Donnerstag, 19. Mai 2011

Suzana Zisi:"Të jesh...Fjalë"

Promovimi i vëllimit poetik “Të Jesh…Fjalë”, Shtëpia Botuese “Ombra GVG”

Panairi i Librit
Ishte promovimi i parë i Panairit Ndërkombetar te Librit “Prishtinë 2011″. U zhviillua të enjten në orën 14:00 në datë 04. 5. 2011. Morën pjesë miq, lexues, dashamirës të poezisë, shkrimtarë, poetë, gazetarë, studjues si psh: Agim Vinca, Adullah Konushevci, Abdyl Kadolli, Behxhet Bici, Adem Gashi, Naim Kelmendi, Flori Bruqi etj…

Suzana Zisi
Promovimin e hapi Botuesi i Shtëpise Botuese “Ombra GVG” Gëzim Tafa i cili foli për librin dhe poeten Suzana Zisi duke theksuar vlerat artistike dhe estetike të vëllimit poetik dhe vlerat e padiskutueshme të poetes.
Prof. Agim Vinca bëri nje analizë të vëllimit poetik duke evidentuar vlerat, të vecanta, mesazhet dhe idetë që përcjell libri. Midis të tjerave Agim Vinca tha:
“Poetja ka një ligjërim poetik sugjestiv. Fjalët e saj shkapërderdhen si pikat e ujit. Ajo nuk synon ta imponojë mendimin e vet por e le që këtë ta nxjerre vetë lexuesi nëpërmjet komunikimit me tekstin poetik. Libri “Të jesh fjalë”, është një vëllim homogjen që ka një rrjedhshmeri, që ka një unitet.
Nuk ëshëe një përmbledhje vjershash të shkruara në kontekste dhe forma të ndryshme por nga poezia në poezi, kalohet rrjedhshëm, lirshëm, si të ishte një ligjerim i pandërprerë poetik për botën, për gruan, për dashurinë, për fjalën. Feja e poetes është FJALA, ndërsa atdheu, është DASHURIA. Këto janë dy koncepte themelore.
Libri i Suzanes meriton të lexohet pa e hapur ende. Eshtë titulli kaq sugjestionues dhe i thellë.

Libri me poezi nga Suzana Zisi

Poetja e identifikon veten me fjalën për ti bërë të qartë lexuesit se, ato që ato shkruan nuk janë të rastesishme apo të kërkuara. Janë shpirti i saj, idetë, filozofia e saj, dhe jo vetëm të saj por te brezi, kohës, jetës, vendit te saj, të cilat ajo në mënyre krejt të natyrshme i mpleks, për të prodhuar në kudhren e talentit, poezi, zëra, fryme, ide, filozofi, ndjenjë, dashuri dhe jetë…
Libri hapet me poezinë “Një fjalë për ty”.
Fjalë,
Thënë ashtu sic duhet,
Hieroglif që flet shumë
…”
Kjo është hyrja e poezisë. Ndërsa mbyllja është kjo:
Hieroglif i vogël që flet shumë
E gërme pas gërme bëhet poezi.
Rrënjët kapen fort tek unë.
Degët e heshtura të atyre që kurrë nuk i thashë,
Blerojnë tek ti…”
Tek këto vargje kemi dy figura poetike, dy metafora.
Eshtë nje dialog i përhershëm midis dy subjekteve: “rrenjet tek unë”, “degët tek ti”.
Eshtë ky një dialog i përhershëm për të gjetur pozitën e vet në hapësirë, për te gjetur edhe harmoninë me vetën.
Fjalën e quan hioeroglif, një shenjë e vogël por që thotë shumë…
Ashtu edhe Suzana në poezite e saj, flet pak por…nënteksti është i fuqishëm, ajo thotë shumë, levron me profesionalizëm fjalët, figurat poetike, idete dhe filozofinë, për të na thenë ato që ndoshta i kemi cdo cast para syve dhe nuk i shohim.
Instikti dhe syri i poetes, i kap, i përpunon, i vesh me petkat e mendimit dhe shpirtit te saj dhe na i jep ne që ti shijojme dhe të mendohemi, të përceptojmë dhe të gërmojmë më tej për të zbuluar varg pas vargu, thesarin që fshihet diku në thellësi të vargjeve.
Poetesha Suzana Zisi, është ende në kërkim të fjalës së saj të vërtetë poetike.
Me këto 4 libra dhe sidomos me këtë të fundit, ajo dëshmon që nuk është nisur rastësisht në udhën e poezisë.
Zëri saj ka ngjyren e vet dhe mund të themi me plot gojën që po bëhet njëra nga poeteshat më të spikatura teëpoezisë së sotme shqipe.
E përgëzoj Suzanën për poezitë e saj cilësore dhe unike njëkohesisht përgëzoj botuesin e “Ombra GVG”, , Z. Gëzim Tafa për befasinë këtij botimi cilësor jo vetëm nga pikpamja e brendisë dhe përmbajtjes por edhe e përgatitjes teknike.
Gjërat e bukura flasin vetë dhe nuk kanë nevoje për shumë fjalë. Le ta lemë librin e Suzanës që t’ju flasë me gjuhen e tij të artit poetik.”
Pra kjo ishte nje pjesë e fjalës së Agim Vinces.
Me pas, pati recitim poezish(nga Suzana), diskutime nga të pranishmit dhe pyetje drejtuar poetes.