Sonntag, 15. Dezember 2019

Poezi që konteston kufijtë e zhanrit

Nga: Ramadan Musliu
(Prend Buzhala: “Psherëtima pergamene”, poezi, zgjedhjen dhe parathënien: Anton Nikë Berisha. Botoi “Rozafa” Prishtinë 2017)

Vepra letrare e Prend Buzhalës kërkon një lexim komplementar, domethënë duhet lexuar pjesa artistike dhe të plotësohet pastaj me atë studimore-kritike. Arsyeja është se ato e influencojnë njëra-tjetrën dhe imponojnë një qasje jotipike. Kjo formë e leximit imponon kërkimin e historisë së tekstit dhe përqasjen e kontekstit, njëkohësisht.

Të përmendmim se vepra poetike e Prend Buzhalës shtrihet brenda këtyre vëllimeve poetike: ”O Amë, o Amë,(1995), “Për kend bie këmbanë e re”, (1998), “Shtatë seanca pranë apokalipsit”,(1998),”Këpucët e rënda të lirisë”(2010),”Çaste lirike I, (2014), Çaste lirike II, “Doracak për kapërcimin e udhës së vështirë”,(2017) dhe “Dy udhë me i marrë me veti”,(2017).

Pasqyra e botimeve në njëfarë mënyre është një histori jo vetëm e zhanrit, por një histori edhe e morfologjisë së shprehjes dhe e evoluimit të botës poetike, perceptimit dhe komponentëve të tjera te poetikës autoriale. Poezitë e përfshira brenda librave të përmendur kronologjisë krijuese ia shtyjnë kufijtë më tutje, deri në vitet e hershme të krijimtarisë, fundi i viteve të ’60-ta dhe të ’70-ta, gjë që poezinë e tij e vë në një kontest tjetër historik. Pra, pika iniciale e krijimtarisë është ajo e kohës kur në poezinë shqipe të Kosovës ishin instaluar disa modele identifikuese, si për kahet nga kishin marrë rrjedhat poetike dhe në përgjithësi të vetë procesit poetik.

Poezia e Prend Buzhalës në këtë pikë është ajo që i përmban të gjitha komponentët e një poezie subjektive, poezi që është e kthyer nga realiteti i jashtëm, i cili perceptohet i subjektivuar: “Lulet thurin kurorë, ëndërrojnë kaltërinë e qiellit/ një bari thurë këngën për tufën në melodi të fyellit,/ një qengj manar blegëron, nënën ku e gjen, një bulkth ka humbur violinën në barin që shkëlqen.” (“Lulet ëndërrojnë kaltërinë e qiellit”).

Pra fillet janë brenda një skenografie pastorale, ç’ gjë është imponuar si model poetik nga Camaj, më herët, e nga Azem Shkreli, më vonë. Këto imazhe iniciale të poezisë së Prend Buzhalës janë dëshmi për një evoluim kontiunuitiv, sepse, kur vihen në një kontekst me poezitë më të reja të autorit, nxjerrin një individualitet në perfeksionim të vazhdueshëm të shprehjes dhe sistemit poetik. Që në poezitë e hershme hetohet prirja për dalje nga modeli, prirja për të zgjeruar hapësirën e shtrirjes dhe të kërkimit. Këtë autori e bën duke inkuadruar një lloj specifik të refleksionit, duke i dhënë poezisë një shtresim të të ashtuquajturit inteligjibilitet poetik. E gjithë kjo bëhet duke bashkëdyzuar figurën poetike me nocionin, gjë që i jep mundësi autorit që poezinë ta nxjerrë nga gjendja e regjistrimit të disponimit emocional dhe ta hedhë më tutje, në domenin e refleksionit: “As vdekja nuk është më e rëndë se heshtja/në begati. Atëbotë gjarpërinjtë e blerimit/ përgaditin rrugën prej helmi. Balli ynë bëhet / qiell I stolisur me ylbere tëstolisur(…)”. (“As vdekja nuk është më e rëndë se heshtja”, faqe 124).

Nga këto pak vargje mund të bëjmë një sistemim të dy kategorive të shprehjes poetike përkatësisht të vokabularit poetik: vdekja, heshtja, begatia,si koncepte e nocione, në njërën anë, dhe, gjarpërinjtë e blerimit, rruga, helmi, balli, ylbere, etj. në anën tjetër, si figura poetike që japin gjendje konkrete substanciale. Pra që në fillim hetohet shtresimi refleksiv i tekstit që anon nga një aksiologji e brendshme, gjendje vlerësimi, e cila i ka nocionet si operatorë funksionimi. Kjo prirje më vonë vjen duke u formësuar në dy kahe: ndërtimi i poezisë konceptuale dhe pavarësimi i diskursit kritik që shfaqet në refleksionet autoriale rreth letërsisë, dukurive letrare dhe librave të veçantë, qoftë në formën e kritikës letrare apo edhe të studimit.
Poezia e Prend Buzhalës, prandaj, është në procesin e vazhdueshëm të evoluimit ngase ajo kërkon një energji të brendshme, një ritëm që bëhet më efektiv, një shprehje shumë mobile, e cila në brendi është përplot ironi, protestë dhe kritikë, për aq sa shpesh vjen duke e relativizuar edhe vetë zhanrin. Në këtë rrugë evolutive poezia e këtij autori nga modeli i poezisë subjektive, e buruar nga një ambient rural e pastoral, kalon në domene të tjera, nga përdorimi i një rekuizitariumi poetik të atij ambienti, ku imagjinata gjen agjens veprimi nga dukuritë dhe sendet rurale,nga vetë natyra, nga flora dhe fauna, dhe, në anën tjetër, inkuadron elemente të reja sa që kalon në një pozicion radikal, në sferën e abstraksionit dhe të mendimit të kulluar. Kësisoj kjo poezi nga vargu që shpesh e ka kufirin vetëm brenda një figure poetike kalon në rrëfimin poetik, në shpalosjen e refleksionit të gjerë. Edhe në planin e ideve autori inkuadron përvoja të reja, qofshin ato nga komunikimi me botën, ato përmes njohjeve të reja të sferave të mendimit apo të një autorefleksioni rreth vetvetes, si qenie identifikuese me atë modelin primordial, që e ka një histori të veten. Edhe aspekti formal i poezisë pëson një evoluim. Ndërtimi i poezisë përmes figurës poetike, e cila në mënyrë të dendësuar shfaqte një gjendje emocionale, një vrojtim të proceseve të jetës e natyrës, sendeve dhe dukurive të saj dhe të vetë jetës njerëzore, pushon se qeni e qëndrueshme dhe konsistente, dhe kalohet në një të folur të ri poetik, kalohet në rrëfim dhe konceptualitet. Edhe pse ndodh një lloj braktisjeje të konceptit nismëtar, megjithatë ruhet ajo intenca themelore poetike, ruhet intenca që megjithatë poezia të jetë një lloj kënge edhe pse autori ndërton një diskurs kritik. Ai diskurs kritik fsheh përbrenda atë kërkesën që të ruhet autenticiteti i qenies, i qenies e cila i ka modalitetet e veta të të shfaqurit të ekzistencës dhe ajo është kënga me ritëm dhe me gjallëri, me një tingëllimë të brendshme, diçka si të kënduarit nën zë.

Një pjesë e madhe e poezive vijnë si psalme, si këngë të modelit biblik, të cilat në brendi kanë diçka afirmative në raport me jetën dhe njeriun si ndërgjegje dhe si qenie. Pjesa më e madhe e poezive të periudhës më të re janë pikërisht ato që në brendi arrijnë të sublimojnë një urti, një refleks të përqendruar rreth fatit njerëzor, të cilat në mënyrë të tërthortë krijojnë analogji me urtinë biblike, duke prekur edhe shumë të vërteta, t’i quajmë kushtimisht sakrale. Këto poezi si diskurs mbështeten në narracion, i cili në thelb mundohet të pajtojë konceptualitetin me figurativitetin edhe pse shpesh ndodh të preken edhe ekstremet e konceptualitetit, duke bërë kalimin nga zhanri në zhanër. Në këtë gjendje poezia bën një kalim nga vargu në prozë, duke provokuar jo vetëm kufirin e zhanrit, siç është ajo mes poezisë dhe prozës poetike apo poezisë në prozë, si një lloj specifik i zhanrit miks, por edhe kalim edhe në zhanrin e skajshëm, çfarë është eseja. Prend Buzhala, në veçanti në periudhën e fundit, kultivon një rrëfim poetiko-eseistik apo, ta quajmë me një përkufizim tjetër, kultivon refleksionin në formën e esesë lirike. Sa për ilustrim po përmendim disa nga këto si më pikantë: “Nomina sacra”, “Veli i Veronikës”, “Gjithçka mbeti pa emër”, “Bashkëbisedim brenda vetës”, etj.

E gjithë kjo tregon se Prend Buzhala si poet është shumë aktiv, se është një mendje krijuese dhe rikrijuese, rikrijuese në kuptimin e interpretimit të letërsisë së të tjerëve. Ai si poet është vazhdimisht në kërkim, vazhdimisht në pozicion kritik, por që afron alternativë, sepse është kreativ dhe aktin e detabuizmit e bën duke i thënë gjërat dhe dukuritë jo në mënyrë eufemistike, por ashtu siç janë dhe siç duhej të ishin. Prandaj kjo poezi është në thelb refleksive, se kultivon një shtresim gjithnjë e më të fuqizuar të aksiologjisë. Ky evoluim ndodh edhe në tematikë, edhe në mënyrën e refleksionit, por edhe në mënyrën e artikulimit të kësaj bote poetike. Pra ajo lepeza poetike që fillon me figurën dhe vargun e reduktuar në gjymtyrë minimale, vjen duke u zgjeruar në narracion dhe për të arritur në konceptualitet që identifikohet tek esetë lirike.

Pra, në pyetje është një format krijues i zhvilluar pothuajse në heshtje, larg standardeve zyrtare, por autentik gjithsesi, konsistent si botëkuptim, si individualitet, i cili mbetet i pacenuar me gjithë këto ndryshime në shoqëri.

(E lexuar në Sojevë të Ferizajt, takim krijuesish në shenjë të ditëlindjes dhe veprës së Prend Buzhalës, më 1 nëntor 2019, në promovimin e veprës “Psherëtima pergamene)

Keine Kommentare:

Kommentar posten