Samstag, 14. September 2013

Vangjush Ziko: “Më zgjo pëllumbi i Noes"

Nga Kristaq Kotonika
 
Poeti ynë i mirënjohur Vangjush Ziko, ndërkohë dramaturgu, skenaristi , libretisti , prozatori dhe veçanërisht përkthyesi i spikatur, sidomos i Letërsisë dhe Poezisë Ruse, këto ditë, nxori në qarkullim veprën e tij të dhjetë me poezi, -shkruar në mërgim në Kanada ku ai tashmë jeton së bashku me familjen,- të titullur “ Më zgjo pëllumbi i Noes”. Ai çdo vere kthehet nga mërgimi së bashku me bashkëshorten për të kaluar muajt e verës në Korcën e tij të dashur dhe sjell e boton ato që atje larg ka shkruar. Në të përfshihen rreth 130 poezi të tij me një tematikë të gjerë e të larmishme, të shkruara me ndjenjë, mall, nostalgji dhe shpresë, por ku përveç stilit të tij të njohur tashmë nga lexuesit, dallohet dhe ndikimi i frymës bashkëkohore të poezisë moderne edhe pse del jashtë rrimës e vargut , frymë me të cilën poeti edhe pse në një moshë të thyer jo vetëm, e ka njohur por dhe ka thithur prej saj. Këtu po ekspozoj librin dhe disa vargje të nxjer...ra prej tij. Dashamirësit e poezisë dhe kritikët mbase do të njihen me veprën dhe do të bëjnë vlerëimin e saj. I lumtë poetit tonë, Vangjushit, mësuesit, pedagogut të disa brezave,bashkeshortit, prindit, njeriut të mirë, që ndonse vitet rëndojnë mbi supat e tij, ai nuk shteron , nuk lodhet e nuk përton, po shkruan, krijon e boton. Pastë jetë të gjatë , shëndet e krijimtari të pa shtershme.



KËMISHA E JETËS

E vesha këmishën e Jetës
që foshnjë.
Bashkë me të jam rritur.
Herë këputet një kopsë.
Herë arnoj vendin e grisur.

Ndërrohen vitet.
Edhe moda ndërrohet.
Herë rritem.
Herë zvogëlohem
pa e kuptuar as vetë
me këmishën e ndrikullës Jetë.

Më pëlqen
a s’më pëlqen këmisha.
Më duan
a s’më pëlqejnë të tjerët.
S’ e ndërroj gjersa të griset
nga djersa ime e jetës.

Veç për një gjë merakosem.
Mos më njolloset.



HODHA RRJETËN E VARGJEVE

Hodha rrjetën e vargjeve
buzë Grand River-it
dhe zura imazhet
e tajgës së gjelbëruar,
një peshk me hala pishe zura,
një copëz akullnajash
me pushin e ariut të bardhë
mbështjellë,
kapa renë
që lundronte me krahë pulëbardhe,
një molusk me diamantin e Yllit Polar
më mbeti në varg.



PARAJSË ME ËNGJËJ TË ZINJ

Mëngjezi verbon bebëzat e mija.
Dëbora shkëlqimin
diellit ia kthen.
Po ec mes lëndinash të bardha
plot dritë dhe hije
si mbi re.
Kalimtarët
dhe trungjet e drurëve nxijnë.
Edhe hija ime nxin...

Parajsë vezulluese
me ëngjëj të zinj.



URAT E DERTIT

Thonë,
kontinentet ishin tok,
s’i ndanin oqeanet.....

Thonë,
tërmëtet i ndanë....

Ne,
s’ pritëm të thahen
e përpimë oqeanë....

Mbi dallgët e detit
hodhi urat e dertit
rrëmeti.....
_________________
Marrë nga "Sofra poetike" në FB