Samstag, 22. August 2020

Fehmi Berisha dhe përmbledhja poetike "Guri pikon fjalë"


Recension nga Prof. Islam GEGAJ

PASQYRË E FJALËS POETIKE DHE IDEO-ESTETIKE E NJË VEPRE RREZATUESE

Në dritën e botimeve të reja, vjen në dorë të lexuesit një vepër e vlerës ideo-artistike me strukturë dhe kompozicion estetiko-letrar në tërësinë e saj dhe në poezitë veç e veç. Është fjala për veprën: “Guri pikon fjalë”, që gjithsesi do të marrë vëmendjen e opinionit lexues për veçoritë shprehëse dhe trajtimin e temave të mbarështuara me taban kombëtar të etapave më të rëndësishme për kauzën e lirisë sonë të munguar e për çështje jetike të popullit tonë, zhvilluar në dritën e shumë ngjyrave që i kanë dhënë kahun e tehun drejtues në realizimin e qëllimeve madhore të qenësisë sonë identitare e për ditë të mira, që do të vinin.

Autori i kësaj vepre poetike, prof. Fehmi Berisha, ishte dhe mbeti bir i shquar besnik i këtij populli e i dëshmuar në veprimtarinë e çështjes kombëtare të kauzës për çlirim dhe i orëve të para për liri-ngadhënjim, ndaj dhe veprën ua kushtoi dy shokëve të idealit: Petrit Bomovës-Titit nga Dibra e Madhe dhe, Jetullah Islamit-Jetës nga Dyzi i Besianës së Llapit, që shquan vlerën atdhedashurore të tyre dhe të shumë e shumë veprimtarëve tjerë e personaliteteve të ndritshme të historisë e kulturës sonë kombëtare, të dëshmuar në etapa të ndryshme për trimëri dhe përkushtim të palëkundur ndaj vlerave tona sublime themeltare të etnisë sonë.
 

Tematika dhe motivet

Lajtmotivi i poezisë së poetit, është atdheu dhe atdhedashuria, që me sukses do të trajtojë lirikën patriotike dhe tematika tjera ndërlidhëse, të cilat i shërbejnë qëllimit sublim për liri dhe prosperitet kombëtar. Përmbledhja poetike: “Guri pikon fjalë” e ndërtuar me togfjalëshin metaforik-simbolik të fjalëformimit: “Gur-i” granit, si koncept dhe si kuptimësi shprehëse dëshmuese të qëndresës së pamposhtur të një populli që mëtonte e gjakonte lirinë e ëndërruar, shndërruar në fjalëveprim koheziv, si piketim e pikësynim arritmor të jetësimit në idealin dhe idealizmin kombëtar të shqiptarizmës. Vëllimi poetik: “Guri pikon fjalë” përmban pikërisht tetëdhjetë e një poezi, fiks dhe, kjo për të simbolizuar Pranverën e Madhe të`81-shit e për t`i bërë jehonë ngjarjeve plot lavdi të demonstratave që kishin shpërthyer nga vlugu i popullit për liri e ngadhënjim.
Vepra, si e tillë ndahet në dy cikle:
1). “Guri pikon fjalë” dhe 
2). “Sa afër sa larg”. 
Poeti e nisë veprën me dy poezitë të cilat ua kushton dy shokëve të idealit: Petrit Bomovës-Titit me titull: ” Studimet, ëndërr e këputur” dhe, poezinë me titull: ”Bungut të Dyzit i vure plis”, kushtuar prof. Jetullah Islamit-Jetës e për të përfunduar me poezinë e tetëdhjetenjëtë, që mban titullin:  ”Lëshohem zemrës teposhtë”. Poezia që shënon fundin e vëllimit, është shprehje lehtësimi i përmbushjes shpirtërore të ecejakeve jetësore për ideal dhe, ca i zhgënjyer që nuk janë jetësuar në tërësi pritshmëritë. Se si i shpërfillur do të ndjehet kur kthehet nga mërgimi në token e ujitur me gjak disa vite më parë, aty për të parë: “dashurinë për lulet” dhe pushtohet, jo për të mirë nga ajo që sheh, për t`u shprehur edhe kështu:

“Toka i me, unë kam ardhur, 
 A nuk më sheh; a nuk më njeh, 
A nuk më ndjen ?!”

Shumë nga shokët e idealit, të cilët janë flijuar për këtë tokë të Dardanisë, sikurse Jetullah Islami-Jeta dhe shumë të tjerë, poeti evokon ditët plotë zulmë. Bashkë me ata e përkrah tyre, Fehmiu ka thurur ëndrrat më të bukura të jetës rinore.
 
Petrit Bomovës iu pat këputur ëndrra që pas daljes nga burgu t`i vazhdonte studimet, meqë ndonjëri nga njerëzit e UDB-së i cili punonte në administratën e fakultetit filologjik të Prishtinës, dega Letërsi dhe gjuhë shqipe, ia kishte fshehur dosjen universitare, provimet e dhëna para se ta burgosnin në vitin 1981, dhe Titi nuk kishte mundur të vazhdonte aty ku kishte mbetur me provimet, kur e kishin arrestuar e dënuar me shtatë vite burg të rëndë Maqedonie, derisa Prof. Jetullahut iu kishte këputur ëndrra për gjysmë për jetë, për ta gëzuar lirinë e shumëpritur, për të cilën ra heroikisht më 02 Qershor të vitit 1999. Poeti i këndon atdheut me dufin atdhedashuror, si rrallë kush. Ai ishte vetë pjesëmarrës në shumë e shumë veprimtari atdhetare para dhe gjatë luftës. Para luftës, në përpjekje të vazhdueshme, duke ushqyer idealin e tij, edhe e kishte pësuar me shumë vite (dhjetë) burg, se mbante epitetin “irredentist”, “nacionalist”,” rrënues i sistemit jugosllav” etj. Me ndjenjë të veçantë, i këndohet lashtësisë sonë iliro-arbërore, tokave tona që na i zaptuan armiqtë tanë shovinistë. Thellë në historinë e lashtë, poeti i këndon Itakës iliro-dardane, që i duket:

“Sa afër, sa larg”, kur
“ndjenja mbeti jetime e guri im pezull,
Itaka ime”,  
konkludim prej atdhedashësi, sa s`ka më. E, bashkë me ndjenjën sfilitëse të truallit iliro-arbëror që nuk është më në gjeografinë e atdheut në kufijtë e shtetit, poeti i këndon me zjarrminë atdhedashëse: etnografisë, etnogjenezës dhe etnopsikologjisë sonë, të pararendësve dhe besëtytnive. Poeti duke qenë se është dhe gjuhëtar, ai edhe zbërthen fjalët që na vijnë nga lashtësia mitologjike e parahistorike, si: Za- Zani- Zeusi-Zot të kohës pellazgjike e vendeve të shenjta të Dodonës në Malin e Shënjët (Hijen) e Tomorit, se kanë Shqipen për shenjë të Zotit të vet. Etimologjia popullore e Tomorit, që do të thotë: Tëmirit, duke bazuar më tutje kuptimin e Hijes në shqip me kuptimin Zot. Prej këtu edhe shpjegohet: Hija e Tomori, që në interpretim do të dilte: Zoti i Tomorit apo edhe më tej: Zot i vendit. Kështu Zot të vendit ishin dhe Dardhani, Akili, Thraku, Pirro, Iliri e Aleksandri, që flisnin i-lirshëm. Nga lashtësia parahistorike, autori i kthehet historisë dhe ndërton perla poetike, duke iu kënduar heronjve, si: Gjergj Elez Alisë me nëntë plagë në trup që lufton Bajlozin e Zi pushtues, Gjergj Kastriotit, Isa Boletinit dhe figurave të shquara të kulturës sonë dhe të letërsisë, si: Pjetër Budi, Bogdani, Bardhi, Naimi, Samiu, Noli, si:

“xixëllonjë erdhi dhe Migjeni
ABC revolucioni 
e kushtrimin e lëshoi Enver djali”.
Po, poeti i thur lavde Enver Hoxhës, se: 
“shaminë ma zgjidhi syve m`u dha dritë
bleroi mali,
Liria, më pastaj, seç:
“u katandisëm e u dalldisëm, u harlisëm, u gjunjëzuam në kisha e xhamia”, 
siç do të thoshte edhe Çajupi:  
”Prifti, hoxha, kisha e xhamia na gënjejnë: u prish Shqipëria”
 
       Profesor Qazim Berisha fliste me pietet për gjeniun Enver Hoxha. Po ashtu, Akademik Prof. Dr. Hakif Bajrami, me fakte historike, Enverin e dritëson si burrështetasin më të suksesshëm në historinë shqiptare.Edhe Akademik Rexhep Qosja ka shkruar vepër krahasimtare: “Enver Hoxha dhe Skënderbeu”. Kështu, poeti radhazi vjen deri te poetizimi glorifikues i Luftës Çlirimtare me UÇK-në prijëse, për t`iu kënduar me aq duf poetik e me shprehje: ”sikur të fliste guri” që trumbeton në kushtrim:

“A nuk dëgjoni se ç`thonë malet,
ç`thonë detërat Adriatiku, Joni
a nuk dëgjoni se ç`thonë varret
 ç`thonë çengelat e burgjeve e ç`thotë gjaku” 
se vdekja ndejti gjatë ndër këto troje të lashta 
sa vetë toka
e nga kafshimet tinëzare mbetëm të vegjël
 e nuk u rritëm deri te gjuha
deri te emir”,
grishje kjo që rrëqethte mishtë e trupit e ndizte zjarr ndjenjat. Këtij kushtrimi iu përgjigjen trimat e paepur si, Adem Demaçi, me syrin pishë e zemrën zjarr, Adem Jashari, Zahir Pajaziti e Hakif Zejnullahu me shokë, që e sollën Lirinë. Lirinë po e gëzojmë, por pakënaqësitë janë në rritje se po përdhoset gjaku i të rënëve, po përdhoset vetë Liria e po shahen heronjtë tanë me tamtame bajate, se: ”ua pamë sherrin” edhe Azem Bejtës e Shotë Galicës, edhe Adem Jasharit, edhe Adem Demaçit, edhe ju trimave në Kumanovë, edhe...” mozomakeq(!) me thashethemnaja gjithandej: sot në atë kullë lla-fesh, përgjimesh e përgojimesh që ushqehej me vetveten: “kush u bëri mish për top?” e servilizmi puthadorë ka kapluar për ca lekë, miliona dhe për pushtet(!), të etur si ushujëza e “njeriu i thjeshtë: unë, ti, ai, ajo, ne aty jemi rrugëve e shtigjeve ku latë shenjat, ku plisin e latë ju, të vesuarit e ndritshëm”.


Lirizmi si poentë ndjenjore e shprehëse

Disa nga poezitë lirike të vëllimit të dytë”. Sa afër, sa larg.” shpërfaqin Unin poetik të autorit për të shprehur hapur botëkuptimin dhe pikëpamjet për vetitë, veset e individit, kolektivitetit dhe shprehitë, si: besa, fjala e mbajtur, karakteri njerëzor e kombëtar etj.
Besa si virtyt:

”Moteve nëpër rrënjë të gjuhës e t’gjakut, 
për të gjallë s’u shkel” 
mbahej ndërmjet veti:
”kur na e zinin shekujt furtunë e t’përlotur, 
ani pse acareve kafshonte dielli, 
ne merrnim gjak në vetull”
kundruall armiqve, por edhe:
”Fjala, kënga dhe emri pezull”, 
lidhëm fjalën, këngën e traditën në bisht të kalit 
e i dhamë vrap pas Jezusit, Muhamedit, 
dreqit e të birit 
e bëmë vdekjen si me le 
për lesh turku, greku e vdiqëm 
shkretëtirave të dynjas”.
Kësisoj nuk e mendonte poeti, se më në fund:
”nuk kanë faj greku e serbi e turku 
që na ngjesin bishta”dhe:
”fjala, kënga, emri dhe guri im 
pezull mrizojnë nën hije”, 
konkludim më se i drejtë duke shkuar më tej, fajëson për konservatizëm, për mbyllje, si në poezinë: ”Pranverë”, që: 
”myku rritet murit të guaskës tënde 
e përtypet heshtja plasëse”.
Rrallë e për mall, poeti i thur vargje edhe ndjenjës intime, të dashurisë, si në poezinë: 
”Po të mori malli”, dashuria si ilaç i shpirtit, që:
”përnatë humbi nëpër flokët e saj, 
tash kur dridhen vitet si flutura pikaloshe,
ajo do ta gjejë etjen dhe plagën time 
me trëndafilin e kuq në dorë”.

Një plagë e thellë e shoqërisë sonë është hapur e përhapur dukuria e  prostitucionit si shëmtirë e kohës në të cilën po jetojmë. Poezia:

Ti e di cila je...
”që si ledh nga drita ik në terr 
e fshehësh:
ti e di cila je...!
Dhe, kështu godet poeti edhe në vjershën po me të njëjtin motiv: 
”Endacakja”, që: 
”kur njeh dikë tjetër, 
harron edhe atë që njeh, 
harron edhe vetën”.

E dhimbshme, vërtet. Por, ja që i habitur e paksa i neveritur, poeti ngërthet me vargje në poezinë po me të njëjtin motiv me titull sinjifikativ:

“Si të emëroj...!?”, 
kur kënga e vaji të puthin buzën,
lirikë, ode, elegji, epitaf,
apo si t`i emëroj të gjitha këto kohë të pa kohë,
e rënieve e ngritjeve...” 
                                     
Ngjashëm shprehet poeti edhe në poezinë:
”Pa nusëri,”, si bjerrje vlerash morale dhe etiko-njerëzore, që 
”a, do ta pranojë pragu i fisit kaq të përjargur”. Një dukuri aspak e denjë, trajtohet si motiv shprehës poetik, edhe për vetë poetët që shtrembërojnë artin e fjalës së bukur me hermetizëm duke shkruar vetëm artistikisht me fjalë e trajta të pakuptimta, pa përmbajtje, pa vlera, pa një subjekt domethënës etj. Kështu, jo rrallë ndeshim poetë e poezi me zbrazëti motivesh, që veçse shkruhet: art për artin. Të bukura janë ndërthurur vargjet për motive të ndryshme jete e përparimi, si në vjershën: ”Sa afër, sa larg...”, që është emërtuar edhe cikli i dytë sipas kësaj poezie përshkruese të natyrës, peizazhit bregdetar, ku: ”vala shtynë valën e radhas njomësisht puthin bregun”, vargje këto të një lirizmi bredharak.


Gjuha dhe stili i veprës poetike

E gjithë vepra si e tillë, ngërthen vlerën e saj, sepse është shkruar me një stil të lartë të të shprehurit e  figurshmëri të një gjuhe mjaftë të fytyrëzuar me trope e figura letrare nga më të ndryshme. Epiteti zë vend qendror dhe krahasim në togfjalësha që iu bëhet heronjve trima, si ”dielli zbriste mbi kokë; me rrezet zgjoheshe ti në pellgje gjaku; në lirinë e prangave, në lirinë e thikës në fyt’, cilësime këto në vjershën që i kushtohet Petrit Bomovës-Titit, që tingëllojnë edhe si metaforikësi në vargjet:

“Ëndrra të krihte ëndrrën e ëndrrave
si qielli ato vite, zogjtë i bëre shqiponjë “, 

dhe poashtu te poezia “Bungut të Dyzit I vure plis”, kushtuar dëshmorit prof.Jetullah Islamit-Jetës:

Llapi të derdhej damarëve 
Gallapi të bënte freski 
terri s’të pëlqente
shkronjave u ndezje qiri.
Ishe këngë gjeneratash 
ishe flamur demonstratash,
hallkë e këputur,
gjuhëlidhur dry
ishe qëndresë prej shkëmbi
plis i vure Bungut të Dyzit
aty u bëre gjak e rrënjë liri
toka dardane t’u bë shtrat liri”,
cilësime këto nga më të bukurat për heronjtë. Po vetë titulli i veprës poetike: “Guri pikon fjalë”, shpreh katërcipërisht ndjenjën e stoicizmit, në praktikën jetësore dhe me fjalë që burojnë rrjedhshëm e qartë. Në shumë vargje, ndjehet e përkëdhelur fjala shprehëse, mbështjellur me vellon artistike, mveshur me figura si sentenca, si p.sh:

“Gardhi mbeti pa u thurë;
pushka myket;
thitë m’i lavrojnë arat kryq e tërthor,
Za, zani, Zeusi, Zoti;                                                      
unë mbeta urith pa jastëk nën krye;
mbeta zog vetëm në emër”, etj.

Figura e krahasimit ka gjetur vend dhe shprehje në shumë vargje e në shumë poezi, si: 

Enveri e Adem shtrydhen gurë e dru 
i besonit diellit si ngrohtësisë së zemrës
ishit pellazgë, ishit ilirë. 
E mbi shkrepa përkundej djepi 
si varkat në Detin Jon 
si teshat e trupit, u rrinte vdekja, 
porse edhe paralelizmat: 
“As qytet, as katund, as shtëpi 
kund s’mbeti pa të rënë për atdhe 
asnjë s’të pikturoi e s’të këndoi si Homeri 
me aq besnikëri 
mbi malet e mbi detin tonë
u turrën re të zeza: 
romaku, turku, shkjau, greku,
dreqi dhe i biri shembën vlera
paraja, rrena, pisllëku e mashtrimi”,
si figura numeracioni e paralelizmi.

E figura e krahasimit mbetet mbretëreshe artistike në këtë vepër poetike, se:  
“Ruajtën pika gjaku, 
ADN e atdheut dhe, 
erdhi si enë qeramike, 
si enë ushqimi erdhi, 
si qelibar, 
si bylyzyk e si unazë dashurie, 
si shpatë e hanxhar trimërie, 
erdhi si ninullë, si lirikë, 
erdhi si baladë epike, 
erdhi si vulë fisnikërie” etj.,
që ka përplot vepra dhe është gati e pamundur t’i numërosh e t’i vësh në spikamë.

Dhe, çka të themi si përfundim? Vepra ”Guri pikon fjalë”, vjen si sihariq për lexuesin e pasionuar, se pasqyron një gamë të gjerë ngjarjesh e personalitetesh, protagonistësh emblematikë, personifikime vlerash në etapa të ndryshme dhe të rëndësishme duke i përshkruar bukur e ndjeshëm me një gjuhë të pasur e të rrjedhshme dhe me dell, idejshmërisht e përmbajtësisht.

Poeti ka përdorur vargun e lirë dhe, herë-herë edhe me rimë, ritëm e thekse thirrmore, si:

”Eh, Troja ime e lavdishme...! 
Heu, Kosovë,
eh tokë pellazge, tokë ilire,
tokë shqiptare...!
Heu, heu Enver djali, 
çohu burrë nga varri, çohu aman, 
çohu se na griu morri...!”, etj.

Vargu i kësaj vepre, ka muzikalitet kumbues, ka shtrirje notash si në pentagram, si në simfoni tingujsh akorduar bukur e ndjeshëm.

Dhe, krejt në fund vjen urimi: Shëndet dhe të tjera vepra të radhës me vlera, i uroj poetit Fehmi Berishës, njeriut të idealeve të mëdha!

Keine Kommentare:

Kommentar posten