombëtar.


Marrë nga AlbPOETIKA ne FB


Mittwoch, 30. Mai 2012

BEFASI POETIKE E PETRAQ RISTOS


Agim Shehu, Gjenevë


BEFASI POETIKE

E PETRAQ RISTOS

Shënime për vëllimin “Lojë shahu në shekullin XXI”


Para 40 vjetësh tre të rinj nga Durrësi u shkruanin tre poetëve pak më të rritur në Tiranë, me emër më të dëgjuar. Letrat qenë dëshirë njohjeje intime me ëndrra poezie. Autorit i drejtohej gjimnazisti Petraq Risto.Letra e tij (e ruaj kujtim si një parandienjë të largët të tij për udhën e vet në poezi) m’u bë e dashur, sepse në bardhësinë e rinisë kish dhe xixa poeti. Gjer ku do arrinte, sigurisht atëhere nuk mund ta parashikoja.
Në një takim në Nju Jork, kohët e fundit, e shoqja e Petraqit me vajzën poete, Sidorelën, më dhuruan librin më të ri të tij “Lojë shahu e shekullin XXI”. E lexova dhe u befasova. Po ndjehesha i dritësuar me brilantë metaforash.I rishfletësoja përsëri faqet si për t’u bindur më saktë, e nga njera fletë te tjetra ato më hapeshin të heshtura para syve, herë si sy Homeri, herë si flutura në lëvizje. Më ndalën sytë te vargjet “Ëndëra ime - e vetmja njësi matëse...Kush ëndëron i pari, vdes i fundit”.U buzëqesha me një mall të largët diku në Tiranë apo në Durrës, si të njohur të hershëm: i riu i çiltër që në oborrin e gjimnazit kish ditur t’i hapte udhë ëndrrës, e në librin më të fundit atë e kish ngritur në piedestalin e poezisë më të mirë shqipe.
Në Shqipëri, për ironi të kohës, tabutë letrare në socializëm kanë mbetur ende disa “bunkerë” të trashëguar: dy tre vetë zënë qoshenë, si vlerë e palëvizur, edhe pse “rezervat në bankë” një çast mund t’u jenë rralluar (për më saktë, tani doli në dukje pakrahasueshëm poeti Petraq Risto, dhe fjala e parë sot është e tij. Nesër vjen tjetri...).
Te vepra e re e tij dëgjojmë zërin e qytetarit ngritur në lartësinë e hijshme të poetit, sa shqiptar dhe universal. Një zë ku lexohen thellësi me dritë, po aq dhe lartësi me humnera pranë, të vendit të tij. Një poezi me ndërgjegje të fuqishme, e ushqyer në këtë shkallë gjer nga nënndërgjegjja e njeriut.
Si në poezinë më të mirë shqipe, përmbledhja “Lojë shahu e shekullin XXI” të rrit përmasat e mendimit ngaqë të vinë me bukuri të veçanta përfytyrimesh ku ideja dhe figura kanë harmoninë e planetit me orbitën ku ecën. Ndjek mendimin e vargjeve dhe nuk e ndjen se ku ndërhyn figura, e cila i jep vitalitet dhe bukuri mendimit si dritë hëne brenda valëve. Në këtë vëllim autori shfaqet kalorës virtuoz që di të zotërojë “harbimin” e kalit të bukur siç është metafora në poezi.Kjo është e domosdoshme veçanërisht për një krijues i cili jetën me ngjarjet e trazuara i vëzhgon si qytetar, i gjykon si filozof dhe i shpreh si poet. Të tria këto përmasa i gjen te libri, si të lexoje Uitmanin, Eluarin apo Migjenin.
Je në shkëlqimin e mendimit dhe brishtësinë e figurës, e në gjykim të parë të duket si i pagjetur emërtimi “Lojë shahu...”. Por mbaron librin së lexuari, e me vlerësimin e saktë të së tërës kjo hamendje bije.Autori del i ndërgjegjshëm se ç’e ka shtyrë në motivet e kësaj përmbledhjeje vargjesh. Është i lexueshëm dhe tepër i hijshëm misioni i tij. Për ngjarjet e sotme në botë, veçanërisht në popullin e tij, ai ka ndjeshmërinë e busullës së përsosur shigjetat e së cilës mbeten të drejtuara kryesisht në dy pika kryesore, dashuria për njeriun dhe dhimbja për fatin e tij. Ky humanizëm ia afron natyrshëm figurën si poet dhe ia ngre lart mendimin si qytetar.
Poezia shqipe ka gjithçka, por unë nuk di ku ka të tillë margaritarë me ulërimë brenda për shqiptarët e ditës: “...Veshim kostumet e të vdekurve të Europës/, këpucët e të vdekurve të Europës/ dhe dalim rrugëve tona si europianë/...Kostumet e të vdekurve na rrinë mirë/, këpucët e të vdekurve nuk na shtrëngojnë/ pavarësisht se rrugët i kemi me plagë/. Duke ecur, ndjejmë se të vdekurit e Europës/ na ndjekin pas”...E në një poezi tjetër: “Kush është ajo, kush është ai/, në cilën mbrëmje ndodhi krimi/, në cilën varkë, nën cilin yll/, pse kamera e Hënës s’e filmoi?!”.Pas vargjeve të tilla të Petraq Ristos, të mërmërin nga larg zëri i pikëllueshëm i Migjenit: “O, si s’kam një grusht të fuqishëm...”! (a kanë fije poezie në mendje, në mos në shpirt, deputetët tanë vulëhumbur, që grushtin e mbajnë për të rrahur njeri tjetrin, apo për të përmbysur sallën e shenjtë të Kuvendit!? Thua për ta, si paranjoftim, është shkruar krahasimi tronditës i poetit: “në javët e para foshnja ka formë e gjarpërit/ dhe gjarpërinj na presin pak orë pasi kemi vdekur”.
Nëpër vargjet e poezive udhëton mbi relievin e Atdheut tënd, udhëton brenda dramave të popullit të tij. “Dhomat” e metaforës kanë brenda dhembjet e tij. Poeti hap udhë të hysh në to (duke të ndihmuar në të njëjtën kohë që të gjendet udha për të dalë). Ai gjykon rreptë e me dinjitet, tepër lexueshëm për ata që kanë mend për vete dhe përgjegjësi për vendin, duke qënë dhe vetë brenda kësaj drame të përgjithshme: “Nëse sot flasin profetët e rremë/, nesër ka turbullira dhe gjak”...Truri ynë ka zbritur në prapanicë/ e Juda është kthyer në gardian të Krishtit”.
Nga njera faqe e veprës te tjetra figurat me mendim të fuqishëm brenda tyre, i shtojnë sa lirizëm dhe dritë dramash shoqja - shoqes: “Të vdekurve u veshin këpucë të reja/ se rruga që kanë zgjedhur është e gjatë/, mbi rrugë dashurohen ylberi e rrufeja”.
Poeti dëshmon se dhe në poezinë moderne vargjet rjedhin si një rrëfim i lirë bisede, thua gjethet e një peme pëshpërijnë me njera tjetrën. Është qartësi mendimi dhe çiltëri shpirti që flet. Në botë çdo objekt, edhe më e rëndomta, ka diku të ngjashmen e vet të krahasueshme me të. Kur puqen bashkë sipas ligjeve të harmonisë, të dyja tok krijojnë figurën, plani kthehet në reliev me faqe rubini. Takimi bëhet nga jashtë (si krahasim etj.) apo nga brenda (si metaforë, mbretëresha e figurave). Figura mbetet kështu figurë kur të krahasuarat, qoftë si objekt apo përfytyrim më i gjerë objektesh, kanë ngjashmëri dhe harmonia përmban edhe simetrinë që ka bota. Secila nga anët e krahasuara i rrezatojnë vlerat e veta shoqja - shoqes. Ato janë kështu lëvizje mendimi me rrezatim të gjatë radiumi. Nuk thuhet kot që poezi e mirë është ajo, e cila përmes ndjenjës të nxit mendimin, e poet i mirë është ai që di të ndërtojë figurë dhe nga gjërat më të zakonta - “poezi e veçantë”, “figurë befasuese...”.
Poeti Petraq Risto e ka këtë laborator, mrekullia e të cilit duket te figurat që krijon me lehtësinë që dega krijon lulet apo ngrica kristalet. Sheh në trotuar një shitës farëzash të lule-diellit (të tjerët do kalonin asnjanës); poetit i dhimbset si njeri e i këndon si poet për fatin e pasigurt në një imazh kaq sugjestionues: “Ai ka një privilegj, - mund të vdesë në rrugë/ i rrethuar nga zogjtë”... apo “Në kufirin mes ditës e natës/ ke ndjesinë se Zoti qëron një portokall”. Brenda imazheve të tilla, si hipur mbi meridianet e globit, shkon në Nju Jork tek e bija e dashur, të cilës i jep metaforën kozmike, si dhuratën më të bukur: “Kur vij tek ti: më ndihmon Toka në rrotullim/ dhe kur iki: rrotullimi i Tokës më pengon”.
Në një poezi tjetër të kësaj përmase – “Zogjtë e Pikasos”: “dolën nga telajot e fluturonin drejt Pikasos/; Ai u merrte pendët e luante rolin e ëngjëllit/;u merrte kthetrat e luante rolin e djallit/...vdiq pa mësuar sekretin e ngjyrave...” (te cili poet i shquar në botë nuk do ndalnim me adhurim mbi vargje të tillë, nëse do t’i shihnim në libra të tyre)!
Një guxim të tillë mendimi mbi art të hollë, e ngarkon një poet, i cili, qoftë dhe një çast, zhgënjimin mbi supet e njeriut e ngarkon vetë dhe e gjykon me një inteligjencë disi të ftohtë: “Tha Moisiu: Mendja – kryesore te njeriu. Krishti tha – zemra. Marksi – stomaku. Frojdi – seksi. Ajnshtajni – relative janë të gjitha”...
I tillë, gjithandej në poezitë e tij, autori shfaqet ndër poetët më fisnikë, që nuk kalon asnjanës para zhvillimeve të botës. Sipas tij, të shikosh, domethënë të gjykosh! Botën ai e gjykon në emër të njeriut dhe njeriun - në emër të humanizmit. “Bilal Xhaferi... iku i ndjekur pas nga lehjet e qenve/ dhe njerëzve...eshtrat e tij yjëzojnë fosfor”...Ose “Ky trëndafil i kuq në varrezën e vjetër/ para 200 vjetësh qe njeri...Kam qënë ushtar, ushtar i vrarë/ ndaj u bëra petalekuq/ se po të kisha flamur të bardhë/ trëndafil i bardhë do isha unë”...Sa i bukur dhe i besueshëm, poeti është te ëndrra e njeriut, sa dhe te dhembja e tij. Nga kjo dhe më të zakontën e jetës e kthen poezi: “Tri ditë pa drita, e lotët e mi/ e kthyen zemrën në turbinë/...dhe llampa e vjetër e Edisonit/ u ndez nga dhembja për Shqipërinë”.
Te Atdheu, qoftë dhe me penela të kursyera, pa fryrje të shtirur, poeti merr përmasën e parë më të hijshme: “Elefantët para vdekjes/ shkojnë të mbyllin sytë te varret e prindërve”... “Mbi rrafshnaltën e Trojës/ para se të gjente hirin e ftohtë dhe thesaret/, Shlimani gjeti 8 familje shqiptare”... “Arnold fon Harfi...rastësisht i ra fletorja, dhe fjalët shqip/ akoma mbanin aromë trëndeline”...
Tërë vlerat e artit mbahen kryesisht te thellësia e gjykimit dhe ndershmëria në të vërtetën. I tillë, gjykimi i poetit i shkon vështrimit të njeriut: hap sytë në do që të jetosh si njeri!
Bota ekziston për njeriun, dhe në emër të njeriut poeti atë e merr në pyetje kudo që ajo shfytyrohet. Ngarkuar me këtë mision fisnik, Petraq Risto mbetet poeti i plotë, tanimë ndër më të mirët e poezisë shqipe. Nëse do pyetet, është moderne apo klasike poezia e tij, ato të dyja rrinë brenda njera tjetrës me kufij konvencionalë mes tyre, duke huazuar te shoqja më të bukurën e vet.Te kjo vepër e shquar e tij, ai të shfaqet diku në një pllajë Shqipërie ku “buzëmbrëmjet vinë me hapa pëllumbi e ikin me hapa Hirusheje...”. Për më tej u rrëfehet intim njerëzve për një pasion të tij Shqipërie: “Me avion do t’i sjellë dy dallëndyshe/ në Manhatan nëpër xhepa do t’i mbaj/...veç Nju Jorku të mësohet me surprizën-dallëndyshe”.
Të tillë do ta takosh poetin, në “dhomën e tij pa drita” apo te “krahët e dallëndyshes”, ku ovalet e fluturimit janë dhe prej harqe metaforash...

NËN SHENJËN E PËRTËRITJES ESTETIKE


DR. ANTON PAPLEKA 

 NËN SHENJËN E PËRTËRITJES ESTETIKE 


(Petraq Risto, “Lojë shahu në shekullin XXI”)
 


Tregohuni zemërgjerë, kur të na krahasoni
Me ata që qenë përsosuria e rregullit
Ne që kërkojmë kudo aventurën
Nuk jemi armiqtë tuaj
Ne duam t'ju japim në zotërim gjëra të çuditshme
Ku misteri gjithë lule i falet atij që don ta këputë
Atje ka zjarre të reja, ngjyra që kurrë s'i kemi parë...


                                                        Guillaume Apollinaire, Flokëkuqja e bukur

              I
Nga njohja disavjeçare që kam me poetin Petraq Risto, mund të them se ai është nga ata autorë që nuk janë prekur nga sëmundja e narcisizmit, që nuk e mbajnë veten si poetë kombëtarë dhe nuk i thurin vetes kurora vetëlavdatash. Duke qenë i tillë, ai i përket asaj kategorie krijuesish, të cilët dyshimi për atë që kanë shkruar i shoqëron gjatë gjithë jetës dhe motoja që do t'u përshtatej më shumë do të ishte kjo thënie e poetit spanjoll Juan Ramon Jimenez: "Vepra ime më e mirë është pendimi i përhershëm për veprën time."1 Mendoj se letërsinë tonë mund ta shpien përpara vetëm ata që kanë kërkesa të larta ndaj krijimtarisë së tyre dhe ndaj letërsisë shqipe në përgjithësi.
Prirja drejt një letërsie cilësore dhe moderne nuk përcaktohet nga ndonjë dekret hyjnor apo parlamentar, por ajo është një përmasë e brendshme e krijuesit, e cila lidhet ngushtë me talentin dhe me kureshtjen e tij të vazhdueshme për të njohur zhvillimet e reja letrare, eksperimentimet apo praktikat e ndryshme që janë shprehje e përtëritjes estetike të letërsisë. Studiuesja Michèle Finck i vë shumë rëndësi kësaj veçorie të poetit. Duke folur për poezinë e T. S. Eliotit dhe për atë të J.Bonnefoy-së, ajo shkruan: "Ja verdikti i Bonnefoy-së: shterpësia e botës (ajo e "terra gaste" apo e "tokës së shkretë") është vepra e një vetëdijeje që ka rënë pre e "moskureshtjes së zymtë", e cila gjetiu është quajtur "gjumi i keq" - domethënë një forcë vdekjeje që kërkon të na mbushë mendjen se bota nuk ka kuptim."2
Libri më i ri i Petraq Ristos "Lojë shahu në shekullin XXI" dëshmon se ky autor nuk vuan nga "moskureshtja e zymtë" bodleriane, përkundrazi ai përpiqet të ketë një informacion sa më të pasur që nuk kufizohet vetëm në qytetin ku rron, madje as me Shqipërinë. Një nga burimet kryesore të këtij informacioni janë udhëtimet e gjata e të largëta, të cilat dihet se sa shumë i vlerësonin modernistët. Jean - Marc Debenedetti shkruan: "Shumica e poetëve të Modernitetit ishin udhëtarë të mëdhenj; udhëtimet e tyre, ata i përjetonin si poema, duke luajtur si xhongler me horizontet dhe me epokat".3 Për Petraq Riston kanë qenë shumë dobiprurëse sidomos udhëtimet në Amerikë që i kanë dhënë lëndë për të krijuar tablo me karakter të theksuar modern: "Unë lëviz një oficer (jo të CIA-s, as të FBI-së)/ dhe e vendos në Central Park / Ti lëviz një kala në Wall Street, në Kuotën Zero / Obelisk të kullave binjake / Dy dhëmbëve të parë të rënë të Manhattanit po u vënë protezën".4
Krahas udhëtimeve që në të vërtetë janë lexime të kësaj Bible të madhe që quhet rruzullim, Ristoja shfrytëzon dhe burime të tjera informimi si librat apo mjetet e komunikimit masiv: "Merr një pus nafte dhe vendose në Gjirin Persik/ një ushtar prej kokaine vendose në Kolumbi/ mbretëreshë bëj Dianën në një tunel frojdian:/ të vritet nga që s'kishte frikë./ Dhe kuajt mbretërorë të hingëllijnë në zi."5 Ky autor nuk ngurron të futë në poezi edhe një mjet shumë modern, siç është interneti: "Çdo mbrëmje pas orës 8 me kodin Epidamus/ luaj shah në internet/ shah me një spanjoll, kinez, italian, brazilian/ me një rus, anglez, amerikan, indian/ shah: paralelet dhe meridianet krijojnë kuadratet/ një shah i përbotshëm me fatet tona".6
Shfrytëzimi i mbresave, i përvojave, i teknikave dhe i formave të reja i ka dhënë mundësi P. Ristos që ta përtërijë vazhdimisht poezinë e tij. Veç të tjerash, përtëritja estetike duket edhe në titujt e përmbledhjeve që ka botuar në vitet e fundit. Në strukturimin e librit "Lojë shahu në shekullin XXI", ai ka pasur parasysh lojën e shahut, e konceptuar si metaforë e atyre ligjeve të padukshme që përcaktojnë fatin e individëve apo fatin e shoqërisë njerëzore: "Çdo mëngjes marr një gur shahu në xhep (të bardhin)/ një gur shahu merr me vete (të ziun)/ dhe zbresim në Tiranën tonë me kuadrate:/ skakierë gjigande ngjyrë miu./ Lëvizja e parë: unë - një ushtar (të papunë)/ vendos te Ushtari i Panjohur/ Ti - një kalë të zi (si në Trojën pas Helenës/ te kali i Skënderbeut"..7 Në një tekst tjetër, skakiera metaforike ka përmasa planetare: "Unë lëviz ushtarin e qendrës te Kisha e Shën Gjergjit/ gjarpri i mëkatit ka ngrirë nën shtizë/ Të gjallët dhe të vdekurit/ në skakierën me kuadrate të historisë". 8
Përdorimi i rregullave të një loje si strumbullar i një vepre letrare nuk është një dukuri e panjohur në letërsinë botërore. Njëri nga romanet e Jasunari Kavabatës që titullohet "Mjeshtri dhe turneu i go-së" është strukturuar pikërisht sipas rregullave të "go-së", një lojë e ngjashme me lojën e damës. Ndërsa një autor tjetër, poeti belg Werner Lambersy-ja, në përmbledhjen poetike "Të zotët e shtëpisë dhe shtëpitë e çajit" (1988), si element strukturues përdor ritualin që ndiqej gjatë pirjes së çajit: "... ajo që duket qartë te libri "Të zotët e shtëpisë dhe shtëpitë e çajit", është se në qendër të kësaj përmbledhjeje gjendet ceremonia e çajit japonez, le shansyu, e cila i jep librit atmosferën, ritmin, pulsin e saj."9 Metafora e lojës së shahut ndeshet në ndonjë tekst të veçantë të poetëve që u përkasin hapësirave të ndryshme kulturore, siç janë J. L. Borges-i, M. Soresku apo Ch. Dobzynski, nga i cili po citoj strofën e mëposhtme: "Jeta e tij ishte skakiera / e një loje ku koha bën rokadë / e një loje ku ai luan me çdo veprim të tij / mati i padukshëm fillon".10
Loja e shahut si metaforë e përditësisë dhe e historisë është e pranishme në shumicën e krijimeve të librit, kurse në disa tekste përmendet në mënyrë të drejtpëdrejtë: "Lojë shahu në shekullin XXI",11 "Lojë shahu në New York"12, "Lojë shahu në Boston"13, "Lojë shahu në Uashington"14, "Lojë shahu buzë lumit (L)Ibër" etj...
Përveç rrafshin referencial apo konceptual, në përmbledhjen e P. Ristos, loja e shahut luan një rol të rëndësishëm edhe në rrafshin stilistik. Ka raste kur gurët e kësaj loje shërbejnë për të ndërtuar krahasimin: "Ime bijë më thotë se në New York jetojnë si gurët e shahut në katrorë".16 Në një tekst tjetër, me po këto elemente ndërtohet metafora: "Tek zbresim çdo ditë në New Yorkun e madh, / me gurët e bardhë e të zinj në xhep, / kuptojmë se jemi thjesht gurë shahu: të tjerë luajnë me ne"17.
Përqasja e jetës, e peripecive dhe e të papriturave të saj me lojën e shahut, i jep dorë poetit të krijojë situata dramatike si kjo që haset në poezinë "Lojë shahu në New York", ku ironia shndërrohet në humor të zi: "Unë mund të jem një oficer i degraduar nga gjeneral Asgjëja,/ ti mund të jesh mbretëreshë e kurorëzuar nga një Prometé. / New Yorku - lule hekuri mbi rrënjët e metrove gjithë jetën shah - sheh"18.
Në ndonjë tekst me ngjyra të theksuara tragjike, loja e shahut simbolizon një lloj fataliteti historik, pamundësinë e njerëzve normalë për të shmangur barbarinë e së shkuarës, e cila ia beh në ditët tona, për shkak se ndonjë nga lojtarët e kësaj loje që quhet ndryshe histori njerëzore, ka bërë një lëvizje të gabuar, ka mbetur rob i skemave që i janë ngulitur në kokë: "Luajmë / me qen që ndjekin fëmijë / me fëmijë të mbytur / të përgjakur / shah me tanke të bardhë e të përflakur / shah: ura ylber / ku e zeza me dhunë ka ardhur..."19.

II
Në librin e P. Ristos përfshihen disa përbërës që janë karakteristikë për poezinë moderne. Poeti është i vetëdijshëm se edhe në letërsi, ashtu si në sferat e tjera të shoqërisë njerëzore, vepron ligji i përdorimit dhe i vjetrimit: "Kjo që dje ishte e re / sot u bë e vjetër"20. Një vetëdije e tillë e ka shtyrë që të përpiqet në mënyrë sistematike për ta përtërirë krijimtarinë e tij, për t'u larguar sa më shumë nga ujërat e ndenjura të tradicionalizmit, domethënë të stanjacionit, të vlerave të tejkaluara dhe të teknikave të vjetruara. Duke e vënë theksin te domosdoshmëria e përtëritjes estetike, Vielé Griffin-i shkruante në shekullin XIX: "Arti nuk është diçka që vetëm mësohet, ai krijohet papushim. Ai nuk jeton vetëm nga tradita, por nga evolucioni"21.
Ashtu si për çdo letërsi të gjallë, edhe për letërsinë tonë përtëritja estetike është një problem jetik. Kundërvënia midis tradicionalistëve dhe modernëve, midis të vjetërve dhe të rinjve nuk ka marrë fund as në fillim të viteve gjashtëdhjetë, siç nuk do të marrë fund as në fillim të viteve dy mijë. Në gjysmën e dytë të shekullit XX, në kulturën tonë, kjo kundërvënie mori formën e një debati të politizuar, u trajtua në shkrime skematike që mëtonin të shqyrtonin marrëdhëniet midis traditës dhe novatorizmit. Jam i mendimit se edhe në kohën e pluralizmit politik e estetik, ky debat nuk e ka kapërcyer cakun e qasjeve të cekëta.
Duke analizuar këtë kundërvënie që është e pranishme në të gjitha ato letërsi, për të cilat janë të huaja amullia dhe monotonia, Thomas G. Pavel-i ka shkruar se "të vjetrit" e konceptojnë krijimtarinë letrare si prodhim të objekteve të reja, duke u nisur nga rregullat ekzistuese, kurse sipas "modernëve" krijimtaria prodhon rregulla të reja. Më tej, Pavel-i thekson se ky dallim është i pranueshëm kur rregullat për të cilat bëhet fjalë, kanë karakter gjinkues (genérative)22. Krijimi i rregullave të reja në art është shenjë e një origjinaliteti që qëndron më lart se sa përdorimi i rregullave të njohura prej kohësh.23
Në rastin e përmbledhjes "Lojë shahu në shekullin XXI", nuk kemi të bëjmë me formulime rregullash teorike, me ndonjë manifest poetik, por me një poetikë moderne të mishëruar në përbërës konceptualë dhe tekstorë.
1. Bota e sotme, shoqëria njerëzore konceptohet si një tërësi unike, pa kufij racash, kulturash, qytetërimesh apo shtetesh. Një ngjarje që ndodhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç qe sulmi terrorist i 11 shtatorit 2001, pati jehonë dhe pasoja që u ndien në tërë planetin: "Natën e parë në New York u shkrinë dy qirinj / dy flutura i shkrinë dhe shpirtrat erërat i përpinë / klithmat zgjuan Babiloninë."24 Më tej thuhet: "Brenda në një arkivol plumbi një ushtar prej mishi / në sytë pa jetë kish ngrirë loti i Shqipërisë".25
2. Ndonëse nuk përmenden gjëkundi miti i kthimit të përhershëm apo zhvillimi ciklik i historisë, në disa krijime lihet të nënkuptohet se disa dukuri apo ngjarje përsëriten, se, në një mënyrë ose në një tjetër, e kaluara është e pranishme tek e sotmja. Ky konceptim e shtyn autorin drejt teleskopimit të ngjarjeve, siç ndodh në poezinë "Prostituta Maria Magdalena": "Pasi Maria Magdalena puthi këmbët e Krishtit / mes lotëve iu falën mëkatet... / Maria Magdalena lëviz nëpër shekuj: metaforë pikëllimi / po asgjë s'ndryshon... / Maria Magdalena më kot lutet"26. Në poezinë "Sheherazada: 1001 netë pas 11 shtatorit 2001" thuhet: "Kryeveziri Xhafar nuk ka faj / faj kam unë dhëndrri i saj / i dhashë tri mollë arapit të zi, / tri bomba në formë molle... Faj kam unë, Babiloni"27.
3. Dihet se modernistët europianë të fillimit të shekullit XX kishin kultin e shpejtësisë dhe të makinës. Në Manifestin e futurizmit thuhej: "Ne deklarojmë se shkëlqimi i botës është pasuruar nga një bukuri e re: nga bukuria e shpejtësisë".28 Duke e komentuar këtë dukuri, kritiku francez Jean - Marc Debenedetti shkruan: "Në të vërtetë, shpejtësia nuk është e bukur në vetvete, por ajo të jep mundësi për të zotëruar botën. Përmendja e saj i modifikon horizontet, duke i dhënë njeriut një vizion unitar"29. Sipas këtij kritiku, falë shpejtësisë përftohet një nga elementet më të qenësishme të poezisë moderniste, siç është befasimi. Ai shton se shpejtësia e turbullon hapësirën, e modifikon gjeometrinë e saj dhe shpik një poezi të re, të çastit, e cila bënë që t'ia behë "befasimi".30 Kulti i shpejtësisë dhe i makinës zuri vend në poezinë tonë sidomos me përmbledhjen e Ismail Kadaresë "Shekulli im": "Në këtë shekull shpejtësish / Më shpejt se TU-104 / Më shpejt se sputnikët në fluturim, / Fluturojnë vjetët e tu, / Brezi im".31 Adhurues i shpejtësisë dhe i mjeteve moderne të transportit është dhe autori i përmbledhjes "Lojë shahu në shekullin XXI": "Dhe ne vrapojmë në drejtime të ndryshme / herë Kolombë, herë Magelanë, herë Piratë, herë Odise, herë Mobi Dik / Kudo na presin brigje të buta e brigje të rrezikshme"32. Një poezi e tij titullohet: "Me Boing dhjetë mijë kilometra mbi Atlantik"33. Shpejtësia dhe mjetet moderne të transportit përmenden në disa tekste: "Kur vij te ti: më ndihmon Toka në rrotullim / dhe kur iki: rrotullimi i Tokës më pengon / Kontinentet Babë - Bijë përshkoj me avion"34; "Anijet lundrojnë mes furtunaleve"35, "Unë eci / po koha më mund me supersonikët e saj spiunë"36.
4. Modernistët dhe më vonë syrealistët e huazuan nga Piere Reverdy-a përkufizimin që i kishte bërë imazhit poetik: "Imazhi është një krijim i kulluar i mendjes. Ai nuk mund të lindë nga një krahasim, por nga përqasja e dy realiteteve pak a shumë të largëta. Sa më të largëta dhe më të sakta të jenë raportet midis dy realiteteve të përqasura, aq më shumë ai do të ketë fuqi emotive dhe realitet poetik" 37. Një procedim i këtillë që ndeshet shpesh në përmbledhjen "Lojë shahu në shekullin XXI ", pa dyshim është një nga risitë e saj më të dukshme: "Ora qukapik / në trungun e kohës / krimbat e sekondave çukit"38. Edhe një figurë e thjeshtë si krahasimi të befason me ekzotizmin dhe origjinalitetin e saj: "Retë majtas e djathtas ndezin vetëtimën: / si koloni strucësh kur lëvizin qafat e gjata në ndërzim "39. Po kaq befasuese është edhe metafora që përdoret për fijet e barit: "Veç unë poeti i shtrirë mbi lapsat e thyer të barit "40. Kjo metaforë rimerret edhe në tekste të tjera, pa shkaktuar përsëritje: "Minaretë e xhamive dhe kambanaret e kishave: /lapsa që shkruajnë lutjet e përditshme në qiell/ pemët - lapsa klorofili shkruajnë poema drite/ dhe lapsa mishi çdo sekondë shkarravisin njerëz/ në mitër/ si në letër"41. Midis metaforave të shumta që ekzistojnë për malet në poezinë tonë, të befason metafora e mëposhtme, e cila të sjell ndër mend përkufizimin e reverdy-së për imazhin poetik: "...dhe malet në krah: papirusë që shkruheshin nga dielli"42. Nuk janë të pakta ato raste kur autori, me guximin e një modernisti të vërtetë,: shpërfill të gjitha klishetë e së kaluarës, duke përtërirë edhe imazhin që lidhet me objekte shumë të njohura, siç është hëna: "Hëna: Noea i thinjur/ timonieri biblik/ mbi Tokën e përmbysur"43.
Në disa tekste, metafora, e cila mund të konsiderohet edhe si kryefigura e përmbledhjes që po shqyrtojmë, i referohet mitologjisë klasike: "Kulla Eifel - shigjeta e ngulur te thembra e Akilit"44. Më rradhë, ajo i referohet edhe mitologjisë popullore: "Hëna: dhëmb i vampirtë ngulur në gushën e një reje"45. Në tekste të tjera, metafora ka referenca historike nga periudha të largëta: "S'është Ivani i tmerrshëm/ por nga thithka e Floridas - gji lope/ Uragani/ Ivan/ mjel frikë"46, apo nga periudha të afërta: "Kulla e Pizës: shishe vere më në fund u rrëzua e zhgënjyer".47 Në poezinë e P. Ristos, nuk mungojnë edhe metaforat që kanë referenca kulturore nga moderniteti letrar: "Hija ime - tulipan drite në një kopsht absurd"48.
5. Në kuadër të poezisë shqipe, krahas eksperimentimeve avanguardiste të Giuseppe Schiro di Maggio-së, do të zënë vend edhe kërkimet formale të ndonjë autori tjetër si Petraq Risto. Një eksperimentim i tillë, një teknikë vizualizuese që synon ta afrojë poezinë me pikturën është kaligrami, i cili, siç dihet, suksesin më të madh e arriti në krijimtarinë e Guillaume Apollinaire-it. Në kaligrame origjinale si "Litari i të varurit"49, "Ezra Pound dhe Kulla e Pizës"50 apo "Dialog shqiptar"51, karakteri ludik ndërthuret me një domethënie të ngjeshur.
Poeti i njohur Tristan Tzara-ja që mbahet edhe si themelues i dadaizmit, në shkrimet e tij teorike është shprehur se ka dy tipa poezish: poezia që shërben si mjet shprehjeje, domethënë poezia tradicionaliste, dhe poezia që është veprimtari mendore, domethënë poezia moderne52. Shumica e teksteve të përfshira në përmbledhjen "Lojë shahu në shekullin XXI" i përkasin tipit të dytë të poezisë, sipas klasifikimit që bënte Tzara-ja. Disa prej tyre kanë ngjashmëri me kërkimet poetike të ULIPO-së (Atelieja e letërsisë potenciale). Të tilla janë tekstet: "Gjenealogji"53, "Kombinim gjarpri dhe molle"54, "Karrigia e së vërtetës 4"55, "Lumi (L) Ibër"56, "Pandora"57, "Rëndësia e shkronjës P"58, "Tabu tabut"59, "Evropa: oratorio në tri kohë"60, "Logjikë pellazge"61etj...
Në këtë tip poezie, një rol të rëndësishëm luan anagrama, siç vihet re në këta dy shembuj: "Medea medet vëllain vret"62 ose: "Të paturpshëm dhe pëllumbat në Qeens / Më thanë se PEACE shqiptohet PIS"63. P.Risto ka shfrytëzuar me mjeshtëri edhe etimologjinë poetike për të shtuar karakterin ludik të tekstit: "Pellazg do të thotë Pjell në ag apo Pjell azgan"64, "Një tjetër tha se veç në Shqipëri / toka mëmë quhet dhe trojë (t'rroj)..."65 "Tungjatjeta krimb mëndafshi (mënd + afsh)"66. Etimologjia poetike fiton një dendësi të madhe kuptimore kur gërshetohet me ironinë apo groteskun: "Pushteti vjen nga fjala pushtë si etërit (apo Pushtët kanë etje? Pyeta unë)"67. Në një tekst tjetër: "Me lëkurën e Sheng(r)enit bëra një xhaketë", "Berlin, Berlin, Berlin / në pesë copa e pret Shqipërinë / Bjer(lind) / Bjer(lind) / Bjer(lind)...", "Romë Romë Romë / Gjergji ynë osmanët t'i ndali me taborë / (v)Romë (v)Romë (v)Romë"68.
6. J. M. Debenedetti ka shkruar: "Në të vërtetë, ëndrra është ajo gjendje mendore, me të cilën syrealistët janë orvatur të afrohen"69. Elemente të onirizmit janë të pranishme në disa tekste të përmbledhjes "Lojë shahu në shekullin XXI", të cilat janë shkruar sipas teknikës së ëndrrës: "Më në fund / nga bota e përtejme u kthye një njeri / i veshur si në ditën e vdekjes / me një karafil të kuq te xhepi i xhaketës të zezë / te xhepi sipër zemrës"70. Mendoj se me po këtë teknikë është shkruar edhe poezia "Raporti i parë i një jashtëtokësori për Tokën": "U ktheva nga planet blu: / kopsë në këmishën e Gjithësisë / Kishte ujë dhe minerale, kafshë, bimësi, / ca qenie gjysmë inteligjente / ulërinin lart e poshtë / pështynin lart e poshtë / asgjësonin dhe vetëasgjesoheshin71.
Me risitë e dukshme që përmban, jam i bindur se përmbledhja "Lojë shahu në shekullin XXI" e Petraq Ristos është një nga prirjet avanguardiste dhe një nga arritjet e suksesshme të poezisë sonë të sotme.

Referenca bibliografike
1. La poésie espagnola, Paris, 1963, f.243
2. Europe, juin-juillet 2003, f.197
3. La poésie moderniste, Paris, 1992, f.16
4. Petraq Risto, Lojë shahu në shekullin XXI, 2005, f.46
5. Po aty, f.50
6. Po aty, f.50
7. Po aty, f.45
8. Po aty, f.49
9. Werner Lambersy, Maîtres et maisons de thé, Bruxelles, 1988, f.149
10. Anthologie de la poesie française du XXe siècle, Paris 2004, f.346
11. P.Risto, vep. e cit., f.45
12. Po aty, f.46
13. Po aty, f.49
14. Po aty, f.51
15. Po aty, f.52
16. Po aty, f.54
17. Po aty, f.48
18. Po aty, f.18
19. Po aty, f.52
20. Po aty, f.29
21. La poésie symboliste, Paris, 1992, f.23
22. Solomon Marcus, La sémiotique formelle du folklore, Paris, 1978, f.290
23. Po aty, f.291
24. P.Risto, vep. e cit., f.121
25. Po aty, f.124
26. Po aty, f.118
27. Po aty, f.121
28. La poésie moderniste, Paris, 1992, f.12
29. Po aty, f.18
30. Po aty, f.15
31. Ismail Kadare, Shekulli im, Tiranë, 1961, f.79
32. P. Risto, vep. e cit., f.119
33. Po aty, f.56
34. Po aty, f.56
35. Po aty, f.75
36. Po aty, f.115
37. La poésie moderniste, Paris, 1992, f.15
38. P.Risto, vep. e cit., f.110
39. Po aty, f.108
40. Po aty, f.10
41. Po aty, f.29
42. Po aty, f.34
43. Po aty, f.32
44. Po aty, f.145
45. Po aty, f.162
46. Po aty, f.103
47. Po aty, f.159
48. Po aty, f.148
49. Po aty, f.14
50. Po aty, f.70
51. Po aty, f.97
52. Tristan Tzara, Poéte d'anjourd'hui, Paris, 1966, f.72
53. P.Risto, vep. e cit., f.10
54. Po aty, f.16
55. Po aty, f.27
56. Po aty, f.52
57. Po aty, f.61
58. Po aty, f.98
59. Po aty, f.10
60. Po aty, f.144
61. Po aty, f.107
62. Po aty, f.11
63. Po aty, f.48
64. Po aty, f.61
65. Po aty, f.155
66. Po aty, f.161
67. Po aty, f.99
68. Po aty, f.145
69. La poésie surréaliste, Paris, 1992, f.14
70. P.Risto, vep. e cit., f.84
71. Po aty, f.91

Dienstag, 29. Mai 2012

Luan Rama - “Qiellin steril e përbuz rrufeja”


Luan Rama, Paris

“Qiellin steril e përbuz rrufeja”
Një e-mail nga Parisi për librin poetik “Engjëlli me virus H5N1” të autorit Petraq Risto 


 I dashur Petraq,

Mbrëmë mbarova librin tënd « Engjëlli me virus H5N1 » dhe ndjeva një dëshirë që të ulesha dhe të shkruaja poezi. Këtë lloj frymëzimi ta japin poetët e vërtetë, edhe kur nuk je poet, kur nuk jeton përditë me të, apo ke shkruar veçse ca poezi, me një fjalë kur je një pasionues i poezisë dhe jo lëvrues i saj.
Lexoja poezitë dhe më rishfaqeshe ti në ditët e universitetit, me hapat e nxituar në bulevardin e madh, ti që jetoje çdo ditë me poezinë. E pra, poezia kishte bërë goxha rrugë, kishte hapur rrugë të mëdha, të ëmbla dhe dehëse. Të përshëndes për këtë dhe gëzohem për këtë, sepse kështu ndodh kur poezia bëhet dhe pronë e të tjerëve... Sepse është bukur të thuash: « Dikush hedh kovat në pus / dhe çuditërisht / i mbushen me dritë/…”…se është dehëse të thuash: « me shegët që paturpësisht shkopsisin jelekët / të shfaqin inxhitë e tepërt/…se është sublime të thuash: « Mos ma prekni rrasën e varrit / të vjetër sa një gur mulliri ;/ bluan grurin poetik të njerëzimit /…sepse Witman-i që atëhere, kur ti mbaje në kokën e shtratit « Fije bari », kishte mbjellur një farë që vonë do të thoshte: « Witmani fton në banket gjithe poetët / të varfërit, të verbërit, dhe mbretërit /, …dhe ti ishe një nga të varfërit e pasur…
Ti që lumturoheshe me Lorkën e poezisë së vrarë për t’i thënë 30 vjet më vonë: « Ti ndjek gjurmët / e pulëbardhave në ranishte…/ harron e ngjitesh në qiell »,…sepse tek ty, ishte dhe është: « dhe zjarri, dhe tymi » i ekstazës ajrore të dashurisë,…ashtu siç me të drejtë do të thoje « ftoi i gjirit drithërohej në degë / nën degë drithërohesha unë »….
Kështu, duke lexuar poezitë e tua, m’u duk vetja djaloshar. Ngjisja dhe zbrisja shkallë poetike bashkë me flladin, bashkë me erën, ashtu si në poezitë e tua « Mali », « Dialog erotik » (veçanërisht strofa fundit), « Derdh parfum të bardhë », « Do ta blej një majë mali », « Hallelulja », « Koridori i pasqyrave 10 - Nëna », « Kënga 1- Dashuria », « Lojë me karafila në det », « Vrasja e Eskilit », « Kënga e engjëllit » (tek “Engjëlli me virus H5N1”), etj.
Herë-herë, fjala me ngjyrën, poezia me pikturën, ngjizen aq shumë, sa që bëjnë një festë të madhe pranverore! Ç’festë! Të lexosh një “sonatë” (“Dashuria”), dhe të përgjumesh, të flesh!..Atëherë ti vërtet beson kur poeti thotë: “Shikoj malet nga lart – libra të verbërish / lexohen vetëm nga të prekurit / më shumë se të gjallët, peshojnë të vdekurit”.
Para pak kohësh u mora me poezinë e Jean Cocteau dhe diku, në një intervistë të tij, ai i referohej “fatkeqëve” Rembo, Bodler dhe Verlen. Dhe thoshte se tek Bodler, “mjaftonte një varg-shkreptimë që ta merrte tërë poezinë për ta ngritur në qiell”. Ashtu ndodh dhe tek ti, na rrëmben dhe na çon në qiell. Atëhere unë dua t’i them Cocteau-së së vdekur me vargjet e tua në buzë : “merr një rreze e bëje litar / në ferrin njerëzor të zbresim”…Dhe atëhere Moxart do dëgjojmë, siç shkruan ti: « Një Moxart surealist shkruan rekuiem pëllumbash duke qeshur / mes pëllumbash vdes »…ashtu si në një imazh « Amadeus » ku « qiellin steril / e përbuz rrufeja »…


Marrë nga "Sofra poetike"

Nuri Plaku: SFIDAT E NJE ROMANI

 (Petraq Risto: “Një grua në Urdhrin e Ujkut”. Tiranë, 2009)


Nëse romani nuk do të kishte në ballinë emrin e autorit, ai do të konsiderohej ndoshta i Markezit, i Saramagos, i Barikos, apo i Kadaresë dhe shumicës nuk do t’i shkonte mendja se ky roman është i poetit dhe shkrimtarit, sot për sot disi “në hije” Petraq Risto, sepse teksti i tij është një kontribut vërtetë i denjë për emra të tillë.

Një grua që banon mes ujqve dhe ulërin me zërin e tyre, është një sfidë e hapur e çdo shoqërie njerëzore, çdo rrace dhe çdo sistemi. Jemi mësuar të shohim raste të tilla nëpër filmat e Hollivudit, të lexojmë nëpër libra, si pjesë e aventurave të rralla mesjetare, të periudhës së zbulimeve gjeografike dhe veçanërisht të rastit unikal të Tarzanit. Edhe “Dhëmbi i bardhë” i Xhek Londonit afron një realitet të tillë rrëngjethës, por në tjetër botë e tjetër kohë. Ndërsa rasti në fjalë është një “Sahara” e shpirtrit njerëzor, një mit i shkruar në thelbin e prekshëm të shoqërisë shqiptare, një befasi tronditëse për fatin e zi të femrës në një nga skajet më të largëta e më të egra të Veriut tonë malor. Kontakti i parë i lexuesit me këtë fabul, të jep ndjesinë e një mahnitjeje të beftë si përpara një statuje të mermertë, zbuluar rastësisht në një kopsht përrallor. Teksti i këtij libri të fton në një seri të pafundme pyetjesh të shtresuara në kujtesa të shumëfishta, të mbrujtura me kodet e një kulture të vdekur, ndoshta që në prehistori. Cila është kjo grua dhe cilës kulture i përket? Cila është veshja e saj shpirtërore dhe vendi që zë ajo në shoqëri? Cilat kode ruan nga komunikimi me botën e kafshëve dhe çfarë mesazhesh transmeton qenia e saj absurde? Të gjitha këto janë pyetje të pafundme që mund të zgjaten pafundësisht nga mendësitë idealiste dhe utopizmi i metafizikës njerëzore. Por përgjigjet e tyre i gjen të gjitha te “… gruaja me Urdhrin e Ujkut.” Nëse romani nuk do të kishte në ballinë emrin e autorit, ai do të konsiderohej ndoshta i Markezit, i Saramagos, i Barikos apo i Kadaresë dhe fatkeqsisht nuk do t’u shkonte mendja se ky roman është i poetit dhe shkrimtarit, sot për sot disi “në hije”, Petraq Risto, sepse teksti i tij është një kontribut vërtetë i denjë për emra të tillë.
Ç’është kjo përmbajtje që më tepër sesa një kënaqësi estetike e artit të të shkruarit, të godet si një akuzë therëse për gjendjen e sotme të shoqërisë shqiptare? Ç’thotë ky roman që më tepër sesa i tillë, na shfaqet si një testament qytetërimi të thyer?
Fabula është një bidistilat i ngërçit të jetës shqiptare, shfaqur në një nga trevat më të egra të vendit tonë, Veriut të largët, atje ku shpellat dhe guvat janë mbushur me ulërimat e ujqve, ndërsa frëngjitë e kullave ende janë të zëna nga ligjet e Kanunit të Lek Dukagjinit.
Gjithë përmbajtja e kësaj proze kalon nëpër tre shkallë të rëndësishmë: mitikes, realitetit dhe sfidës.
Mitikja e vesh fabulën përgjatë gjithë shtjellës së saj, duke e ngjyrosur atë tërësisht me ngjyrat e ylberit. Bozhurja, personazhi kryesor i romanit, herë-herë vesh kostumin e një zane, herë-herë të një gruaje reale. Ajo shfaqet së pari në portën e kullës së Destanit, njeriut që ka dashur që në fëmininë e saj të hershme, në krye të një tufe me ujq dhe ngjan para tyre si një fantazmë e vërtetë. Prekja e deles nga ujku dhe bindja e saj për vetflijim, thirrja e viktimës prej së largu e deri te prishja e magjisë me qumështin e gjirit, janë të gjitha ngjyrime sureale, për të cilat autori shfrytëzon elementë magjikë të besimeve popullore të trevës, përrallat, gojëdhanat dhe legjendat e saj të pasura. Përralla e gjysmagjelit është marrë si një “karabina” e gatshme gjysëmfabrikat dhe i është përshtatur një tjetër personazhi, Fatmirit, nëpërmjet të cilit autori realizon një gjysëmujk të aftë për të jetuar në kushtet e reja të shoqërisë shqiptare.
Krahas mitikes në romanin e Petraq Ristos gjejmë edhe disa realitete, të cilët shtresohen mbi njëri-tjetrin me një semantikë polivalente. Vetë Bozhurja, viktima që shfaqet me një panoramë rrëngjethëse, përfaqëson realitetin më të dukshëm në këtë roman, dekadencën e shoqërisë shqiptare si rrjedhojë e veprimit të zakonit të egër të gjakmarrjes dhe emigracionit. Gjaku i dhimbjes së saj shpirtërore, është i pakoagulueshëm. Ai rrjedh mbi shtratin e një fati ogurzi, i cili flatron si një korb i vetmuar në jetën e kësaj gruaje të re. Takimi i saj me këtë fat, nuk është i rastësishëm. Ajo nuk është “rrëmbyer” në kryqëzimin aksidental të udhëve, si rasti i Tarzanit. Përkundrazi, zgjedhja e saj është një detyrim hakmarrës për vrasjen e tre vëllezërve. Ajo jeton në një kohë kur “Bibla” e Lek Dukagjinit frymon e ringjallur në çdo oxhak fisi për të zëvendësuar mungesën e “frymës” ligjore të shtetit. Ky diversitet është shkaku që i detyron këta njerëz të trokasin në Portën e Ferrit. Këtij shkaku i bën jehonë kaq të madhe ky shkrimtar, duke e kthyer atë në përgjegjësi morale kolektive. Kjo është një nga pikat dominuese të kësaj proze, përtej “epsheve të thella në marrëdhëniet e saj seksuale pas larjes me ujin e dëborës.” Uji i vërtet që duhet të bjerë mbi trupin e saj, është uji i bekuar i “pagëzimit” social. Vajza bën “jetë ujku” që shkon përtej sloganit popullor, “jetë qeni.” Performanca e kësaj jete të sjell ndër mend kuptimin poetik të Saadi-ut, i cili i mërzitur nga miqtë e tij të Damaskut, iu drejtua shkretëtirës, pranë Jeruzalemit, “për të kërkuar shoqërinë e kafshëve”. Bozhurja iu drejtua shpellave të verbëra dhe shkëmbenjve murrash të “shkretëtirës veriore”, për të gjetur shoqërinë e ujqve. Klithma e saj e thekshme në momentin e orgazmës, nuk është gjë tjetër veçse thirrja e jetës së munguar. Mëkati biblik që ka kapur këtë grua, është kërcënimi më i madh që i kanoset shoqërisë së sotme të ashtuquajtur demokratike. Ky është një realitet therës, që shtresohet midis të tjerëve, me shumë vërtetësi në faqet e këtij romani.
Për fushën e studimeve gjinore, stereotipi i saj femëror, përputhet me një grua të shoqërisë primitive të kohës së shpellave. Kaq larg e çon shoqërinë tonë tranzitive ky roman, sa i çjerr asaj maskën e sloganeve falso të politikave sociale, dhe e detyron atë të lahet “nudo” në ujin e “dëborës” politike. Nëpërmjet kësaj “nudoje” proza e Ristos, krijon realitetin politik, i cili është një arritje e suksesshme e krijimit artistik. Kur letërsia bëhet një realitet politik, kjo do të thotë se ajo bëhet thirrje për ndryshim. Pikërisht ky element përbën një nga sukseset më të rëndësishme të kësaj proze, sepse nëpërmjet këtij realiteti, ajo arrin të kthehet në sfidë.
Sfida që shfaqet në këtë roman është bipolare. Gruaja ka një konflikt biologjik brenda vetes, e cila kërkon respektimin e normave dhe kushteve të jetesës. Mungesa e këtij respekti përbën turp social.
Konflikti i parë që shfaqet te kjo grua është barra e hakmarrjes. Ligji i gjakut e detyron atë të bëj një sfidë; të rroki armët. Ndërsa me lindjen e fëmijës ajo krijon sfidën e dytë ndaj vdekjes. Fiton jeta. Por fëmija do të rritet në mes të ujqve dhe pa dyshim do të bëhet një ujk. Kjo përbën turp social dhe turpi social është sfidë për politikën. Do të ishte e lume ajo politikë që do ta konsideronte këtë roman një traktat akuze për punët e saj. Nëse do supozonim një moment që kjo vepër do të diskutohej në parlamentin shqiptar, atëherë në shoqërinë tonë do të ndodhte katarsisi i vërtetë. Letërsia nëpërmjet këtij traktati denoncon pasojat ogurzeza të politikës. Nëse Kadare thotë se duhet filluar nga kultura, Risto denoncon nëpërmjet kulturës. Dhe autori këtë gjë e realizon nëpërmjet sfidës. Dihet se sfida dhe përgjigja janë përcaktuar si mekanizmi i lëvizjes së qytetërimeve të ndryshme, nga njëri prej studjuesve më të mëdhenj anglez të shekullit kaluar, Arnold Joseph Toynbee. Por në këtë rast, në kushtet e një realiteti të tillë të “mungesës së frymës” shtetërore, romani duhet konsideruar një dorashkë e hedhur përpara politikës shqiptare për duelin e qytetërimit. Nëse ne e konsiderojmë ecurinë tonë si pjesë e qytetërimit perëndimor, në këtë aspekt social-gjeografik të vendit ai duhet konsideruar i ndalur. Ky është thelbi i këtij romani, i cili nga klithma e ujkut të një gruaje, kthehet në klithmë tigri të një intelektuali. Petraq Risto ka dal në avangardën e intelektualëve shqiptarë, duke përplasur në fytyrën e shoqërisë sonë akuzën e tij që të tmerron me ulërimën e vet. Gruaja-ujk ka një devijato nga trajtat normale të identiteteve tona përfaqësuese. Ne po vrasim identitetet tona, do të thotë ajo. Ne po na rrëmben e shkuara kafshërore. Ne po na rrëmben kanuni primitiv i gjakmarrjes dhe po na çon në pragun apokaliptik. Kjo është sfida! Është politika ajo që duhet të përgjigjet. Dhe përgjigja e sfidës është përballimi i saj. Vetëm atëherë shoqëria sjell bazat e qytetërimit. Në këtë aspekt, romani duhet konsideruar një vepër monumentale e kulturës shqiptare.
Shumëkush merr kënaqësitë estetike të kësaj proze duke “kalëruar” përmes metaforave, ritmit të saj energjik, qartësisë dhe thjeshtësisë absolute të gjuhës, e cila i duhet aq shumë një vepre letrare. Por kjo nuk të jep “shijen e duhur” përkundër gjithë asaj “traume” që pëson nga leximi i ethshëm i ngjarjes.
Autori arrin të ndërtojë një raport dimensional edhe përtej mentalitetit shqiptar, duke na dhënë një paradoks europian nëpërmjet përshkrimit të dy hetuesve të Hagës, të cilët vijnë për të verifikuar transplantin e organeve njerëzor në “vendin e ujqve.” Kjo ndodh si në proverbin e mjekrës me cigaren. Realitetit shqiptar i “digjet mjekra”, “hagistët” vijnë të “ndezin” cigaren serbe. ”Cigarja” europiane është “ndezur” shpesh në “mjekrën” tonë të djegur. Tymi i saj i hidhur ka bërë të lotojnë mijra sy brezash që nga Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës e ajo e Paqes në Paris. Dhe tashmë, vazhdojnë përsëri provokimet.
Në fund të romanit, mozaiku konvertohet në të kundërtën e tij. Agron Vrataj, hasmi për të cilin është bërë gjithë ai transformim i Bozhures, vjen në fshat i thirrur prej saj për hakmarrje. Por kur ajo mëson gjymtimin e tij fatal, nuk e shkreh armën. Pikërisht këtu kemi një mesazh me vlera të jashtëzakonshme për moralin shqiptar. Gjymtimi i këtij personazhi nga minat serbe, nuk e kënaq gruan e re. Në momentin kur vdekja e kapëllon në fyt, ajo e pastron shpirtin e saj me faljen e gjakut të vëllezërve. Sa e njohin faljen mëkatarët e pafundëm të këtij vendi?
Pra, ky roman është i tëri një sfidë në disa rrafshe.
Dhe së fundi, Bozhurja ikën nga atdheu, e braktis atë, dhe troket në një vend më të besuar për të ndërtuar të ardhmen e saj. Braktisja është sfida e fundit që ajo i bën shoqërisë, traditës, Lek Dukagjinit, kullave të fshatit dhe, mbi të gjitha, politikës shqiptare. Ribashkimi i saj me Fatmirin, të jatin e djalit dhe emigrimi për ndryshimin e jetës, është mesazhi optimist se shqiptarët, pavarësisht nga rrethanat, zotërojnë energji pozitive për jetën në funksion të së ardhmes së saj.