Donnerstag, 30. Mai 2019

”Parajsë e nëmur”, vëllim i ri poetik i autorit Sadik Krasniqi


Sadik Krasniqi është vërtet poet metaforik, dhe këtë e sendërton përmes ligjërimit me ngjyrat origjinale të shprehjes, shumë herë të një psikologjie që ka në vete vlera të përgjithshme të shprehjeve estetike. Poezia e këtij libri, me titullin mjaft metaforik : ”Parajsë e  nëmur”, sikur vjen për ta pasuruar poezinë tonë të post-modernes. Kjo poezi, edhe pse e krijuar në një hapësirë kur poeti gjendet jashtë atdheut, bëhet pjesë e poezisë sonë më të re, dhe na sjellë në rrafshin poetik mjaft veçanti, mbase e ardhur si frymëzim, e arrirë si ndërtim dhe e pasur si ligjërim. Që në fillim, poezia e Krasniqit piketon fate dhe tragjedi, na afron mundësi të shumta njohje të botës para së gjithash asaj individuale, botë e cila është kaq e kushtëzuar dhe e varur nga e tanishmja dhe e kaluara. Në qenësi ky individualitet është gjurmim në psiken dhe shpirtin e njeriut, është shqiptim metaforik i shtjelluar me mjeshtëri: “Një ujk/dy ujq/ tre.../ tridhjetë ujq ngjyrë gri/një lukoni ujqish të brymtë/dalin nga mjegulla e lëndinës së verbër/ulërijnë ulërijnë mistershëm/nën hënën e mekur”.
Ky është ai shqetësimi i brendshme i autorit, ose, është formë e përjetimeve, e anktheve, e dhembjes dhe të gjakimeve brenda një kohe më mjegulla, e mistershëm dhe e mekur...

Pjesë vështrimi i Arif Molliqit, recensent i  librit


Duke lexuar vëllimin poetik të poetit Sadik Krasniqi, shpirti i çdo lexuesi të vëmendshëm do t’i nënshtrohet diktatit ontologjik të autorit, më pas do të vlerësojë, analizojë, gjykojë për strukturën kompozicionale, aspektet e teknikave, mjeshtërinë, motivet, figuracionin gjuhën, stilin etj. Duke hasur në mënyrë befasuese në poezi të një frymëzimi të thellë dhe të një teknike të lartë artistike, gjë fort e rrallë për zhvillimet e sotme të artit të fjalës, si dhe duke vërejtur nëpër njësitë poetike të autorit vraga të thella të një shpirti të trazuar, mbushur me ngjyrime të zymta dhe ankthe ekzistenciale, m’u kujtuan efektet gjurmëlënëse të pikturave të norvegjezit gjenial Edvard Mynch, si “Britma”, “Ankthi”, “Vajza e sëmurë” etj. Ngjashmëria, interferimi mes këtyre dy arteve të imazhit: pikturës dhe poezisë, në këtë sens mund të jetë krejt rastësore, pasi siç thotë Barthes, jeta e autorit nuk është çelësi për të kuptuar veprën. Por nganjëherë edhe është. Mynch ishte i pllakosur nga aspekte të errëta të së kaluarës së vet. Kishte një côte noir në jetën e tij.
Ndërsa poezitë e këtij vëllimi, autorin e të cilit e lexoj dhe e njoh për herë të parë si poet, transmetojnë shumëçka nga kompleksiteti i ndërlikuar i shpirtit të njeriut, me një ndjeshmëri të lartë, lirizëm të hollë dhe mjeshtëri të rrallë artistike.

Pjesë nga parathënia e shkruar nga Zija Vukaj




Poezi nga libri i sapobotuar i poetit Sadik Krasniqi


AJO NË PASQYRË

Për çdo natë
në dhomën 05
ajo
del nga vetja
si nga këmisha e natës
hyn në kornizë
e tëra bëhet sy
shikon vetën e zbrazët
sa t(m)err e ferr
ai hon i zi

Nidda, janar ’18



TI

Fantazi fantazme ke ti
në buzë puthjen e vdekjes
lot të zi në sy
gjarpër të verdhë gjuhën
ko(r)b fjalën
lule varrezash në duar
si të ta marr një fije floku
për ADN-në
gen Kasandre do të jetë
e di



FERRI MBI TOKË

(Nga pamja e një nëne të re, duke kërkuar fëmijët e saj,
në gërmadhat e qytetit Aleppo të shkatërruar)

Zot pse s’po i njoh fëmijët e mi
krejt të njëjtë qenkan bërë këta engjëj
me fytyrë prej dheu e gjak të zi

Zot mos më mëkato po e heq ferexhenë
ata do të më njohin ma kanë parë fytyrën në shtëpi

Zot jashtë po e nxjerr njërin gji
i vogli i nënës aromën e qumështit do ta ndiejë
ende e pata për gji

Zot do t’i nxjerr edhe dy sytë e mi të zi
do t’i varros me dorën time
në këtë ranë të djegur
më mirë e verbër
se t’i shoh ata të meitë

Kështu gjysmë të zhveshur
edhe në më marrshin për lavire
të më gjuajnë me gurët e rrënuar
ndoshta e shohin këtë ritual fëmijët e mi
ndoshta do të thërrasin oj nënë

vetëm të di që janë gjallë
edhe ky ferr mbi këtë tokë
edhe tjetri nën dhe
parajsë do të jenë për mua
vetëm ata të jenë gjallë

oh pse s’po i njoh fëmijët e mi

Nidda, 2016



TRENI

Për tek ara matanë hekurudhe
herët nisej baba
me mbrri para treni

i ulun para në kerr
tu e kqyrë orën e shokës
tash keni me pa trenin
po kali ka me na u trembë

pas dy ore në diell
dilte njeri i zi
e çonte dërrasën me dorë
hajt grahi
m’thanë
treni vonohet
edhe nja dy orë
baba pa e kqyrë
hala me orën në dorë
hyj dori
ta dhjefsha shtetin
që i vonohen trenat

ma mirë që baba s’asht ma gjallë
në këtë shtet që s’ka ma trena
në vendin që e kqyrte orën e shokës
mbi ata gurë ka mbetë vetëm udha
shinat janë vjedhë

baba do t’kish plasë prej mërzisë
na do t’ishim trishtue
me babën e shtrimë në kerr

vetëm kali do t’ish dalldisë
pa dizgina
e s’kishin hangër mizat e zhegut
tue pritë



KJO DITË

Ditës si kjo
nuk i duhet emri
data e javës e stinës e vitit
është ditë me vetëm
mërzi mërzi mërzi

gjithnjë e më shpesh
e tilla ditë
shlyen datat stinët e vitet

në kalendarin me sfond të zi

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen