Donnerstag, 29. August 2019

Shpërthime antologjike në librin "Parajsë e nëmur"


Nga: Zija VUKAJ

( Sadik Krasniqi: "Parajsë e nëmur", poezi, botoi "Armagedoni", Prishtinë - 2019 )

Duke lexuar vëllimin poetik të poetit Sadik Krasniqi, shpirti i çdo lexuesi të vëmendshëm do t’i nënshtrohet diktatit ontologjik të autorit, më pas do të vlerësojë, analizojë, gjykojë për strukturën kompozicionale, aspektet e teknikave, mjeshtërinë, motivet, figuracionin gjuhën, stilin etj. Duke hasur në mënyrë befasuese në poezi të një frymëzimi të thellë dhe të një teknike të lartë artistike, gjë fort e rrallë për zhvillimet e sotme të artit të fjalës, si dhe duke vërejtur nëpër njësitë poetike të autorit vraga të thella të një shpirti të trazuar, mbushur me ngjyrime të zymta dhe ankthe ekzistenciale, m’u kujtuan efektet gjurmëlënëse të pikturave të norvegjezit gjenial Edvard Mynch, si “Britma”, “Ankthi”, “Vajza e sëmurë” etj. Ngjashmëria, interferimi mes këtyre dy arteve të imazhit: pikturës dhe poezisë, në këtë sens mund të jetë krejt rastësore, pasi siç thotë Barthes, jeta e autorit nuk është çelësi për të kuptuar veprën. Por nganjëherë edhe është. Mynch ishte i pllakosur nga aspekte të errëta të së kaluarës së vet. Kishte një côte noir në jetën e tij.

Ndërsa poezitë e këtij vëllimi, autorin e të cilit e lexoj dhe e njoh për herë të parë si poet, transmetojnë shumëçka nga kompleksiteti i ndërlikuar i shpirtit të njeriut, me një ndjeshmëri të lartë, lirizëm të hollë dhe mjeshtëri të rrallë artistike. Tallazi i tij shpirtëror, shkaktuar nga ndjeshmëria që njeriu i ndjenjave, poeti, përjeton në thellësitë e qenies së tij dhe pastaj i kthen në një tallaz të trazuar poetik, të hijshëm, elegant, por edhe tronditës, drithërues, të ankthshëm, më shumë se paraqitje artistike përjetimesh, synon të kërkojë forcat e fshehura të ekzistencës, për t’i nxjerrë jashtë, për t’i riorganizuar, për t’ia intensifikuar qëllimit të shfaqjes me qartësinë më të madhe efektet e këtyre forcave mbi mekanizmin që është quajtur jetë njerëzore dhe në konfliktet e veta me jetët e tjera njerëzore: “Nata e poetit/ nuk është një vijë e zezë/ është një kafaz i qelqtë/ i krisur shtatë e shtatëdhjetë herë/ nga gishti i unazës së fildishtë/ e dalja në hone kohe të përndritura amshueshëm.” (“NATA E POETIT”)

Ky vëllim poetik ka një strukturë ciklike dhe si i tillë dëshmon qartësinë artistike, kthjelltësinë dhe kohezionin e një vepre të ngjizur e të shestuar nga intuita dhe kredoja e autorit për të komunikuar en bloc me lexuesin si vazhdimi i një dialogu artistik pa fillim e pa fund. Përbëhet prej pesë cikleve poetike: “Psalm dëshmie”, “Këmisha me flutura”, “Sa pak frymë”, “Solemniteti i mërzisë” dhe “Bulëzim thysash”.

Çdo cikël është një unitet i veçantë poetik, i cili mund të jetojë edhe më vete, por mes tyre ka një fill artistik, një ADN, një filozofi, një frymëzim, një pesimizëm elegant, një kronotop dhe një “melos” poetik që i bashkon. Në secilën tufë poetike gjejmë motive të tilla si: ndërhyrjen e të vdekurve në jetën tonë, natën, dhimbjen, nënën, diktatin e kohës, shpirtin e vendlindjes, mëkatin e origjinës, epifanizimin, mallin, ikjen fatale të kohës etj., ashtu siç gjejmë në çdonjërin prej cikleve edhe poezitë e angazhuara, ku shprehet idealizmi subjektiv i poetit, perceptimi i tij mbi dukuritë, personat, aktualitetin.

Ka një vokacion të autorit, që spikat shpesh përgjatë gjithë vëllimit, për t’u zhytur në kontemplacionin e simboleve, personave, heraldikën e historisë së të parëve tanë. E gjejmë këtë te poezi të tilla si “Shkodra”, “Lulja e kripës” etj. Këto shpërthime të shkëlqyera poetike janë kulmime antologjike të një poeti të njëmendët: “Hëna e plotë mbi kala/ si gji gruaje mbetur jashtë muri/ yjet e rënë në lumë si engjëjt e fjetur/ një erë e përmallshme/ si ninullë Ajkune/ valëvit një pelerinë murgu/ një tingull i zbehtë këmbane/ si kolla e thatë e poetit/ shenja se jemi në Shkodër.” (“Shkodër”) Ose: “E sheh atë lule majë shkëmbi/ lule kripe është/ me rrënjët e saj/ mban kokrrën e kripës/ e nuk e lë në det të bjerë/ është e vjetër sa Teuta/ dikush thotë është loti i saj…” (“Lulja e kripës”)

Poezia e Krasniqit është imazh, mendim, përjetim dhe paraqitje gjendjesh. Kësisoj, teknikat artistike që autori përdor, përbëjnë një arsenal të tërë. Intuita e pazakontë artistike e këtij poeti depërton në honet më të errëta e të panjohura; apo të pathëna të shpirtit. Nganjëherë ajo bëhet drama e pamundësisë dhe poeti vetë, me unin e tij lirik, kthehet në një sfings që deklamon pretencën e dënimit tragjik të individit me pamundësi si tek ky “vajtim”: “Janë disa shtigje/ përtej reve të zeza/ e ti pa krahë.// Janë disa shtigje/ përtej lumit me krokodil/ e ti pa urë me vig// Janë disa shtigje/ përtej fushës plot gjarpërinj/ e ti këmbëzbathur// Janë disa shtigje/ përtej brigjeve të zjarrta/ e ti pa këmishën e ujit.// Ulu mbi një shkëmb djalo/ qitja këngën vetes/ pikëlloji të verbërit.” (“Janë disa shtigje”)

Duke u kushtëzuar nga ndërtimi i imazhit dhe pasqyrimi i gjendjeve, autori shpalos mjeshtërinë e tij në përdorimin e figuracionit që ia mundëson qëllimin. Shpalos koloritin e krahasimeve magjepsëse si: “Gishtërinjtë ngulen në tëmthat e mi/ si gozhdat në pëllëmbët e Krishtit… ose: një erë e përmallshme si ninullë Ajkune” etj. Po kështu, për të dhënë fuqinë që kanë sendet mbi krijimin e gjendjeve shpirtërore, autori ndërton hipotipoza të tilla që ngjajnë me forcën e pasqyrimit fotografik: “… nëna fillon të bisedojë me sendet; me lugët e heshtura/ pasqyrën e zverdhur/ krehërin në tokë/ fyellin e varur në mur/ sandalet e vogla të verës/ rezën e ndryshkur/ shkallët”.

Gjuha e poetit Krasniqi është mjaft e pasur dhe e mbushur me neologjizma, të cilat janë krijuar si rrugëdalje dhe imperativ i një komunikimi sa figurativ dhe poetik, aq edhe formal dhe krejt semantik. Spikasin mbiemra të tillë si, i brymtë, i mejtë, i përhëntë (nata e përhëntë) etj.


Leximi i këtij vëllimi poetik, përveç transmetimit të emocioneve dhe kënaqësive estetike të pafund shpalos edhe këndvështrime të shumta për larminë e motiveve dhe morinë e përjetimeve dhe mbresave që jep një letërsi e vërtetë.

Shpërfaqja e pakënaqësisë përmes shprehjes eliptike...


Shkruan: Sinan SADIKU

SHPËRFAQJA E PAKËNAQËSISË PËRMES SHPREHJES ELIPTIKE PËRPLOT MUZIKALITET

( Qasje librit më të ri të poetit Naim Fetajt, "Më lanë edhe pa këngë", edituar nga Shtëpia botuese "Beqir Musliu", Gjilan )

Poezitë e Naim Fetajt në përgjithësi dhe këto të librit më të ri të tij, “Më lanë edhe pa këngë” , në veçanti, e dëshmojnë teorinë që thotë, arti buron nga dhembja. Dhembja është ndjenja e cila i përshkon thuajse të gjitha poezitë e librit në fjalë, qofshin ato kushtuar vendlindjes, nënës, të dashurës, Kosovës, Çamërisë, atdheut në përgjithësi, vëllait të vdekur, miqve që nuk janë më, dëshmorëve... 

Naim Fetaj është poet i pakënaqur me realitetin, madje skajshmërisht i pakënaqur, është një shpirt kritik i cili pa hezitimin më të vogël, me sinqeritet të plotë e shkruan atë që ia thonë zemra dhe mendja, e shkruan jo dosido , por bukur, shkurt, me rima nganjëherë të mrekullueshme, me figura që të befasojnë. Në krijimtarinë e tij, veçmas në librin më të ri të cilin e kam në dorë, janë kombinuar natyrshëm, në harmoni të plotë ana semantike me anën figurative dhe muzikore të poezisë, gjithnjë duke e shfaqur shpirtin e pasur të autorit, një shpirt artisti, i zgjuar, autokton, i ushqyer dhe rritur në ambientin shqiptar me këngë, legjenda, balada, vaje, thënie të mençura... pa e përjashtuar aspak edhe letërsinë e shkruar, muzikën dhe artin në përgjithësi. Sa i përket pakënaqësisë me realitetin, shpirtit kritik, guximit për ta thënë atë, sinqeritetit , madje, madje edhe temperamentit Fetaj na e përkujton Migjenin, të cilit në disa aspekte edhe ia kalon, veçmas në rastet kur përdorë fjalë “të vrazhdëta” për ta shprehur realitetin e vrazhdët.

Fetaj është poet krejtësisht i veçantë. Të veçantë e bëjnë disa veti që e karakterizojnë poezinë e tij. Pjesa dërmuese e poezive të librit që e kemi në dorë, sikurse edhe të librit të mëparshëm “Vezullimë thinjash”, janë të shkurta me figura të ngjeshura eliptike, të cilat nganjëherë na i përkujtojnë fjalët e urta, sentencat që rrezatojnë mençuri. Kjo gjuhë eliptike, me figura të ngjeshura vjen me plot muzikalitet, falë rimave interesante, të cilat të lidhura me figurën, japin kuptime, përshkruajnë realitete të zymta, të cilat si art janë në nivel dhe e kënaqin shijen tonë estetike. Dihet figurat emërtohen, klasifikohen për ta analizuar dhe shpjeguar artin, ndërsa në vepër ato janë pjesë e një tërësie. Nëse do të duhej ta gjenim figurën që e karakterizon poezinë e Fetajt ajo është ironia e cila shpesh kalon në sarkazëm.

Poezitë e librit “Më lanë edhe pa këngë” janë të sistemuara në tri cikle: “Kohë korbash troket”, “Mbi dënesjen tonë” dhe “Dhembja pikon veç nga zemra”. Autori përmes vargjeve poetike e shpreh pakënaqësinë, zhgënjimin me proceset, rrjedhat dhe zhvillimet nëpër të cilat kaloi Kosova e lirë gjatë dy dekadave të fundit, zhvillime këto të cilat shkuan në një kahje tjetër, jo rrallë krejtësisht të kundërt nga ajo që kishim synuar dhe pritur. Ndodhën deformime, stërkeqje të atyre përmasave që askush s`e kishte pritur e as besuar se do të ndodhnin. U harruan idealet dhe filloi vrapi pas pushtetit pas pasurimit pa zgjedhur mjete, pa e kursyer as jetën e njerëzve, duke i përfshirë edhe veprimtarët dhe bashkëveprimtarët.

Nuk duam plumba ...nuk duam prita 
Pas lufte pastaj krisi zezëdita
Edhe zogjtë e malit i shitoi shita

Shkruan autori që në poezinë e parë të librit, të titulluar “Pas lufte”. Dhe vazhdon në Poezinë “Vet e endëm natën”:

Kot murosëm gra… ndër ura e kala
Vetë e endëm natën
Me njëmijë hata

Në poezinë tjetër të titulluar “Si ëndërr e them po ëndërr s`ishte” i gjejmë vargjet:

Me hile i nisën dhe këngët për dëshmorët
Shtyhen me bjeshkën
Për një bukë skamnorët
Veç kripa s’na duhet tash e s’di sa mot
Bukë e këngë e faqe
I ulim me lot

Vargje që e përshkruajnë bukur realitetin e zymtë gjejmë edhe në shumë poezi të tjera, por unë do t`i citoj disa më karakteristike.

Te poezi a “Fushës s`i ngeli gjë tjetër” 
Brejnë gjithçka dhe dërrasat e varrit
Opingat e plakut dhe unakët e zjarrit
I thanë edhe lisat uh lisat e malit
Poezia “Gjakimi” i ka vetëm dy vargje
Tash e sa vjet kërkojmë shpëtimin
A i vrasim gjelat kur ndjellin agimin

Si të shprehen më bukur veprimet tona absurde, paradokset që vështirë e ka t`i shpjegojë mendja njerëzore e të mos flasim për t`i arsyetuar.

Të ngjashme janë edhe vargjet:
Ti… liria ime… më ndjek hap më hap
Më vrave e më vret… të vdekur më do prapë
Të shkëputura nga poezia “Rekuiem për lirinë”.
Ku ka me keq se kur të vret liria, kur ajo të do të vdekur?!


Ku ka me keq se kur të vret liria, kur ajo të do të vdekur?!
Edhe pse poezitë e librit “Më lanë edhe pa këngë” i përshkon ndjenja e pakënaqësisë, e zhgënjimit, e mospajtimit të thellë me realitetin e zymtë, ato si art janë krijesa të bukura, të lezetshme dhe si të tilla shkaktojnë kënaqësi estetike dhe lexohen me një frymë. Po të kishim një kritikë letrare të cilës i besojnë lexuesit dhe ndonjë revistë apo medium tjetër e cila do ta publikonte kritikën e tillë. Pra po t`i kishim mjetet dhe metodat e afirmimit dhe popullarizimit të artit letrar, në këtë rast të poezisë, nuk do ta kishim vështirë që librit në fjalë t`ia gjenim lexuesin. Jam i bindur se kushdo që e lexon këtë libër, e kam fjalën për dashamirët e letërsisë, do t`ua sugjerojë për ta lexuar edhe miqve të vet.

Dardanë, 05 gusht 2019