Dienstag, 2. April 2013

Mendime për librin "Blu e thellë" të poetit Grigor Jovani


Nga THANAS BOÇI
studiues i letërsisë


Poeti i blusë së thellë

- Grigor Jovani në librin e tij të ri -

“Poezia - sipas Platonit - është një forcë e habitshme, që nxjerr një gjë nga mosqënia në qenie”. Do të thosha me plot gojën, që kjo thënie i përshttatet më së miri poezisë së Grigor Jovanit. Tashmë ky poet, falë përvojës dhe talentit të tij, është kthyer nga “rob i muzave” në “zot të muzave” dhe çdo lloj përjetimi a përsiatje që ndesh në jetë, nuk i lë të shuhen nga harresa, por imazhet e tyre i shndërron në godina poetike, të ndjeshme dhe tepër emocionale. Pikërisht kjo ndodh edhe në vëllimin e tij më të fundit poetik, “Blu e thellë”, që kemi fatin ta kemi në duar.
Lind pyetja: pse “blu” dhe pse “blu e thellë”? Ja përgjigja: sepse Grigor Jovani është dashnor i hapësirave të pafundëta. Këtë privilegj e kanë vetëm qielli dhe deti, hapësira ku mbizotëron bluja, ajo më e thella, e cila ka fuqi gati hyjnore për të qetësuar shpirtrat e lodhur dhe të vrarë nga mbingarkesat e shumta që të servir jeta. Poeti për të cilin bëjmë fjalë, e ka në shpirt këtë blu të thellë, sepse nuk jeton në zbrazëti dhe boshllëk, por në jetën e përditshme, që zien. Ne, që e njohim nga afër, e kemi të lehtë të zbulojmë, se kjo ngjyrë i mbretëron në shpirt dhe ky det i ngre dallgë të mëdha poetike. Këto dallgë ndjenjash dhe përjetimesh jetësore, me një vërtetësi të mahnitshme, hodhi Jovani edhe në këtë libër.
Edhe tek “Blu e thellë” Grigori është i veçantë, përkatësisht në ustallëkun e ndërtimit të strukturave prozodike, ku fjalët i vendos me shumë mjeshtëri. Kemi të bëjmë me një poezi të drejtëpërdrejtë, të shkurtër, melodioze dhe ritmike, që mund ta konsiderojmë me dy fjalë: poezi-flash. Kjo të krijon kënaqësi jo vetëm për çastin, poe e ruan atë edhe në vazhdimësi të kohës, duke përfituar atë vlerë estetike, që quhet modalitet permanent.
Ky vëllim shquhet tjetër edhe për harmoninë e krijuar midis poezive, një tërësi plot muzikalitet, ku çdo pjesë e kësaj sinfonie poetike nuk i ngjan tjetrës, në një kohë që është pjesë organike e së tërës. Verleni, teoricieni i poezisë, këtë dukuri artistike e vlerëson si primare në kjëtë gjini, ndaj shprehet: “Poezia është para së gjithash muzikë”. E kush më mirë se Grigori e realizon këtë? Dhe kjo bëhet jo vetëm përmes netaforës së drejtëpërdrejtë, veçori bazë e perceptimit të tij artistik, por edhe përmes një tisi të hollë dhe elegant humori emocional, që pothuajse i ngërthen të gjitha poezitë, me një intonim gati pyetës, vetëfshikullues, ironik, tipar tjetër dallues i kësaj krijimtarie. Në këtë mënyrë arrin të pohojë të vërtetat. Fshikullon dhe çjerr vetveten, për të zbuluar jetën dhe botën. Ja si shkruan në poezinë prolog të vëllimit: “Historia ime/ fillon kur prindërit e mi të shkrehur/ u dorëzuan në gjoks të njeri-tjetrit,/ si pushkë të shuara... / E përfundon një prift,/ pak dhe i shkrifët/ dhe temjani.../ Të tjerat janë të shkruara” (“Historia ime”). Grigor Jovani vazhdon të shkruajë historinë e tij, me librat e mrekullueshme që krijon.
Si askush tjetër poet, di t’i përzgjedhë fjalët nga arsenali i madh i tyre e t’i vendosi në asimetri e simetri, duke kompozuar një mozaik me ngjarje, personazhe, detaje, peisazhe. Si një usta i fjalës së bukur që është. E kam theksuar edhe tek vëllimi i mëparshëm “Udhëtoj brenda vetes”, se poezia e Jovanit ka shumë informacion, gjë që ka të bëjë me enciklopedizmin e tij dhe me përvojën e gjatë gazetareske. Kurioziteti që krijon tek kelexuesi, mundëson një perceptim e përjetim më të drejtë të njohjes më të thellë të botës, të fenomeneve të komplikuara të jetës.
Edhe tek ky vëllim, G. Jovani ka në qendër Njeriun, në tërë kompleksitetin e tij, si objekt dhe subjekt të poezive, pra i përket drejtimit të ashtuquajtur homocentrik. Poezitë përshkohen nga një sistem stilistikor, ku spikat shumllojshmëria e vargjeve, ritmet e brendshme që alternohen dhe intonacioni muzikor, gati trokaik. Gjuha poetike është tepër e organizuar, aq sa elementët materialë, siç janë fjalët, ngjyrat, gjestet, tingujt kanë një ndërvarje të caktuar, ndaj këto poezi të ofrojnë një ngopje emocionale.
Por këto poezi kanë edhe një dallim tjetër, të padukshmen, që është shpirti. Pikërisht këtu Grigori luan me elegancë, madje edhe me metafiziken, e cila duket se noton brenda poezive, sepse, siç dihet, syri dhe veshi i poetit është në gjendje të shohë e të dëgjojë atë që është e brendshme: shpirtin. Kur kjo thuhet për poetë të ndryshëm, për Grigorin duhet të bëhet shembull, e ka në organikë këtë mundësi.
Një dukuri tjetër me vlera estetike është ajo që në teorinë e poezisë, si një ligjësi e mirëqënë, është ajo që minimohet si kujtesa mbi kohën. Kjo do të thotë se poeti çlirohet nga mbingarkesa të caktuara, në kohë të ndryshme e periudha të caktuara të jetës së vet. Tek G. Jovani shumë poezi i nënshtrohen këtij parimi estetik e filozofik. Ky vëllim ka arritje cilësore, sepse poeti ka ditur të trajtojë një mori ngjarjesh e fenomenesh që hasen në jetë, por të pasfumatura, me dinjitet, kompetencë e vërtetësi jetësore, ashtu siç mëson edhe Da Vinçi: “Piktori i mirë duhet të pikturojë dy gjëra kryesore: njeriun dhe shpirtin e tij”. Këtë e realizon me efikasitet Jovani.
Si përfundim, mund të konstatojmë se Grigor Jovani e ka përcaktuar personalitetin e tij poetik. Ai ka arritur themeloren, që duhet vtë bëjnë krijuesit e mirëfilltë: është vetvetja.



Nga ARMANDA EKMEKÇIU
poete

“Foto çasti”,
për një “mikeshë të largët dhe të fshehtë”


 - Vërtetësia dhe siguria e fjalës tek libri poetik “Blu e thellë” i Grigor Jovanit -

Po të zhytesh në nuancat e një “bluje të thellë” do të gjesh të larmishme jetën, botën e një frymëzimi të pashtershëm, ditën tënde, të endur me fjalët e një poezie. Kështu na vjen Grigor Jovani në vëllimin poetik të radhës “Blu e thellë”.
Është fjala për një poezi, e cila ka një ngasje të përhershme poetike drejt së vërtetës, poezi që në thelb rrezaton mision drejt përsosmërisë. Ndihet qartë mënyra elegante e të shkruarit, bukuria e shprehjes së mendimeve të qarta e konçize, e mbi të gjitha, krijimi vjen sa artistik, aq dhe real, i prekshëm në vërtetësinë e tij. Gjetjet interesante nga momentet e ndryshme të së përditshmes, stilistika, ajo thjeshtësia e habitshme e vargut të tij, që rrezaton, megjithatë, art të bukur, të ngarkojnë emocionalisht. Sepse, të shkruash bukur do të thotë të njohësh dhe të përcjellësh emocion.
Në këtë përmbbledhje voluminoze, me 223 poezi, Grigor Jovani bën një udhëtim të madh. Njerëzorja, e perceptuar si figurë bazë në krijimtarinë e tij, bëhet çelësi për të kuptuar vetë poezinë, që shkruan ky poet. Gjërat që ai shikon dhe merr nëpër duar marrin shpirt, janë një jetë e thënë ndryshe. Personazhet, në këtë botë trillimi, ngjajnë të vërtetë, kalojnë pranë teje, të prekin me bërryl dhe menjëherë të tëlrheqin vëmendjen.
Poezia e Jovanit ecën në një rrugë të dielltë vërtetësie dhe për të arritur tek ajo, për të ndjekur poetin, na duhet të vetëpërgatitemi edhe ne, na duhet një vëzhgim individual, për t’iu afruar asaj, që poeti ynë di ta bëjë kaq mirë. Vërtet e thjeshtë dhe e kapshme, në dukje të parë, kjo vërtertësi artistike, por sa mund i është dashur atij ta bëjë të tillë… Ne që shkruajmë, e dimë fare mirë çdo të thotë kjo.
Poeti di të vëzhgojë mirë dhe të përçojë po kaq mirë filozofinë e hollë të mesazhit jetësor, pa harruar zhvillimin e rracës drejt përsosmërisë. Në shpirtin e tij lëkundet shqetësimi, një shqetësim i përhershëm për të zbuluar të përgjithshmen tek e përveçmja, madhoren tek e thjeshta, të bujshmen tek e papara. Të gjitha këto filtrohen me një lirizëm dhe gaz jetësor, ngaqë kështu është mësuar ai vetë të shikojë botën dhe jetën. Këtë gjë na e dëshiron edhe neve, ndaj shkruan poezi të tillë.
Është e vështirë të zgjedhësh fjalën, për të krijuar një varg, po aq e vështirë është ta gdhendësh atë, për ta bërë art të vërtetë. Duket se këto vështirësi nuk e trembin aspak Grigorin tonë, ngaqë ai thjesht është bërë tashmë një “skulptor” elegant i fjalës. Një kompleksitet artistik, vargu i lirë, vargu i thyer, vargjet e rregullt, strofat e ndryshme, ritmet e brendshme, kjo muzikë e mrekullueshme, që ndryshojnë në përputhje me vargjet dhe mesazhet që përcjellin ato, dëshmojnë larminë e madhe të stilistikës që ai zotëron. Kjo e bën këtë vëllim kaq të larmishëm, që asnjë poezi të mos i ngjajë tjetrës.
Grigor Jovani poet është sa realist, aq dhe origjinal e modern në trajtimin artistik të realitetit, si në rrafshin social, ashtu edhe në atë intim, të familjes, të marrëdhënieve të dashurisë etj.
“Fotot e çastit”, siç i quan ai vetë poezitë e tij, të ngjiten kështu në shpirt, të bëhen mikesha që të shoqërojnë, siç e shoqëron këtë poet ajo “mikeshë e largët dhe e fshehtë”, për të zbuluar me radhë, gjersa të rrojë dhe të krijojojë, “të gjitha planetet”. Fjala është për Poezinë, mikeshën e ngushtë të Grigor Jovanit dhe tonën.




Nga AGIM BASHA
poet dhe publicist

 
“Trojka artistike” e një poeti


- Mbi poezinë e Grigor Jovanit tel libri i tij “Blu e thellë” -

Poezia e Grigor Jovanit është një poezi e matur mirë, me kutin e një arkitekti të fjalës. Ndoshta, ngaqë synimi i saj është të tregojë, të rrëfejë a të shtjellojë vetë jetën, në një përmasë sa delikate e të brishtë, sa komforte, aq edhe të qëndrueshme e kurajoze në vërtetësinë dhe lojën e asaj që referon...
Ky poet nuk merr përsipër të shpjegojë për ne jetën, përkundrazi, ajo vetështjellohet ndërsa është pjesë e detajit, gjetjes, pjesë e fabulës apo intrigës artistike. Prandaj edhe vargu i poezisë së tij duket se qëndron mbi një trojkë elementesh, që “nuk vijnë për të bërë reforma”, por mbeten, janë korniza ideale, janë ai kostumi delikat, që i shkon aq mirë vargut të thjeshtë, por plot dinamikë të brendshme, që nuk shndërrohet në kuaj fuqi fizike, as në “taksa fiskale”, siç ndodh rëndom në përditshmërinë e këtyre kohëve të vështira krizash dhe vështirësish të tjera, por shndërrohen në emocion dhe ndjeshmëri, në tension dhe ndjenjë humane, njerëzore, në një altruizëm elegant..
Kemi të bëjmë me një poezi moderne, didaktike dhe filozofike njëkohësisht. Ajo e gjen modernitetin në të gjitha llojet e vargëzimit poetik, të cilat ky poet i trajton me një lehtësi të admirueshme epigramike. Ajo, përsëri mbetet një poezi e thjeshtë, e lexueshme, e kuptueshme dhe miqësore. Sepse ka midis saj shumë detaje, sa jetësorë aq edhe artistikë.
Ndonjëherë e lexon këtë poezi dhe nuk e bën dot dallimin, ku fillon realja dhe ku artistikja, fantazia. Ndonjëherë, madje gjithmonë më ndodh të mos e kuptoj dot kufirin artistik, me atë real. Ndonjëherë, gjetja poetike bëhet vetë realiteti praktik dhe anasjelltas. Sepse elementët didaktikë janë pjesë e përhershme e procedimit artistik në vargun e Grigorit. Dhe ky është elementi i dytë i asaj që e quajta më sipër “trojka” artistike. Më tej, përmes një kundërvënieje a një kontrasti të gjallë elementesh a detajesh, situatash a ngjarjesh, fenomenesh a lëvizjesh të çliruara apo absurde në dukje apo në thellësi, në thelb të saj... jepet, zbulohet në fakt… vetë filozofia e jetës, e cila nuk vjen edhe kjo as si një element për të plotësuar tabloidin artistik a poetik, por as si ndonjë kryeneçësi kalimtare. Ajo vjen si një përbërës i domosdoshëm në poezinë e Grigorit, ashtu si ajo aroma e një mimoze të porsaçelur plotëson dhe shkrihet së bashku me vetë lulet dhe pemën, atë funksionin ideal, që vetëm një mimozë mund ta bëjë në duart e një gruaje të bukur, së cilës i është dhuruar.
Filozofia, në fakt, përshkon krejt poezinë e Grigorit, është pra, ai nervi i hekurt, që me elektromagnetizmin e saj e mban të mbërthyer mirë poezinë rreth vetvetes. Ndër poezitë që më mbetën në mendje nga ky vëllim voluminoz mund të përmend poezinë që i jep edhe titullin librit, “Blu e thellë”, poezi që vjen si një vazhdim i shkollës poetike shqiptare të viteve ’80-’90, të shekullit që porsa shkoi. Një poezi e traditës më të mirë shqiptare, siç është në tërësi poezia e këtij krijuesi. Me atë ritmin e rrjedhshëm të brendshëm, që e bën gjithë poezinë një simfoni të vërtetë, që rrjedh e buron, që udhëton sa realisht nëpër ullinjtë dhe ugarët vjeshtorë, të etur për shiun, lagështinë dhe ujin, aq edhe në brendësi, në subkoshiencën e lexuesit, i cili, ashtu si përrenjtë “që gjejnë udhën e humbur për në det”,, sikundër shprehet metaforikisht poeti, e përpijnë këtë poezi, që mbulohet, siç deklarohet në fund të saj, me “blunë e dashurive”. Ky është lajmotivi krijues i Grigor Jovanit, kjo është “Bluja e thellë” e poezisë së tij.
Unë mund të përmend edhe shumë e shumë poezi të tjera të këtij vëllimi dinjitoz, por në mendje më kanë mbetur poezitë “Mamaja”, “Shtëpia e vjetër”, “Jam duke përshëndetur dallëndyshet…” etj, etj.
“Blu e thellë” është një libër poetic, që ia vlen të lexohet, sidomos për t’i bërë udhëtimet e lodhshme të jetës sonë më të thjeshta dhe më të këndshme...

Keine Kommentare:

Kommentar posten