Montag, 22. April 2013

Ali R. Berisha: DHEMBJA DHEMBJES NUK I NGJAN


DHEMBJA DHEMBJES NUK I NGJAN

(Përshtypje leximi nga libri me poezi i Venka Capës, Unë prek me frymë.)

Ali R. Berisha


 Poezia nuk adhurohet vetëm pse ka bukuri vargnimi, por edhe nga shkaku se lexuesi dëshiron të njihet edhe me vlerat tjera te saj. Në vëllimin me poezi të poetës Venka Capa lexuesi njihet edhe me rrëfimet dhe botën ndjenjore të saj. Është në mesin e njerëzve që ushqejnë shumë dashuri e mirësi ndaj botës, ndaj natyrës e sidomos ndaj njerëzve - përkundër faktit se ajo ka aftësi të kufizuara trupore. Jata e saj emocionale është shumë më tepër e anuar nga mirësia shpirtërore, me botën e saj të dhembshme, por që arrin ta mbaj emocionalisht në zap dhe ta orientojë andej nga e shpie arsyeja dhe normaliteti shpirtëror. Dhe këtu, përmes motivesh, vargjesh e ofrimesh të tjera poetike lexuesi do të mund ta njohë shumë jetën e saj emocionale, krijuese dhe botëkuptimore. Gjithkund e gjithkah me një bindje të sinqertë dhe përgjegjësi të lartë për të shkruar atë që u ndihmon shtresave të lexuesve, e sidomos asaj, të cilës ajo i përket. Madje me një dëshirë e këmëngulje që tërë këtë vlerë mendimore e shkrimore ta shpiej në hapësirën universale të poezisë. Ajo është e bindur se pikërisht poezia është fusha e mirë që ndihmon njerëzit pët t’u ushqyer e shfryrë me ndjesi humane, optimiste e shpresëdhënëse. Lexuesit kanë patur mundësi të vehen në dijeni edhe për raste të tjera të poetëve të ngjashëm dhe janë bindur se ata kanë emocione të forta, shpirt tejet subtil, por nganjëherë edhe me anësi jo aq të mbështetshme nga të tjerët. Venka Capa, ndërkaq ka arritur t’i vë në zap emocionet, çastet dhe rastet e dhimbshme dhe ato i ka shfrytëzuar mirë e suksesshem në jetë dhe në vargje. Ajo tani, pas përvojes (ka dy libra me poezi) në poezi ka rrumbullakuar moton se “Kush dashuron, miku im, ka shpirt margaritar” fq.45. E kush mund ta hudh poshtë këtë?! A është më mirë të dashurosh apo të vetëvuash?

Në tufën e poezive me titullin UNË PREK ME FRYMË autorja gjezdis brenda universit (gjithëmotivit) të saj poetik. Fuqishëm e suksesshëm brumos, polemizon dhe afron shumë një poetësi të tipit – lirikë intime. Në këto lirika të fuqishme dhembshurishte, sëmbuese, të lira deri në vetërrjedhje ka vetërrëfime e shumë këshilla jete. Ajo ne tregon haptazi se ka vendosur ta bëjë mike poezinë e mik lexuesin. Për t’u bashkëndjerë me ta. Melankolia, mendimzezat a pesimizmi nuk i sjellin gjë prej gjëje poetës. Ato munden vetëm të hapin puse të thella e të zeza. Prandaj asaj i mbushet mendja të fluturojë “Hapësirave të shpresës” (21) ku gjen e shijon pamje të bukura të natyrës; dëborën e bardhë, flakën e oxhakut, dritësimin e natyrës, pranverën (dashnoren e poetëve), gjethet (ani, edhe pse janë të vjeshtës, perëndinë e dashurisë, fusha e bjeshkë me lule, ajrin e shpresës, ama edhe njeriun bosh, varrin e babës së vuajtur, Steblevën e boshatisur etj. .

Venka është grua dëshpëruar, por ëshë më tepër shpirtbardhë.
“Në kërkim të mirësise” (25)
që lëshon zërin-varg:
Jam grua, kam shpresa,
Më vlon dëshirë e shnjtë, (14)

“Shpirti i afrohet pemës së braktisur …
Durimi kërkon zgjatjen e dorës” (15), dhe

Mua ma fal durimin
Që sfidat e jetës t’i përballoj. (52)

“Hijet e harresës”, (47), “Mikut të vërtetë’ (50,

Tutje sheshohet zëri lirik “Gotës së dashurisë “Deri në Përjetësi”, Perëndi e dashurisë” me metafora të tjera si “Metaforat e detit”.

Për t’i shpall luftë rënkimit, lotit, shgënjimit, vuajtjes, poetja i lëshon zë dashurisë, jetës, shpresës, shpirtit me armën e durimit, të dëshirës, afshit qëndresëtar, dashurisë etjendezur, në puthfrymëmarrje (fjalëkrijime këto të poetes), nga se ajo beson që “Poezitë ma ndryshojnë gjendjen …” (/70), “Dashuria ime e vetme, e shtrenjta poezi!” (/77).

Gjatë udhëtimit nëpër tituj kemi arritur të kuptojmë por edhe ta njohim motivet tematike të poezive me gjithnjë e më shumë pjekuri, figura të zgjedhura e të bulburta, zëra të ingranuar të simbolikës. Nuk mund të shkojmë tutje pa u ndalur te poezia Në kërkim… (25) për ta mbajtur mend mirë, si një poezi plot nerv e frymëVenke, e dendur me brenakëndim të saj. Poetja vazhdon rrugëve të dytëta deri në “Tokën e boshatisur” (85) të vendlindjes, ku poetja gjen vargje tejet të qëlluara: Fshatari … / Punonte, plugonte … u lodh u dërmua … kudo si murator shtegtoi, E për veten e tij çatia i pikoi!

Na pushton bindja në fund se poetja Venka Capa ka filluar mirë përvijimin e rrugës së poezisë në shumë aspekte me brumë e me stolisje, me zë e me vetëkuptim, me subjektësi e objektësi, me rekuizita të zgjedhura poetike, metafora, simbole, epitete, gradacion e ngjyrësi të tjera stilistike. Një vlerë brendijore poezisë i japin edhe aforizmat e ideuara prej saj, si:
Dhimbja dhimbjes nuk i ngjan. (/47),
Lumturia askend s’e hidhëron. (/60),

Mbaje afër gotën e dashurisë,
Pi herë mbas here në të,
Kërko nektarin e lumturisë,
Qesh e gëzohu pa zë! (/60)

Më e madhja pasuri,
Ti je, o njeri i mirë… (/61), etj.

Edhe në ndërtimin strukturor të poezive poetja është përpjekur të gjejë ndonjë rrugë të veten, mirëpo e rëndon një mënyra e saj e thurjes. Në shumicën e poezive fillon me ndonjë varg melankolik a zhgënjyes dhe përfundon me ndonjë optimist a shprehje qëndrese. Ta përmendim ndonjë shembull: “Jeta ime pelegrin në Sahara / Jam zog i ngjyer në pafajësi. (/20), “Shpirti rënkon … / E unë të gëzohem të lumturohem. (/32), “ Mos krijo këtë zbazti e etje që djeg / Të kam edhe shpirt. (/69). Ka në libër edhe ndonjë thurje jo sa duhet të qëlluar si; troket muzgu i plotë (/400, ardhmëri e vonuar (16), pranvera ka shtri magjinë e ylbertë, (/35), kuse kurse vargu Jam cung dru tharë është përvjedhur aty si një mish i egër, që s’i përshtatet as poetës – si qenie shumë e formuar, as poezisë së saj, plot vullnet e krenari për jetën. Poetja pra duhet të dalë më shumë në natyrë, duhet të komunikojë më shumë me të dhe me njerëzit, ta vizitojë universin letrar, ta zgjerojë fjalorin letrar. Guxoj ta them këtë, sepse një poete që frymën e ka si mjet të parë për ta ndjerë jetën dhe poezinë, nuk duhet kurrë të ngecë. Pas gjithë këtyre vargjeve të mbrujtura me entuziazëm, poetja Venka Capa është bindur se sukseset ndodhen rrugës që e kemi përpara, e jo rrugës që e kemi kaluar. Fryma e kësaj bindje vërehet kudo në vargjet e saj.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen