Samstag, 14. September 2013

Vangjush Ziko: “Më zgjo pëllumbi i Noes"

Nga Kristaq Kotonika
 
Poeti ynë i mirënjohur Vangjush Ziko, ndërkohë dramaturgu, skenaristi , libretisti , prozatori dhe veçanërisht përkthyesi i spikatur, sidomos i Letërsisë dhe Poezisë Ruse, këto ditë, nxori në qarkullim veprën e tij të dhjetë me poezi, -shkruar në mërgim në Kanada ku ai tashmë jeton së bashku me familjen,- të titullur “ Më zgjo pëllumbi i Noes”. Ai çdo vere kthehet nga mërgimi së bashku me bashkëshorten për të kaluar muajt e verës në Korcën e tij të dashur dhe sjell e boton ato që atje larg ka shkruar. Në të përfshihen rreth 130 poezi të tij me një tematikë të gjerë e të larmishme, të shkruara me ndjenjë, mall, nostalgji dhe shpresë, por ku përveç stilit të tij të njohur tashmë nga lexuesit, dallohet dhe ndikimi i frymës bashkëkohore të poezisë moderne edhe pse del jashtë rrimës e vargut , frymë me të cilën poeti edhe pse në një moshë të thyer jo vetëm, e ka njohur por dhe ka thithur prej saj. Këtu po ekspozoj librin dhe disa vargje të nxjer...ra prej tij. Dashamirësit e poezisë dhe kritikët mbase do të njihen me veprën dhe do të bëjnë vlerëimin e saj. I lumtë poetit tonë, Vangjushit, mësuesit, pedagogut të disa brezave,bashkeshortit, prindit, njeriut të mirë, që ndonse vitet rëndojnë mbi supat e tij, ai nuk shteron , nuk lodhet e nuk përton, po shkruan, krijon e boton. Pastë jetë të gjatë , shëndet e krijimtari të pa shtershme.



KËMISHA E JETËS

E vesha këmishën e Jetës
që foshnjë.
Bashkë me të jam rritur.
Herë këputet një kopsë.
Herë arnoj vendin e grisur.

Ndërrohen vitet.
Edhe moda ndërrohet.
Herë rritem.
Herë zvogëlohem
pa e kuptuar as vetë
me këmishën e ndrikullës Jetë.

Më pëlqen
a s’më pëlqen këmisha.
Më duan
a s’më pëlqejnë të tjerët.
S’ e ndërroj gjersa të griset
nga djersa ime e jetës.

Veç për një gjë merakosem.
Mos më njolloset.



HODHA RRJETËN E VARGJEVE

Hodha rrjetën e vargjeve
buzë Grand River-it
dhe zura imazhet
e tajgës së gjelbëruar,
një peshk me hala pishe zura,
një copëz akullnajash
me pushin e ariut të bardhë
mbështjellë,
kapa renë
që lundronte me krahë pulëbardhe,
një molusk me diamantin e Yllit Polar
më mbeti në varg.



PARAJSË ME ËNGJËJ TË ZINJ

Mëngjezi verbon bebëzat e mija.
Dëbora shkëlqimin
diellit ia kthen.
Po ec mes lëndinash të bardha
plot dritë dhe hije
si mbi re.
Kalimtarët
dhe trungjet e drurëve nxijnë.
Edhe hija ime nxin...

Parajsë vezulluese
me ëngjëj të zinj.



URAT E DERTIT

Thonë,
kontinentet ishin tok,
s’i ndanin oqeanet.....

Thonë,
tërmëtet i ndanë....

Ne,
s’ pritëm të thahen
e përpimë oqeanë....

Mbi dallgët e detit
hodhi urat e dertit
rrëmeti.....
_________________
Marrë nga "Sofra poetike" në FB

Donnerstag, 29. August 2013

Me sytë e ëndjes

Rreth përmbledhjes poetike “Me sytë e ëndjes” të poetes Lindita Ramushi

Një lirizëm magjik,
që të deh në çdo fjalë
e figurë poetike

Nga Hyqmet HASKO

Poezia femërore, që buron nga një ndjeshmëri e lartë substanciale dhe liriko-meditaive, po zë gjithnjë e më shumë vend në analet e letrave poetike kombëtare, sidomos në këto kohët e fundit të çlirimit të tyre nga të gjitha pengesat dhe jashtësitë që, në një farë mënyre, e pengonin një gjë të tillë. Kjo poezi, që kultivohet në shtratin e një pathosi dramatiko-lirik sjell me vete mesazhe të befta dhe shumëkuptimëshe, ashtu si vetë bota femërore që i shkruan ato, plot dyzime dhe alternime, qoftë ndjesore, qoftë konceptualo-shkrimore.
Këto po bluaja me vete, teksa lexoja e rilexoja për të disatën herë librin me poezi “Me sytë e ëndjes” të poetes nga Gjilani i Kosovës Lindita Ramushi. Është një përmbledhje dinjitoze, ku zotërojnë poezi të shkruara me nerv e temopritëm, poezi të befasimit lirik dhe të mesazheve që burojnë sa nga teksti aq dhe nga nënteksti poetik.
Ramushi ka si cilësi të saj ndoshta kryesore këndvështrimin modern të shqyrtimit të objektit poetik, thyerjen e grimcimin e qëllimshëm të këtij objekti, për ta rindërtuar të transfiguruar në aktin e thuajse të shenjtë të krijimit të poezisë. Ky modernitet duket jo vetëm në përdorimin e strukturave formale të zhdërvjellëta dhe të pakornizuara, por dhe në idetë e mesazhet që burojnë nga ky këndvështrim.


Ka ardhur një erë e fortë këto ditë
Për ashti kalon furia e saj
Atë ngrohtësi që kërkoja
Disa re të hirta e mbuluan si Hirushen
Me pluhur në përrallë.


(Poezia “Era e thatë”, faqe 64) 

 Risia e poezisë së Remushit është befasimi poetik, përcjellë me mjete të thjeshta, freskia e figurave dhe kontrapunti që na vjen nga gjetjet e saj origjinale. Siç thamë pak më sipër, ajo e grimcon objektin poetik, kryesisht me anë të enumeracionit, në dhjetëra miniobjekte, të cilat pastaj i bashkon me anë të një figure bazë, duke e rikrijuar të plotë dhe modern aktin e shkrimit poetik.
Në hartën e “shtëgëtimit të saj poetik” përfshihen gjendje, kujtesa, impresione, imazhe të mbetura pezull në kohë, që nga “stacioni i fletëve të vjeshtës”, ku ajo mbledh grimca kujtimesh, deri tek, bie fjala, “qerpiku i dëshirës”, që e fton atë të përcjellë një vektor idealiteti femëor.
Qyteti, rruga, “malli kristalor”, shtegtimi, kënga, dehja, iluzioni, guri, pragu, ëndrra, drita, “era e thatë” etj. janë disa nga fjalët e leksikut poetik të Ramushit, që ajo i ka kthyer në stilema poetike. Prekja e së bukurës, prekja si ndjesi, si përjetim, si kujtesë, si emocion etj., është pjesë e këndvështrimit të saj, një këndvështrim i thyer, plot dritëhije…
Shpirtëzimi i dukurive të natyrës, jetësimi i tyre, me anë të një lirizmi të ngrohtë, të thellë e të magjishëm, deprëtimi në të fshehtat e sendve, trajtave dhe dukurive që ajo bën objekt të shqyrtimit poetik, e bën poezinë e Lindita Ramushit të lexohet me një frymë…
Ajo që e bën të dallueshme poezinë e Linditës nga simorat e saj është vokali shumëgjyrësh mediativ, ritmi i përndezur, figurat e gjalla dhe të shtrira horizontalisht e vertikalisht, vrulli i fjalës dhe thellësia e ndjenjës dhe mendimit. Imazhet që na përfton poezia e saj janë imazhe flu, dehëse e trallisëse, me një kondicionim shpitëror të denjë për kujtesën, përjetimin, emocionin, imazhin, tekstin dhe nëntkestin, që përftohet nga e gjitha.
Një poezi dinamike, që rrok hapësira jete në lëvizje dhe zhvillim, një verb atdhetarie që përndizet në vatrat e përflakura të metaforës, ku e dukshmja dhe e padukshmja, e thëna dhe e nënkuptuara rrinë së bashku në të njëjtin vektor dhe shprehin një botë ideo-emocionale sharmante, plot thyerje dhe digresione, siç është vetë jeta njerëzore që ajo plazmon në poezinë e saj. Kështu mund të përcakothet në vija të përgjithshme poezia e poetes Lindita Ramushi e cila na përcjell një botë të thyer, plot ritme dhe vrulle, siç është vetë jeta e tij në lëvizje, drejt dashurisë universal.
Aventura poetike e Ramushit është një aventurë e bukur, në një rrugëtim të natyrshëm drejt vetvetes së saj autentike, vetvetes poetike. Njëherësh është një udhëtim historik, mitologjik, gati profetik, në thelbin e vetë kohës shqiptare. Poetja konfiguron një peisazh të thyer të shpirtit njerëzor, na jep tablo në lëvizje, si vetë jeta e saj dinamike, në kërkim të gjërave të bukura, për të cilat ia vlen të jetosh.
Të rrugëtosh me poezinë, të identifikohesh me të, do të thotë të jeshë i pushtuar nga magjia e fjalës, nga thellësia e figurës dhe imazhit, nga ndjenjat dhe mendimet më të fuqishme, që mbartin botën e gëzimeve, hidhërimeve, dashurive, iluzioneve, duke flakur çdo çast të keqen nga vetja dhe nga të tjerët, në emër të një sistemi vlerash tek të cilat beson dhe të cilat janë kthyer në një kredo të jetës dhe artit tënd. Duket se kjo është në fakt kredoja poetike e Ramushit, një dashuri e pamasë për jetën dhe njerëzit, një etje për të rilindur në çdo fije bari dhe në çdo qelizë të gjallë të tokës, për hir të gjërave për të cilat ia vlen të luftosh dhe të ëndërrosh.
Afresku i gjendjeve, imazheve, mbresave, përjetimeve, kujtesave të ridimensionuara në artin e shkrimit poetik, ideve dhe mesazheve, që na sjell kjo poete, përfshin prirjet dhe tendencat më serioze të poetikës bashkëkohore mbarëshqiptare, sharmin dhe elegancën e vargut, freskinë dhe modernitetin e figurës, spontanitetin dhe natyrshmërinë e gjetjeve.
Lindita shkruan një poezi ku gërshetohet tradicionalizmi poetik me risitë e modernitetit, më pak përdor vargun me rimë, asonanca dhe ritme të matura, më shumë vargun e lirë, (të lirë në kuptimin më tekonologjik të kësaj fjale, por jo të çliruar nga përkujdesja ritmike dhe prozodike, siç ndodh me një duzinë të vetëshpallurish poetë, që çdo renditje fjalësh, në çfarëdolloj forme e strukture, e quajnë me gojën plot poezi, kur në fakt nuk janë as thjeshtë vargëzime të rëndomta).
Në këtë vëllim të saj të dytë, Ramushi ka shënuar një sukses të ri në shkrimin e poezisë, duke u identifikuar si një zë i veçantë, tok me poetet më të njohura të botës shqiptare.
Në analizë të të fundit, mund të themi se tek Lindita Ramushi shohim një poete e formuar plotësisht e me një profil të vetin poetik, që edhe në këtë libër me poezi, si në të vëllimin e parë, dëshmon një talent e përkushtim përtej të zakonshmes, duke na përcjellë vrullet dhe ritmet e botës shqiptare, me një lirizëm të ngrohtë, të vetvetishëm, fin e spontan

Mittwoch, 22. Mai 2013

Mendime për librin “Ama e dheut”


 Bilall MALIQI

 NJË BUQETË POETIKE DHE ARTISTIKE…
 
Lirije Kajtazi “Ama e dheut” (Buqetë artistike për 100 vjetorin me femrat krijuese të Anamoravës dhe të Kosovës Lindore, sh.b. Beqir Musliu”, Gjilan, 2012, faqe 160).

“Ama e dheut” një buqetë artistike në të cilën shtrihen poezitë dhe pikturat e krijueseve të Anamoravës dhe të Kosovës Lindore (Lugina e Preshevës) të mbledhura dhe të përzgjedhura nga autorja e librit e cila në bashkëpunim me Ars Clubin “Beqir Musliu” për këtë 100 vjetor doli në dritë. Ky libër i karakterit antologjik i cili është i ndarë në dy pjesë, ku në pjesën e parë të librit prezantohen denjësisht krijueset e vendeve të lartpërmendura të cilat me poezitë e tyre të motiveve të larmishme e kompletuan këtë “buqetë” të degëzuar, poashtu edhe pjesa tjetër me një buqetë artistike të nuansuara me pika rasterike që paraqesin një botë krijuese figurative.
Vetë titulli i këtij libri të veçantë “Ama e dheut” është nxjerr nga një poezi e të njëjtit titull të krijueses Linditë Ramushi e cila nga autorja ka dalur si një ekstazë shpirtërore për degët e ndara e të rremosura të atëmëmëdheut.

Fjalë me imazhe

Degëzimet poetike të krijueseve ky 100 vjetor i ka përmbledhur në këtë libër simpatik dhe tejet tërheqës për lexim.
Mblidhen tok në këtë libër shumë bija të ndara nga “ama” nga nënëmadhja së cilës ia grabitën bijat e saja, tokat ia ndan e ia coptuan, e këto ashtu të ndara me dashuri të madhe i shkruajtën mëmëdheut dhe historisë sonë kombëtare e të tjera motive që dijnë krijuesit ti gjurmojnë e ti qesin në letër.
Secila krijuese me vargjet e saja paraqet botën poetike e cila dallon nga të tjerat, sepse secila ka gjetje motivuese në krijimet, andaj këto poezi që e kompletojnë këtë Antologji janë një përzgjedhje si të poeteshave ashtu edhe të poezive të tyre ku shumica sosh kanë motivin patriotic, secila me forcën shprehëse poetike.
Brenda kopertinave të librit është prezantuar poetesha e parë në trojet shqiptare të ish-Jugosllavisë Sadete Emërllahu-Presheva, e cila që nga viti i largët 1972 doli me librin e saj të parë me poezi e cila atëbotë u cilësua nga kritikët letrar si vepër e realizuar bukur mirë artistikisht. Pra ky portret i një poeteshe me peshë të madhe që shkroi dhe doli në hapsirën krijuese më pastaj ia çeli rrugën penave të reja për të shkruar dhe për t’u bërë pjesë e artit poetik, rrugë kjo që sidomos për femrën shqiptare ishte paksa e vështirë, por prapë se prapë pas saj dolën shumë krijuese të cilat me poezitë e tyre treguan një individualitet krijues sidomos për krijueset që janë brenda kopertinave të librit.
Tanimë në mesin tonë nuk gjendet fizikisht Sadete Presheva, ajo që filloi për herë të parë rrugën e pafund krijuese e cila la pas vete jo vetëm epitetin si krijuesja e parë, por edhe vlerën e poezive të saja si dhe dorëshkrimet . Por na mungon edhe një krijuese e cila llogaritet si poeteshë e njohur dhe shumë produktive Fehime Selimi. Me të dyja këto krijuese identifikohet poezia e femrës shqiptare të Luginës së Preshevës dhe më gjerë.
Zëri poetik i femrave u dëgjua dhe jehoi edhe më tej në Kosovë e në vende të tjera shqiptare. Ajo shpërtheu kudo në kohë më të vështira edhe kur ishte cenzura, edhe kur sankisonoheshin ato që i shkruanin atdheut (amës) së coptuar dhe atëbotë të robëruar. Ato merrnin “guximin” poetik dhe përmes vargjeve shpalosnin dhe derdhnin tërë atë inspirim që kishin dhe kështu këngëtimet e tyre poetike zënin dhe zënë vend meritor në letërsinë shqiptare.
Në këtë libër janë radhitura emrat e 19 poeteshave në mënyrë alfabetike të cilat thyen heshtjet dhe dilemat e krijuara më herët. Ato në këtë libër vijnë me plot elan për të krijuar diçka të bukur- poezi koherente dhe gjetjet e motivit tek poezitë e tyre paraqesin një tabllo reale për kohët nëpër të cilat kemi kaluar si komb dhe motive të tjera të cilat do të jenë aktuale në çdo kohë dhe situatë.
Përveç kësaj brenda librit frymojnë edhe disa krijuese artiste të cilat me pikturat e tyre paraqesin botën e artit figurativ e pamor gjithnjë me një art të posaçëm të karaktereve të ndryshme dhe secila pikturë që është e paraqitur në libër ka fshehtësitë dhe mesazhet e saja për ata që dijnë t’i lexojnë dhe ti kuptojnë.

Imazhe pa fjalë

Në kapitullin /Imazhe pa fjalë/ janë të prezantuara 11 piktore me radhitje alfabetike të cilat poashtu janë nga Anamorava dhe Kosova Lindore. Të gjitha pikturat kanë edhe emrat dhe tok janë me pika rasterike që formojnë pikturat në kolor.
Buqeta artistike ”Ama e dheut”, ka dalë në dritë në këtë 100 vjetor si libër i veçantë, me krijuese të njohura, me poezi të tyre me një art të veçantë poetik dhe me një përzgjedhje me kriter nga autorja e librit.
Tanimë edhe Kosova Lindore (Lugina e Preshevës) është bashkë me “amen” duke i thyer kufijtë kulturor krijueset e saj dhe kështu tani janë tok së bashku vlerat poetike dhe artistike të tyre të pasqyruara në këtë libër simpatik dhe me një vlerë të begatshme poetike dhe artistike…


Arsim HALILI

BUQETË POETIKE INTERKOMUNIKIM MES ETNISH

Në dioptrinë e komunikimit artistik, gjegjësisht fjalës poetike, shekulli shqiptar, vazhdimisht ka naviguar ka e bukura, jo vetëm sa për të festuar, në shesh ka nxjerr edhe vlera. Krahas botimive që na erdhën gjatë këtij viti edhe do të na vijnë edhe ditët e vitet në vijim, fare pranë festës sonë madhështore, na vje në duar të lexuesve diçka po aq fisnike, siç është edhe kjo gjini e bukur. Përzgjedhja poetike me strukturë homegjene gjinore. Edhe pse të vetmin ndryshim, ka kofiguracionin kohor dhe hapsinor. Por që është relativizuar edhe interpretuar me maturi, kjo buqetë poetike, e cila sjell aromë shprese dhe fiksim jete për të bukurën. Fjalën e ndërtuar me sens ideo-estetik.
Duke lexuar këtë panoramë letrare mund të themi se është bërë një gërshetim mes emrash të dëshmuar dhe emrave të cilat gjithësesi dita në ditë ka nisur këtë rrugë sfiduse. E që në parantezë, mund të thuhet se trasimi nga një gjeneratë tek tjetra shihet se bota poetike e Anomravës nuk është shterruse. Dhe nëse deri dje ka pas interferime individuale të cilat kanë nuancuar vlerën e akcilës poete, brenda kësaj përmledhje sado që shihen vlera të gjeneralizuar,megjithatë mund të konstatojmë një të vërtet të pamohuar. Se poetsha ynë di dhe ja del ta sforcoj vargun.
Duke qenë se disa nga poeteshat janë edhe nëna dhe mësimdhënëse, ngrohtësia e fjalës prindërore, sikur thërret për urtësinë e komunikimit për të jetësuar shpresën për jetën.
Deri sa lexojmë librin “ Ama e dheut” të autores Lirije Kajtazi, natyrisht na paraqet një reprezantim unik të së cilës përmbledhje, pa dyshim nuk i mungojnë edhe emra të Kosovës Lindore, respektivsht të Preshevës, poetesha të cilat u bënë pjesë e letërsisë shqipe. Ky transponim vje në kohë vlimesh të shkollimit e të emancipimit të shoqërisë shqiptare e në veçanti të femrës shqiptare, do të dal një emër, po nga ky trung iliro – shqiptar, e cila atë botë, në vitin pas shumë peripecive të 1972, letërsia shqipe në Kosovë dhe në hapësirat tjera ish- Jugosllave, kishte të fiksuar një emër femre poete tani më. Nga kjo kohë do të shënohet me një pikë emërtim në drejtzën e gjatë krijuese, kush tjetër, pos Sadete Preshevës. E cila për fatin tonë e të saj të keq, nuk arriti ta përjetoj fizikisht këtë jubile. Iku përjetësisht nga kjo botë, për të lënë tek lexuesit bagazhin e saj krijues, siç edhe është prezantuar në këtë panoramë dinjitoze. Atëherë kur pritej më së shumti rrezatim krijues nga poetesha tjetër e dëshmuar, Fehime Selimi, e cila edhe kjo natyrisht ishte mburrje për Preshevën, ndonëse në gjallje të saj la tri vepra të botuara dhe një pas vdekjes, megjithatë tregon fuqinë e fjalës poetike. Poezia shqipe në Preshevë, sigurisht do të mbijetoi dhe do të dalin emra që do të trasojnë rrugën e Sadetes dhe të Fehimes gjithesesi me individualitetin e saj krijues , këtë rast një emër premtues është edhe studentetja Qëndresa Jakupi.
Gjatë leximit të këtij libri janë përfshirë nëntëmbëdhjetë femra poetesha të Anomravës, në radhë të parë dëshmon se poezia shqipe në këto xixa rrezatojnë, secila me forcën e saj krijuese. Pa dyshim se meritë dhe privilegj është edhe për Asociacionin e shkrimtarëve Ars Club “ Beqir Musliu” Gjilan, i cili në familjen krijuese të këtij asociacioni ka emra që sot demostrojnë degëzime në një trung të fortë. Secila degë krijuese në arealin krijues, jep frutet më të mira brenda këtij asociacioni dhe natyrisht edhe përtej gjeografisë shqiptare. Gjatë leximit të krijimtarisë se cilës poeteshë veç e veç prazantohen variable krijuese edhe për nga motivet. Natyrisht në këtë përmbledhje është bërë përzgjedhja më me vlerë e krijuesve tona, në frymën e saj ndjesore, përmes lirikave që manifestojnë dhembjen , shqetësimet, rebelimin duke i funksionalizuar, gjithënjë me gjuhë rrjedhëse të asaj se çfarë në të vërtet poeteshat tona përcepetojnë dhe përjetojnë dhe dosido t’i përcjellin tek gjeneratat e mëpasme. Duke qenë se një numër i konsideruar i vargjeve, respektivisht të poezive të prezantuar me gjuhën e rrjedhëshme metaforike, janë në funksion të këtij jubileu, sepse aty duke portretizuar me mjaft mjeshtëri dhe kompaktibilitet të gjakimit për të ardhur te liria e shumë pritur, demostron potencialin dhe zemrën e poeteshave tona. Natyrisht se poezitë nuk janë vetëm të këtij funksioni artribues për atdheun, brenda tyre, mund të lexohen edhe vargje të cila kompozohen me mjaft mjeshtri për rrethin shoqëror në disa segmente sociale. Libri “Ama e dheut” e autorës Lirie Kajtazi, në prezantimin e këtyre poeteshave, nuk mund të jetë paraqitje e një terminologjie të ftohët, sepse aty ngërthehet zjarri i se cilës poeteshë. Atyre u flet zemra, sikur këto poetesha në evulimin e tyre dhe përmes përmbledhjes që bart emrin e një krijuese dhe bartëse të shumë proçesve për jetësimin e të madhërishmës, pra lirisë në tokat shqiptare e që është edhe vet sinonimi i saj Lirije Kajtazi. Duket se autorja në ndërdijen tekstuale të asaj që na përcjellin femrat, nënat me mesazhin e tyre krijues, sikur e sforcojnë mendimin se vyrtyti i referohet moralit i cili përbëhet nga dashuria e sinqertë, besnikria dhe respekti i ndërsjelltë, toleranca dhe durimi, natyrisht të tilla atribute nuk janë ekzagjeruese, por sfiduese edhe në momentet kur ato kanë në dorë shpëtimin e botës. Ndaj është mirë të çmojmë këtë thesar që krijon jetë. Natyrisht se u takon të ndihet në çdo takt të jetës zonjë e vërtet. Në këtë kontest më lejoni të kujtoj mendimin e Napoleonit, ku ndër të tjera thekson:” Gruja e bukur të kënaq syrin, gruaja e mirë të kënaq zemrën” Natyrisht secila grua zonjë, apo zonjushë brenda kësaj përmbledhje na ka kënaqur zemrën me poezitë e tyre. Fare në fund të këtij recensioni autores së librit dhe natyrisht të gjithë të prezantuarve pa dallim gjininë e artit: letrar apo figurativ do të shpreh konsideratën time të thellë, duke përmbyllur mendimin e Grafit:
“ Çdo sukses i madh është triumf i këmbnguljes”
Mendoj që këmngulja e autorës, por edhe poeteshave të prezantuara nuk do të mungojnë në vazhdimësi.
___________
 
 

 Nexhat Rexha

NJË BUQETË VLERASH ARTISTIKE

Vëllimi poetik “Ama e dheut” del në dritë në një moment kur atdheu ynë merr një frymëmarrje tjetër.Vjen fjala e bukur poetike nga tingëllima e ofshamat e dashurisë për një jetë krejt ndryshe.Një qind vjet udhëtim, njëqind vjet lutje e këto lutje vijnë nga shpirti i femrës sonë, e cila ka gjakuar jetën dhe poezinë edhe të pa shkruar.
Poezia e përmbledhur në këtë libër bashkon; ëndrrat, dëshirat, idealet dhe bashkon moshat e këtyre poeteshave të një treve, artikulon grishjet nëpër kohë e faza të ndryshme. Vargjet shpalosin botën krejt ndryshe nga ajo që ia kanë përshkruar fatin dhe dëshirat femrës sonë, dikush tjetër, ajo vjen me një zë të qartësuar, sepse në momentet më kyçe të histo-ries, femra jonë ka ditur të ruaj siç është më së miri virtytet njerëzore të kohëve.Ajo ka mundur me sakrificën e saj pushtuesit e ndryshëm dhe me dinjitet ka sfiduar të dukshmen e të padukshmen antikohë.
Në këtë rrjedhë të proceseve shekullore, ajo ka hapëruar në të gjitha vijat e frontit bashkë me mashkullin dhe kështu ia ka dalë ,sepse ajo ka ditur të ruaj të thënën e të pa thënën fjalë.
Në këtë Njëqid Vjetor të Pavarësisë,poezia e këtij vëllimi vjen së bashku me hullinë e poeteshës së parë shqiptare në Kosovë e trevat shqiptare të ish Jugosllavisë, ajo këndoi e para me vepër poetike, ajo i dha elan e cytje penave të reja në hapësirat e këtij trolli të mrrolur. Sadete Presheva me vargun e saj ngjalli jetën dhe shpresa erdhi bashkë me vargun e saj. Ajo krijoi besimin për të, ajo ndërgjegjësoi kohën dhe theu barrierat e huaja.
Në këtë paradigmë poetike vijnë një tufë a buqetë nyjesh të ruajtura në brendinë e kozmosit njerëzor, që harmonizojnë dhe i japin kuptim e qartësi vetëfilijit të Amës së këtij dheu.
Zëri poetik ka ruajtur retrospektivën dhe perspektivës i ka dhënë përparësi gjithnjë të avansuar. Në këtë horizont vargu i tërësishëm i këtij vëllimi identifikon kodin e veçantë të ndërtimit estetik në vargje. Frymëzimet e brendshme, sa idilike, po aq edhe burimore saktësojnë ekzistencialen e imperativit konstruktiv, duke depërtuar deri në skajshmërinë e sintezës tematike dhe metaforike të ruatjes edhe të legjendave edhe të miteve sa më origjinale. Lirikat e tyre kanë dhënë rezultatet dalluese në zhvillimin e proceseve të avansuara në shoqëri, gjithnjë me tendencë të krijimit dhe ruajtjes të substancës sonë kombëtare.
Vargjet e kultivuara në këtë vëllim poetik paraqesin vokacionin e përjetimit krejt në një formë e koncepcion të mëvetësishëm, çka i jep kuptim dallues secilës krijuese. Kjo edhe e bënë më të avansuar botëkuptimin poetik dhe përvijon komplesitetin e zgjidhjes së nyjeve shpirtërore të femrës.
Përkufizimi dallues dhe afrues karakterizon botën poetike të tyre, sikur konstatimi vjen i qartësuar dhe jep identifikimin përmbajtësor në shprehjen dhe vokabularin poetik, si në qasje, poashtu edhe në parashtrim, e këto preokupime vijnë si rezultat i paradoksit të problemeve shoqërore në periudha të ndryshme kohore.
Fuqia e paqës dhe fuqia vargut vijnë si rezultat i dashurisë së amës për atdhe, e në këtë Njëqind Vjetor vijnë poetet me kristalin e vargëzuar sikur nimfat e tregimeve mitologjike. Këtë herë vargjet sikur përbirohen në gjilpërën e arnimeve të shekujve dhe përvijimet e gjilpërës koincidojnë me qëndismën e flamurit, me emrin e Marigonës.
Po, poezia e Miradie Ramiqit, Sabile Keçmezi-Bashës, Albina Idrizit, Sevdije Rexhepit, Zana Pirës, Linditë Ramushit, Hasije Selishtës........., e shumë të tjerave tejkalojnë dilemat dhe thyejnë barrierat e heshtjeve te gjata. Ato vijnë me vargjet e tyre plot energji, ato vijnë me vargjet e tyre plot mall për Amën e dheut.
Kështu, poezia arrin të pushtojë e mund dilemën, ajo tejkalon absurditetin dhe krijon bindjen se arti fuqizon e transformon shoqërinë shqiptare, e ketij Njëqind Vjetori të Pavarësisë i jep kuptimin fuqiplotë.
“Ama e dheut” shkrinë e palon kujtesën për vizionin e besës në shfaqjet e murosura të Rozafës, si dhe i jep mesazhin e qartë portertit të femrës bashkëkohore, sepse muza e saj poetike vjen si përceptim e sintezë të dhënies së idesë për të kaluarën dhe të ardhmën e amës së dheut me shkëlqimin e saj. E në këtë vëllim për herë të parë, vijnë bashkë këto vlera nga Anamorava e Kosova Lindore.

 (Lexuar në përurimin e kësaj Buqeteje artistike, në Gjilan, më 27 nëntor 2012, në kuadër të edicionit të tretë "Vjeshta letrare e Gjilanit")
 
 
Marrë nga "Agmia" në FB

Bilall Maliqi: ARTI POETIK NË GËRFYELLIN JETËSOR

 Bilall Maliqi

ARTI POETIK NË GËRFYELLIN JETËSOR…

(Sabit Rrustemi “N’fytyrën e një gjethi” (poezi), Sh.b. “Beqir Musliu” Gjilan, 2012, faqe, 160).

Arti poetik në shiritin jetësor i shkruar nëpër kohë, manifestohet me gjetje motivesh nga më të ndryshmet, të cilat ngërthejnë në vete ngjarje të vështruara vëmendshëm nga syri i një poeti produktiv, i cili ka një kriter mjaft të fortë ndaj sajimeve të veta. Vargjet poetike të poetit të njohur Sabit Rrustemi janë të latuara bukur, kanë forcën shprehëse, porosinë e qartë dhe gjetjet interesante motivuese.
“N’fytyrën e një gjethi”, titullohet vëllimi më i ri poetik i Sabit Rrustemit, i cili doli në dritë me rastin e 35 vjetorit të krijimtarisë letrare të poetit, e që koincidon edhe me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në të cilin poeti ka bërë një ditar poetik në mes dy nëntorësh, me poezi interesante të shkruara gjatë kësaj periudhe kohore e cila ka shprushë artin poetik të autorit i cili në vazhdimësi ka punuar që poezia e tij të del sa më e bukur e sa më artistike dhe këtë ia ka arritur me sukses.
Vargjet e poezive prezente në këtë libër janë shumë të natyrshme, të rrjedhshme dhe i japin shprehjes poetike bukuri të veçantë.
Poetika e Sabit Rrustemit ngjall kurreshtje për lexim dhe për rilexim të poezive të tij, sepse të tilla janë vargjet e tij, gjetshmëria, forcimi i vargut, pajisja me figura stilistike dhe individualiteti i tij krijues, mandej fjalëformimet që e pasurojnë edhe letërsinë tonë në përgjithësi.
Krijimi i figurave personale tek poezia e Sabitit është evidente, sepse ai poetizon në poezitë e tij qoftë në motivin patriotik, të dashurisë së segmeneteve të ndryshme, përkushtimet dhe ngjarjet e përditshmërive tona të cilat poetin e ngacmojnë t’i qes në pah qoftë mangësitë e shtresës shoqërore dhe të atyre që e drejtojnë popullin.
Poashtu gjatë leximit vërehen edhe shprehje politike në barkun poetik kjo vërehet në poezinë/ Fusnota/:
“Republika derdhet në gotë
si koktej rasti
mbështillet me Fusnotë”
Apo
“Fusnotën
si biletë e mbaj në xhep
Pa treni le të shkojë”
Ky është një mesazh i qartë në të cilin autori shpreh paknaqësinë e tij që ende luhet me fatin e popullit dhe se politikajt për fat të keq janë nën ndikimin e të huajve dhe assesi të vendosin vetë për çështje madhore kombëtare.
E Prekazin legjendar me plot të drejtë e portretizon si “Libër amë të lirisë” dhe se është “Vula” e ndryshimit të kohëve nga robëria në liri.
Gjithashtu në poezinë e tij vend meritor kanë edhe përkushtimet si: / Ka vdekur ajo vdekje/, /Nesër (Doresës)/, /Skaj pyllthit me pisha/, /Në shqetësimin tënd/Ai është liria vetë (Heroit të popullit Sali Çekajt)/, /Vargu i poetit që ngroh (poetit Rexhep Elmazit)/, /E kam Kosovën (Nekibe Kelmendit)/, /Pa teklif (poetit Nexhat Rexha)/, /Homazh për Ali Podrimjen/, /Përmes një pamjeje, (shokut tim Avdi Latifi)/, / Nëpër ato gjurmë (Zahir Pajazitit)/, /I mungon sall liria (kolonel Ahmet Krasniqit/ etj., etj, është kjo një nostalgji për poetët dhe miqtë e poetit të cilët disa nuk janë në mesin tonë e që me një përkushtim të denj autori u derdhi vargje poetike.
Tjetër që e preokupon autorin është edhe Kosova e degëzuar dhe me vargje shumë objektive paraqet një pasqyrë reale të shtetit më të ri në botë:
ËSHTË KOSOVA
Me gjysmën e trupit nën sqetull
me pjesën tjetër nën vetull
ecën e s'ndalesh qe një shekull
Thirrje poetike e autorit për bashkim.
Edhe Çepuri është një nga frymëzimet poetike të autorit , ku në shumicën e poezive hasim në dashurinë e tij për këtë vend i cili quhet Çepur. Dhe si i tillë ngelet simbol i frymëzimit poetik të autorit:
“Secila stinë ka ngjyrën e saj
në fytyrën e një gjethi
si zemra ime prej Çepuri”
Poezitë që e kompletojnë këtë vëllim poetik janë të shkruar me një gjuhë të përparuar poetike, gjithnjë me një stil siç e ka poeti, i cili dallon nga poetët e tjerë të poezisë bashkëkohore. Në disa poezi përdorë edhe rimën e të tjerat kanë rimën e brendshme dhe si të tilla poezitë e libirt janë gjysëmhermetike e disa sosh edhe të drejtpërdrejta, gjë që tregojnë seriozitetin e shtuar të autorit për ta ruajtur vijën e barazpeshës artisitke të poezive të tij.
Dhe si lutje për fund, për t’u bërë një trup i vetëm e jo të shpërndarë pikë e pesë. E këtë lutje e bënë autori përmes vargjeve poetike:
“Me gjysmën e trupit tim
do ta mbështjell një shekull
gjysmës tjetër do t'i them
mos i pritsh edhe njëqind vjet
për t'u bërë një trup i vetëm”
Kësaj lutje me forcë shprehëse dhe gjetje artistike i bashkohemi të gjithë shqiptarët, le të ndërpriten më këto drama të Evropës për mosbashkimin e trojeve gjithshqiptare.
Ky libër nuk është i ndarë në cikle poetike, por poezitë janë të rrjedhshme dhe zgjojnë kureshtje tek shtresa e lexuesve, sepse autori në shumicën e tyre poetizon problemet dhe dramat e jetës së përditshme shqiptare. Në vargjet poetike të Sabitit hetohen figurat stilistike si:simboli, epifora, krahasimi, simploka, në një masë të vogël edhe shprehje popullore, të cilave u jep elegancë dhe dendësi poetike.
Poashtu në këtë vepër përdor shprehje metaforike, por edhe të folurit e zakonshëm me të cilin edhe ia rritë peshën artistike librit.
Le të na kujtohet thënia e Thanas KristoRëmbeci ku thotë citojmë:
“Gjithmonë fiton ai që e ka cilësinë”
Pra me këtë përmbledhje poetike, poeti i njohur Sabit Rrustemi dëshmoi se është mjaft produktiv dhe se poezitë e tij ecin nëpër “shkallët” e suksesit dhe se ky libër zen vend meritor në poezinë bashkëkohore shqiptare...


Marrë nga "Agmia" në FB

Sonntag, 28. April 2013

Shefqet Dibrani: Poezia e Izet Durakut


Shkruan SHEFQET DIBRANI

SHKËLQIMI I HESHTUR...
 
 Izet Duraku, „VEZULLIM HESHTASH“, poezi, botoi Shtëpia Botuese „DARDANIA“, Tiranë 2004, faqe 112. ISBN 99927-936-4-3
 
 Poezia e Izet Durakut për nga tiparet është gege dhe me ndikime të tejdukshme të poezisë kosovare. Kjo poezi për nga cilësia është vlerë dhe standard, d.m.th. kjo që po përpiqemi ta prezantojmë është një poezi pak më ndryshe, me një strukturë dhe motiv të epikës veriore, por duke përdorur një lloj nënvetëdije gjuhësore autori ka prodhuar standardin e tij poetik, ku “pastaj mbi gjithçka rrëzohet/ ngadalë dëbora e bardhë/ edhe nën të me ngulm toka/ e ruan krenarinë e saj”, (f. 28). Pikërisht këto “gjurmë të ngrira”, kjo krenari “nëpër ashtin e fortë të maleve”, qofshin këto Veriore, e bënë më pikëlluese dhe fort krenare poezinë e këtij libri.
Në kuadër të këtyre dy skajeve, dhembjes dhe krenarisë, hasim vargun simbolik "malet janë gjithkund, para dhe mbas meje!" një refren i cili te poezia - poemë: "MALET JANË GJITHKUND", (f. 15 – 18), përsëritet dhe riciklohet të paktën gjashtë herë, duke i dhënë epikës legjendare një refren krenarie dhe poezisë shtjellim melankolik të dhembjes pasi "putrat e natës mbështeten në truallin/ ku me përndezje sysh ngrehen pusitë", dhe secila e "gjen shtegun e ikjes", qoftë nga krahina e Lumes, në të cilën vazhdimisht, "bora e re shtron mbi të vjetrën", edhe atje ku "malet janë gjithkund, para dhe mbas meje!, të cilat "s'dihet kur u ngulen", por dihet se "soji i thneglave/ gjithë verën e lume kullot/ flakët e ferrit/ e dimini sheh parajsën andërr". Kjo semantikë shprehëse që e përshkruan epikën dhe tragjiken e një populli, mbetet si krijim i bukur dhe vezullues.
Po me këtë motiv dhe me nuanca të ngjashme janë edhe një varg poezish të këtij libri në mesin e të cilave po përmendim: “Motra ime”, “Drini i bardhë”, “A u zgjua”, “Bora”, “Lana”, “Lumë, 1913”, etj. Ndoshta ia vlen për t’i veçuar edhe disa lirika të mira, përmes të cilave kuptohet një botë tjetër ideoemocinale: “Krisma”, “Shorti i dridhjes”, “Vjeshtë a fillim dimëri”, “Një krah zogu”, “Etja”, “Një qerre”, “Dimri i zogjve”, Më ka marrë malli”, “Autobusi i parë i mëngjesit”, “Midis gjethesh si duar”, “Një natë të ndritshme”, “A u zgjuam”, “Merremi vesh”, “2 prill”, “Nëpër trup të pemëve”, “Yje” e ndonjë tjetër që e përbëjnë mozaikun poetik të librit.
Përmbledhja poetike "VEZULLIM HESHTASH“, është konstruktuar mbi simbole të caktuara të cilat janë vjelë nga natyra veriore e Shqipërisë, përkatësisht nga krahina zulmëmadhe Luma, atje ku është vendlindja e poetit, duke ndërtuar një epikë për: malet me lisa të gjatë, për gurët e përrenjtë të cilët do të marrin përjetime emocionale, madje krejtësisht tjetërfare nga ato që i njohim, që i kemi prekur dhe i kemi përjetuar. Në këtë plan janë edhe disa shprehje dhe nocione të cilat kanë ndërtuar një simbolikë meditative: “pylli i pikëpjekjes”, “vramendja e stinës”, “honi qorr i jetës”, “gjijtë e brengës së vjetër”, “veshjezhveshjet e motit”, “drunjëzohem”, “gurëzohem”, “qielltavani i dhomës”, "kremi i fjalëve", "dryn e shulndryshkur", "terri na ndrin, qorri na prin", “lapëvyshktë”, e disa të tjera. Ndërsa në një bllok tjetër mund të futen edhe disa karaktere mitologjike: (Hyu, Orakujt, Olimpi, Adami, Eva, Ora, Qoftëlargu, Shilla dhe Haridba etj.), të cilat marrin frymim shqip, komunikojnë si njerëz të gjallë dhe kanë ndjenja, e madje kanë edhe aftësinë e të menduarit thuaja në shqip.
Jo pak, simbolet në poezinë e Izet Durakut, imitojnë një lloj vetëdije e cila hapëron nga vargu në varg, por ne jemi të vetëdijshëm se këtë shpirt poezisë ia ka dhënë vet autori, siç mund të duket nga këto katër vargje që ia kushton qytetit të tij të fëmijërisë, Kukësit të Vjetër i cili është përmbytur në ujë: “Fort e dhimbshme kjo baladë e Drinit/ fort krenare/ në themel të kalasë së saj u përmbyt/ një qytet e dhjetra fshatra”, (f. 32).
Perceptimet tematike te poezia e Izet Durakt janë të nduarduarta. Ato shoqërohen edhe me konotacione filozofike që bëhen si pjesë e jetës reales, e bëmave të Zonës Veriore e ndarjes së Lumes nga Kosova, ku determinohet një tragjikë e dhembshme: “Ja, dëgjo britmën e motrës sime/ për vëllanë e vrarë kosovarë”, (f. 31), ose vargjet kushtuar revoltës së minatorëve kosovarë që e kanë bërë epokën e vet: “Të harruar pas detantës/ grindjeve nacionale// klithjesh të Stari Tërgut.../ u lodhe duke pritur”, (f. 79).
Nuk mund të flas për arsyet pse autori brenda këtij libri ka futur edhe një sprovë poetike e cila si "pjesë dramatike me një akt", si strukturë letrare (sado interesante), më duket se lë për të dëshiruar. Megjithatë krijimi letrar, “MESNATA VJEN NË PIKË TË DREKËS”, dëshmon se Izet Duraku, absurdin jetësor e ka regjistruar në art me një mënyrë të komunikimit alegorik që do ta bënë poezinë të lidhur drejtpërdrejt me jetën dhe me formën e të mbijetuarit, në këtë tokë përplot dhembje, përplot sfida, tamam ashtu siç shprehet poetikisht: “S’i mund të shkojmë tash te njëri – tjetri/ na i kanë rrëzuar urat/ por ne do të shtrojmë zemrat”, (f. 108).
Titulli i librit "vezullim" lë për të kuptuar se autori ka investuar kohë në planin gjuhësor, sintaksor dhe fonetik, duke e bërë librin më me interes, ndërsa veten si autor i ndjenjave dhe përjetimeve të thella, i njohjeve dhe dijeve të shumta të cilat ndeshen me bollëk. Ky përkushtim e bënë atë si krijues me një individualitet të spikatur dhe mjaftë origjinal. Poezia e tij fekson si një kohezion në mes të interpretimit dhe të artit të shkruar, përkatësisht poezia e këtij libri mund të interpretohet edhe si një diskurs poetik me simbolikën e vet, me nuanca dhe motive që e përbëjnë universin letrar mjaftë meditativ i cili nuancon nga shprehja e bukur poetike që “krap – krup, si pyka (që qanë) mes maleve”. E, më pas duhet të “merremi vesh për mëkatet tona/ për virtytet tona”, jo për gjë tjetër por “për t’u derdhur heshtja”, ka shkruar vet autori.
Struktura e poezisë mundëson për të kuptuar më mirë anën tematike të librit, e cila e profilizon këtë autor veriak të Shqipërisë si poet jo edhe aq të zakonshëm, pasi bota e interesimeve të tij, mënyra shprehëse, aspektet fonetike, ato sintaksore dhe elementet gjuhësore që janë futur në përdorim, janë tipari më karakteristik i këtij vëllimi poetik i cili është dashur të zgjon interesimin, të paktën e "grupeve militante" të cilat kohëve të fundit po trajtojnë "pa lidhje?!" aspektet gjuhësore, duke mos e ditur se “zjarrvënsit (një ditë) i zë gjaku”, (f. 89).
Në disa raste, shihet se autori ka investuar kohë rreth një fjale të vetme, rreth një shprehje të caktuar, rreth një frazeologjie, qoftë edhe në dëm të perceptimit poetik, për të cilin si duket ka më pak mëshirë. Sa për ilustrim po sjellim disa fjalë të rralla të cilat gjenden në libër: irnosë – murrëtehem nga të ftohtit; kaike – anije ose ishte bërë kaike (kur dikush dehet dhe puhatët si anija mbi det), humboj – fundosem; shituem – ndëshkim; prajshëm – qetë; soset – mbaroj; kikël – maje; kërshe - kodër me gurë; zhaurimë – shushurima e ujit; trueme – mallkim; karmë – shkëmb i madh; mazgallë – vrimë ose e çarë; vrundull – dallgë; zbërdhulë – zbardh; ndragiesh – ndyj, etj. etj.
Sipas këtyre shembujve që i theksuam më lartë, mund të pohojmë se Izet Duraku, ka mbetur rob i kërkimit të shprehjeve gjuhësore, (madje ai me fanatizëm i ka futur në leksikun poetik), edhe disa fjalë të rralla, që mund të jenë shprehje lokale nga variantet e gegërishtes arkaike, ndoshta ka pasur qëllim për ta bërë më të veçantë poezinë e tij, në të kundërtën (të paktën kështu mendojmë ne), për të karakterizuar debatin mbi aspektet gjuhësore, qoftë ky edhe vetëm brenda poezisë së tij, p.sh: (vuvosun, orrle, shkrapsë, zamek, feftoi) etj, përbëjnë atë leksikun karakteristikë dhe mjaftë origjinal të Izet Durakut.
Për shkak të këtij kolazhi - fjalësh, pse të mos ndodhte një debat?! Bile i ashpër, pasi debati i bënë mirë librit, poezisë dhe autorit, po më shumë do t'u ndihmonte aspekteve gjuhësore, qofshin ato të shqipes standarde apo të variantit të gegërishtes. Këto tipare të të shkruarit gjakojnë me përpjekjet e autorit për një lloj sistemi të brendshëm, nga i cili buron dufi, ku më pas i ka shpërthyer edhe guximi intelektual.
Poezia e Izet Durakut perceptohet si një imazh i profilizuar për të sjell diçka më ndryshe se e rëndomta dhe ky perceptim vjen nga përzierja tematike, veçmas nga perceptimi figurativ i ngjarjeve e ndodhive të shumta të cilat shfaqen herë si epikë, e herë si tragjikë, ku bashkë me indikacionet reale dhe të skemave sociale vijnë tek lexuesi përmes vargut poetik si një preokupim letrar, apo thjesht si një angazhim intelektual në këtë plan.
Në planin gjuhësor, poezia e Izet Durakut, tek përmbledhja "VEZULLIM HESHTASH", duhet të shikohet në tri aspekte: 1. Aspekti fonetik; 2. Aspekti sintaksor dhe 3. Aspekti gjuhësor:
 
 
ASPEKTET FONETIKE:
 
Kjo veçori dallon për përdorimin e fonemës dhe të fenologjisë në funksion të ndërtimit të vargut poetik, ku përmes strukturës fonetike ka dhënë një kolazh foljor dhe tingëllor me interes për veriakët dhe kosovarët, dhe mjaftë karakteristike edhe për toskovitët e jugut dhe ata që rrihen si standardizues të shqipes. Autori, duke përdorur fjalë e shprehje tipike të variantit të gegërishtes me atë tingëllimën natyrore mjaftë dalluese, vargut të poezisë i ka dhënë "VEZULLIM” prandaj, për shumë aspekte, veçmas për shkak të strukturës fonetike do të duhej nga njohësit të merrej parasysh. Në anën tjetër, nëse këtyre aspekteve do t'ua shtonim afinitetin e artikulimit, pastaj të analizojmë “formën e idesë”, bashkë me leksikun dhe fondin e diftongjeve të shumta: (vramendja, mezidukshme, lughije, drunjzohem, gurzohem, varrdritaret, shkumëzuem, shulandryshkun, përtrulluesi, shitueme, pragmbrëmje, rrëshqenat, spërdredhet, sferohet, jerimija), do të arrijm në një përfundim shërbyes në lidhje me disa aspekte fonetike, të cilat na shtyjnë të mendojmë se struktura e tekstit, qoftë si njësi apo si tërësi ligjërimore poetike, e kanë bërë poezinë edhe më karakteristike, përkatësisht vlerën tingëllore dhe akustikën e saj më të pranueshme.

 
ASPEKTET SINTAKSORE:
 
Rima dhe ritmika në poezinë e Izet Durakut, janë shprehje të kujdesshme, ku na detyron të besojmë se autori lëndën poetike e ka shtrydhur dhe përpunuar gjatë. Dhe, nëse shprehja e përdorur në këtë libër do t'i nënshtrohej një laboratori gjuhësor, sidomos në aspektin e përdorimit të togfjalëshit karakteristik, fjalëformimeve të reja dhe lidhshmërisë së tyre, të cilat do të shikoheshin në planin sintaksor, padyshim do të dalloheshin finesa sintaksore të cilat mund të jenë ndikuar si karakteristikë e të folmes veriore nga na vjen autori. E nëse lëndën e këtij studimi do ta kompletonim edhe me elemente të leksikut gjuhësor mjaftë specifik, ku janë gërshetuar norma letrare me atë gege, si një shkrirje e pa definuar (ndoshta edhe nga vet autori?!), e kanë bërë sintaksën e poezisë edhe më të dallueshme. Një ndihmesë në këtë plan e kanë dhënë shprehjet metaforike dhe sinonimet e shumta, të cilat i kanë dhënë një lloj fuqie dhe gjallërie shprehjes poetike!

 
ASPEKTET GJUHËSORE:
 
Nëse poezia e Izet Durakut analizohet në aspektin e ndërtimit leksikor të fjalëve e të shprehjeve, të kuptimit e interpretimit, të shumësisë dhe varfërisë së ideve, mesazhin poetik që e karakterizon këtë poezi do të ishte lëndë e mirë për një studim krahasues në mes gjuhës standarde, përkatësisht ndikimit të saj, si dhe të folmes gegërishte, respektivisht rezistimit dhe mos asimilimit të saj. Dhe kjo analizë mund të nis që në titullin e librit, përkatësisht me ndajfoljen "heshtas ose heshtazi". Prandaj mendojmë se në këtë aspekt, gjuha shprehëse, me gjithë fanatizmin e tij për të ruajtur fjalë e shprehje edhe arkaike të gegërishtes, është ndikuar dukshëm nga shqipja standarde, e cila në masë të caktuar te ky autor ia ka asimiluar shprehjen arkaike të gegërishtes, ku përveç paskajores dhe disa tipareve të mbaresave "ue; ie; on; na; me" që janë të ruajtura, lidhëzat, numërorët përcaktor "të; në, një", në tërë tekstin poetik janë shkruar në standardin gjuhësor, duke dhënë një përzierje të gjuhës poetike, shembull tipik i ndikimit, dhe evoluimit pozitiv të normës së shqipes letrare, gjë që do t'ia vlente, (të paktën për këto ndikime), të merrej në shqyrtim, kurse në anën tjetër do të dalloheshin edhe shprehjet dhe normat tjera të gegërishte, të cilat standardi dyzetvjeçar i shqipes së shkruar nuk paska arritur t'i asimiloj.

 
St. Gallen, 12.12.'12

Donnerstag, 25. April 2013

Prend Buzhala: DHUNTIA E THËNIES EKSPRESIVE

 
Liber i botuar nga "ADA" , Prill 2013
 
Nga PREND BUZHALA

 Dhuntia e thënies ekspresive

(Poezia e Ramiz Kuqit)



Poezia e Ramiz Kuqit, e përfshirë në vëllimin “Virgjil i kryqëzuar”, ka prirjen të vjelë këndimet e saj në dy këndshikime; të shikojë së brendshmi se çka po ngjet me ndjesitë intime nëpër kohë e mote dhe së jashtmi, të reagojë me tonin e tij meditativ lirik. duke gjurmuar së brendshmi me dhuntinë e thënies ekspresive, autori sikur na e zbulon të vërtetën e shpirtit të tij:

Te ky breg i shpirtit
Rri mejtohem
Përplasem

Nuk është e rastit, prandaj, pse leksema SHPIRT, merr konotacione të pasura figurative dhe kuptimore. Madje, edhe kur poeti përçapet në jetë, duke u përleshur me fatin, me vorbullat jetësore, ai e ndien këtë shqetësim të brendshëm jeton me këtë shqetësim, me tensionet meditative-ekzistenciale, që të përplasin sa andej, sa këndej.

1. Shtresimet e qenies

Së këndejmi, lirika me zjarrmitë e saj të brendshme, merr edhe një rol tjetër, të shndërrimit në qenie poetike, në referencë të folësit lirik:

Zot
Ruaje këtë lirikë me sy
Në zjarrminë e shpirtit digjet

Vjen si valë në kangjele malli
Fjalët
I ka dhembje

Kërkimi i tillë, i zjarrmishëm, i brendshëm, mësyn kah amshimi brenda kësaj qenie, e kjo do të thotë: amshimin ta kërkosh brenda vetes. kështu, poezia është ajo që e shtyn folësin lrii që edhe ta sprovojë vete, edhe ta pyesë dhe pohojë vetveten... Kurse, fati, koha, bota e jashtme, shoqëria, kombi, hapësirat planetare të ekzistimit, ku shtegton e gjallon poeti- të gjitha këto përbëjnë shtresimet mbi këtë qenie, e ku bota kundrohet si pjesë intime, pjesë e vetvetes. Ajo të dhuron plagë e këndime e ato sikur e gjen ilaçin e tyre tek këndimi lirik! Por këto shtresime përbëjnë edhe shtigje zbulimi të mospajtimit njerëzor me gjendjen e ngurtë, të palëvizshme, te ngrirë a statike. lexuesi, prandaj, e vëren prirjen e poetike të Ramiz Kuqit, që vargjet t’i ketë sa më të shkurta, sa më ekspresive, nëpërmes të të cilave do të trajtohej realiteti objektiv me anë të procedimit ekspresionit e neo-ekspresionist të vargut. Në këtë mënyrë, krijuesi i zgjon vizionet e tij të krijuara brenda shpirtit e zemrës njerëzore. Kund e kund ringjallen finesat e bukurisë së kujtimeve (“I ledhatojmë kujtimet/ E stinëve”) e herë ky kujtim vjen me mall nëne. Në këso momentesh, nuk ke se si të mos e zgjerosh vizionin poetik drejt paraardhësve, drejt rrënjëve të lashtësisë e të shtyllave identitare, për të hyrë në kornizat e realitetit e të historisë si pronar kohe. Aty diku ngjallen edhe imazhet e djallit që asnjëherë nuk mund të bëhet engjëll. Në këso rastesh, fjala bëhet më e rreptë, më fshikulluese, me referenca ironike:

Vjen
Nga rrathët e Dantes
Ku lëmërijnë shpirtrat
Gumëzhijnë zinxhirët
Si qen i egërsuar
Leh mbi njerëz

Ndërkaq, kur poeti ndalet përpara dilemave, udhëkryqeve, labritniteve e mjegullimeve që turbullojnë vizionin, të bukurën, ai shtrëngohet ta shkruajë lirikën e tij në trajtën e diskursit të një urdhri etik, një ligjëratë që buron nga thellësitë e përvojës:

Mos hap derë shpirti
Pa mbyllur një ëndërr
Ke lënë dy sy

Rrugët njerëzore të çojnë drejt harrimit. Poeti përgjërohet kundër këtij harrimi dhe di që është një rrugë që të çon kah shpëtimi, kah vetvetja, kah përjetësia:

Ke bredhur
Sa larg
Ka ikur harrimi

2. Kontrapunkti i ndërkomunikimeve

Lirika, më tutje, merr udhë “Nëpër rrugët e shpirtit” që flasin shqip. ndryshe, ky nuk do t’ishte burim i Atdheut. Fjalën në varg e do të pastër. E do të besës,a shtu si e koncepton etosi ynë kombëtar, pikërisht pse Fjala Poetike ngërthen në qenien e saj, në aktin e saj, zgjimin e brendshëm, përndritjet e vizionit:

Kush u fut në Kullën e mendimit
U lidh me fjalë e frëngji
Mbeti duke dëgjuar ushtimë vargjesh
(poezia “Poeti dhe kulla”)

Sado që karakterizohet me ndjeshmërinë ekspresioniste, poezia e Ramiz Kuqit priret me poetikën e formës së hapur; vë në gërshet asociative-lirike me ato të abstraksionit artistik; lëviz mes kërkimit për të vënë drejtpeshim e harmoni brenda kompozimit lirik dhe braktisjes së fakturës së figurshme... drejt procedimeve stilistike surrealiste-moderne. Për të, vargu poetik përbën hapësirën e kozmosit, peshën e psherëtimave të shpirtit, etjen për dashurinë dhe erosin, por edhe solidarësinë në kërkim të lotit; është aventurë kërkimi, por edhe sfidë e madhe, është sy shpirti dhe këndim engjëllor:

Ruaje Zot
engjëll vargu!

Poezitë përfaqësojnë ide dhe imazhe të pastra. Të duket sikur përpara e ke një atlas planetar e kozmologjik me pamje konfigurimesh, por ku nuk mungon as përkujdesja për t’/u përqendruar tek një element, tek një kënd-pamje intime, dashurore a atdhetare, të peizazheve të atdheut e të vendlindjes, apo të hapësirave yjore, por, kund e kund, edhe drama lirike të qenies së plagosur e të lënduar, ashtu sikundër dhe romanca të gëzimeve jetësore. Rëndom, ky edhe është statusi i poezisë deri te dilema fundore: pse të shkruaj, kujt t’i flas? Është ai lëndimi ontologjik i qenies nacionale dhe i frymës humaniste, është ai kontrapunkti midis i ndërkomunikimeve midis artit poetik dhe filozofisë.
Nga të dhënat e mësipërme, mund të thuhet se mënyra e procedimit poetik të Ramiz Kuqit, e cila i rizgjon këto shtresime intime, kohësh e këndvështrimesh, heshtjesh e parandjenjash, cytjesh e impulsesh të brendshme; dëshmon se të gjitha këto mund të shndërrohen në poezi, ashtu sikundër këso trajtash mund të marrë edhe vetë filozofia, jeta e përditshme, madje poezi bëhet edhe Nëna, atdheu, dashuria, natyra, tradita, etnikumi, kozmosi, yjet...

Prend BUZHALA
Gusht 2012

Montag, 22. April 2013

Ali R. Berisha: DHEMBJA DHEMBJES NUK I NGJAN


DHEMBJA DHEMBJES NUK I NGJAN

(Përshtypje leximi nga libri me poezi i Venka Capës, Unë prek me frymë.)

Ali R. Berisha


 Poezia nuk adhurohet vetëm pse ka bukuri vargnimi, por edhe nga shkaku se lexuesi dëshiron të njihet edhe me vlerat tjera te saj. Në vëllimin me poezi të poetës Venka Capa lexuesi njihet edhe me rrëfimet dhe botën ndjenjore të saj. Është në mesin e njerëzve që ushqejnë shumë dashuri e mirësi ndaj botës, ndaj natyrës e sidomos ndaj njerëzve - përkundër faktit se ajo ka aftësi të kufizuara trupore. Jata e saj emocionale është shumë më tepër e anuar nga mirësia shpirtërore, me botën e saj të dhembshme, por që arrin ta mbaj emocionalisht në zap dhe ta orientojë andej nga e shpie arsyeja dhe normaliteti shpirtëror. Dhe këtu, përmes motivesh, vargjesh e ofrimesh të tjera poetike lexuesi do të mund ta njohë shumë jetën e saj emocionale, krijuese dhe botëkuptimore. Gjithkund e gjithkah me një bindje të sinqertë dhe përgjegjësi të lartë për të shkruar atë që u ndihmon shtresave të lexuesve, e sidomos asaj, të cilës ajo i përket. Madje me një dëshirë e këmëngulje që tërë këtë vlerë mendimore e shkrimore ta shpiej në hapësirën universale të poezisë. Ajo është e bindur se pikërisht poezia është fusha e mirë që ndihmon njerëzit pët t’u ushqyer e shfryrë me ndjesi humane, optimiste e shpresëdhënëse. Lexuesit kanë patur mundësi të vehen në dijeni edhe për raste të tjera të poetëve të ngjashëm dhe janë bindur se ata kanë emocione të forta, shpirt tejet subtil, por nganjëherë edhe me anësi jo aq të mbështetshme nga të tjerët. Venka Capa, ndërkaq ka arritur t’i vë në zap emocionet, çastet dhe rastet e dhimbshme dhe ato i ka shfrytëzuar mirë e suksesshem në jetë dhe në vargje. Ajo tani, pas përvojes (ka dy libra me poezi) në poezi ka rrumbullakuar moton se “Kush dashuron, miku im, ka shpirt margaritar” fq.45. E kush mund ta hudh poshtë këtë?! A është më mirë të dashurosh apo të vetëvuash?

Në tufën e poezive me titullin UNË PREK ME FRYMË autorja gjezdis brenda universit (gjithëmotivit) të saj poetik. Fuqishëm e suksesshëm brumos, polemizon dhe afron shumë një poetësi të tipit – lirikë intime. Në këto lirika të fuqishme dhembshurishte, sëmbuese, të lira deri në vetërrjedhje ka vetërrëfime e shumë këshilla jete. Ajo ne tregon haptazi se ka vendosur ta bëjë mike poezinë e mik lexuesin. Për t’u bashkëndjerë me ta. Melankolia, mendimzezat a pesimizmi nuk i sjellin gjë prej gjëje poetës. Ato munden vetëm të hapin puse të thella e të zeza. Prandaj asaj i mbushet mendja të fluturojë “Hapësirave të shpresës” (21) ku gjen e shijon pamje të bukura të natyrës; dëborën e bardhë, flakën e oxhakut, dritësimin e natyrës, pranverën (dashnoren e poetëve), gjethet (ani, edhe pse janë të vjeshtës, perëndinë e dashurisë, fusha e bjeshkë me lule, ajrin e shpresës, ama edhe njeriun bosh, varrin e babës së vuajtur, Steblevën e boshatisur etj. .

Venka është grua dëshpëruar, por ëshë më tepër shpirtbardhë.
“Në kërkim të mirësise” (25)
që lëshon zërin-varg:
Jam grua, kam shpresa,
Më vlon dëshirë e shnjtë, (14)

“Shpirti i afrohet pemës së braktisur …
Durimi kërkon zgjatjen e dorës” (15), dhe

Mua ma fal durimin
Që sfidat e jetës t’i përballoj. (52)

“Hijet e harresës”, (47), “Mikut të vërtetë’ (50,

Tutje sheshohet zëri lirik “Gotës së dashurisë “Deri në Përjetësi”, Perëndi e dashurisë” me metafora të tjera si “Metaforat e detit”.

Për t’i shpall luftë rënkimit, lotit, shgënjimit, vuajtjes, poetja i lëshon zë dashurisë, jetës, shpresës, shpirtit me armën e durimit, të dëshirës, afshit qëndresëtar, dashurisë etjendezur, në puthfrymëmarrje (fjalëkrijime këto të poetes), nga se ajo beson që “Poezitë ma ndryshojnë gjendjen …” (/70), “Dashuria ime e vetme, e shtrenjta poezi!” (/77).

Gjatë udhëtimit nëpër tituj kemi arritur të kuptojmë por edhe ta njohim motivet tematike të poezive me gjithnjë e më shumë pjekuri, figura të zgjedhura e të bulburta, zëra të ingranuar të simbolikës. Nuk mund të shkojmë tutje pa u ndalur te poezia Në kërkim… (25) për ta mbajtur mend mirë, si një poezi plot nerv e frymëVenke, e dendur me brenakëndim të saj. Poetja vazhdon rrugëve të dytëta deri në “Tokën e boshatisur” (85) të vendlindjes, ku poetja gjen vargje tejet të qëlluara: Fshatari … / Punonte, plugonte … u lodh u dërmua … kudo si murator shtegtoi, E për veten e tij çatia i pikoi!

Na pushton bindja në fund se poetja Venka Capa ka filluar mirë përvijimin e rrugës së poezisë në shumë aspekte me brumë e me stolisje, me zë e me vetëkuptim, me subjektësi e objektësi, me rekuizita të zgjedhura poetike, metafora, simbole, epitete, gradacion e ngjyrësi të tjera stilistike. Një vlerë brendijore poezisë i japin edhe aforizmat e ideuara prej saj, si:
Dhimbja dhimbjes nuk i ngjan. (/47),
Lumturia askend s’e hidhëron. (/60),

Mbaje afër gotën e dashurisë,
Pi herë mbas here në të,
Kërko nektarin e lumturisë,
Qesh e gëzohu pa zë! (/60)

Më e madhja pasuri,
Ti je, o njeri i mirë… (/61), etj.

Edhe në ndërtimin strukturor të poezive poetja është përpjekur të gjejë ndonjë rrugë të veten, mirëpo e rëndon një mënyra e saj e thurjes. Në shumicën e poezive fillon me ndonjë varg melankolik a zhgënjyes dhe përfundon me ndonjë optimist a shprehje qëndrese. Ta përmendim ndonjë shembull: “Jeta ime pelegrin në Sahara / Jam zog i ngjyer në pafajësi. (/20), “Shpirti rënkon … / E unë të gëzohem të lumturohem. (/32), “ Mos krijo këtë zbazti e etje që djeg / Të kam edhe shpirt. (/69). Ka në libër edhe ndonjë thurje jo sa duhet të qëlluar si; troket muzgu i plotë (/400, ardhmëri e vonuar (16), pranvera ka shtri magjinë e ylbertë, (/35), kuse kurse vargu Jam cung dru tharë është përvjedhur aty si një mish i egër, që s’i përshtatet as poetës – si qenie shumë e formuar, as poezisë së saj, plot vullnet e krenari për jetën. Poetja pra duhet të dalë më shumë në natyrë, duhet të komunikojë më shumë me të dhe me njerëzit, ta vizitojë universin letrar, ta zgjerojë fjalorin letrar. Guxoj ta them këtë, sepse një poete që frymën e ka si mjet të parë për ta ndjerë jetën dhe poezinë, nuk duhet kurrë të ngecë. Pas gjithë këtyre vargjeve të mbrujtura me entuziazëm, poetja Venka Capa është bindur se sukseset ndodhen rrugës që e kemi përpara, e jo rrugës që e kemi kaluar. Fryma e kësaj bindje vërehet kudo në vargjet e saj.

Abdullah Thaçi: NJË SPEKTËR LETRAR SHUMËNIANSOR

 
Fjala e recenzentit - poetit tonë të mirënjohur për fëmijë Abdullah THAÇIT për librin për fëmijë "Grindja e fjalëve", të autorit Agim Metbala

NJË SPEKTËR LETRAR SHUMËNIANSOR

Poet e enigmat – vaj për atë vjershë, strofë apo varg që nuk ngërthen edhe enigmat e veta, të cilat na inkurajojnë t’i zgjidhim secili në mënyrën e vet, me qëllim të kuptimit sa më kompleks të artit të të shkruarit, por edhe i fshehtësive me të cilat na sprovon jeta.
... Tregimtar e aforist – veçënarisht mjeshtër i tregimit të shkurtër që aq shumë e pëlqejnë fëmijët.
Këto ishin vetëm disa nga epitetet, respektivisht rrëzëllimet e figurës poliedrike të quajtur Agim Metbala, penda e të cilit e nderoi Rahovecin, por i ka hije edhe gjithandej ku shijohet fjala e ëmbël e shkruar shqipe.
Në jetë e në gjykatë, Agimi është një burrë, madje burrë i madh, ndërkohë që në krijimet e tij letrare, më shumë e ka përvetësuar fëmijëria, nga e cila kurrsesi të shkëputet, dhe, bëri mirë që veproi kështu.
Pikërisht atje e gjen mbretërinë më të padjallëzuar dhe më të etshme për vargje e tregime të shkurtëra, si mjeshtër i të cilave Agimi po dëshmohet për më shumë se dy dekada.
Pas defilimit të tij të gjatë dhe shumë të suksesshëm në periodikun tonë letrar, sidomos në atë për fëmijë, Agimi filloi t’a kurorëzojë krijimtarinë e tij letrare edhe me tituj librash, gjithsesi tërheqës për publikun e tij lexues, në vazhdën e të cilëve është edhe libri që kemi në dorë »GRINDJA E FJALËVE«.
Ky libër i ndarë në katër cikle, na sjell mbi 70 margaritarë letrarë, si një laryshi shumë e qëndrueshme dhe simpatike, ku, sikur e plotësojnë njëra tjetrën poezitë, trgimet e madje edhe pjesëzat teatrale qa janë deficitare.
Ndonëse të shkruara në një spektër kohor bukur të gjërë, krijimet e këtij autori i përshkon një kohezion i natyrshëm, siç kanë edhe një spektër të gjerë titujsh, temash dhe përmbajtjesh.
Për të qenë kaq i suksesshëm, Agimi, përveç dhuntisë natyrore që ka, ka bërë shumë pë t’u kthyer në moshën e lexuesve të vegjël, duke njohur thellësisht botën e padjallëzuar fëmijërore dhe preferencat e tyre për krijime letrare.
Në të shumtën, kemi të bëjmë me krijime që lehtë akceptohet nga fëmijët, me koloritin e tyre tematik e përmbajtësor, që shpeshherë zhvillohen në formë loje të mbrumur me mesazh, argëtim e humor të lehtë, por nuk mungojnë as përmbajtjet »serioze« që kërkojnë një seriozitet më të shtuar akceptues.
Fantazia dhe fantastika, janë elementet shumë i pëlqyer të krijimet e Agimi Metbalës, krahas kostumit aq modern të artit letrar, ku hasim medalione të shumta, kryesisht në formë figurash stilistike dhe sentencash të tjera që e bëjnë krijimin letrar aq të dashur për fëmijë, çfarë është padyshim edhe ky libër i Agim Metbalës, të cilin, pata privilegj ta lexoj me një kënaqësi të veçantë, që te fëmijët besoj se do të jetë e shumëfishuar.

Prizren, 1. XI 2004 Abdullah Thaçi

Dienstag, 9. April 2013

Trokëllima e poetit


Nga Gazmend Kryeziu

Trokëllima e poetit është libri i dytë me poezi i poetit matjan Xhavit Gasa.

 Nuk është e rastësishme që në poezinë e poetit Xhavit Gasa të befasohesh nga ngjyrat e ndryshme të rimës,dhe vargut të lirë. Në brendësinë e tyre,do të gjesh filozofinë,e ndërthyer me dhimbjen e kalvarit të tij të gjatë. Pranë lumit të Matit do të masësh me hapa,bukuritë që vetë poeti Gasa i përshkruan me aq ndjenjë.Vargjet e tij kanë një frymë popullore,ato kanë një zgjatje dhe kohzgjatje tjetër.Ato i ngjajnë ngjyrave të ylberit,ku shpaloset aq bukur fantazia dhe forca. Atë donin ta rrënonin dhe shkatrronin shpirtërisht,por ngritja dhe rënia e tij, nuk do të ndodhte aq lehtë. Ai qëndroj i fortë duke i resistuar presionit. Kalvari i tij do ti ngjante atyre pikave të ujit,që të bien në kokë ngadalë,dhe të marrin jetën pa kuptuar asgjë. Po kjo nuk do të ndodhte me poetin e dhimbjes,se ai mbante me vete vlerat e një populli të pathyeshëm,nga një krahinë që edhe vetë historia shqiptare,ka krijuar një epos. Vullneti i tij është i paepur,vullnet që do ti rezistonte atij sistemi makabër.Është e dhimbshme fëmijëria e tij, pak migjeniane,po dhe aq e bukur. Ai e dashuronte jetën,por edhe e jetonte atë po aq bukur,edhe pse ne rrethana absurde. Ishte i çiltër,siç eshte edhe sot,i sinqerte dhe besnik. Çuditerisht besnikëria e tepërt,në atë kohë, do ti mbyllte rrugët poezise së tij të bukur.Por jo besnikërinë e tij ndaj poezisë Dukej e pakuptueshme,si shumë fenomene që në atë kohë ishin enigme.Ai vetë diçka parandjente,jo shume i sigurtë, se çfarë po ndodhte me pushtetaret dallkauke. Fati i tij kishte marrë një udhë tjetër.Shumë gjera i dukeshin të konsumuara, por gëzimi se poezitë e tij,do të dilnin në driten e botimit e kishin zhgënjyer. Gasa tek poezia gjente vetveten,artin e pakonsumueshem,gjente bukurite e natyrës,të njerzve,të kodeve,të vlerave kombëtare,veshjeve popullore,mirsisë dhe bujarisë,e një krahine me tradita të pasura dhe vlera të vecanta morale.Për një kohë të gjatë ai humbi në mugëtirën e një kohe kokëkëputur.Me poezinë muzën e tij të dashur,do të riniste vallen e tij të lënë përgjysmë,dhe ashtu vallzueshem do të ndjenin ngrohtësinë e njeri-tjetrit. Prandaj thonë më mirë vonë se kurrë.Vizioni i tij se një ditë do të ishte i lirë ,nuk zgjati shumë. Zenishti fshati i tij i lindjes,do të ishte burimi kryesor i frymzimit, kujtimet që ai mbante në gji,do ti shprehte aq bukur plot ndjenjë,në vargjet e tij të kulluara. Mesazhet e tij janë te kthjellta, ashtu si uji i matit,ato shprehin dashuri,dhimbje,përkushtim,dedikim dhe ndershmeri. Me po aq finese,poeti bën krahasimin e asaj kohe me globalizmin e sotëm,duke shprehur aq bukur madhështinë e fjalës. Gasa i këndon me shpirt vendlindjes,miqve, familjareve,fisit ,zakoneve dhe padrejtësive,që në vend ti bashkonin njerzit i perçanin ato. Në atë kohë të përbindshme,do të ndodhte lufta me e tmerrshme e një shoqërie njerzore<lufta e klasave>ku vëllezrit dhe motrat kishin frike nga hija e tyre. Krahina e Matit me bukuritë e sajë të rralla është vendlindja e pishtarit të parë të letrave dhe letërsisë shqipe PJETËR BUDI. Poeti Xhavit Gasa ndjehet krenar që është matjan, nga Mati i Pjetër Budit. Ndjehet krenar dhe flet me respekt për kolegët e tij matjanë tashmë shkrimtar dhe artistë të njohur në gjithë Shqipërinë, siç janë, Basir Bushkashi, Adivie Hoxha, Valentina Kurti, Fatmir Gjestila, Fatmir Neli, Qemal Cenaj Hamdi Hysuka, artisti i këngës matjane apo bilbil i Matit i mirnjohuri Esat Ruka e shumë të tjerë. Gurgullima e lumit te Matit do te ishte nje frymezim i pashtershem per poezite e Gasës.Mjeshtria e penes se tij,dashuria per njerzit,dhe vargjet, janë si meteore .Gasa adhuron shkrimet Poradecit dhe Agollit,dhe muzat e tyre mund te kenë te njejtën prejardhje.

Dienstag, 2. April 2013

Mendime për librin "Blu e thellë" të poetit Grigor Jovani


Nga THANAS BOÇI
studiues i letërsisë


Poeti i blusë së thellë

- Grigor Jovani në librin e tij të ri -

“Poezia - sipas Platonit - është një forcë e habitshme, që nxjerr një gjë nga mosqënia në qenie”. Do të thosha me plot gojën, që kjo thënie i përshttatet më së miri poezisë së Grigor Jovanit. Tashmë ky poet, falë përvojës dhe talentit të tij, është kthyer nga “rob i muzave” në “zot të muzave” dhe çdo lloj përjetimi a përsiatje që ndesh në jetë, nuk i lë të shuhen nga harresa, por imazhet e tyre i shndërron në godina poetike, të ndjeshme dhe tepër emocionale. Pikërisht kjo ndodh edhe në vëllimin e tij më të fundit poetik, “Blu e thellë”, që kemi fatin ta kemi në duar.
Lind pyetja: pse “blu” dhe pse “blu e thellë”? Ja përgjigja: sepse Grigor Jovani është dashnor i hapësirave të pafundëta. Këtë privilegj e kanë vetëm qielli dhe deti, hapësira ku mbizotëron bluja, ajo më e thella, e cila ka fuqi gati hyjnore për të qetësuar shpirtrat e lodhur dhe të vrarë nga mbingarkesat e shumta që të servir jeta. Poeti për të cilin bëjmë fjalë, e ka në shpirt këtë blu të thellë, sepse nuk jeton në zbrazëti dhe boshllëk, por në jetën e përditshme, që zien. Ne, që e njohim nga afër, e kemi të lehtë të zbulojmë, se kjo ngjyrë i mbretëron në shpirt dhe ky det i ngre dallgë të mëdha poetike. Këto dallgë ndjenjash dhe përjetimesh jetësore, me një vërtetësi të mahnitshme, hodhi Jovani edhe në këtë libër.
Edhe tek “Blu e thellë” Grigori është i veçantë, përkatësisht në ustallëkun e ndërtimit të strukturave prozodike, ku fjalët i vendos me shumë mjeshtëri. Kemi të bëjmë me një poezi të drejtëpërdrejtë, të shkurtër, melodioze dhe ritmike, që mund ta konsiderojmë me dy fjalë: poezi-flash. Kjo të krijon kënaqësi jo vetëm për çastin, poe e ruan atë edhe në vazhdimësi të kohës, duke përfituar atë vlerë estetike, që quhet modalitet permanent.
Ky vëllim shquhet tjetër edhe për harmoninë e krijuar midis poezive, një tërësi plot muzikalitet, ku çdo pjesë e kësaj sinfonie poetike nuk i ngjan tjetrës, në një kohë që është pjesë organike e së tërës. Verleni, teoricieni i poezisë, këtë dukuri artistike e vlerëson si primare në kjëtë gjini, ndaj shprehet: “Poezia është para së gjithash muzikë”. E kush më mirë se Grigori e realizon këtë? Dhe kjo bëhet jo vetëm përmes netaforës së drejtëpërdrejtë, veçori bazë e perceptimit të tij artistik, por edhe përmes një tisi të hollë dhe elegant humori emocional, që pothuajse i ngërthen të gjitha poezitë, me një intonim gati pyetës, vetëfshikullues, ironik, tipar tjetër dallues i kësaj krijimtarie. Në këtë mënyrë arrin të pohojë të vërtetat. Fshikullon dhe çjerr vetveten, për të zbuluar jetën dhe botën. Ja si shkruan në poezinë prolog të vëllimit: “Historia ime/ fillon kur prindërit e mi të shkrehur/ u dorëzuan në gjoks të njeri-tjetrit,/ si pushkë të shuara... / E përfundon një prift,/ pak dhe i shkrifët/ dhe temjani.../ Të tjerat janë të shkruara” (“Historia ime”). Grigor Jovani vazhdon të shkruajë historinë e tij, me librat e mrekullueshme që krijon.
Si askush tjetër poet, di t’i përzgjedhë fjalët nga arsenali i madh i tyre e t’i vendosi në asimetri e simetri, duke kompozuar një mozaik me ngjarje, personazhe, detaje, peisazhe. Si një usta i fjalës së bukur që është. E kam theksuar edhe tek vëllimi i mëparshëm “Udhëtoj brenda vetes”, se poezia e Jovanit ka shumë informacion, gjë që ka të bëjë me enciklopedizmin e tij dhe me përvojën e gjatë gazetareske. Kurioziteti që krijon tek kelexuesi, mundëson një perceptim e përjetim më të drejtë të njohjes më të thellë të botës, të fenomeneve të komplikuara të jetës.
Edhe tek ky vëllim, G. Jovani ka në qendër Njeriun, në tërë kompleksitetin e tij, si objekt dhe subjekt të poezive, pra i përket drejtimit të ashtuquajtur homocentrik. Poezitë përshkohen nga një sistem stilistikor, ku spikat shumllojshmëria e vargjeve, ritmet e brendshme që alternohen dhe intonacioni muzikor, gati trokaik. Gjuha poetike është tepër e organizuar, aq sa elementët materialë, siç janë fjalët, ngjyrat, gjestet, tingujt kanë një ndërvarje të caktuar, ndaj këto poezi të ofrojnë një ngopje emocionale.
Por këto poezi kanë edhe një dallim tjetër, të padukshmen, që është shpirti. Pikërisht këtu Grigori luan me elegancë, madje edhe me metafiziken, e cila duket se noton brenda poezive, sepse, siç dihet, syri dhe veshi i poetit është në gjendje të shohë e të dëgjojë atë që është e brendshme: shpirtin. Kur kjo thuhet për poetë të ndryshëm, për Grigorin duhet të bëhet shembull, e ka në organikë këtë mundësi.
Një dukuri tjetër me vlera estetike është ajo që në teorinë e poezisë, si një ligjësi e mirëqënë, është ajo që minimohet si kujtesa mbi kohën. Kjo do të thotë se poeti çlirohet nga mbingarkesa të caktuara, në kohë të ndryshme e periudha të caktuara të jetës së vet. Tek G. Jovani shumë poezi i nënshtrohen këtij parimi estetik e filozofik. Ky vëllim ka arritje cilësore, sepse poeti ka ditur të trajtojë një mori ngjarjesh e fenomenesh që hasen në jetë, por të pasfumatura, me dinjitet, kompetencë e vërtetësi jetësore, ashtu siç mëson edhe Da Vinçi: “Piktori i mirë duhet të pikturojë dy gjëra kryesore: njeriun dhe shpirtin e tij”. Këtë e realizon me efikasitet Jovani.
Si përfundim, mund të konstatojmë se Grigor Jovani e ka përcaktuar personalitetin e tij poetik. Ai ka arritur themeloren, që duhet vtë bëjnë krijuesit e mirëfilltë: është vetvetja.



Nga ARMANDA EKMEKÇIU
poete

“Foto çasti”,
për një “mikeshë të largët dhe të fshehtë”


 - Vërtetësia dhe siguria e fjalës tek libri poetik “Blu e thellë” i Grigor Jovanit -

Po të zhytesh në nuancat e një “bluje të thellë” do të gjesh të larmishme jetën, botën e një frymëzimi të pashtershëm, ditën tënde, të endur me fjalët e një poezie. Kështu na vjen Grigor Jovani në vëllimin poetik të radhës “Blu e thellë”.
Është fjala për një poezi, e cila ka një ngasje të përhershme poetike drejt së vërtetës, poezi që në thelb rrezaton mision drejt përsosmërisë. Ndihet qartë mënyra elegante e të shkruarit, bukuria e shprehjes së mendimeve të qarta e konçize, e mbi të gjitha, krijimi vjen sa artistik, aq dhe real, i prekshëm në vërtetësinë e tij. Gjetjet interesante nga momentet e ndryshme të së përditshmes, stilistika, ajo thjeshtësia e habitshme e vargut të tij, që rrezaton, megjithatë, art të bukur, të ngarkojnë emocionalisht. Sepse, të shkruash bukur do të thotë të njohësh dhe të përcjellësh emocion.
Në këtë përmbbledhje voluminoze, me 223 poezi, Grigor Jovani bën një udhëtim të madh. Njerëzorja, e perceptuar si figurë bazë në krijimtarinë e tij, bëhet çelësi për të kuptuar vetë poezinë, që shkruan ky poet. Gjërat që ai shikon dhe merr nëpër duar marrin shpirt, janë një jetë e thënë ndryshe. Personazhet, në këtë botë trillimi, ngjajnë të vërtetë, kalojnë pranë teje, të prekin me bërryl dhe menjëherë të tëlrheqin vëmendjen.
Poezia e Jovanit ecën në një rrugë të dielltë vërtetësie dhe për të arritur tek ajo, për të ndjekur poetin, na duhet të vetëpërgatitemi edhe ne, na duhet një vëzhgim individual, për t’iu afruar asaj, që poeti ynë di ta bëjë kaq mirë. Vërtet e thjeshtë dhe e kapshme, në dukje të parë, kjo vërtertësi artistike, por sa mund i është dashur atij ta bëjë të tillë… Ne që shkruajmë, e dimë fare mirë çdo të thotë kjo.
Poeti di të vëzhgojë mirë dhe të përçojë po kaq mirë filozofinë e hollë të mesazhit jetësor, pa harruar zhvillimin e rracës drejt përsosmërisë. Në shpirtin e tij lëkundet shqetësimi, një shqetësim i përhershëm për të zbuluar të përgjithshmen tek e përveçmja, madhoren tek e thjeshta, të bujshmen tek e papara. Të gjitha këto filtrohen me një lirizëm dhe gaz jetësor, ngaqë kështu është mësuar ai vetë të shikojë botën dhe jetën. Këtë gjë na e dëshiron edhe neve, ndaj shkruan poezi të tillë.
Është e vështirë të zgjedhësh fjalën, për të krijuar një varg, po aq e vështirë është ta gdhendësh atë, për ta bërë art të vërtetë. Duket se këto vështirësi nuk e trembin aspak Grigorin tonë, ngaqë ai thjesht është bërë tashmë një “skulptor” elegant i fjalës. Një kompleksitet artistik, vargu i lirë, vargu i thyer, vargjet e rregullt, strofat e ndryshme, ritmet e brendshme, kjo muzikë e mrekullueshme, që ndryshojnë në përputhje me vargjet dhe mesazhet që përcjellin ato, dëshmojnë larminë e madhe të stilistikës që ai zotëron. Kjo e bën këtë vëllim kaq të larmishëm, që asnjë poezi të mos i ngjajë tjetrës.
Grigor Jovani poet është sa realist, aq dhe origjinal e modern në trajtimin artistik të realitetit, si në rrafshin social, ashtu edhe në atë intim, të familjes, të marrëdhënieve të dashurisë etj.
“Fotot e çastit”, siç i quan ai vetë poezitë e tij, të ngjiten kështu në shpirt, të bëhen mikesha që të shoqërojnë, siç e shoqëron këtë poet ajo “mikeshë e largët dhe e fshehtë”, për të zbuluar me radhë, gjersa të rrojë dhe të krijojojë, “të gjitha planetet”. Fjala është për Poezinë, mikeshën e ngushtë të Grigor Jovanit dhe tonën.




Nga AGIM BASHA
poet dhe publicist

 
“Trojka artistike” e një poeti


- Mbi poezinë e Grigor Jovanit tel libri i tij “Blu e thellë” -

Poezia e Grigor Jovanit është një poezi e matur mirë, me kutin e një arkitekti të fjalës. Ndoshta, ngaqë synimi i saj është të tregojë, të rrëfejë a të shtjellojë vetë jetën, në një përmasë sa delikate e të brishtë, sa komforte, aq edhe të qëndrueshme e kurajoze në vërtetësinë dhe lojën e asaj që referon...
Ky poet nuk merr përsipër të shpjegojë për ne jetën, përkundrazi, ajo vetështjellohet ndërsa është pjesë e detajit, gjetjes, pjesë e fabulës apo intrigës artistike. Prandaj edhe vargu i poezisë së tij duket se qëndron mbi një trojkë elementesh, që “nuk vijnë për të bërë reforma”, por mbeten, janë korniza ideale, janë ai kostumi delikat, që i shkon aq mirë vargut të thjeshtë, por plot dinamikë të brendshme, që nuk shndërrohet në kuaj fuqi fizike, as në “taksa fiskale”, siç ndodh rëndom në përditshmërinë e këtyre kohëve të vështira krizash dhe vështirësish të tjera, por shndërrohen në emocion dhe ndjeshmëri, në tension dhe ndjenjë humane, njerëzore, në një altruizëm elegant..
Kemi të bëjmë me një poezi moderne, didaktike dhe filozofike njëkohësisht. Ajo e gjen modernitetin në të gjitha llojet e vargëzimit poetik, të cilat ky poet i trajton me një lehtësi të admirueshme epigramike. Ajo, përsëri mbetet një poezi e thjeshtë, e lexueshme, e kuptueshme dhe miqësore. Sepse ka midis saj shumë detaje, sa jetësorë aq edhe artistikë.
Ndonjëherë e lexon këtë poezi dhe nuk e bën dot dallimin, ku fillon realja dhe ku artistikja, fantazia. Ndonjëherë, madje gjithmonë më ndodh të mos e kuptoj dot kufirin artistik, me atë real. Ndonjëherë, gjetja poetike bëhet vetë realiteti praktik dhe anasjelltas. Sepse elementët didaktikë janë pjesë e përhershme e procedimit artistik në vargun e Grigorit. Dhe ky është elementi i dytë i asaj që e quajta më sipër “trojka” artistike. Më tej, përmes një kundërvënieje a një kontrasti të gjallë elementesh a detajesh, situatash a ngjarjesh, fenomenesh a lëvizjesh të çliruara apo absurde në dukje apo në thellësi, në thelb të saj... jepet, zbulohet në fakt… vetë filozofia e jetës, e cila nuk vjen edhe kjo as si një element për të plotësuar tabloidin artistik a poetik, por as si ndonjë kryeneçësi kalimtare. Ajo vjen si një përbërës i domosdoshëm në poezinë e Grigorit, ashtu si ajo aroma e një mimoze të porsaçelur plotëson dhe shkrihet së bashku me vetë lulet dhe pemën, atë funksionin ideal, që vetëm një mimozë mund ta bëjë në duart e një gruaje të bukur, së cilës i është dhuruar.
Filozofia, në fakt, përshkon krejt poezinë e Grigorit, është pra, ai nervi i hekurt, që me elektromagnetizmin e saj e mban të mbërthyer mirë poezinë rreth vetvetes. Ndër poezitë që më mbetën në mendje nga ky vëllim voluminoz mund të përmend poezinë që i jep edhe titullin librit, “Blu e thellë”, poezi që vjen si një vazhdim i shkollës poetike shqiptare të viteve ’80-’90, të shekullit që porsa shkoi. Një poezi e traditës më të mirë shqiptare, siç është në tërësi poezia e këtij krijuesi. Me atë ritmin e rrjedhshëm të brendshëm, që e bën gjithë poezinë një simfoni të vërtetë, që rrjedh e buron, që udhëton sa realisht nëpër ullinjtë dhe ugarët vjeshtorë, të etur për shiun, lagështinë dhe ujin, aq edhe në brendësi, në subkoshiencën e lexuesit, i cili, ashtu si përrenjtë “që gjejnë udhën e humbur për në det”,, sikundër shprehet metaforikisht poeti, e përpijnë këtë poezi, që mbulohet, siç deklarohet në fund të saj, me “blunë e dashurive”. Ky është lajmotivi krijues i Grigor Jovanit, kjo është “Bluja e thellë” e poezisë së tij.
Unë mund të përmend edhe shumë e shumë poezi të tjera të këtij vëllimi dinjitoz, por në mendje më kanë mbetur poezitë “Mamaja”, “Shtëpia e vjetër”, “Jam duke përshëndetur dallëndyshet…” etj, etj.
“Blu e thellë” është një libër poetic, që ia vlen të lexohet, sidomos për t’i bërë udhëtimet e lodhshme të jetës sonë më të thjeshta dhe më të këndshme...

Samstag, 30. März 2013

VUAJTJET ELEMENT SHPREHËS

 
 Mr. Muhamed ROGOVA:
 
VUAJTJET ELEMENT SHPREHËS
NË VEPRËN E BRAHIM AVDYLIT

Brahim Avdyli hyri mjaft i ri në letërsinë shqipe si poet me prirje dhe talent të veçantë dhe mjaft premtues. Me përmbledhjen e tij të parë poetike “Nën hijet e Alpeve” filloi rrugën e tij si poet dhe krijues për të vazhduar me disa përmbledhje poetike por edhe me shkrime në prozë të botuara kohë pas kohe në Prishtinë, në Tiranë por edhe në Perëndim.

Që në hapat e parë të krijimtarisë së tij dallohej për talentin dhje shpirtin krijues që premtonte shumë. Me botimin e përmbledhjes së parë poetike u prit mirë nga qarqet letrare dhe intelektualët e Kosovës me bindjen se nga ky djalosh do të na dilte një shkrimtar me perspektivë. Ashtu edhe ndodhi. Në të gjitha botimet e mëvonshme vërehej ngritja e nivelit të vlerave poetike dhe letrare duke trajtuar tema nga më të ndryshmet të realitetit tonë. Në pjesën më të madhe të krijimeve të tij përpiqet të paraqesë shqetësimet e brendshme të cilat diti t`i artikulojë dhe përgjithësojë duke paraqitur përmes tyre fatin, shqetësimet, brengat dhe preokupimet e popullit e në mënyrë të veçantë të rinisë kosovare të kohës.

Brahim Avdyli tani së fundi na vjen me këtë përmbledhje tregimesh “Lëvozhga e vdekjes” me një profil të ri letrar dhe me një pjekuri më të lartë krijuese.

Në këtë përmbledhje tregimesh autori na sjell trembëdhjetë tregime përmes të cilave paraqiten trembëdhjetë pamje të ndryshme të jetës së tij, të rrethit ku jetonte dhe të vetë popullit tonë në një kohë kur jetonte në mes të shpresës dhe të zhgënjimit të thellë, në mes të shpresës për liri dhe të dëshpërimit nga papunësia, varfëria, përndjekjet, burgosjet dhe vrasjet e shpeshta nga ana e pushtuesit, ikja masive e rinisë së Kosovës drejt Perëndimit me shpresë për të gjetur një jetë më të qetë e më të mirë , gjatë viteve tetëdhjetë e nëntëdhjetë të shekullit të kaluar.

Një pjesë e mirë e këtyre tregimeve ka karakter autobiografik, ashtu si e thekson edhe vetë autori në tregimin hyrës të kësaj përmbledhje, “Topitja”, por përpos përpunimit artistik që i bën autori Brahim Avdyli arrin të paraqes në mënyrë artistike fatin e një pjese të mirë të popullit tonë gjatë atyre viteve të vështira, sidomos të asaj pjese të popullsisë që ishte e lidhur me fatin e atdheut tonë dhe që i kishte rënë rrisku i vuajtjeve, i burgosjeve, i leçitjeve, përballja me varfëri e kurbet të hidhur ku përherë e ndiqte ai fat nopran.

Në pjesën e parë të kësaj përmbledhje, në tregimet “Topitja”, “Gështenja përballë diellit”, “Ngushtica”, “Buzëqeshja e tretur e një gruaje”, “Rrënjët e gjakut”, autori trajton fatin e rëndë të atyre familjeve të fshatrave tona në ato vite të vështira që e kishin lidhur jetën e tyre me fatin e atdheut dhe kishin ndonjë pjesëtar të tyre nëpër burgje. Ato familje jo vetëm që ishin të përndjekura nga ana e pushtetit pushtues, por përjetonin shpeshherë edhe një bojkot nga ana e të afërmve dhe rrethi familjar e pengesat më të mëdha i kishin sidomos prej njerëzve që ishin vegla të pushtetit e që fatkeqësisht nuk ishin të pakët. Në tregimin “Buzëqeshja e tretur e një gruaje”, autori me mjeshtëri arrin të paraqesë vuajtjet e një familje, sidomos të një nëne, djalin e së cilës e kishin burgosur dhe këtë grua fisnike por shumë fatkeqe në vend se ta ngushëllonin ose t`i ndihmonin në ndonjë formë, bashkëfshatarët, e sidomos ata që ishin të lidhur me pushtetin, hapë pas hapi e ofendojnë, e përbuzin dhe në fund edhe e dhunojnë në mënyrë të turpshme, të ndihmuar nga njerëzit e pushtetit me uniforma. E shkreta grua, në pamundësi për të mbrojtur nderin e saj para atyre bishave apo për t`u hakmarrë kundër njerëzve të pushtetit dhe hyzmeqarëve të tyre, vetëm derdh mallkime, e vetmja mundësi që i kishte mbetur.

Në tregimet “Ngushtica” dhe “Rrënjët e gjakut”, autori ngjarjet i shtrin në dy dimensione; në të kaluarën e lavdishme dhe heroike të të parëve të tij dhe në zvetënimin moral, kombëtar e social të kohës kur ai jeton. Në këto tregime autori me mjeshtëri artistike diti t`i gërshetojë elementin e reales dhe të ireales, ëndrrës dhe realitetit, takimin e të gjallëve me të vdekurit që ua përkujtojnë të kaluarën e fisit të tyre. Në bisedën që zhvillon me stërgjyshin e tij dhe me njeriun e mirë që i paraqitet me një mjekër të bardhë e të gjatë i rrëfejnë për heroizmin e brezave të përparmë dhe e këshillojnë për të vazhduar rrugën e tyre. Biseda që zhvillon me një femër, qenie mitologjike, e bukur, e veshur me të bardha e me flok deri në tokë të cilën personazhi i tregimit e quan “motër qiellore” ia përkujton luftërat, vuajtjet dhe vështirësitë e kaluara të të parëve të tij. Kjo formë e përshkrimit të përkujton realizmin magjik të kultivuar nga shkrimtarët latinoamerikanë. Autori ia ka arritur të paraqesë artistikisht elementin e reales dhe të ireales në shërbim të paraqitjes së idesë kryesore të tij, si “Gjurmët mbesin vetëm aty ku kanë qenë rrënjët e gjakut, aty ku shëtit hija e atyre që ranë për t`i mbrojtur trojet”.

Në një pjesë të mirë të tregimeve të kësaj përmbledhje paraqet fatin e rëndë dhe të hidhur të mërgimtarëve tanë nëpër shtete të Perëndimit, ku kishin qenë të detyruar të strehoheshin. Nëse Perëndimi reklamohej si vend i luksit dhe i mirëqenies, si parajsë për të rinjtë tanë të pashpresë, me qëllim të shpërnguljes sa më të madhe të tyre autori mund të themi se mbase është ndër të rrallët që e trajton këtë temë duke e paraqitur edhe anën e kundërt të medaljes: vuajtjet, përndjekjet, diskriminimin dhe poshtërimin që u bëhet mërgimtarëve tanë në Perëndim.

Viktima më të shpeshta ishte ajo pjesë e rinisë shqiptare që ishte e shtrënguar nga varfëria apo përndjekja e pushtetit për shkak të ndonjë aktiviteti kombëtar që kishte zhvilluar në vendin e vet. Me sakrifica të shumta duke u paguar para të majme agjencive turistike që kishin shpërthyer si kërpudhat nëpër tërë Kosovën, i drejtoheshin Perëndimit me shpresë se atje do të gjenin qetësinë, punën dhe mirëqenien për vete si edhe mundësinë për t`u ndihmuar familjarëve që kishin mbetur për shkak të robërisë fare pa mjete jetese. Këta të rinj që shfrytëzonin mënyra të ndryshme për të shkuar dhe shkonin pa dokumentet e nevojshme i priste një kalvar i vërtetë duke qëndruar ilegalisht dhe të shumtën pa punë. Zhgënjimi për personazhin e tregimit “Takimi me një engjëll të bardhë” shkon deri në atë shkallë sa ai vendos t`i japë fund jetës së vet me vetëvrasje.

Por ai vend i “luksit” nuk ishte i rëndë dhe i vështirë vetëm për azilantët apo “rezilantët” siç shprehet autori me ironi, por edhe për një kategori të vendësve. Këtë autori e shpreh artistikisht shumë bukur në tregimin “E vetmja natë me Rozën”, në të cilën përshkruhet takimi me një femër fatkeqe vendëse po shumë e varfër e cila kishte rënë në një zhgënjim të thellë nga realiteti i hidhur i asaj shoqërie të kalbur ku zot ishte bërë paraja dhe kishin humbur plotësisht ndjenjat njerëzore. Aty njerëzit i lidhte vetëm interesi.

Tregimi “Nëpër kthetrat e djallit” dhe ai “Në gojë të gjarprit autori paraqet vështirësitë pa mbarim të asaj kategorie mërgimtarësh, të cilët përveç punëve që bënin në ato vende, merreshin edhe me veprimtari kombëtare, të rinj që merrnin rrugën e mërgimit të shtyrë nga varfëria dhe mjerimi që kishte pllakosur vendin tonë gjatë asaj periudhe të rëndë kur pushtuesi po zbatonte masa të jashtëzakonshme në të gjitha fushat e jetës. Vështirësitë në të cilat hasin atje, që janë ndër me të ndryshmet, por edhe udhëtimet e tyre për në Perëndim ose anasjelltas ishin një golgotë e vërtetë për ta. Prandaj autori ndalet më shumë në përshkrimin e anëve të errëta të një jete të tillë të mërgimtarëve gjatë atyre viteve të rënda. Në të njëjtën kohë krahas morisë së vuajtjeve e të vështirësive të paraqitura nëpër këto tregime aty këtu shihen edhe xixat e para të një revolte të organizuar që nuk do të zgjasë shumë e do të shpërthejë edhe në Kosovë.

Autori me një pjekuri artistike ia arrin të realizojë këtë vepër letrare duke paraqitur një mozaik të tërë personazhesh dhe karakteresh nga më të ndryshmet në një periudhë shumë të rëndë historike përmes të cilës kaloi populli ynë. Përmes tregimeve të përmbledhura këtu me titull “Lëvozhga e vdekjes” autori prek në ndërgjegjen e të gjithë atyre njerëzve që u bënë urë e sistemit, kurse njerëzve të rezistencës iu ngreh një lapidar në kujtesën e popullit.
 
Marrë nga www.brahimavdyli.ch