Samstag, 30. März 2013

Shefqet Dibrani: LIRIKA TË NDJENJËS DHE TË KUJDESIT ESTETIK


 Nga SEFQET DIBRANI

LIRIKA TË NDJENJËS DHE TË KUJDESIT ESTETIK

Vasil Tabaku, „DHIMBJES I RRINË TË VOGLA KËPUCËT E HESHTJES“, poezi, botoi Sh. B. "ADA", Tiranë 2012, faqe 210. ISBN 978–99956–99–89–5 Redaktor: Shefqet Dibrani, Recensentë: Fatos Arapi dhe Koçi Petriti.
 

 NJOHJA ME JETËN DHE POETIN:

 Poetin Vasil Tabaku e kam takuar për të parën herë me një tufë poezish, botuar diku në gazetën “Drita”, organi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ishin vite të hershme, aq të hershme sa unë nuk dija se diktatura komuniste në Shqipëri kishte futur krijuesin në karantinë dhe çdo fjalë e tyre kontrollohej me piketë.
Me kalimin e kohës mësova se autori kishte lindur në Lushnje, në një familje me origjinë nga Gramshi e cila sipas “urdhrave të diktaturës”, pas disa muajsh do të zhvendoset në zonën e Mallakastrës dhe do të vendosën në qytetin e Ballshit.
Vasil Tabaku, shkollimin fillor dhe atë të mesëm e ndoqi në Ballsh, kurse studimet për letërsi do t’i mbaron në Tiranë. Pas diplomimit do të detyrohet të punojë si mësimdhënës në zonat e Mallakastrës.
E theksuam këtë shënim sipërfaqësor biografik për të parë se jeta e Vasilit ishte përplot përpjekje e peripeci që kanë ndikuar drejtpërdrejt ose tërthorazi në personalitetin e tij intelektual dhe krijues.

 
 

 SIMBIOZA DHE SIMBOLIKA:

 Që atëherë më patën bërë përshtypje dy elemente dalluese dhe mbase mjaftë interesante në krijimtarinë letrare të Vasil Tabakut: 1. Tema e Kosovës, (poezitë: “Monologu i luftëtarit të shek. XV”, “Mic Sokoli” e “Idriz Seferi”, (diku në njërin nga vëllimet e para), e deri te poezia “EPOSI SHQIPTAR”, (f. 129), ku “Tokë e Dardanisë/ Stuhitë/ të puthin fytyrën prej drite dhe bore”, (f. 130), ose te poema “SHËN VALENTINI”, (f. 5), që bashkë me “EPOSIN...” (f. 129), janë në këtë vëllim), ku në pjesën e gjashtë do të shprehet se: “Dashuria ime/ E ka emrin KOSOVË”, (f. 13). Temë kjo që do të bëhet obsesive për këtë poet e që nuk do t’i shqitet kurrë nga krijimtaria e tij letrare dhe 2. Simbolika e drerit dhe e drenushës që zënë vend meritor në të gjitha publikimet e hershme dhe të mëvonshmet, qofshin ato në fushën e poezisë, të tregimit dhe së fundi edhe të romanit që e botoi vite më parë, ku pikërisht “Dreri dhe Kosova” janë simbolikat qendrore të atij romani.
Autori si duket me melankolinë, urtësinë dhe bukurinë e sorkadhes e cila “Në rrugën prej ulërimash ujqërish”, (f. 24), pëson vazhdimisht nga speciet tjera të kësaj natyre, dhe jo rrallë bie pre edhe e gjahtarëve të cilët e përdornin jo vetëm për mishin e shijshëm por edhe për stolisje(?!), siç e ndeshim te poezia “MOMENT”, ku ka arritur të ekuilibroj simbiozën në mes realitetit dhe krijimit poetik:

MOMENT...

Ndërsa sorkadhja vdes
Në rrugën prej ulërimash ujqërish
Një tufë dhelprash
Tërheqin zvarrë kufomën e saj
Apo dhimbjen e saj prej kristale lotësh
Duke e mbushur botën
Me rruaza shndritëse trishtimi

P. s.
Gjithmonë
Është dikush
Që përfiton nga kjo vdekje
Për të zbukuruar vetveten
Me gjerdanin tragjik të lotëve të sorkadhes...

Faqe: 24.

 Ndoshta janë këto elemente tejet të dukshme, ndoshta motive të tjera që mund t’i dijë vetëm autori, por “sorkadhja – drenusha – kaprollja” apo “dreri – kaprolli – sorkadhi” etj, në të gjitha variantet e trajtimit duket sikur një “simbol tragjizmi” siç e ndeshim edhe në dy strofat e fundit të poezisë “DASHURI E DASHURUAR”, në të cilën poeti shprehet: “Tej në fushë/ ujku rend/ me sorkadhen/ hedhur hajdutërisht/ mbi shpinën e murrme leshtore...// Anës rrugës/ dashuri e dashuruar/ dhe një varr lotësh/ mbuluar në rënkime// Ujku me prehën e vet rend fushës së ngrirë...”, (f. 29). Edhe në rastin tjetër kjo “simbolikë tragjizmi” bëhet vetëm më e dhimbshme, kurse pësimin dhe pasojat dihet se i takojnë kësaj specie siç e ndeshim edhe te poezia “DRERI”, ku “Baleti i bukur/ i hapave të drerit/ e shndërron pyllin/ në teatër...” aty, në pyll, në teatrin tragjik “Dreri/ humb tej/ nëpër mjegull/ balerinë lotuese/ e heshtur/ mbështjellë/ me ulërima ujqërish...”, (f. 91), ku “Koka e kaprollit/ këputet/ mbi supe si meteor...”, (poezia “REALITET”, f. 51).
Do të doja të mos lajthitem, por simbioza e këtyre dy fragmenteve sikur pa dashje më rikthyen në tragjiken e Kosovës, sepse në mënyrë simbolike “Drenusha” më përafrohet me fatin e Kosovës “nëpër pyllin e egër Ballkanik”, ku gjahtarë të paudhë edhe atje do të bëjnë llahtari, duke përflakur e përcëlluar jo vetëm hapësirën tokësore, po më shumë atë njerëzore. Nga kjo metaforë shihet se “tragjizmi i drenushës, apo simbolikisht të themi Dardanisë” në luftërat e fundit që ndodhën në këto hapësira, (veçmas në Kosovë) është identike, elemente këto që i hasim në formë të kësaj simbolike, (për një pjesë tjetër të dhembjes etnike), tek poezia “BALADË KALABREZE”, në të cilën poeti shprehet: “Kalabri/ kaprollja e bukur e Mesdheut/ për ty/ dhe tërë errësirën tënde/ kam në dorë/ një qiri të ndezur”, (f. 55).
 

 KONTINUITETI LETRAR:

 Me kalimin e viteve krijimtaria e Vasil Tabakut do të bëhet edhe më e njohur, kurse kërshëritë e mia plotësoheshin dita – ditës me përmbledhjet poetike që nga “Hyrja e Pranverës“, (1976), “Në të gjitha ditët“, (1981), “Me këngën time dhe jetën“, (1987), „Klithmë drite“, (1998), “Vështrim i ngrirë”, (2000), e deri te romani ”Baleti i drerit të plagosur“, (2007), që ua kushton “miqve të tij poet nga Kosova”.
Përveç këtyre përmbledhjeve poetike dhe romanit që e cituam më lartë, Vasil Tabaku ka botuar edhe një varg librash të tjerë të natyrës studiuese, eseistike apo monografike duke e kompletuar edhe më tej portretin e tij krijues, por si poet e përfaqësojnë denjësisht librat e theksuar më lart.
Tashmë ky autor në vazhdën e krijimeve letrare po i prezantohet lexuesit me lirika të shumta, ku ka sjellë vlerat më të mira të kësaj fushe, madje duke krijuar përshtypjen sikur vëllimi në fjalë na qenka një poezi e përzgjedhur e këtij autori.
Lirikat e përfshira në vëllimin poetik „DHIMBJES I RRINË TË VOGLA KËPUCËT E HESHTJES“, nuk vijnë vetëm si volum, por më shumë vijnë si cilësi, si vlerë e përpunuar e këtij autori. Vëllimi në fjalë sublimon eksperiencën dhe përvojën në fushën e poezisë, ku brenda kapakëve të librit janë koncentruar vlera të mirëfillta poetike që nga botimi i parë në vitin e largët 1976 e gjer më sot.
 

 SIMBIOZA SI REFREN LIRIK:

 Vasil Tabaku ka arritur me mjaftë sukses të përafroj jetën e tij publike me poezinë që duket sikur “Mbi shpinën e një zogu/ (i) /Fluturon brenga e tij (jonë) prej ajri dhe drite”, (f. 20). Pastaj dinamizmin që ia ndeshim në jetë e gjejmë edhe në poezi. Shqetësimin e tij po ashtu. Gjejmë brengën, dënesën dhe hapin e nxituar. Me një fjalë e tërë poezia është jeta, është bota e tij reale, janë supet e tij përplot halle, kurse refreni “mbi shpinë” e “mbi supe” që janë përmendur dendur nëpër këtë vëllim poetik, jo vetëm që kanë ndërtuar një metaforë të qëndrueshme, por ka ndërtuar kujdesshëm “simbiozën si refren lirik” duke i bërë poezitë edhe më magjepse. Për të qartësuar idenë e këtij refreni lirik po i citojmë disa shembuj të simbiozës “mbi shpinë” dhe “mbi supe”: “Tej në horizont/ mbi shpinën e murrëtyer të muzgut/ si mbi supet e egra te bishës/ bie pluhur drite”, (f. 41); “Rruzulli i Tokës/ nuk ka si të lidhet/ mbi shpinë t’ia hedhim kuajve”, (f. 100); “Kam hedhur mbi shpinë/ një lum trazavcaç/ ca të qeshura të pafajshme/ fëmijërinë time krejt lakuriq”, (f. 148); “Nuk di pse kisha aq shumë ftohtë/ Nga ato të qeshura që mbi shpinë/ Më derdheshin si gurë”, (f. 151); “Guri mbi shpinë/ Nuk është më i rëndë/ Ai është bërë pjesë e imja”, (f. 175); “Lërmani gurin mbi shpinë/ Nuk ka rëndësi/ Vetëm të mos bëjë gjithë jetën/ Të njëjtën rrugë”, (po aty, f. 175); “Vërmëni po deshët mbi shpinë/ Edhe globin”, (po ashtu, f. 175), etj.
Kurse në anën tjetër refreni “mbi supe” e ka sforcuar edhe më shumë “simbiozën” si dukuri e bashkëjetesës së këtyre dy nocioneve metaforike: “Dhe kjo ditë e ftohtë/ Hedhur mbi supet e mi/ Si një xhaketë heshtjeje”, (f. 12); “Veshur me buzëqeshje/ sikur mbi supe/ të kishe hedhur/ pelerinën e argjendtë të hënës”, (f. 15); “Mbi supet tanë të brishtë/ bije breshër fjalësh të ashpra/ shkruar/ nga duar të pasigurta analfabetësh/ kultura e dyshimtë e të cilëve/ prezanton qytetin/ dhe vendin tim të sfilitur”, (f. 35); “Hëna/ vdes/ mbi shkëmbinjtë e dhimbjes/ si fytyra/ e trishtuar e gruas/ mbi supet katror të burrit”, (f. 41); “Diku/ në një skaj të botës/ një femër e vetmuar/ me pelerinën e heshtjes/ mbi supe/ laget në lot”, (f. 44); “Një erë e çmendur/ i rrëmben në vorbullën e egër/ dhe i shpërndan/ mbi supet e zhveshur të botës”, (f. 59); “nga mungesa e puthjes/ krejt të bardha/ ku mbi supe/ si xhaketë e vjetër/ do të na varet pleqëria”, (f. 61); “pluhuri i ëndrrave/ shpërndahet mbi supet tanë”, (f. 80); “Mbi supet e tyre/ lëvrijnë vrapimet”, (f. 100); “Me çfarë brenge/ e mbaj mbi supe këtë thes të vjetër”, (f. 118); “Të gjithë nxitojnë/ Me nga një rrugë mbi supe/ Dhe shumë fytyra/ sa shumë fytyra”, (f. 127); “Emrat e djemve shqiptarë/ që mbajnë mbi supe/ Historinë dhe të vërtetat e mëdha”, (f. 130); “Dhe të mbanin mbi supe/ Peshën e vështrimeve të djemve të huaj”, (f. 137); “Ti më hodhe dorën mbi supe”, (f. 143); “Me këngët të varur mbi supe/ Si flokë të thinjur nga ngrica e brengës”, (f. 155); “Më mirë të mbaj një det mbi supe”, (f. 171), etj. etj, dhe pa i llogaritur nocionet negative që lidhen me “pas”, kanë bërë për të kuptuar se autori “simbiozën si refren lirik”, e ka ndërtuar duke u mbështetur edhe në aspektin fiziologjik të ndërtimit të trupit ku “shpina” e “supet” bashkërendojnë njëra me tjetrën, ashtu sikurse edhe nocionet letrare që i kemi theksuar, alternojnë njëra nga tjetra.
Jo vetëm aspektin e “simbiozës”, por edhe të imagjinatës poetike, Vasil Tabaku i ka sendërtuar si vlera letrare me një estetikë të përpunuar, por lirikat e këtij libri mbeten përsëri: jeta, hallet, përpjekja dhe triumfi i tij. Prandaj mund të shprehemi se Vasil Tabaku ka luftuar prandaj ka fituar, ai ka punuar prandaj ka edhe rezultate. Janë disa nga këto veçori pse themi se në mes poezisë dhe autorit (në rastin konkret), nuk ka vija dalluese. Dalluese mund të jetë jeta reale e autorit dhe përbërja e tij si qenie njerëzore në njërën anë, kurse në anën tjetër është poezia e cila i takon imagjinares, fantazmës që në mënyrë estetike është sajuar si një krijim i mirë lirik për të portretizuar më mirë vetën, në kohë pasi siç shprehet ai “Ecjes sime/ i paskan vënë pranga”, (f. 70), përkatësisht poetin në hapësirë siç duket nga poezia “ECJE”:

Rrugët
ende nuk mund të rrugëtohen
megjithatë
unë jam nisur...
Tani për tani
jam tepër i zënë me punë
ndaj
nuk mund të vrapoj
pas... lavdisë

Pikërisht tani
më duhet të hap
një tjetër rrugë...

Faqe: 66.
 

 PORTRETET E NJËJTËSUARA:

Por, në mes karakterit qytetar dhe karakterit artistik që lexohet në poezi nuk ka aq dallime. Këtu kemi të bëjmë me një tip krijuesi që ka portretizuar me sukses jetën dhe botën e tij, ka përshkruar ngjarje dhe rrethana shoqërore e politike me mjaftë saktësi që për njohësit e rrethanave në Shqipëri nuk është zor për t’i dalluar vitet, kohërat dhe figurat artistike me të cilat e ndërton ai poezinë: “Shqipëri/ dhimbje e dimërt/ e shpirtit tim/ Dimërzuar dimërisht/ hesht/ në cep të shekullit të ri/ Nëpër zërin tim/ rrokullisen gurë/ si tragjedi të ngurtësuara/ nën një qiell klithmash...”, (poezia ”TRAGJEDI TË NGURTËSUARA”, f. 73).
Gjithsesi protagonisti kryesor mbetet vet poeti. Nga këto vlera dalluese mund të shprehemi se Vasil Tabaku ka bërë një përparim të dukshëm në mendimin poetik, në gjetjen figurative dhe e ka avancuar edhe më tej mendimin filozofik, botën e brendshme, konceptin lirik dhe në aspektin estetik ka nxjerr një poezi për lakminë e Zotit.
 

 TË DUASH SHQIPËRINË:

 Vasil Tabaku në jetë është person që komunikon, reagon, arsyeton dhe që mëson nga përvojat e të tjerëve. Këto fenomene i ndeshim edhe në poezinë e tij, ai është bashkëbisedues, jo rrallë temperament dhe gjithmonë i papajtueshëm me të keqën dhe me të shëmtuarën, elemente këto që e plotësojnë edhe më tej këtë poezi të cilën e ka skalitur me kujdes duke u shndërruar në një figurë emblematike, si përfaqësues dinjitoz i krijuesit që e do atdheun, që sakrifikon shumë për të ardhmen e tij, madje që mund të flijohet sa herë që i do nevoja siç mund të kuptohet nga këto dy vargje të një poezie më të gjatë: “Puth dhimbjen tënde SHQIPËRI/ dhe nisem drejt teje...”, (f. 77). Ky motiv, përkatësisht dhimbja dhe krenaria për Shqipërinë, përpunohet ku më shumë e ku më pakë edhe te poezitë: “TRAGJEDI TË NGURTËSUARA”, (f. 73); “PUTH DHIMBJEN TËNDE SHQIPËRI” (f. 76); “EPOSI SHQIPTAR”, (f. 129), dhe pak a shumë edhe tek poezia “REALITET SHQIPTAR”, (f. 180).
 

 TË DUASH FAMILJEN:

 Të jesh poet do të thotë të duash familjen, gruan, fëmijët, prindërit. Mbase familja është burimi i frymëzimit, një gurrë e pashtershme, ku poeti kthehet e bie në gjunjë për të thithur motivin, për t’i gjetur idetë e fshehura në gjirin familjar. Në të kundërtën mund të thuhet se gratë dhe fëmijët e poetëve janë me fat, pasi portreti i tyre shkëlqen nëpër lirika poetike, ashtu siç mund të lexohen edhe në këtë vëllim poetik.
Në këtë pikë Vasil Tabaku e ka kryer borxhin, nëse mund të thuhet se ai ka pasur një gjë të tillë ndaj dikujt, po më shumë ndaj familjes, veçmas ndaj gruas që e ka mbarësuar me fëmijë dhe që është kujdesur të mos ia trazoj lirikat. Si shpërblim poeti i kthen asaj (Resmës) me dhjetëra e dhjetëra vargje lirike dhe ia kushton edhe poezinë “ME Ç’DHIMBJE TË DUA”, (f. 8), ndërsa lirika ballore “SHËN VALENTINI...”, (f. 5), hap siparin e këtij libri me përkushtimin vajzave “Jonides dhe Renatos” që mbetet një përfaqësuese e thuktë e një lirike moderne e cila për kah përmbajtja shtrinë krahët e përqaf tërë hapësirën gjeografike të dhembjes dhe etnisë. E një niveli artistik dhe motivor mund të llogaritet edhe poezia “VARRI I NËNËS”, (f. 88), që ka një ndjeshmëri dhe mall të pazakontë.
 

 LIRIKAT POETIKE:

 Lirikat poetike, ose poezitë me motiv dashurie i ndeshim kudo, në secilën poezi dhe gati në secilin varg. Libri si tërësi organike është lirikë më vete, kudo ka ndjenjë dashurie, erë luleje, fluturim zogu, dhe shpresë për fitore. Me këtë rast, vetëm sa për ilustrim po citojmë disa vargje të shkëputura nga poezi të ndryshme në të cilat dëshmohet se poeti e ka ndërtuar lirikën e dashurisë me mjaftë kujdes dhe me një brishtësi specifike: “Ndërsa ndër duar/ Mbaj një lule/ Më dukët sikur/ të mbaj ty”, (f. 13); “Ti je frymë e puthjes/ Dritë e shikimit/ Mbi fytyrën e ditës/ që po ikën”, (f. 27); “Pres të zgjohen/ Ëndrrat/ e një nate nudo”, (f. 28); “frynë erë/ shkunden dashurit/ dhe bien farërat e luleve/ sikur të ishin lot”, (f. 48); “Pëllumbat e gjinjve fërfëritës/ qajnë/ nga mungesa e dashurisë”, (f. 53); “Këngët/ janë shndërruar në sy/ përmbytur në dashuri”, (f. 78); “dashuritë e dikurshme/ janë bërë heshtja ime e blertë”, (f. 115); “dhe rrugën/ ta shtroja me cicërima zogjsh/ bulevard shndritës për dashurinë”, (f. 151); “Poshtë urave madhështore/ Dashuri të vogla/ Puthje vajzash të rastësishme”, (f. 167), etj. Megjithatë, për shumë arsye, po më shumë për motivin interesant e shohë të udhës që këtë motiv ta ilustroj me pjesën e parë të poemës e vënë në fillim që duket si tabelë rrëfyese për motivin lirik që do ta përshkon librin si tërësi.
 
Gazeta "KOSOVA SOT", Prishtinë, 30. 03. 2013, faqe 33.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen