POEZIA SI AKT I QËNDRESËS
DHE I PËRKUSHTIMIT ATDHETAR
Në vend të parathënies 
Poezia e Brahim Avdylit erdhi në një kohë kur në artin poetik të  Kosovës kishin shpërthyer edhe një numër krijuesish të talentuar, si Basri  Çapriqi, Tahir Desku, Sali Bashota, Abdullah Konushevci, Milazim Krasniqi etj.,  të cilët sot janë bërë emra të shquar të letërsisë së gjithmbarshme shqiptare,  jo vetëm si poet, por edhe si studiues dhe historianë letërsie. 
Ndonëse që në moshën e hershme të rinisë i mërguar larg  vendlindjes, larg atdheut, poeti Brahim Avdyli asnjëherë s’pushoi së krijuari  dhe së vepruari si poet dhe si atdhetar. Në poezinë e tij, jo rrallë, ndihet  pesha e mungesës së atdheut. Ai është i ngërthyer nga malli, dhimbja, por edhe  vetmia dhe kujtesa që përshkohet nga një shqetësim përmanent, i cili më pas  shkrihet në artin poetik të këtij poeti. Shpirti dhe mendja e poetit të mërguar,  është e lidhur fort në idealin e çlirimit të atdheut dhe të bashkimit të trojeve  shqiptare, të ndara padrejtësisht nga fuqitë e mëdha në fillim të shekullit të  kaluar (XX). 
I preokupuar vazhdimisht me këtë çështje, nuk është çudi se në  pjesën dërrmuese të krijimeve të këtij poeti dominon tema e madhe e Atdheut,  tema e mungesës së lirisë dhe tema e çlirimit. Poezia e Avdylit na del edhe si  një poezi kushtrim, një poezi në të cilën dominon ideja e atdhetarizmës, ku  sublimon ideali i lartë për një atdhe pa ndarje, në të cilën shqiptari do të  jetonte me dinjitet të panëpërkëmbur në tokën e tij të mohuar. 
Mërzia e këngës së shkruar larg atdheut 
Sa të thjeshta, aq  edhe komplekse, vargjet që ndërtojnë poezinë e Brahim Avdylit brenda vetes  bartin një mesazh të fuqishëm poetik dhe atdhetar. Thjeshtësia dhe kompleksiteti  i vargut të këtij poeti vërehet që në poezinë e parë me titull Opingave të  mia, e cila i paraprinë librit të tij të parë “Nën hijen e Alpeve”. Poeti nuk mërzitet për atë që do të thonë poetët më me përvojë për  këto vargje, të cilave “u vjen erë djerse e balte”, sepse ata, siç thotë ai “le  të kërkojnë nëpër libra fjalë të mëdha”. Pra, siç shihet, kjo poezi shpalos “programin poetik” të Brahim Avdylit, i cili e merrr frymëzimin nga thjeshtësia  dhe nga dlirësia e maleve të vendlindjes, përkatësisht nga Alpet e bukurua  shqiptare, rrëzë të cilave shtrihet vendlindja e poetit. Këtu shihet ndikimi i  poetit të Devollit, apo i “poetit të tokës”, siç është vlerësuar nga kritika  letrare Dritëro Agolli. Ashtu si Agolli që “merrte me vete baltën e Devollit që  ta sillte në Lidhjen e Shkrimtarëve”, ashtu edhe Brahim Avdyli merr me vete erën  e djersës së punës dhe të baltës së Alpeve, për ta futur në poezinë e tij, sepse  ai ishte i bindur se kjo do ta shpiente drejt suksesit, drejt cakut që synonte.  Kjo do të thotë se poezia e Avdylit është një poezi e krijuar nga forca e tij  origjinale krijuese. 
Autenticiteti krijues e këtij poeti bën që vargu i tij të  tingëllojë bukur, thjesht dhe shqip: 
 le të na pranojë kjo  tokë 
    ku hapin e lëshojmë pa  drojë me estetikën tonë kryeneçe
shprehet poeti, pa çarë kokën nëse do ta pranonin apo jo poetët e  tjerë pararendës. 
Shqetësimi poetik i Brahim Avdylit është permanent. Vargu i tij  tejet komunikues, është një varg i brumosur nga një figuracion i qëlluar poetik,  në të cilin fshihet metafora e kërkimit të lirisë dhe ajo e çlirimit të tokës së  tij, e kësaj pjese të gjakut të tij. Vargjet poetike të Brahim Avdylit, që nga  libri i tij i parë, janë vargje që tingëllojnë qartë dhe që kanë mesazh dhe “mision” të caktuar: Atë të komunikimit me masën për të cilën shkruan. Poeti nga  vargjet e tij kërkon trasnparencë. Kjo kërkesë nga krijuesi i tyre na del edhe  si lutje që duhet të “zbatohet”: 
 A mund të komunikoni  gjë me njerëzit 
    unë dhe koha ju gjymtojmë ngapak – pjesët e copëtuara veç unë ua shoh
Për poetin vargjet “të cilave vetëm ai ua njeh pjesët e gjymtuara” janë torzo e shpirtit të tij, të cilat, si të tilla, e lëndojnë në shpirt, ngase  nuk mundet t’ua falë bukurinë, për shkak të së vërtetës së hidhur, për shkak të  një realiteti të njohur kohor, shoqëror e historik: 
  Kështu siç ju  shoh 
     vetëm mua më lëndoni në  shpirt pse s’ua fala bukurinë –
e vërteta është e hidhur si vetë ju!
Në poezinë e Brahim Avdyli haset pikëllimi, përpjekja, vetmia dhe  harrimi: 
 Faqeve të biblës së  re 
    harrimi pikturon  fytyrën 
 mendimet rrjetë  marimangash 
    bardhësitë dergjen në  vetmi 
Poeti, në këtë rast është një vrojtues i përkushtuar i asaj që  ngjan në brengën e kombit të tij, të shtërnguar si asnjëherë më parë nga prangat  e ndryshkura të mesjetës. Kjo e bën poetin më të shqetësuar, me këmbëngulës në  kërkimin e rrugëve që të shpiejnë kah liria e atdheut. Por nëpër këto rrugë ka  vështirësi dhe pengesa që trupit të atdheut i bëhen gangrenë. Poeti i kthehet  historisë, në të cilën fshihen tragjeditë e mëdha që vazhdojnë të përseriten në  formë legjendash. 
Në trupin e atdheut të poetit gangrena bën kërdinë. Lëndinat e  lotëve rriten nëpër shekuj, derisa gjaku ynë mori botën në sy. Shpërngulja dhe  braktisja e atdheut është një shenjë që tregon për tragjeditë që kishin  pllakosur vendin e mbushur erozion. E gjithë kjo kishte ardhur për shkak të  rënies në robëri të gjatë, qindravjeçare. Poeti është i vetëdijshëm për këtë, ndërsa koha kur ai “rrëfente” për këtë tragjedi ishte në kulmin e shtypjes. Poezia që trajton këtë  temë (Përtej malesh), është një poezi e shkruar në vitin 1980, vetëm pak kohë  para demonstratave të vitit 1981, të cilat siç dihet shënuan një kthesë të  fuqishme në historinë më të re të shqiptarëve që në atë kohë jetonin nën  ombrellën shtypëse të perandorisë jugosllave. Në këtë poezi vërehet guximi  intelektual dhe krijues i një njëzet-vjeçari. Shfaqja me kaq vrull dhe guxim të  papërmbajtur ishte një shenjë që në letrat tona po shfaqej një krijues që nuk do  të ndalej, i cili në letërsinë tonë do të shënonte kthesa. 
“Poezia e Brahim Avdylit, në radhë të parë, imponohet si poezi që  sintetizon një përvojë të poezisë së përparshme, dhe, këtë arrin t’ia nënshtrojë  individualitetit të vet prej krijuesi, sa nga ajo të nxjerrë një dimension të  ri, përmasën e aktualitetit poetik”[1], do të shkruhej në kritikën e  kohës, në kohën kur poeti ende nuk kishte dalë me libër, por që ishte prezent  vazhdimisht nëpër faqet e periodikut letrar të asaj kohe. 
Në këto kohë poeti shkruante dhe prekte atdheun nga larg. Si  kurbetçar që ishte, ai e kishte të vështirë t’i shpëtonte mungesës së atdheut,  qoftë edhe të robëruar. Kjo vetmi dhe mërzi, gati të shndërruar në klithmë  mosdurimi, reflektohet edhe në poezi: 
 zgjas duart të të  mbërrij – 
    gishtave të  mi pikon vetmia
heshtja vret fjalën e pathënë mbi buzë-
Larg atdheut poeti digjet dhe fiket si qiriu. Dielli në dhe të  huaj ishte i akullt. Poeti i ri tashmë po përballej me të vërtetën e hidhur. Atë  që e kishte mësuar dikur në literaturë, tani po e shijonte në shpirt e  trup: 
                ka diell në  botë 
    që ndrit e nuk të  nxen... 
Këto vargje të përngjajnë në një klithmë të dhimbshme që jehon e  nuk dëgjohet, në rrugën “që të merr e nuk të kthen”. Megjithatë, rrugëtimi i  poetit vazhdon. Forca e thirrjes së vendlindjes është më e fuqishme se sa forca  e ndalesës së gjatë. Poeti kthehet në atdhe, në tokën “me plis të bardhë”, ashtu  si heronjtë e baladave të moçme, që të ngjitet shkallëve të gjakut, me historinë  e fjalës së kuqe dhe baladën e dashurisë së zhuritur. 
Poezia e librit të parë poetik të Brahim Avdylit, “Nën hijen e  Alpeve”, është një poezi plot mërzi kënge që shkruhet nga largësia. Në këtë  mërzi largësie, të quajtur mërgim, poeti krijon vargje që të kujtojnë një poet  në formim. Edhe pse të shkruara me zjarrin djaloshar të poetit të mërguar, ato  janë vargje plot estetikë dhe meditacion poetik, që e bëjnë një poezi të  qëndrueshme për kohën dhe reflektuese edhe për kohët që do të vijnë. Ndërkaq,  libri i parë u mirëprit edhe nga ana e kritikës letrare. Njëri nga kritikët dhe  bashkëkohësit e poetit, Milazim Krasniqi, në mes tjerash do të shkruajë: “Poezia  e Brahim Avdylit më shumë është projektim i realitetit të jetuar, reagim gati  spontan i tij si subjekt krijues ndaj gjendjes e situatave jetësore  ekzistenciale sesa kërkim pas formave të realizimit të objektit të imagjinuar në  tekstin poetik e karakterizon një notë e theksuar subjektive personale, por edhe  një lirizëm efektiv, i cili e faktorizon unitetin ideo-stilistik të tekstit si  tërësi”.[2] 
Buka e kuqe dhe brumi i lirisë 
“Brumi i lirisë” është titulli i poemës në të cilën poeti shkruan  kundër dhunës, politikës hegjemoniste dhe diskriminuese të Serbisë. Me një  fjalë, kundër terrorit shtetëror dhe krimeve të pafalshme të Jugosllavisë që  ushtronte mbi popullin shqiptar. Aspak nuk janë të rastësishme edhe fjalët  dedikuese, në të cilat poeti thotë se ia kushtoj të gjithë atyre që u  sakrifikuan dhe u flijuan në altarin e lirisë. 
Në vragjet e kësaj poeme, ashtu sikurse edhe në vargjet e shumë  krijimeve të tjera të këtij autori ndihet pesha e vuajtjeve gjatë atyre ditëve  të rënda që ranë pamëshirsshëm mbi shqiptarët e pambrojtur, tek të cilët sa  vinte e rritej revolta e mosdurimit dhe vetëdija për të hequr zgjedhën e  robërisë së gjatë: 
  Helmi i tyre
terapi e pazkontë-
terapi e pazkontë-
  sa shumë ta shtuan  dozën 
     në palcën e  durimit rezistenca, qëndresa të rritej
Poeti, Kosovën, në brumin e ditëve të të cilës shtrigat vjellin  helmin e urrejtjes, e koncepton si një “bimë që s’vyshket” dhe një “trung që  s’thahet” apo edhe një “fjalë e pathënë gjer në fund”. Në trupin e atdheut poeti  sheh plagë të panumërta dhe dhembje kënge . Poema “Brumi i lirisë” është një  sintezë e fuqishme e një kohe, nëpër të cilën vërtitet fati i atdheut të poetit  dhe i njerëzve të ndrydhur të tij. Ajo është një reprodukim real i gjendjes në  Kosovën e viteve nëntëdhjetë të shekullit XX, të arritur gati në zgripcin e  zhbërjes së saj. 
Për poetin si një vrojtues besnik i atyre ngjarjeve, por edhe si  një luftëtar i denjë i kauzës kombëtare “Kosova e thotë fjalën /pa iu dridhur  buza/ dhe vdes/ te këmbët e mendimit të vet/ si para lterit”. Ndërsa të gjithë  ata që ranë në altarin e lirisë - shkrinë ngjyrën e gjakut me brumin e ditëve që  po vijnë, që të gatuajnë me tërë qenien Bukën e Kuqe të Lirisë. 
Refleksioni i shpresës së rizgjimit kombëtar 
Në vitin 1992 Brahim Avdyli botoi vëllimin poetik me titull “Kur  zgjohet Dodona”[3], një libër që vjen pothujase  dhjetë vjet pas botimit të librit të parë. Ndonëse ishte shkruar shumë më herët  dhe ofruar për botim po ashtu shumë vite më parë, ai arriti të shohë dritën e  botimit vetëm në këtë vit, kur në skenën kombëtare dhe ata ndërkombëtare kishin  ndryshuar shumë gjëra. Muri i Berlinit tashmë kishte rënë, por kishte rënë edhe  regjimi komunist në Shqipëri. Federata jugosllave po ashtu kishte filluar të  zhbëhej, ndërsa në hapësirën e kësaj perandorie, të quajtur edhe si burg i madh  kombesh, kishin filluar luftërat. Autonomia e Kosovës po ashtu ishte suprimuar,  ndërsa vendi kishte rënë në një shtypje dhe pushtim klasik të Serbisë dhe  regjimit kriminal të Millosheviqit. 
Ndonëse poezitë ishin shkruar vite më parë dhe për shkak të  arsyeve subjektive libri nuk ishte botuar, shihet se poezitë e këtij libri janë  të përshkuara nga sekëlldia e mërzisë dhe e mallit për atdheun. Poeti ende është  larg atdheut dhe në vargun e tij gjithmonë mungon apo mbetet diçka e pathënë. Ai  tashmë kishte zgjedhur të shkruante për një diçka që i kujtonte historinë e  harruar dhe të nëpërkëmbur siç ishte Dodona. Për këtë qendër të rëndësishme  kulti, ndër më të vjetrat e pellazgëve, e shkatrruar dhe e humbur gjurmësh me  shekuj të tërë, për të cilën kishin shkruar shumë autorë të lashtë, që nga  antikiteti e këndej. Brahim Avdyli i kthehet kësaj teme të madhe, e cila mund të  konceptohet edhe si tema e rizgjimit të kujtesës sonë historike. Tema e Dodonës  dhe e zgjimit të saj nga legjendat e mbuluara nga pluhuri i harresës, është një  nga temat rrallë të trajtuara në atë kohë, prandaj Brahim Avdyli mund të  konsiderohet ndër të parët që trajtoi këtë temë, apo i cili iu rikthye trajtimit  të saj. Kthimi në temën e zgjimit të Dodonës, ngërthen në vete rikthimin në tema  me rëndësi në një kohë relevante të historisë sonë. 
Përmes metaforës së zgjimit të Dodonës, poeti shpërfaq simbolikën  e lirisë së humbur dhe atdheut të nëpërkëmbur. Poezitë e vëllimit poetik “Kur  zgjohet Dodona” janë poezi që të ngjallin asociacione të larmishme artistike.  Trajtimi i temave të veçanta, përzgjedhja e figuracionit poetik si dhe guximi  prej poeti tashmë të formuar, janë elemente që shoqërojnë në vazhdimsi poezitë e  këtij vëllimi. Poeti është në kërkim të asaj që është zhdukur dhuntisht nga të  tjerët, për të fshehur një të vërtetë të madhe, siç është përcaktimi i  etnogjenezës së shqiptarëve: 
Që shtatë shekuj  shtoj e heq 
    Të njëjtën Dhembje,  Shpresë Shpeshherë më doli si dredhë për ty
pas sa dredhash do të dalësh në dritë
Poeti është në kërkim të asaj që ishte zhdukur, që ia kishin  marrë, grabitur pa të drejtë. Këmbëngultësia e poetit që të gjejë dhe të shfaqë  në siperfaqe atë që ishte zhdukur me shekuj, është një përpjekje sizifi, në një  kohë kur ndrydhej mendimi. Zbulesa poetike e Avdylit është më tepër se një  dilemë dhe thirrje për të ecur në rrugën e pandalur të kërkimit të lirisë së  humbur. Të rikthimit dhe të bashkimit të tokave të ndara shqiptare nga fuqitë e  mëdha. Plaga e ndarjes dhe e zhbërjes së atdheut fshihet edhe brenda metaforës  së quajtur Zgjimi i Dodonës, me zhdukjen e së cilës, njerëzit ndërruan  emra, kahet dhe ëndrrat: 
  Fryen rrugëve të  Dodonës 
     erë e marrë, baltë e dhe hodhi mbi lulkuqe
Dodona është shpresa dhe dhimbja e poetit. Është pikëllimi i madh  dhe humbja e dinjitetit kombëtar për shekuj me radhë: 
 Njerëzit
    iknin nga  qyteti njerëzit vdisnin të vetmuar
               Urat e gurit 
     përditë ngapak i  shembeshin në gji nën karvanet e dhembjes...
Poezia “Kur zgjohet Dodona” është shkruar në vitin 1978, në  njëqindvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në këtë kohë poeti ishte vetëm  18-vjeçar. Poezia e tij, si për nga tematika, formulimi i saj artistik, por edhe  për nga mesazhi i qartë që bartë me vete është një poezi që të kujton se është  shkruar nga dora e një poeti me përvojë krijuese e jetësore, sado që poeti ende  ishte në fazën e parë të krijimtarisë. Vetë tema të cilën e zgjedh për trajtim,  flet për një diçka të humbur që moti, e cila po zgjohej. Po ripërtrihej. A  s’ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit një zgjim i vetëdijes së fjetur të  shqiptarëve, një Dodonë e zgjuar dhe e shpluar nga thellësia e shekujve.  100-vjetori i kujtimit të kësaj ngjarje, ishte një tjetër zgjim i shqiptarëve të  Kosovës, që u pasua nga kërkesat e tyre për liri, vetëvendosje dhe  pavarësi. 
Rikthimi në fillimin e një kënge 
Brahim Avdyli vazhdmisht është në kërkim të lirisë. Klithjet e  tij, qoftë “në mesnatë” apo edhe në pikë të ditës, janë klithje që kanë kuptim.  Mesazhi i tyre është një mesazh i bukur, një mesazh për brezat. Poeti, shpesh i  dëshpëruar, pi kupën e hidhur të vetmisë. Vetmia atë e bren si një erozion  tronditës. Dhe në mes kësaj vetmie tronditëse, i kthehet poezisë, ashtu si i  dehuri që i kthehet gotës së ngushëllimit: 
                I zemëruar kthehem te ti,  poezi 
    Se gjëra të  ëmbla Të t’i dhuroj s’kam
I rënë gati në dëshpërim, poeti mezi arrin të përballojë aktin e  quajtur krijim. Poezia e tij sikur ngarkohet me bagazhin e një krijimi  dëshpërimi, që i vjen në momentin kur ai mendon se pak kishte bërë për vendin,  për tokën e tij. Këtë mesazh kanë edhe vargjet: 
 Kurrë s’thamë tërë  atë që u desh 
    kurrë s’e mbrojtëm tërë  atë që u tha Po i shkundin gjethet e iluzioneve të zverdhura
shpërfaq trishtimin e poetit para realitetit jetësor e kohor. I  ngopur nga mungesa fizike e atdheut, i ndrydhur diku në skutet e vetmisë e të  dhimbjes, poeti mbushet trishtim. Në mes këtij trishtimi, atje në vetminë e të  mërguarit, dhembja bëhet edhe me madhe, atëherë kur poetit i vriten vëllezërit,  frymëzuesit e idealit të tij: Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, të cilët  siç dihet u vranë në acarin e natës së 17 janarit të vitit 1982. Vargjet që  poeti shkruan për këtë tragjedi shqiptare, të vrasjes së tre patriotëve në zë,  janë vargje që të kujtojnë humbjen e kolosëve të mëdhenj. Edhe kjo poezi, e  shkruar në një kohë të caktuar, të kujton guximin intelektual, por edhe  përkushtimin atdhetar të poetit, që mund t’i kushtonte edhe me eleminim  fizik. 
Por, pa dyshim, një nga krijimet më relevante të Brahim Avdylit  është edhe poema Pasqyrë përgjakur, që ngërthen në vete shpirtin e  poetit, të shpërndarë në njëmijë letrat dërguar atdheut. Në kohën kur Kosova  digjej “për një fitil drite”, poema në fjalë është edhe një rikthim në fillimin  e një kënge; në fillimin e një tragjedie, të një dhembje dhe të një  plage. 
                Një copë bukë e një  bratwurst 
    Një kafshore e një  mendim Një kafshore dhe një dhembje më shumë
Një dhembje e një det hapsire
As ta përtyp as ta vjell
Dhembjen e pafund!?
Shtrohet pyetja: Pse e tërë kjo dhembje, kjo vetmi dhe e tërë kjo  ndrydhje shpirtërore e poetit. Poezia e Avdylit sikur lëngon pashërueshëm në  shtratin e dhembjes dhe të vetmisë individuale, por në tërë këtë vetmi fshihet  edhe dhembja dhe vetmia kolektive. Fati i poetit është i lidhur me fatin e  mërgimtarit shqiptar që bredh nëpër botë për një kafshore buke, të cilën siç e  thotë, s’e lënë ta përtypë. Fati i poetit është një fat i pazgjidhur, një nyje e  lidhur që kërkon vazhdimisht zgjidhjen e saj. Poeti është kërkues i gjetjes së  kësaj zgjidhjeje që i thonë LIRI. Dhe klithma : 
 O burra ,
     E çka mbeti tjetër pos  për të vdekur për liri 
është një klithmë jo vetëm personale e tij. Sepse liria është  synim i përhershëm edhe i kolektivitetit dhe ajo ndihet në tërë poezinë e këtij  poeti, që mund të cilësohet edhe si poet i lirisë apo poet i klithmave për  liri. 
Poezia e Brahim Avdylit i kthehet edhe të kaluarës. Jo rrallë ajo  është edhe një përkujtimore, e cila troket tingëllueshëm në kujtesën historike.  Poema “Bisedë me nëntorin”, është një sintezë e fuqishme e rrjedhës sonë  historike. I asaj që ka ndodhur dhe i asaj që do të ndodhë. Poeti kujton  nëntorin e parë, atë të ardhjes së Skënderbeut në Krujë dhe të bashkimit të  shqiptarëve në luftë kundër pushtuesve: 
                Ti qindra herë na  erdhe 
     por ne s’korrnim pos  zhgënjimin fletëve tua të vyshkura,
Ndaj s’të numëronim
Që nga trungu i shekujve të prisnim
Gjithmonë me rrema të thyer
Është një poemë sintezë, siç e thamë edhe më lart, e historisë  shqiptare, i asaj të resë dhe të vjetrës. Nëntori i parë për poetin erdhi “mbi  shpatën e zhveshur të rrezeve të kuqe”. Herën e dytë ai “erdhi i ngutshëm”, sepse sipas poetit “spatëm kohë t’i mbledhim të gjitha cuklat e jetës”.
Arsyen e kësaj “ngutje” të ardhjes dhe të pranimit kështu të këtij  nëntori, që nënkupton shpalljen e pavarësisë së gjysmës së Shqipërisë, poeti e  sheh te rreziku që i kanosej vendi për zhbërje. Prandaj ai erdhi ashtu,  sepse: 
                Duhej të ngrehnim  kasollën e së nesërmes 
     Sa për të pasur  vend Për sofrën e dashurisë
E djep
Të rilindeshim sërish.
Nëntorët e tjerë, ata që s’i numëron, në poemën e Avdylit janë  nëntorë që vijnë me dy fytyra. Ata të cilët nuk kanë rëndësi, sepse nëntori i  vërtetë, i treti, për poetin do të jetë ai i cili do të sjellë aktin e  shumëpritur - aktin e ribashkimit të trojeve të ndara padrejtësisht. Akt të  cilin poeti e paralajmëron që në krijimin e tij të pagëzuar “Zgjimi i  Dodonës”: 
 E kur të të sjellim të  denjë 
    Me kurorën e  rrezeve Nëntor i tretë do të jesh
Kështu shpreson poeti, shpirti i të cilit zhuritet larg atdheut.  Madje në këtë zhuritje, ai i drejtohet Kosovës: 
“Mjer ai që vdes pa lirinë tënde!”
Që është një varg, i cili tregon përmasën e përkushtimit atdhetar  të Brahim Avdylit: 
                Heu larg teje  Kosovë 
    Zemra digjet si ashka mbi  gur Mjer ai që i largohet hijes së lisave tu
Që s’e ndien erën e barit tënd
Që s’di për buzëqeshjet e rralla
Të hënës mbi mal,
E që s’e mat dheun
Me trupin, me këmbën me gjakun e vet
Mjer ai që vdes pa lirinë tënde
Këto vargje të Brahim Avdylit, të shkruara me loçkën e zemrës, të  kujtojnë një poet që poezinë e ka vokacion të vetin shpirtëror, përmes së cilës  shprazë ndjenjën e zemërmit, përkushtimit dhe të kushtrimit. Brahim Avdyli është  një poet që nuk mund të heshtë para mesjetës së vonuar, që do të thotë para  paradokseve kohore dhe historike, të cilat janë një gangrenë e pashërueshme për  popullin dhe atdheun e tij. Kuajt e hazdisur të mesjetës rrapëllojnë me  patkonjtë e tyre të rëndë. Ata vijnë në tokën e poetit dhe shkelin rëndë-rëndë,  ashtu si vetë robëria. Ata në poezinë e këtij poeti simbolizojnë të keqen,  dhunën: policinë serbe. Prandaj poeti tëreq vëretjen: 
Kujdes po  vijnë! 
Poezia e Brahim Avdylit mban vulën e një poeti me koncept të  formuar dhe të veçantë, që e dallon gjithsesi nga poetët e brezit të tij.  Ndonëse i ndikuar nganjëherë nga poetët e tij të preferuar, ai asnjëherë nuk  është mbetur rob i ndikimeve, sepse rruga krijuese dhe ajo e formimit të tij si  poet ka qenë një rrugë krejtësisht tjetër nga ajo e pararendësve të tij.
Duhet të themi se poezia e Brahim Avdylit në tërësi, prandaj edhe  kjo e këtyre katër librave, në veçanti është një poezi e brumosur me ndjenjën e  të shkruarit larg atdheut. Pesha e mallit dhe e dashurisë për atdhe për këtë  poet të talentuar janë akte të një drame të dhimbjes e të qëndresës artistike të  shkrirë në shiritin e artit poetik që mban vulën e një poeti e të një atdhetari  të dëshmuar, të lidhur fort me fatin e atdheut e të kombit. 
Gjakovë, 28 nëntor 2008.
Marrë nga www.brahimavdyli.ch

 
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen