Donnerstag, 25. April 2013

Prend Buzhala: DHUNTIA E THËNIES EKSPRESIVE

 
Liber i botuar nga "ADA" , Prill 2013
 
Nga PREND BUZHALA

 Dhuntia e thënies ekspresive

(Poezia e Ramiz Kuqit)



Poezia e Ramiz Kuqit, e përfshirë në vëllimin “Virgjil i kryqëzuar”, ka prirjen të vjelë këndimet e saj në dy këndshikime; të shikojë së brendshmi se çka po ngjet me ndjesitë intime nëpër kohë e mote dhe së jashtmi, të reagojë me tonin e tij meditativ lirik. duke gjurmuar së brendshmi me dhuntinë e thënies ekspresive, autori sikur na e zbulon të vërtetën e shpirtit të tij:

Te ky breg i shpirtit
Rri mejtohem
Përplasem

Nuk është e rastit, prandaj, pse leksema SHPIRT, merr konotacione të pasura figurative dhe kuptimore. Madje, edhe kur poeti përçapet në jetë, duke u përleshur me fatin, me vorbullat jetësore, ai e ndien këtë shqetësim të brendshëm jeton me këtë shqetësim, me tensionet meditative-ekzistenciale, që të përplasin sa andej, sa këndej.

1. Shtresimet e qenies

Së këndejmi, lirika me zjarrmitë e saj të brendshme, merr edhe një rol tjetër, të shndërrimit në qenie poetike, në referencë të folësit lirik:

Zot
Ruaje këtë lirikë me sy
Në zjarrminë e shpirtit digjet

Vjen si valë në kangjele malli
Fjalët
I ka dhembje

Kërkimi i tillë, i zjarrmishëm, i brendshëm, mësyn kah amshimi brenda kësaj qenie, e kjo do të thotë: amshimin ta kërkosh brenda vetes. kështu, poezia është ajo që e shtyn folësin lrii që edhe ta sprovojë vete, edhe ta pyesë dhe pohojë vetveten... Kurse, fati, koha, bota e jashtme, shoqëria, kombi, hapësirat planetare të ekzistimit, ku shtegton e gjallon poeti- të gjitha këto përbëjnë shtresimet mbi këtë qenie, e ku bota kundrohet si pjesë intime, pjesë e vetvetes. Ajo të dhuron plagë e këndime e ato sikur e gjen ilaçin e tyre tek këndimi lirik! Por këto shtresime përbëjnë edhe shtigje zbulimi të mospajtimit njerëzor me gjendjen e ngurtë, të palëvizshme, te ngrirë a statike. lexuesi, prandaj, e vëren prirjen e poetike të Ramiz Kuqit, që vargjet t’i ketë sa më të shkurta, sa më ekspresive, nëpërmes të të cilave do të trajtohej realiteti objektiv me anë të procedimit ekspresionit e neo-ekspresionist të vargut. Në këtë mënyrë, krijuesi i zgjon vizionet e tij të krijuara brenda shpirtit e zemrës njerëzore. Kund e kund ringjallen finesat e bukurisë së kujtimeve (“I ledhatojmë kujtimet/ E stinëve”) e herë ky kujtim vjen me mall nëne. Në këso momentesh, nuk ke se si të mos e zgjerosh vizionin poetik drejt paraardhësve, drejt rrënjëve të lashtësisë e të shtyllave identitare, për të hyrë në kornizat e realitetit e të historisë si pronar kohe. Aty diku ngjallen edhe imazhet e djallit që asnjëherë nuk mund të bëhet engjëll. Në këso rastesh, fjala bëhet më e rreptë, më fshikulluese, me referenca ironike:

Vjen
Nga rrathët e Dantes
Ku lëmërijnë shpirtrat
Gumëzhijnë zinxhirët
Si qen i egërsuar
Leh mbi njerëz

Ndërkaq, kur poeti ndalet përpara dilemave, udhëkryqeve, labritniteve e mjegullimeve që turbullojnë vizionin, të bukurën, ai shtrëngohet ta shkruajë lirikën e tij në trajtën e diskursit të një urdhri etik, një ligjëratë që buron nga thellësitë e përvojës:

Mos hap derë shpirti
Pa mbyllur një ëndërr
Ke lënë dy sy

Rrugët njerëzore të çojnë drejt harrimit. Poeti përgjërohet kundër këtij harrimi dhe di që është një rrugë që të çon kah shpëtimi, kah vetvetja, kah përjetësia:

Ke bredhur
Sa larg
Ka ikur harrimi

2. Kontrapunkti i ndërkomunikimeve

Lirika, më tutje, merr udhë “Nëpër rrugët e shpirtit” që flasin shqip. ndryshe, ky nuk do t’ishte burim i Atdheut. Fjalën në varg e do të pastër. E do të besës,a shtu si e koncepton etosi ynë kombëtar, pikërisht pse Fjala Poetike ngërthen në qenien e saj, në aktin e saj, zgjimin e brendshëm, përndritjet e vizionit:

Kush u fut në Kullën e mendimit
U lidh me fjalë e frëngji
Mbeti duke dëgjuar ushtimë vargjesh
(poezia “Poeti dhe kulla”)

Sado që karakterizohet me ndjeshmërinë ekspresioniste, poezia e Ramiz Kuqit priret me poetikën e formës së hapur; vë në gërshet asociative-lirike me ato të abstraksionit artistik; lëviz mes kërkimit për të vënë drejtpeshim e harmoni brenda kompozimit lirik dhe braktisjes së fakturës së figurshme... drejt procedimeve stilistike surrealiste-moderne. Për të, vargu poetik përbën hapësirën e kozmosit, peshën e psherëtimave të shpirtit, etjen për dashurinë dhe erosin, por edhe solidarësinë në kërkim të lotit; është aventurë kërkimi, por edhe sfidë e madhe, është sy shpirti dhe këndim engjëllor:

Ruaje Zot
engjëll vargu!

Poezitë përfaqësojnë ide dhe imazhe të pastra. Të duket sikur përpara e ke një atlas planetar e kozmologjik me pamje konfigurimesh, por ku nuk mungon as përkujdesja për t’/u përqendruar tek një element, tek një kënd-pamje intime, dashurore a atdhetare, të peizazheve të atdheut e të vendlindjes, apo të hapësirave yjore, por, kund e kund, edhe drama lirike të qenies së plagosur e të lënduar, ashtu sikundër dhe romanca të gëzimeve jetësore. Rëndom, ky edhe është statusi i poezisë deri te dilema fundore: pse të shkruaj, kujt t’i flas? Është ai lëndimi ontologjik i qenies nacionale dhe i frymës humaniste, është ai kontrapunkti midis i ndërkomunikimeve midis artit poetik dhe filozofisë.
Nga të dhënat e mësipërme, mund të thuhet se mënyra e procedimit poetik të Ramiz Kuqit, e cila i rizgjon këto shtresime intime, kohësh e këndvështrimesh, heshtjesh e parandjenjash, cytjesh e impulsesh të brendshme; dëshmon se të gjitha këto mund të shndërrohen në poezi, ashtu sikundër këso trajtash mund të marrë edhe vetë filozofia, jeta e përditshme, madje poezi bëhet edhe Nëna, atdheu, dashuria, natyra, tradita, etnikumi, kozmosi, yjet...

Prend BUZHALA
Gusht 2012

Keine Kommentare:

Kommentar posten