Mittwoch, 30. Mai 2012

BEFASI POETIKE E PETRAQ RISTOS


Agim Shehu, Gjenevë


BEFASI POETIKE

E PETRAQ RISTOS

Shënime për vëllimin “Lojë shahu në shekullin XXI”


Para 40 vjetësh tre të rinj nga Durrësi u shkruanin tre poetëve pak më të rritur në Tiranë, me emër më të dëgjuar. Letrat qenë dëshirë njohjeje intime me ëndrra poezie. Autorit i drejtohej gjimnazisti Petraq Risto.Letra e tij (e ruaj kujtim si një parandienjë të largët të tij për udhën e vet në poezi) m’u bë e dashur, sepse në bardhësinë e rinisë kish dhe xixa poeti. Gjer ku do arrinte, sigurisht atëhere nuk mund ta parashikoja.
Në një takim në Nju Jork, kohët e fundit, e shoqja e Petraqit me vajzën poete, Sidorelën, më dhuruan librin më të ri të tij “Lojë shahu e shekullin XXI”. E lexova dhe u befasova. Po ndjehesha i dritësuar me brilantë metaforash.I rishfletësoja përsëri faqet si për t’u bindur më saktë, e nga njera fletë te tjetra ato më hapeshin të heshtura para syve, herë si sy Homeri, herë si flutura në lëvizje. Më ndalën sytë te vargjet “Ëndëra ime - e vetmja njësi matëse...Kush ëndëron i pari, vdes i fundit”.U buzëqesha me një mall të largët diku në Tiranë apo në Durrës, si të njohur të hershëm: i riu i çiltër që në oborrin e gjimnazit kish ditur t’i hapte udhë ëndrrës, e në librin më të fundit atë e kish ngritur në piedestalin e poezisë më të mirë shqipe.
Në Shqipëri, për ironi të kohës, tabutë letrare në socializëm kanë mbetur ende disa “bunkerë” të trashëguar: dy tre vetë zënë qoshenë, si vlerë e palëvizur, edhe pse “rezervat në bankë” një çast mund t’u jenë rralluar (për më saktë, tani doli në dukje pakrahasueshëm poeti Petraq Risto, dhe fjala e parë sot është e tij. Nesër vjen tjetri...).
Te vepra e re e tij dëgjojmë zërin e qytetarit ngritur në lartësinë e hijshme të poetit, sa shqiptar dhe universal. Një zë ku lexohen thellësi me dritë, po aq dhe lartësi me humnera pranë, të vendit të tij. Një poezi me ndërgjegje të fuqishme, e ushqyer në këtë shkallë gjer nga nënndërgjegjja e njeriut.
Si në poezinë më të mirë shqipe, përmbledhja “Lojë shahu e shekullin XXI” të rrit përmasat e mendimit ngaqë të vinë me bukuri të veçanta përfytyrimesh ku ideja dhe figura kanë harmoninë e planetit me orbitën ku ecën. Ndjek mendimin e vargjeve dhe nuk e ndjen se ku ndërhyn figura, e cila i jep vitalitet dhe bukuri mendimit si dritë hëne brenda valëve. Në këtë vëllim autori shfaqet kalorës virtuoz që di të zotërojë “harbimin” e kalit të bukur siç është metafora në poezi.Kjo është e domosdoshme veçanërisht për një krijues i cili jetën me ngjarjet e trazuara i vëzhgon si qytetar, i gjykon si filozof dhe i shpreh si poet. Të tria këto përmasa i gjen te libri, si të lexoje Uitmanin, Eluarin apo Migjenin.
Je në shkëlqimin e mendimit dhe brishtësinë e figurës, e në gjykim të parë të duket si i pagjetur emërtimi “Lojë shahu...”. Por mbaron librin së lexuari, e me vlerësimin e saktë të së tërës kjo hamendje bije.Autori del i ndërgjegjshëm se ç’e ka shtyrë në motivet e kësaj përmbledhjeje vargjesh. Është i lexueshëm dhe tepër i hijshëm misioni i tij. Për ngjarjet e sotme në botë, veçanërisht në popullin e tij, ai ka ndjeshmërinë e busullës së përsosur shigjetat e së cilës mbeten të drejtuara kryesisht në dy pika kryesore, dashuria për njeriun dhe dhimbja për fatin e tij. Ky humanizëm ia afron natyrshëm figurën si poet dhe ia ngre lart mendimin si qytetar.
Poezia shqipe ka gjithçka, por unë nuk di ku ka të tillë margaritarë me ulërimë brenda për shqiptarët e ditës: “...Veshim kostumet e të vdekurve të Europës/, këpucët e të vdekurve të Europës/ dhe dalim rrugëve tona si europianë/...Kostumet e të vdekurve na rrinë mirë/, këpucët e të vdekurve nuk na shtrëngojnë/ pavarësisht se rrugët i kemi me plagë/. Duke ecur, ndjejmë se të vdekurit e Europës/ na ndjekin pas”...E në një poezi tjetër: “Kush është ajo, kush është ai/, në cilën mbrëmje ndodhi krimi/, në cilën varkë, nën cilin yll/, pse kamera e Hënës s’e filmoi?!”.Pas vargjeve të tilla të Petraq Ristos, të mërmërin nga larg zëri i pikëllueshëm i Migjenit: “O, si s’kam një grusht të fuqishëm...”! (a kanë fije poezie në mendje, në mos në shpirt, deputetët tanë vulëhumbur, që grushtin e mbajnë për të rrahur njeri tjetrin, apo për të përmbysur sallën e shenjtë të Kuvendit!? Thua për ta, si paranjoftim, është shkruar krahasimi tronditës i poetit: “në javët e para foshnja ka formë e gjarpërit/ dhe gjarpërinj na presin pak orë pasi kemi vdekur”.
Nëpër vargjet e poezive udhëton mbi relievin e Atdheut tënd, udhëton brenda dramave të popullit të tij. “Dhomat” e metaforës kanë brenda dhembjet e tij. Poeti hap udhë të hysh në to (duke të ndihmuar në të njëjtën kohë që të gjendet udha për të dalë). Ai gjykon rreptë e me dinjitet, tepër lexueshëm për ata që kanë mend për vete dhe përgjegjësi për vendin, duke qënë dhe vetë brenda kësaj drame të përgjithshme: “Nëse sot flasin profetët e rremë/, nesër ka turbullira dhe gjak”...Truri ynë ka zbritur në prapanicë/ e Juda është kthyer në gardian të Krishtit”.
Nga njera faqe e veprës te tjetra figurat me mendim të fuqishëm brenda tyre, i shtojnë sa lirizëm dhe dritë dramash shoqja - shoqes: “Të vdekurve u veshin këpucë të reja/ se rruga që kanë zgjedhur është e gjatë/, mbi rrugë dashurohen ylberi e rrufeja”.
Poeti dëshmon se dhe në poezinë moderne vargjet rjedhin si një rrëfim i lirë bisede, thua gjethet e një peme pëshpërijnë me njera tjetrën. Është qartësi mendimi dhe çiltëri shpirti që flet. Në botë çdo objekt, edhe më e rëndomta, ka diku të ngjashmen e vet të krahasueshme me të. Kur puqen bashkë sipas ligjeve të harmonisë, të dyja tok krijojnë figurën, plani kthehet në reliev me faqe rubini. Takimi bëhet nga jashtë (si krahasim etj.) apo nga brenda (si metaforë, mbretëresha e figurave). Figura mbetet kështu figurë kur të krahasuarat, qoftë si objekt apo përfytyrim më i gjerë objektesh, kanë ngjashmëri dhe harmonia përmban edhe simetrinë që ka bota. Secila nga anët e krahasuara i rrezatojnë vlerat e veta shoqja - shoqes. Ato janë kështu lëvizje mendimi me rrezatim të gjatë radiumi. Nuk thuhet kot që poezi e mirë është ajo, e cila përmes ndjenjës të nxit mendimin, e poet i mirë është ai që di të ndërtojë figurë dhe nga gjërat më të zakonta - “poezi e veçantë”, “figurë befasuese...”.
Poeti Petraq Risto e ka këtë laborator, mrekullia e të cilit duket te figurat që krijon me lehtësinë që dega krijon lulet apo ngrica kristalet. Sheh në trotuar një shitës farëzash të lule-diellit (të tjerët do kalonin asnjanës); poetit i dhimbset si njeri e i këndon si poet për fatin e pasigurt në një imazh kaq sugjestionues: “Ai ka një privilegj, - mund të vdesë në rrugë/ i rrethuar nga zogjtë”... apo “Në kufirin mes ditës e natës/ ke ndjesinë se Zoti qëron një portokall”. Brenda imazheve të tilla, si hipur mbi meridianet e globit, shkon në Nju Jork tek e bija e dashur, të cilës i jep metaforën kozmike, si dhuratën më të bukur: “Kur vij tek ti: më ndihmon Toka në rrotullim/ dhe kur iki: rrotullimi i Tokës më pengon”.
Në një poezi tjetër të kësaj përmase – “Zogjtë e Pikasos”: “dolën nga telajot e fluturonin drejt Pikasos/; Ai u merrte pendët e luante rolin e ëngjëllit/;u merrte kthetrat e luante rolin e djallit/...vdiq pa mësuar sekretin e ngjyrave...” (te cili poet i shquar në botë nuk do ndalnim me adhurim mbi vargje të tillë, nëse do t’i shihnim në libra të tyre)!
Një guxim të tillë mendimi mbi art të hollë, e ngarkon një poet, i cili, qoftë dhe një çast, zhgënjimin mbi supet e njeriut e ngarkon vetë dhe e gjykon me një inteligjencë disi të ftohtë: “Tha Moisiu: Mendja – kryesore te njeriu. Krishti tha – zemra. Marksi – stomaku. Frojdi – seksi. Ajnshtajni – relative janë të gjitha”...
I tillë, gjithandej në poezitë e tij, autori shfaqet ndër poetët më fisnikë, që nuk kalon asnjanës para zhvillimeve të botës. Sipas tij, të shikosh, domethënë të gjykosh! Botën ai e gjykon në emër të njeriut dhe njeriun - në emër të humanizmit. “Bilal Xhaferi... iku i ndjekur pas nga lehjet e qenve/ dhe njerëzve...eshtrat e tij yjëzojnë fosfor”...Ose “Ky trëndafil i kuq në varrezën e vjetër/ para 200 vjetësh qe njeri...Kam qënë ushtar, ushtar i vrarë/ ndaj u bëra petalekuq/ se po të kisha flamur të bardhë/ trëndafil i bardhë do isha unë”...Sa i bukur dhe i besueshëm, poeti është te ëndrra e njeriut, sa dhe te dhembja e tij. Nga kjo dhe më të zakontën e jetës e kthen poezi: “Tri ditë pa drita, e lotët e mi/ e kthyen zemrën në turbinë/...dhe llampa e vjetër e Edisonit/ u ndez nga dhembja për Shqipërinë”.
Te Atdheu, qoftë dhe me penela të kursyera, pa fryrje të shtirur, poeti merr përmasën e parë më të hijshme: “Elefantët para vdekjes/ shkojnë të mbyllin sytë te varret e prindërve”... “Mbi rrafshnaltën e Trojës/ para se të gjente hirin e ftohtë dhe thesaret/, Shlimani gjeti 8 familje shqiptare”... “Arnold fon Harfi...rastësisht i ra fletorja, dhe fjalët shqip/ akoma mbanin aromë trëndeline”...
Tërë vlerat e artit mbahen kryesisht te thellësia e gjykimit dhe ndershmëria në të vërtetën. I tillë, gjykimi i poetit i shkon vështrimit të njeriut: hap sytë në do që të jetosh si njeri!
Bota ekziston për njeriun, dhe në emër të njeriut poeti atë e merr në pyetje kudo që ajo shfytyrohet. Ngarkuar me këtë mision fisnik, Petraq Risto mbetet poeti i plotë, tanimë ndër më të mirët e poezisë shqipe. Nëse do pyetet, është moderne apo klasike poezia e tij, ato të dyja rrinë brenda njera tjetrës me kufij konvencionalë mes tyre, duke huazuar te shoqja më të bukurën e vet.Te kjo vepër e shquar e tij, ai të shfaqet diku në një pllajë Shqipërie ku “buzëmbrëmjet vinë me hapa pëllumbi e ikin me hapa Hirusheje...”. Për më tej u rrëfehet intim njerëzve për një pasion të tij Shqipërie: “Me avion do t’i sjellë dy dallëndyshe/ në Manhatan nëpër xhepa do t’i mbaj/...veç Nju Jorku të mësohet me surprizën-dallëndyshe”.
Të tillë do ta takosh poetin, në “dhomën e tij pa drita” apo te “krahët e dallëndyshes”, ku ovalet e fluturimit janë dhe prej harqe metaforash...

Keine Kommentare:

Kommentar posten