Freitag, 11. Januar 2013
Poezi me një kod orgjinal krijimi
Dr.Merxhan AVDYLI
(Parathënje)
… dhe vjen një ditë…
është libri i parë me poezi i një poeti, i cili tashmë ka ardhur në poezinë shqipe si një individualitet i veçantë dhe origjinal poetik. Dan Kosumi është autori i librit poetik me një titull mjaft sinjifikativ, të plotë, por të papërfunduar. Një libër poetik që prapa tij ka një mesazh të vazhdueshëm, jo vetëm poetik...
… dhe vjen një ditë… është një libër poetik i cili në vete shtron çështje të ndryshme dhe të shumta, si: kush është duke ardhur; kush vjen, kë dhe çka po pret poeti, ditën apo diçka tjetër, në një ditë të caktuar apo të pacaktuar; vjen dita apo diçka në një ditë të caktuar apo të pacaktuar.
Kush vjen?
Vjen liria, vjen dashuria ...
Kur nis dhe si nis poezia, kur dhe ku shkruhet ajo? Janë pyetje të cilat do të nxisnin hyrjen në poezinë e Kosumit. A janë koha dhe hapësira indikatorë ndikues në poezi, a e bëjnë ato poezinë më të ndjeshme? Edhe këto dilema duket se poezia e Kosumit i ka hequr që në fillim. Ai, ndonëse jeton jashtë hapësirës gjeografike të atdheut, poezinë e tij e ka të lidhur fund e krye për atdheun. Ndërkaq, atdheu i tij është i kudondodhur, por s’do mend se ai nis nga vendi i tij i lindjes. Një pjesë jo e vogël e poezive të Kosumit paraqesin pikërisht brengën për fatet e atdheut. Dhe, ajo çka mund të thuhet për këtë tip të poezisë atdhetare është se Kosumi, duke paraqitur fatet e atdheut, që nga historia më e lashtë e deri në ditët e sotme, të duket se përshkruan historinë e popullit shqiptar në mënyrë kronologjike, por në këtë rast të poetizuar, duke i fuqizuar idetë dhe pikëpamjet e tij me figura të ndryshme poetike. Ky fuqizim i poezisë ia shton edhe më tepër bukurinë e shkrimit të poezisë së tij dhe rrjedhimisht edhe sjellë lehtësinë e leximit dhe kuptimit të figurave të tij poetike. Sepse është origjinale.
Jo vetëm te poezia e motivuar nga fatet e atdheut, por edhe te poezia e motivuar nga dashuria, sikurse edhe tek poezia refleksive gjithsesi, Kosumi është një poet i cili di të sublimojë imagjinatën e tij poetike, di të jetë përshkrues i asaj që mund të jetë fakt dhe i asaj që mund të jetë ndërlidhëse e faktit me imagjinatën.
Jo rastësisht libri poetik i Dan Kosumit nis me poezinë “Vargjet e mia”, që duket të jetë postulati i tij poetik kryesor, duke shenjëzuar tri vende në të cilat ai i ka shkruar vargjet e tij. Janë “varret e kreshnikëve”, janë “rrudhat në e ballin popullit” dhe “toka e tij e shenjtë” vendet në të cilat janë skalitur e shkruar vargjet e tij, janë vendet në të cilat vargjet e tij ndjehen të qeta dhe të cilat edhe më tutje janë frymëzim për vazhdimësinë e tij poetike, për vargjet e tjera, të cilat s’ka dyshim nuk do të mungojnë. Duket të jetë kjo një poezi, pos të tjerash, edhe programatike.
Kjo nismë poetike e librit të Kosumit shpalos në vete edhe një domethënie të posaçme me një kuptimësi që bart në vete, e të cilat barten dhe zhvillohen më tutje nëpërmjet ideve poetike tek poezitë e tjera. Edhe tek poezia vijuese e librit, Kosumi komunikon me vargjet e veta, është brenda tyre, ashtu sikurse është nëpër gjithë poezinë e tij. Duket kjo një lidhje e pakapërcyeshme e poetit me vargjet e veta, një komunikim ky më tepër sesa poetik. “Mos pusho të lindësh vargjet si ylberi”, i thotë poeti vetes, duke paralajmëruar një opus të ylbershëm poetik, një opus shumëngjyrësh poetik. Dhe, vërtet poezitë e Kosumit janë të ylberta në aspektin ideor, motivor, përmbajtësor dhe si të tilla paraqesin një realizim të plotë.
Po kështu, edhe poezia “Nuk duam kufij” shpërfaqë idetë themelore të poetit për historinë dhe aktualitetin shqiptar, për të kaluarën dhe të tashmen, për luftën dhe qëndresën shqiptare, për robërinë dhe lirinë, për synimet e përhershme shqiptare për të jetuar bashkë: “Sa herë na ndanë e bënë copa-copa, /por trungun s’na e prenë dot, jo”, shprehet poeti. Janë edhe një varg poezish të tjera të tilla, të cilat sublimojnë qëndresën shqiptare. Ndërkaq, disa nga poezitë e Kosumit, ndonëse janë të motivuara nga historia, karakterizohen nga përmasa të tjera. Të tilla janë poezitë e tipit sikurse: “Ata na e vranë lirinë”, ku vihen në pah robëria, si një fatkeqësi kombëtare, e cila një kohë të gjatë ka rënduar mbi jetën e përgjithshme të shqiptarëve.
Rëndesën historike të robërisë poeti Kosumi e përshkruan me vargje mjaft të goditura:
Ata erdhën si ëndërr e keqe,
u shfaqën jashtë dëshirës njerëzore.
Edhe poezia “Intervistë prej A-së deri në Zh”, gjithashtu predimensionohet me motivin e qëndresës kombëtare, ndonëse fillin e ka te qëndresa individuale. Pos Shqipërisë, si një shenjë poetike, e cila kalon si një pe i kuq në poezinë me motive atdhedashurie të Kosumit, Kosova është gjithashtu shenja tjetër, edhe më dominuese në poezinë e tij. Kosova, madje, nuk është vetëm shenjë identitare në poezinë e Kosumit, por është edhe shenjë që kapë edhe dimensione të tjera të përgjithshme jetësore, sepse Kosova për poetin është vendi ku ai ndjehet i rilindur (poezia “Kosova”).
Tema e vendlindjes, e cila vjen si një inspirim, si një frymëzim i përhershëm te poeti nëpërmjet motivit të dashurisë ndaj atdheut është mjaft e pranishme te poezia e Kosumit. Kthimi në vendlindje, te shtëpia e lindjes, për poetin është një pasqyrim, i cili atij ia kujton fëmijërinë, ia kujton të kaluarën. Këtë ndjesi poeti e paraqet nëpërmjet ngjyrimeve emocionale, nëpërmjet figurave stilistike në poezinë e tij, ndër më të realizuarat “Në oborrin e vatrës sime”. Nuk janë vetëm notat nostalgjike ato që përshkruajnë dramën e kthimit, që duket të jetë e rëndë sa drama e largimit nga vendlindja (atdheu). Një zymtësi shpirtërore, një ftohje duket se e ka kapluar poetin që në përballjen e parë me kthimin, ku i duket se mëngjesi ka lindur i ftohtë, përderisa ai i stepur kërkon ngjyrat e jetës:
Ja ku jam, u ktheva përsëri
në këtë dhè ku kam dhënë të qarën e parë.
Për të vazhduar me pyetjet të cilat vijnë si rrjedhojë e pamjes, e cila ka ndryshuar tërësisht, që nga “Pasqyra e larme në ballin e rrugës…”, ku më pas poeti e shtron pyetjen me përgjigje të dhembshme brenda saj.
Ku janë dyert e vjetra prej druri?
As hapur, as mbyllur.
Heshtje…
S’di pse nuk i shoh.
Ndonëse një poezi, e cila nis me nota, do të thoshim, fuqimisht nostalgjike, ku ngrit kokën zymtësia, megjithatë në fund, ndonëse, poezia ka një mesazh të qartë, ka, do të thoshim, një fund të mirë, sepse kumti që vjen nga zëri i nënës është kumti i lirisë:
“Erdhe, biri im?,- zëri i mëmës.
- Në vatrën tonë na lindi liria”.
Mbi jetët u mbollën gërmadha,
mbi gërmadha u mboll pranverë shqiptare…
Jo vetëm kjo poezi, por edhe disa poezi të tjera, të cilat po kështu janë të realizuara mirë, kanë në vete ngjyrime të ndryshme dhe të përziera si: mall e breng; dashuri e shqetësim, qëndresë e mbijetesë.
Dashuria, si një ndjenjë universale, e ka gjetur shtratin e vet edhe në poezinë e Kosumit. Mirëpo, te poezia e Kosumit tema e dashurisë merr përmasa të tjera, sepse mbruhet edhe me elemente erotike, duke u përshkruar deri në natyralizëm. Ajo si e tillë vjen çdo ditë, është e pranishme dhe e përhershme te poeti. Ajo është e pranishme edhe në ëndrrën e poetit (poezia “Ëndrra”), ajo është si një dëshirë e pritur mëngjeseve dhe netëve pa gjumë, një pritje e një dashnori të krisur, një pritje që mund të jetë edhe e përjetshme (poezia “Dëshirë”). Dashuria, e cila te poezia e tij ndonjëherë del me shenjën ekuivoke, në kuptimin ajo - si e dashur dhe ajo - si dashuri, ka një përkufizim pritjeje dhe shprese, malli të pashuar, dielli që ndërron stinën, si plagë e dhembje ndjenjore (poezia “Ajo”).
Ndërkaq, me gjithë pritjen, poeti shfaqë dëshirën sublime ndaj të dashurës në kuptimin “dua të jem me ty përjetësisht” (poezia “Në pritje”).
Sigurisht për t’i shkrirë në fund nga zjarri evolutiv dhe i papushuar i dashurisë (poezia “Evolucion”), sepse poeti njëmend beson në dashuri (trilogjia poetike “Besoj në dashuri”).
Dan Kosumi ka një sistem origjinal poetik, poezia e tij ka një kod origjinal krijimi. Ajo është një poezi e frymëzuar dhe e motivuar, një poezi që ruan mëvetësinë e saj dhe që ka një realizim pothuajse të plotë, qoftë ajo poezi atdhetare, qoftë poezi e dashurisë apo poezi refleksive, është poezia mbresëlënëse, është poezi që të bën për vete, duke të bërë bashkëpritës me poetin, duke pritur ditën që patjetër do të vijë.
Përgjithësisht poezia e Dan Kosumit është një poezi e arrirë, një poezi e pjekur, e cila sipërfaqëson një poet tashmë të ardhur.
Por, edhe libri poetik ... dhe vjen një ditë... tashmë ka ardhur.
E kemi.
Prishtinë, 20 tetor 2012
Abonnieren
Posts (Atom)