Montag, 4. Februar 2019

Bajram Sefaj: MBRESA (qartaqefese) LEXIMI

Bajram Mjeku
Faqja 41- qartaqefese
(Qejfi, lezeti dhe gëzimi i leximit të librit “Nimbes”, në frëngjisht, të autores Arta (Shapllo) Seiti, prishet, thyhet për aq!). 

Nga: Bajram SEFAJ

          (Natyrisht se leximi vazhdon por, mjerisht, shkrimi i kësaj mbrese, merr kah krejt tjetër!).

          Aq shumë gëzohem, kur atë mëngjes të hershëm, të 18 janarit, ky vit, si nëpër gjumë, ndiqja emisionin e radios së popullarizuar francez - France Inter, pjesën e tij 5/7 (cinq sur sept), kur, aty ndërmjet orës 5 e 15, 5 e 20 minuta, prezantuesi i emisionit tha: pas tre minutash (exacte), do te transmetojmë bisedën me shkrimtaren shqiptare. Pos emrit të saj Arta dhe se libri i saj bëhet fjalë edhe për Shqipërinë e Enver Hoxhës, asgjë tjetër nuk mbajta mend. Kjo mjaftoi që të shkund gjumin krejt, të kthjellem (si pas një tasi ujë të ftohtë fytyrës!). Esëll e syçelë, i gatshëm të prisja jo tre minuta, por edhe tri orë, veçse t’ia dëgjoi zërin e artë, Artës tonë. Kur çka të shihesh (dëgjosh!), Arta fliste një frëngjishte të kulluar, me stil të lartë, si me pas lindur bri Arkës se Triumfit (L’Arc de Triumph), apo nën hijen e Kullës së Ajfelit (Tour d’Aiffel). Aty, diku rrotull! Kjo qartësonte se libri i saj “Nimbes” nuk është përkthyer por, është shkruar drejtpërsëdrejti në gjuhën frënge. Aq me mirë. Befasi në veti! 
          I stepur sa bukur e fliste, kjo Ata jonë, gjuhën e Molière -Jean Baptist Poquelin!, bëri që as titullin e librit të saj, të mos arrij ta shënojë. 
          Mjafton që kisha emrin e Artës. Të radiostacionit dhe terminin e saktë të emetimit të bisedës me të. Të tjerat, për mrekulli i kryen (zonja) Google. Ajo i di (dhe i kryen) të gjithat! 
Pas vetëm dy-ti ditësh, në dorë kam librin Nimbes (Brerore, Aureole).
          Doli kjo, si histori paksa e zgjatur, ani, ia vlen. Mbresa e përflakur, sikur rrudhet, paket e zvogëlohet, vetvetiu!

*
          Me gëzim po shkoj në punë” (varg i këngës popullore!), me gëzim i qepem leximit të atyre tri tregime: Volutes d’antan, La Voie dhe Au seuil (Pufka (shtëllunga) të së kaluarës, Jeta dhe Në prag), të prira nga një prolog dhe të përfunduara, natyrisht, me epilog, që krejt bashkë zënë rreth 130 faqe, sa i ka ky libër hibrid e i pa gjini dhe pa përkatësi zhanri të saktë. (“Libri është diçka mes rrëfimit dhe esesë. Më shumë do e quaja një ese letrare” – përcakton gjininë e shkrimit, autorja vetë). Kënaqësia ishte aq e më thellë, kur dihet se Arta është e bija (goca) e Dalan Shapllos dhe e nënës mësuese e përkthyese e pasionuar, goce pra e prindërve intelektualë dhe e lindur dhe e rritur, sikurse thotë vetë, midis universi librash.

*
          Jam në faqen 41 të librit Nimbes dhe, si të ndeshëm me turinj për një cep akulli të Aizbergut, mbi valët e Liqenit të Ohrit, të cilin zonja shkrimtare shqiptare pa fije ngurrimi, (me qejf do të thosha pa fije turpi), e quan Liqeni i Ohridit. Lac d’Ohirid, shkruan ajo me dorë të vetë e drejtpërdrejtë në gjuhën frënge (Lac d’Ohrid, ndoshta ata (francezët) edhe e i thonë ashtu, por, lexoj një tekst letrar të shkruar nga një shqiptare. Kur këtë e përsëritë madje tri herë, gjithnjë në faqen 41, pa e futur bile nën kllapa se, në gjuhën shqipe ky liqe mori emrin e qytetit Ohër, gjithmonë shqiptar. Të njëjtin fat, me siguri, do të përjetonte edhe emri i Liqenit të Shkodrës, i Liqenit të Prespës... Ohri, Prespa, Shkodra, qytete këto shqiptare, emrat e të cilëve i mbajnë edhe sot e gjithë ditën liqenet e tyre, që më së miri dëshmojnë, janë dëshmi e gjallë ee, këta liqe janë në trojet etnike shqiptare. E si do ta quante, zonja Arta Shapllo Seiti, po qese rruga, ta shpinte andejpari nga Manastiri ynë i alfabetit shqip, BITOLA, siç e kryqëzuan sllavët zaptues e okupatorë, prite zot, sikurse thonë Ulqinakët tonë të dashur. Edhe këtij qyteti tonë të lashtë bregdetar, Arta jonë e artë, (që aq mirë e zbërthe domethënien e emrit Arta që e ka sot,të dilemës së prindërve të saj të nderuar, shih faqet 81/82) të librit në fjalë, do t’ia ndërronte emrin dhe do ta quante Ulcinj, në vend të Ulqin, ashtu si ia thonë emrin shqip këtij qyteti shqiptar, denbabaden! Po të shkruante në ndonjë gjuhe tjetër, maqedonisht, po e zëmë, do ta quante Ohridsko jezero, i taka na tamo!!!


          Por, ç’po bëj kështu, unë i mjeri, i flas një nuseje të le re, një bukurosheje shqiptare, qe u lid dhe u rritë në Shqipëri dhe, për kohë relativisht të shkurtër: “ Jam në Paris që në vitin 1993”, - ka rritur të perfeksionoi gjuhën e komplikuar frëngjishte, sa të flas e të shkruaj drejtë e pa gabime, madje me një stil të lartë, për t’ia pasur lakmi (për t’i mbajtur zili) edhe vetë francezët. Mos të ndërpritet e rrëfimi i Artës, riprodhua, nga një bisedë e gjatë e saj dhënë një javoreje shqiptare të specializuar për intervista. – “Kam kryer shume studime këtu të disiplinave të ndryshme (studime evropiane, antropologji sociale, etnologji) e kam një eksperiencë të gjatë në lëmin e strategjisë dhe të analizës se perspektivës. Aktualisht jap mësim në Masterin e Marrëdhënieve Ndërkombetare për Ballkanin në Universitetin Katolik te Lilës. Jam autore e rregullt e revistës se njohur strategjike « Revue Défense Nationale » dhe drejtoj grupin e studimeve ballkanike në « Institut Prospective et Sécurité en Europe ». Në radhë të parë, puna ime si studiuese, më kërkon të jem racionale, me logjikë e arsye të ftohtë. Aq më tepër që, për të bërë një analizë gjeopolitike, unë duhet të jem pranë ngjarjeve dhe informacionit dhe kjo më kërkon saktësi. Libri është rezultat i studimeve te mia ne shumë disiplina dhe leximeve pafund. Unë jam studiuese në marrëdhënie ndërkombëtare dhe eksperte e gjeopolitikës për Ballkanin, por jam mbrujtur në një familje e ambient letrar. Babai im, Dalan Shapllo, ka qenë kritik letrar, autor e perkthyes e mamaja është përkthyese e shumë veprave letrare ruse. Letërsia ka qënë gjithnjë brenda meje. Edhe diplomën time, në Tiranë, ia kam kushtuar poezisë franceze dhe formës se saj. Pra, kam patur gjithmonë një pjesë timen letrare që flinte brënda meje dhe që u zgjua një ditë… përgjigjet a Arta në pyetjen klasike, si lindi ky libër: Nimbes është një rreze drite që pershkon disa aspekte të botës dhe si rrjedhojë botën time të brendshme. Në radhë të parë, puna ime si studiuese, më kërkon të jem racionale, me logjikë e arsye të ftohtë. Aq më tepër që, për të bërë një analizë gjeopolitike, unë duhet të jem pranë ngjarjeve dhe informacionit dhe kjo më kerkon saktësi...”.


          Ani, Arta ani, fol e thuaj çka të duash, po mua me mbetët zhig për tërë jetën e them: shpirti mos me perëndoftë, pa të pyetur, publikisht pa të pyetur, si i bre çupë e mirë dhe e zonja, e familjes së mirë, kur je edhe aq e bukur dhe e talentuar, me gjithë ato shkolla, me gjithë atë dije që ke, ani edhe specialiste për çështje të Evropës Juglindore, përgjithësish, për Ballkanin, posaçërisht, kur je, si ndodhi që në faqen 41, tri herë radhazi, shënon (me dorën tende të artë), Lac d’Ohrid (sllavisht) e jo Liqeni i Ohrit (shqip)! Edhe sikurse libri yt të ishte përkthye frëngjisht, nga ndonjë përkthyes i huaj, ti gocë e dashur, bija e Dalanit tonë të çmuar, është dashtë të ngutësh e t’ia bësh me dije përkthyesit eventual, se Liqenit të Ohridit, shqip i thonë Liqeni i Ohrit! E pasi je vet autore, e nuk tu ka kujtuar, për një çast, emri shekullor shqip i këtij liqeni të njohur në botë për lashtësinë dhe legjendat, herë-herë misterioze , që kallëzohen për të, ke pasur mundësi, bre goce e të nderuar të pyesësh çdo kalimtarë të rasti, pa e marrë mundin e të humbasësh kohën të shtrenjtë në çfletimin e literaturës. Ke tjera punë ti, me të rëndësishme, sigurisht. Nëse rastësisht je gjendur në anën tjetër të Liqenit, në Pogradec, fjala vjen, të pasur mundësi të pyeteshe lirikun legjendar, Lagushin tonë, kur, sa ka valë ky Liqe, aq ka vargje poetike (lirike) që ky poet, si me rrjetë të shpeshte, i mblodhi e i përjetësoi në veprën kolosale të tij. Jo, jo fisnike, ti nuk je bijë e këtij Liqeni, kur pikërisht mbi ujin e qetë të tij zure mësimin e notimit. Jo, Liqenin e Ohrit ke lënduar dhe fyer rëndë, kur as emrin shqip nuk i a di, apo qëllimisht nuk deshe që emrin e tij kombëtar, t’ia besh të ditur lexuesit francez. Mos kij frike, “jo pse djem ike në Amerikë” por që një javë e këndej, gjuha shqipe është gjuhë e dytë zyrtare, kushtetuese,(e parë, shumë shpejtë) e kësaj Republike Veriore, kush e di se çfare!
          Edhe diçka me duhet (detyrimisht) të shtoj se është hera e parë në karrierën time si lexues, të bëj shënim mbi një libër, akoma (ende, hala..., haha!), pa e lexuar as gjysmën e tij! (Natyrisht se leximi e vazhdoi por, mjerisht, shkrimi i kësaj mbrese, mori kahe krejt tjetër, nga ajo që synoje e dëshiroja të shkruaj! Ndoshta isha i ashpër, ndoshta tepër cikërrimtar (minicioz), por nuk thuhet kot, andej nga ne, se një lugë tharëm mjafton, që një det qumësht ta bëj kos!

(« Nimbes », Fauves éditions, Paris, të Arta Seitit, mund ta gjeni në gjithë libraritë e Francës si dhe ta porosisni në të gjithë botën me Amazon. Libri ka 129 faqe dhe kushton 14 euro).

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen