Mittwoch, 22. Mai 2013

Bilall Maliqi: ARTI POETIK NË GËRFYELLIN JETËSOR

 Bilall Maliqi

ARTI POETIK NË GËRFYELLIN JETËSOR…

(Sabit Rrustemi “N’fytyrën e një gjethi” (poezi), Sh.b. “Beqir Musliu” Gjilan, 2012, faqe, 160).

Arti poetik në shiritin jetësor i shkruar nëpër kohë, manifestohet me gjetje motivesh nga më të ndryshmet, të cilat ngërthejnë në vete ngjarje të vështruara vëmendshëm nga syri i një poeti produktiv, i cili ka një kriter mjaft të fortë ndaj sajimeve të veta. Vargjet poetike të poetit të njohur Sabit Rrustemi janë të latuara bukur, kanë forcën shprehëse, porosinë e qartë dhe gjetjet interesante motivuese.
“N’fytyrën e një gjethi”, titullohet vëllimi më i ri poetik i Sabit Rrustemit, i cili doli në dritë me rastin e 35 vjetorit të krijimtarisë letrare të poetit, e që koincidon edhe me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në të cilin poeti ka bërë një ditar poetik në mes dy nëntorësh, me poezi interesante të shkruara gjatë kësaj periudhe kohore e cila ka shprushë artin poetik të autorit i cili në vazhdimësi ka punuar që poezia e tij të del sa më e bukur e sa më artistike dhe këtë ia ka arritur me sukses.
Vargjet e poezive prezente në këtë libër janë shumë të natyrshme, të rrjedhshme dhe i japin shprehjes poetike bukuri të veçantë.
Poetika e Sabit Rrustemit ngjall kurreshtje për lexim dhe për rilexim të poezive të tij, sepse të tilla janë vargjet e tij, gjetshmëria, forcimi i vargut, pajisja me figura stilistike dhe individualiteti i tij krijues, mandej fjalëformimet që e pasurojnë edhe letërsinë tonë në përgjithësi.
Krijimi i figurave personale tek poezia e Sabitit është evidente, sepse ai poetizon në poezitë e tij qoftë në motivin patriotik, të dashurisë së segmeneteve të ndryshme, përkushtimet dhe ngjarjet e përditshmërive tona të cilat poetin e ngacmojnë t’i qes në pah qoftë mangësitë e shtresës shoqërore dhe të atyre që e drejtojnë popullin.
Poashtu gjatë leximit vërehen edhe shprehje politike në barkun poetik kjo vërehet në poezinë/ Fusnota/:
“Republika derdhet në gotë
si koktej rasti
mbështillet me Fusnotë”
Apo
“Fusnotën
si biletë e mbaj në xhep
Pa treni le të shkojë”
Ky është një mesazh i qartë në të cilin autori shpreh paknaqësinë e tij që ende luhet me fatin e popullit dhe se politikajt për fat të keq janë nën ndikimin e të huajve dhe assesi të vendosin vetë për çështje madhore kombëtare.
E Prekazin legjendar me plot të drejtë e portretizon si “Libër amë të lirisë” dhe se është “Vula” e ndryshimit të kohëve nga robëria në liri.
Gjithashtu në poezinë e tij vend meritor kanë edhe përkushtimet si: / Ka vdekur ajo vdekje/, /Nesër (Doresës)/, /Skaj pyllthit me pisha/, /Në shqetësimin tënd/Ai është liria vetë (Heroit të popullit Sali Çekajt)/, /Vargu i poetit që ngroh (poetit Rexhep Elmazit)/, /E kam Kosovën (Nekibe Kelmendit)/, /Pa teklif (poetit Nexhat Rexha)/, /Homazh për Ali Podrimjen/, /Përmes një pamjeje, (shokut tim Avdi Latifi)/, / Nëpër ato gjurmë (Zahir Pajazitit)/, /I mungon sall liria (kolonel Ahmet Krasniqit/ etj., etj, është kjo një nostalgji për poetët dhe miqtë e poetit të cilët disa nuk janë në mesin tonë e që me një përkushtim të denj autori u derdhi vargje poetike.
Tjetër që e preokupon autorin është edhe Kosova e degëzuar dhe me vargje shumë objektive paraqet një pasqyrë reale të shtetit më të ri në botë:
ËSHTË KOSOVA
Me gjysmën e trupit nën sqetull
me pjesën tjetër nën vetull
ecën e s'ndalesh qe një shekull
Thirrje poetike e autorit për bashkim.
Edhe Çepuri është një nga frymëzimet poetike të autorit , ku në shumicën e poezive hasim në dashurinë e tij për këtë vend i cili quhet Çepur. Dhe si i tillë ngelet simbol i frymëzimit poetik të autorit:
“Secila stinë ka ngjyrën e saj
në fytyrën e një gjethi
si zemra ime prej Çepuri”
Poezitë që e kompletojnë këtë vëllim poetik janë të shkruar me një gjuhë të përparuar poetike, gjithnjë me një stil siç e ka poeti, i cili dallon nga poetët e tjerë të poezisë bashkëkohore. Në disa poezi përdorë edhe rimën e të tjerat kanë rimën e brendshme dhe si të tilla poezitë e libirt janë gjysëmhermetike e disa sosh edhe të drejtpërdrejta, gjë që tregojnë seriozitetin e shtuar të autorit për ta ruajtur vijën e barazpeshës artisitke të poezive të tij.
Dhe si lutje për fund, për t’u bërë një trup i vetëm e jo të shpërndarë pikë e pesë. E këtë lutje e bënë autori përmes vargjeve poetike:
“Me gjysmën e trupit tim
do ta mbështjell një shekull
gjysmës tjetër do t'i them
mos i pritsh edhe njëqind vjet
për t'u bërë një trup i vetëm”
Kësaj lutje me forcë shprehëse dhe gjetje artistike i bashkohemi të gjithë shqiptarët, le të ndërpriten më këto drama të Evropës për mosbashkimin e trojeve gjithshqiptare.
Ky libër nuk është i ndarë në cikle poetike, por poezitë janë të rrjedhshme dhe zgjojnë kureshtje tek shtresa e lexuesve, sepse autori në shumicën e tyre poetizon problemet dhe dramat e jetës së përditshme shqiptare. Në vargjet poetike të Sabitit hetohen figurat stilistike si:simboli, epifora, krahasimi, simploka, në një masë të vogël edhe shprehje popullore, të cilave u jep elegancë dhe dendësi poetike.
Poashtu në këtë vepër përdor shprehje metaforike, por edhe të folurit e zakonshëm me të cilin edhe ia rritë peshën artistike librit.
Le të na kujtohet thënia e Thanas KristoRëmbeci ku thotë citojmë:
“Gjithmonë fiton ai që e ka cilësinë”
Pra me këtë përmbledhje poetike, poeti i njohur Sabit Rrustemi dëshmoi se është mjaft produktiv dhe se poezitë e tij ecin nëpër “shkallët” e suksesit dhe se ky libër zen vend meritor në poezinë bashkëkohore shqiptare...


Marrë nga "Agmia" në FB

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen