Donnerstag, 29. Dezember 2011

UMBERTO EKO DHE SHQIPTARËT


P ë r k i m e
 


 
Ramiz Kelmendi 

 Kur mesjeta e largët në romanin “Emri i trëndafilit” të Umberto Ekos përputhet aq çuditërisht me realitetin tonë të djeshëm e të
përtashëm 


 Në ato shpjegimet e veta që bën në mbyllje të romanit “Emri i trëndafilit”, Umberto Eko pyetje më të kotë - nga të gjitha pyetjet e kota që i janë bërë e i bëhen rreth librit - konsideron pyetjen e atyre që sugjerojnë se të rrëfesh për të kaluarën është një mënyrë për t’i ikur së tashmes. Këtë pyetje e mban të tillë ngase është e kotë të thuhet se të gjitha problemet e Evropës së sotme marrin formë, kështu siç e ndjejmë ne sot, në Mesjetë. Edhe më shumë se kaq, për Umberto Ekon Mesjeta është fëmijëria jonë ku duhet të kthehemi gjithnjë që të bëjmë anamnezën, historinë e sëmundjes.
Romani “Emri i trëndafilit” i shkrimtarit italian Umberto Eko, një bestseller nga më të mëdhenjtë, evroseler dhe mondseler, që arriti të botohet në mbi 40 milionë kopje, ndonëse me vonesë shumë të madhe prej gati 16 vjetësh, u përkthye s’ka si bën më bukur e më mirë edhe në shqip nga Donika Omari në Botimet Elena Gjika (Tiranë, 1996). Që nga botimi i tij i parë, më 1980, ky roman u përkthye dhe u botua në të pesë kontinentet, nga vendet e Amerikës Latine deri në Japoni, Kinë e Vietnam, në të gjithë Evropën, nga Skandinavia e deri në Ballkan. Së fundi e ka në shqip edhe lexuesi shqiptar prej shumë vjetësh.
Do thënë, po ashtu, atë që tashmë është e njohur, se Umberto Eko është një nga figurat më të spikatura të kulturës botërore, se është historian i shquar, filozof dhe estet, pa mëdyshje specialisti më i njohur në botë i semiotikës, se nuk janë pak ata që Umberto Ekon e mbajnë si dijetarin më të njohur të planetit. Dy romanet e tij të tjera – “Lavjerrësi i Fukoit” dhe “Ishulli i ditës së parë” – nuk e përsëritën famën e arrirë të romanit të parë.
*
Ka një koincidencë të habitshme midis romanit “Emri i trëndafilit” të Umberto Ekos me pothuajse gjithçka që na ndodhi dje dhe po vijon të na “shquajë” ne shqiptarëve edhe aktualisht. Pas rileximit, sot dhe shqip, më se njëherë ke jo vetëm asociacione, përkime e fërkime, por deri dhe një përputhje thuaj të pazakontë, të pabesueshme, të mahnitshme, për çudë, ngjarjesh e njerëzish, fatesh e zezonash të kohës së Mesjetës me dramën e gati-gati tragjedinë që përjetoi tërë kombi ynë dje.
Do të ulet një shkrimtar italian dhe do të shkruajë – se pati qejf ta shkruajë – një roman dhe të rrëfejë për Mesjetën, për intrigat dhe vrasjet në një abaci priftërinjsh pale se sa shekuj më parë, si të shkruante një roman–krimi a një roman të verdhë, rozë, për shqiptarët dje dhe, mjerisht, edhe sot.
Galeria e zezonave mesjetare – e keqja, tragjikja, smira, poshtërsia, ligësia, tradhtia dhe gjithë të pamirat e njerëzve për njeriun e njerëzit – pas kaq shembujsh të tjerë në letrat e përbotshme, doli dhe sa vete e më shumë po provohet, prapë e sërish, se rrënjët i ka të thella, të largëta, në shekuj.
Dhe ja, tash: Umberto Eko, romani “Emri i trëndafilit” dhe – shqiptarët!
E po ç’lidhje mund të ketë midis tyre dhe ç’kanë të përbashkët një shkrimtar i madh italian, një roman për Mesjetën e largët dhe – shqiptarët, po të kihet parasysh se Ekoja as na ka pasur ndërmend fare, me përjashtim të faktit se në dy-tre vende, sidoqoftë, e zë ngoje Pjetër Sant Albanin, apo Pjetrin prej shën Albani?
 




 APOSTUJT E RREMË

 Thuaj faqe për faqe ndeshim në romanin e tij jo fytyra po turinj, dalë nga Mesjeta, që të kujtojnë saora një sojsorollop njerëzish të djeshëm e të përtashëm, me të cilët piqemi e fërkohemi përditë dhe pandehim të jenë pjellë e specifikë vetëm jona, si: njerëz të shthurur, përbuzës, të pangopur, të etur për qejfe, lakmitarë fitimesh, që kënaqen me dërdëllisje të kota, mburravecë, hundëpërpjetë, llupës, harbutë, lapërdharë, që vdesin për një çikë lavd, armiq të Ungjillit (lexo: kombit), gati ta mohojnë e përbuzin fjalën e vërtetë, që kanë mëri çdo shteg të mëshirës e nuk pendohen për mëkatet e tyre, që shkelin të drejtën e tjetrit, etj.
Dhe, për rrjedhojë, te Ekoja në Mesjetë e k ë t u dje dhe hëpërhë, pikërisht “falë” fytyrave e turinjve si më sipër, prandaj, zë vend, lëshon rrënjë dhe përhapet në Kosovë (e asgjëmangut edhe në Shqipëri, madje ca më tepër) mosbesimi, egërsia, zilia, urrejtja e vëllait për vëllanë, indiferentizmi, hajdutëria, dehja, tepria në çdo gjë, nepsi, qejfet e mishit, kurvërimi dhe gjithë veset e tjera.
Flet Ekoja për kohën e shkuar e të “harruar” prej shekujsh më parë, të kujton se do të vijë i biri i prishjes, kundërshtari që i thur lavdi vetes e fryhet e përfryhet, duke u shtirë si shumë i virtytshëm, që të gënjejë e mashtrojë botën mbarë e të vërë të drejtën përfund, e ti e sheh në pasqyrën e mendjes shembëllyesin e gjallë të këtij biri të prishjes e plëngprishësi, e sheh edhe ekzemplar, edhe të fortë, edhe DJE, edhe SOT, edhe KËTU, edhe NDËR NE.



ANTIKRISHTI

 Për ta “përkufizuar” antikrishtin, atë të dalë nga romani i Ekos dhe këtë të djeshmin e të kësikohshmin, siç do ta quante Selman Riza, më ndihmoi “Fjalori biblik” i Imzot Nikë Prelës tek e shpjegoi, fjalë për fjalë, shkurt: “ Kundërshtari i Krishtit”. Ja që për Ekon dhe për gjithë ata që e shohin dhe e njohin mes nesh, shumë më shumë se kaq, antikrishti – fuqi ka blasfeminë, dorë mashtrimin, e djathta rrënimin, e majta përhapjen e territ.
Tek merr pushtetin antikrishti, s’ka se si të mos sundojë kudo arbitrariteti. Edhe bijtë të ngrenë dorën kundër prindërve. Edhe gruaja t’i bëjë kurthe burrit. Edhe burri të hedhë në gjyq gruan. Edhe zotërit të sillen si shtazë me shërbëtorët dhe shërbëtorët të mos u binden zotërve. Edhe të mos ketë më nderim për të moshuarit. Edhe çunakët të duan të urdhërojnë. Edhe puna t’u duket të gjithëve mund i kotë. Edhe gjithandej t’u thuren këngë lavdi lapërdhive, veseve, lirisë së zakoneve të shthurura.
Po pastaj? Ç’do të ndodhë pastaj? Ç’ ”rendimente” do të ketë pas të “lëruarave” dhe të “mbjellave” të antikrishtit?
Se mos do mend, e tha edhe Ekoja për Mesjetën si ta kish përshkruar e pasqyruar të djeshmen dhe aktualitetin tonë: do të vijnë përdhunimet, shkeljet e kurorës, shpërbetimet, mëkatet kundër natyrës e plot të këqija të tjera. Kjo më e vogla. E pas saj: në mes të njerëzve të mirë do të mbijnë profetë të rremë, do të ketë të korruptuar, mashtrues, shtriganë, përdhunues, lapangjozë, koprracë, shpërbetarë e falsifikatorë.
Dhe, si me shkop magjik, saora, barinjtë do të bëhen ujq, priftërinjtë do të gënjejnë, murgjit do të lakmojnë gjërat e qyteteve, të varfanjakët s’do t’u shkojnë në ndihmë krerëve, të fuqishmit s’do të kenë pikë mëshire, të drejtët do të bëhen dëshmitarë padrejtësie...


 SHTHURJA DHE DEGRADIMI MORAL

 Shkruan Umberto Eko në libër, e ne “lexuam” dhe vijojmë të “lexojmë” përditë në jetë: është kjo një periudhë shthurjeje e degradimi moral, që pati dhe mund të ketë edhe më rrjedhoja tronditëse në turma.
Pse?
Sepse, ashtu, u ngjallën herezi e sekte (lexo: parti) të panumërta, që kërkojnë rikthimin te mësimet e Ungjillit (lexo: atdhedashurisë), nga të cilat janë larguar aq shumë krerët. Çeta heretikësh (lexo: banda) përshkuan anë e mbanë tokat (lexo: shqiptare) dhe i shërbyen e vijojnë t’i shërbejnë lojës së pamëshirshme të armiqve (lexo: të shqiptarëve). Ndaj dhe sherri që plasi. Sherri që arriti kulmin. Kështu që, tash:

 1. Rinisë s’i ka qejfi më të mësojë,
2. Shkrenca po bie,
3. Bota mbarë po ecën me këmbë përpjetë,
4. Të verbërit po udhëheqin ca të verbër të tjerë dhe i shpien buzë humnerave të gremisen,
5. Zogjtë po lëshohen në hapësirë pa hapur mirë krahët,
6. Gomari po i bie lirës,
7. Buajt po hedhin valle,
8. Gjithçka i është shmangur rrugës së vet.
Ishin dhe janë kohë të errta këto, thuhet, kur njeriu i mençur ishte i detyruar të ketë mendime që vijnë në kundërshtim me njëri-tjetrin.



 PËSIMET - MËSIME

 A thua, vallë, në Mesjetë i paskan rrënjët edhe ca nga pësime - mësimet didaktike naimiane si ajo se, kur ndodh diçka, siç ka ndodhur e po ndodh (e ç’të ndodhur e shkuar të ndodhure) ndër ne, atëherë “ilaç” i vetëm është vëmendja dhe këshilla e një njeriu të mprehtë e të matur (lexo: e trurit të kombit)?
Po kur qëllon që djajtë e djeshëm të bëhen e të hiqen si engjëj e shenjtërorë sot (lexo: “patriotë”), mbase edhe është e domosdoshme ndonjëherë të provosh mëkatet e fajin e ayre që tash “shkëlqejnë” me “shenjtërinë” e tyre. Sepse, jo më kot, bariu i gabuar e i mëkatosur veçohet nga barinjtë e tjerë. Ndryshe, merreni me mend ç’bëhet me delet në zënçin të dyshojnë te barinjtë. Edhe pse mund të vësh në dyshim mendimin e filozofit, i cili tha se vetëm njeriu, kali e mushka janë qenie që s’marrin inat dhe që rrojnë shumë.
Punë derrash!!
Ndaj: sa qytete tona, që më parë ishin qendra të shkëlqyera madhështie e atdhedashurie, mburrjeje e krenarie (kë qytet shqiptar të zëmë ngoje më parë?), tash janë strehë punëkotësh, të prirur për tregti e luftëra tarafësh, ku nuk mund të gjejë strehë fryma e patriotizmit.
Edhe në shkollat po bën fole gjarpri i zilisë e i marrëzisë (Kujto aferat e fundit me para e emërime drejtorësh!). E luftojnë me kaq tërbim sëmundjen e herezisë (lexo: “antipatriotizmin”), sa nga urrejtja që ngjallin i shtyjnë shumë vetë të bëhen heretikë. Tamam një rreth i shpikur nga djalli, që Zot na ruaj.
U takojnë asaj race njerëzish që janë gjithnjë dalzotësit më të mirë të kundërshtarit të tyre. Kurrë nuk vrasin mendjen se ndërmjet dashurisë për të mirën dhe dashurisë për të ligën ekziston vetëm një hap i vogël.
Kështu foli... Zaratustra?
Jo, kështu foli Umberto Eko.
Për lulen e trëndafilit, apo për ne?



 ÇERDHE NEPËRKASH – PA KOMENT

Turp e faqja e zezë!
Në këtë vend ka vite që ndodhin gjëra shumë të turpshme. Luftëra për pushtet, akuza për herezi për t’i zhvatur ndonjërit ndonjë prebendë. Gomari i bie lirës, bufi lëron me mburojë, buajt mprehen vetë në parmendë, lumenjtë ngjiten përpjetë rrjedhës, deti përflaket, ujku bëhet oshënar!
Gjuhet lepuri me buall, u mësohet gramatika kukuvajkave, qentë pickojnë pleshtat, të verbërit shohin memecët dhe memecët dalin e lypin bukë, milingona pjell viçin, pulat e pjekura fluturojnë, kuleçtë i gjen mbi çati, papagajtë japin mësime retorike, pulat ndërzejnë gjelat, qerrja vëhet para buajve, qeni vëhet të flerë në shtrat dhe gjithë qeniet nga janë e nga s’janë ecin kokëposhtë.
Kështu na qenkësh dashur të katandiset edhe kjo abaci, një çerdhe nepërkash. Po marrin nëpër këmbë Qytetin e Zotit, po joshin me gënjeshtra, hipokrizi e dhunë.
Shkasin si njalë dhe është shumë vështirë t’i kapësh në gabim.
Po ama i njohim, s’është se s’i njohim këto marifete dhelpërake!
Kapin e marrin shpesh bashkë.
Me fodullëkun e tyre dërdëllisin betime të rreme.
Betohen për Zotin, atin e plotfuqishëm, të përshenjtën Virgjëreshë e për të gjithë shenjtorët se kështu është e kështu ka qenë.
Lëre se ç’gjëra të ndyra kanë bërë dje. O, Zot në ç’duar ka rënë kisha jote! E shndërruar në prostitutë, e flashkur nga luksi, është zhytur e kënaqur në zvetënim si ai gjarpri në të ngrohtë! Njerëz pa besë e pa fe, vrasës njerëzish, batakçinj, lakmues ari, të zot për dhelpërira, të egër, armiq të besnikëve të fesë dhe përndjekës të tyre!
Qen të ndyrë, kërma të qelbura, korba të zez, qojle të kurvës! Qenër! Qenër të tërbuar! Mësalla me dy faqe, të hunit e të litarit, të vdekur e të pakallur, të krimbur në vese! Llupësa!
Ata e bëjnë një gjë dhe e dinë pse e bëjnë, por nuk e dinë pse e dinë që e dinë atë që bëjnë. Tamam të humbasë njeriu besimin në rolin njerëzor.
Zoti: Unë ju dhashë formë, e ju shkoni e bëheni ithtarë të një tjetri! Ju dhashë veshë që të dëgjoni Shkrimet,e ju mbani vesh fjalët e paganëve! Ju bëra gojën që të lavdëroni Perëndinë, e ju e përdorët për shtirjet e poetëve e për enigmat e bufonëve! Ju dhashë sytë që të shihni dritën e mësimeve të mia, e ju i vutë në punë për të zhbiruar terrin!
Larg meje, o të mallkuar, tutje në zjarrin e amshuar, që ju ka bërë gati djalli e veglat e tij! Vetë e keni kërkuar, kënaquni tani! Mos i çoni dëm shtatë ditët e
fundit. Kridhemi mes mundimeve të përjetshme. Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjtë. Ditët e Antikrishtit janë fare pranë, Uiliam, dhe unë kam frikë!
Sa më shumë bëhet e pangjashme ngjashmëria, aq më shumë na zbulohet e vërteta nën tisin e figurave tmerruese e të përçudshme dhe aq më pak qartësohet imagjinata nëpërmjet kënaqësive të mishit.
Nuk është kurrë gjë e kotë t’i njohësh më mirë armiqtë e tu.
Rrugët e Antikrishtit janë të ngadalta e dredha-dredha. Ai vjen kur ne s’e pandehim.
Mund të mëkatosh duke e tepruar së foluri ose duke e tepruar së heshturi. O Zot i madh, gjuana me rrufe këtë gjuhë që s’po flitet për së mbari!
Këtu dikujt s’ia ka qejfi që të vendosim vetë.
Derrarë e loparë që, sa hap e mbyll sytë, bëhen gjoja apostuj që duan të rrojnë pa derdhur djersë e në qejf të vet.
T’i kthesh mendimet e drejta në të padrejta e t’i shpiesh në rrjedhoja të kundërta me ligjin e Zotit e të njerëzve - kjo është tamam herezi, ose është marrëzi.
Ruaju nga lavirja e Babilonisë edhe kur merr formën e krijesës më tërheqëse që mund të bëhet. (Ruaju danajasve...)
Siç ka një shkallëzim në virtyt, ashtu ka edhe në çoroditje.
Ja se ç’thoshte teksti grek: përdor njerëzit e përvuajtur, të ulët e të shëmtuar, trupa rrondokopë, fytyra të shtrembëra.
Të gënjesh e të kapësh në befasi duke gënjyer, të thuash të kundërtën e asaj që beson, të thuash një gjë e të nënkuptosh një gjë tjetër.
Si përçapjet e ndonjë të marri. Qingja të butë e të përkorë. Një allishverish i ndyrë. Kijau frikën profetëve, o Adson, e atyre që janë gati të vdesin për të vërtetën, që zakonisht marrin me vete edhe shumë të tjerë, e shpesh para atyre vetë, e nganjëherë në vend të tyre!

Dienstag, 21. Juni 2011

Prend Buzhala: ETNOSI I PLEQNISË

PREND BUZHALA

ETOSI I PLEQNISË


(Libri i njëmbëdhjetë “Kanuni i Pleqnisë” i veprës së Atë Shtjefën Gjeçovit “Kanuni i Lekë Dukagjinit” - intepretim)


Në Antikën greke logos-i dhe ethos-i, dija dhe virtyti, ishin e njëjta gjë; ishin dy faqet e së njëjtës medale. Kurse praxis-i e kishte pjesë të veten, të pandarë, theorisis-in. “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (KLD), nga ky kënd, përbënte të drejtën zakonore dhe normat fillimisht të pashkruara e të transmetuara nga brezi në brez. Pra, përbënte etosin dhe logosin shqiptar. Kurse praxis-i dhe theorisis-i ngjizeshin e ngërtheheshin në të memorizuarit e tyre në kujtesën e kombit. Që nga viti 1913, kur Atë Shtjefën Gjeçovi filloi ta mbledhë të drejtën zakonore shqiptare; që nga viti 1933, kur KLD u botua si vepër postume e fratit martir; që nga atëherë kjo vepër ka hyrë edhe në fushën aq të privilegjuar të Kulturës së Shkrimit. Sado që KLD mban autorësinë e Gjeçovit, vepra, si e tillë, merr pjesë në kulturën autentike shqiptare, në formësimin e identitetit kulturor e në atë të vlerave nacionale kulturore, nga njëra anë, po edhe në “trashëgiminë e mendësisë juridike popullore shqiptare, tek është arritur në konfigurimin e së drejtës kanunore shqiptare” (Xhyher Cani), nga ana tjetër. Së këndejmi KLD, është i pashkëputshëm nga vlerat e traditës e të thesarit kulturor nacional. Nga problematika e gjerë e dymbëdhjetë librave të KLD, kësaj radhe, veçuam disa aspekte e refleksione të librit të njëmbëdhjetë, që mban titullin “Kanuni i Pleqnisë”.
Shumë autorë te huaj e shqiptarë, kanë thënë që gjatë shekujve, kur popujt tjerë jetonin në hordhi, të paktën shqiptarët kishin një KOD, shenjë civilizimi (e pra, nuk na qenka KOD barbarie dhe fshatarësie, apo KOD "malokësh", kur malokërisë përreth u mungonte edhe sensi per rregullimin e jetës, u mungonte koncepti për ligjin, rregullimin e brendshëm shoqëror e shtetëror e të bërjes së civilizimit!!!). Mjafton të thuhet se tradita evropiane nis nga KODI ROMAK, madje nga një perandor ilir i prenandorisë romake (Justiniani, në bazë të emrit të tij doli edhe emri i drejtësisë apo i jurisprudencës -  jus-juris, JUSTINIAN - njeri i drejtë). Mjafton të thuhet se i tërë KANUNI I LEKË DUKGAGJINIT mbështetet në CIVILIZIMIN ROMAK, në TË DREJTËN ROMAKE; ata që e kanë lexuar KANUNIN,  mund t'i shohin referencat latine dhe  shpjegimet e citatet e Gjeçovit e të Fishtës në fund të secilës faqe, e ku gjenden konkordancat me Të Drejtën Romake. Mbasi KANUNI zë fill me kapitullin KISHA, ai nuk i takon as civilizimit oriental, si shpjegohet gabimisht nga pseudo-kanunologë...
Dhe, të mos harrojmë: SECILA KUSHTETUTË e djeshme dhe e sotme EVROPIANE, ka qenë e  mbështetur dhe mbështetet edhe sot NË KODIN ROMAK, ashtu siç mbështetet në pjesën më të madhe edhe KANUNI YNË.
Ndërkaq, "fenomeni" i "gjakmarrjes" nuk i takon "mbeturinave të së kaluarës", por është mbeturinë e prodhim i sistemeve e rendeve shoqëroere që erdhën këndej, që nuk kanë vullnet t'i zbatojnë ligjet e shtetit dhe duan një shoqëri anarkike, pa ligje, për  të zhvatur sa me shumë privilegje në gjendje anarkie e papërgjegjësie... Duan një "sistem paralel" drejtësie, të Kushtetutës dhe "Kanunit"...  më mirë të thuhet: të Kushtetutës dhe te Antikushtetutës pushtetore...
Burimi qëndron tek shteti mbeturinor dhe jo tek "mbeturina e së kaluarës".
Majfton të thuhet se Kanuni është një monument kulturor historik i së drejtës tradicionale të shqiptarëve.



SEMANTIKA E NUMRIT, LIBRI I NJËMBËDDHJETË 


Përse dymbëdhjetë libra? Numri dymbëdhjetë, në semiologjinë e shkrimit gjeçovian, ka ngarkesë semantike etno-kosmogonike. Ky numër do të ngërthejë edhe paradigmën e shkrimit historiko-letrar antik. Gjeçovi ishte gjurmues e gjakues i lashtësisë, i etnopsikologjisë dhe i dokeve shqiptare. Ai flet për dymbëdhjetë fise, për dymbëdhjetë pleq etj. Numrat hyjnorë kanë forcën e tyre magjike.
Ndërsa numrin njëmbëdhjetë, te libri i njëmbëdhjetë, “Kanuni i Pleqnisë”, do ta konsiderojmë numër emblematik qiellor, (për numrat çift Xh. Cani thotë se janë tokësorë). Semiologjia e numrit çift dymbëdhjetë të çon te kërkimi i harmonisë, ndërsa njëmbëdhjetëshi do t`ishte “numër i krizës”, numër i çasteve në kapërcyell kohësh apo të gjetjes së alternativave. Kurse Gjeçovi zgjedh Alternativën e Harmonisë, ashtu sikundër këtë parim e gjakon secili Kanun, pra, secila Kushtetutë europerëndimore, për të krijuar bashkësi harmonike njerëzore. Ishte, ky, ai gjakimi e parimi i lashtë biblik për Kopshtin e Edenit, pra për ndërtimin e Parajsës në Tokë përballë parashikimeve apokaliptike e katastrofike të fundit të njerëzimit apo të fundit të qytetërimit.
Nëse në librat tjerë kërkimi i dokeve apo i të drejtës zakonore, si trajtë e lashtë e rregullimit të marrëdhënieve shoqërore, shikohet në raport me Kishën, Familjen, Martesën, Shpinë, Gjanë, Pronën, Punën, Të Dhanunat, Nderën, Damet, Mbrapshtitë, dhe së fundi, te Shlirimet e Përjashtimet, libri i parafundit, këto raporte i vë përballë urtisë, gjykimit dhe drejtësisë, pra përballë Pleqnisë. Prandaj, urtinë, mençurinë, vetitë e karakterit, drejtësinë dhe, përgjithësisht, pleqninë, Gjeçovi i kërkon te libri i njëmbëdhjetë. (Në Fjalorin e shqipes ekzistojnë fjalët PLEQËRI, PLEQËSI. Mirëpo, nocioni PLEQNI, që paraqet një nocion të Kodit të trashëgimisë sonë, të institucionit shqiptar, është fshirë, zhdukur...për t’u pështyrë, përbuzur, kuptohet: nga armiqtë e kësaj trashëgimie, por jo edhe nga kultura e civilizimi evropian, mbasi këta autorë evropianë shprehin konsiderata të larta diturore, civilizuese e juridike ndaj këtij Kanuni...).




SEMIOLOGJIA E AKSIOLOGJIA E PLAKUT DHE E PLEQNISË


Në mendësinë juridike popullore shqiptare fjala plak shenjon parësinë e katundit a të fisit, shënjon burrin që thirret për gjykimin e një çështjeje apo grindjeje. Ndërsa fjala pleqni tregon gjykimin, peshimin apo zgjidhjen e një çështjeje me pleq të thirrur prej të interesuarve. Në traditën e lashtë e të pasur të vlerave kombëtare, po edhe universale, pleqnia ishte ngritur në institucion shqiptar. Kjo mendësi, sa e veçantë, aq edhe universale, është rrezatim i urtësisë krijuese popullore, i mençurisë dhe i filozofisë së shpirtit nacional.
Nëse Institucioni i Pleqnisë ishte i njohur tek popujt antikë për të zgjidhur konflikte e mosmarrëveshje me anën e mjeteve paqësore e të ndërmjetësimit, vetë Gjeçovi dikund e përmend se kjo traditë e pleqnisë e ka burimin te shtetet e para ilire, për të vazhduar në Mesjetë te principatat shqiptare. Ekzistencën dhe praktikën e këtij institucioni e hasim që nga shekulli XV e këndej, jo vetëm në disa variante të KLD, po edhe në Kanunin e Skënderbeut,, në Kanunin e Labërisë, nëpër kanune të veçanta të bajrakëve të Dukagjinit, në besëlidhjet e ndryshme, siç ujanë Besa e Malsisë së Madhe, Besa e Lezhës, Besa e Krujës etj. Gjithashtu e hasim edhe në Kanunin e Maleve. “Kanuni ka pengun, pengu pleqninë e pleqnia drejtësinë, tue i dhanë gjithkujt çka i përket”, theksohet nëpër korpuset  tekstore të këtyre kanuneve. Ekzistonin pleqtë e ndarjes, që ishin burra me përvojë. Institucioni i Pleqnisë, si te gjykatat moderne e demokratike, përmbante procedurën e vet të veçantë, provat, mjetet e proves, (R.Halili), përmes betimit apo Fjalës së nderit (Qe besa), Kapucarit, dëshmitarëve, porotës e poronikëve, argumentimit përmes të zanunit e kryesit në vepër, ndjekjes së gjurmëve të shtazës së vjedhun apo të shenjave tjera, dorëzanëve, marrjes së vendimit, të drejtës për ankesë te Dera e Gjon Markut, etj.
Fiset kishin njëfarë autonomie që i rregullonin marrëdhëniet e tyre në mënyrë të pavarur (Ragip Halili) . Secili fis kishte nga katër kësi pleqnarë. Çështjet që kishin rëndësi të madhe, si ato midis të konflikteve midis fiseve, trajtoheshin nga një lloj i veçantë i pleqnisë, siç ishte Pleqnia e Madhe (paragraphed 1003, 1005 të “Kanunit të Pleqnisë”), në të cilën merrnin pjesë pleq me famë e flamurtarë (a bajraktarë) fisesh “të regjun e të shkathtë” në zgjidhjen e konflikteve. “Pleq thirren edhe burrat ma në za për urti” (paragrafi 994 i KLD). Pleqnia përbëhej nga disa pleq, apo anëtarë, që t`i kujton anëtarët e një kolegji gjyqësor modern. Si tek gjyqet moderne, edhe pleqnia kishte kompetencat e veta. Ja disa theksime: “Plaku i pengut nuk mund t’i lypë të falmet e t’premet e kanus, pa e nreq punen.” Ndërkaq, sipas Kanunit të Pleqnisë, edhe vetë pleqtë i nënshtrohen ligjit, por i nënshtroheshin edhe vegjëlisë apo vogjëlisë, po edhe djelmënisë, ashtu siç veprohet në botën e qytetëruar, ku para ligjit janë të barabartë si kryetari i shtetit, ashtu edhe qytetari thjeshtë. Pleqnia ngritet në autoritet të veçantë shoqëror e juridik, kurse pleqtë duhet të jenë të ndershëm, të paanshëm e të drejtë.
Figura e plakut, siç thekson Xhyher Cani, ishte ajo e burrit të urtë e të ditur në fushën e të drejtës zakonore. Kurse sipas tipologjisë së kësaj trashëgimie e mendësie, ekzistonin Plaku i Fisit, Plaku i Katundit dhe Pleqtë e Flamurit. Këta të fundit përbënin Parinë e Vendit, ose “oxhakun”, si formë e tillë e organizimit në shumë fshatra. Mendësia mitologjike, religjioze dhe ajo shoqërore e përshkon tejendanë personalitetin e fortë etiko-moral të Plakut, ashtu sikundër do ta karakterizojë edhe Drejrtësia, Urtia dhe Të regjunit në punë të gjyqeve. Nga ana tjetër, nuk ishte rastësi, që Institucionin e Flamurit a të Bajrakut e drejtonin flamurtarët (kurse me islamizimin e popullsisë bajraktarët), tek e përfaqësonin pushtetin ushtarak, pushtetin gjyqësor dhe pushtetin vetëqeverisës. Nga ky këndvështrim, do të thoshim se kështu përfaqësohej e spikatej ndërgjegja për shtetësinë, sado që gjatë shekujve që ndjerë mungesa e shtetit nacional shqiptar. Këtë mëvetësi nacionale përballë të huajve e pushtuesve, në mënyrë të veçantë e spikat Kanuni. Flamurtari a Bajraktari gjithmonë flamurin e ruante në shtëpi. Luftëtari që e merrte flamurin, i printe ushtrisë dhe fitonte titullin flamurtar ose bajraktar, prijës, udhëheqës ose plak (Kanuni i Skënderbeut, paragrafi 1754). Struktura dhe problematika e pleqnisë dhe e pleqve, ishte mjaft e ndërlikuar dhe e ndërliqshme, tek përbënte, si e tillë, një sistem interesant vlerash të kulturës e të trashëgimisë shqiptare, dhe, pse jo, edhe të qytetërimit evropian. Te “Kanuni i Pleqnisë”Gjeçovi këtë strukturë të ndërliqshme pleqsh e të pleqnisë, e paraqet me këto shenjime, sikundër janë: Plaku i pengut,, Pleqtë e Kanusë,, krenët e Kanunit,, Pleqtë e Krenët e Falmurit,, Pleq e Vogjli, Strapleqtë apo Stërpleqtë që mbajnë anën e Vogjlisë, Plaku i Katundit, Pleqnija a Gjygji, Gjygji i Pleqvet, Porota e Poronikët, Kapucari, Pritëtarët e Kapucarit, Burrat e Malevet,, Pleqtë e Fiseve, Kasneca fisesh e katundesh, Dera e Gjon Markut, Gjobtarët, Vogjlia, Leçija, Lajmëtari etj. Secili prej tyre dhe secila kaptinë e pleqnisë, përmban një semiologji të tërë shkrimore e kuptimore, por ato përbëjnë edhe një sistem të tërë vlerash etiko-nacionale të paprekshme.
Në këtë mes, prin kapitulli për Kishën apo Hija e Kishës e figura e Priftit. Pra, pos fondit mitologjik (Cani), kemi edhe mendësinë e krishterë, si shenjë e identitetit evropian të shqiptarëve, sepse kasha e krishterimi përbëjnë një shenjë të përbashkët të identitetit evropian të kombeve. Do të thotë: themel e parim kryesor i etosit evropian e atij nacional është besimi në Hyjin, sepse prej këtij besimi del edhe përsosmëria e moralit dhe e së drejtës. Por Gjeçovi i ndan Të drejtën Hyjnore prej Të Drejtës Njerëzore:”Kisha gjendet e vendosme nën sundim të të Parit të Fes e jo nën ligjë t`Kanunit”. Mendojmë se këtu, te ky princip i kulturës e i civilizimit evropian dhe te kjo alternative e ndarjes së shtetit nga kisha, e ka burimin edhe “kundërshtimi” i “Ligjës së Lekës” apo i “malsorëve” ndaj “predikimeve” të klerikëve që binin ndesh “Ligjës…”. E pra, sipas parimit të shtetit demokratik modern, feja dhe pushteti qeverisës, gjyqësor e ushtarak janë të ndarë. Këtu nuk ka të bëjë asgjë me privilegjet që Kanuni po ia njihka Kishës. Kurse Kanuni, sikundër theksohet, është produkt i marrëdhënieve të hershme shoqërore! Mbase, KLD ishte “ nga ma të vjetrat ligje të Evropës” (revista “Shkodra”, 1965, fq 335). Do të thoshim: është produkt i kulturës, i civilizimit e identitetit evropian të ilirëve-arbërorëve-shqiptarëve. Le të jenë sot dëshmi përdallimi shtetet teokratike aziatike, që ndryshojnë nga kultura e civilizimi evropian dhe në fjalorin e të cilave ndryshe lakohen fjalët kulturë, civilizim dhe identitet. Po të ishte ndryshe, Atë Shtjefën Gjeçovi, si klerik, nuk do t`i hynte një pune që bie ndesh me petkun e tij fetar, apo jo!
Te e fundit, çfarëdo ndryshimesh që të kenë ndodhur, ky etos nacional apo ky etos kanunor, do të ketë mbijetuar. Aty e kanë gjetur vendstrehimin e tyre, mbase gjithnjë prej frikës përballë të panjohurës e përballë ndryshimeve apo asimilimeve të të huajve që e rrezikojnë apo e zvetënojnë këtë identitet! Nga ky këndvështrim, Kanuni ishte nyjë e fortë për të ndërtuar e ruajtur kulturën autentike nacionale, me shenjime të forta humaniste e demokratike, përballë depërtimit asimilues të islamizmit, që po e zvetënonte dhe zhdukte autoktoninë shpirtërore shqiptare. Prandaj, të yshtur nga pushtuesit e mercenarët e pushteteve, zvetënime të shumta i kanë ndodhur edhe Kanunit, prej lakmisë për të vënë pushtet mbi njerëzit dhe mbi pronën.




NJIH VETVETEN/  TAUTOTES/  IDENTITAS


Pra, në problematikën e gjerë që shtron libri i njëmbëdhjetë i KLD, Kanuni i Pleqnisë, plaku dhe pleqnia kanë statusin e tyre specifik juridik, por e kanë edhe etosin e tyre. Duke pasur parasysh faktin, se janë pak popuj që e trashëgojnë që nga lashtësia traditën kanunore e traditën shtetërore evropiane; atëherë edhe tradita iliro-arbërore-shqiptare hyn në universin e pluri-identitetit evropian të kulturës e të sistemit të vlerave. Sipas traditës sokratiane “Njih vetveten”, edhe vetë Aristoteli e përmend fjalën tautotes (të jesh vetvetja), ndërkohë që latinët kishin për këtë gjë fjalën identitas. Së këndejmi, edhe tradita e veçantë e etosit të plakut e të pleqnisë tek ne, përbën vetveten tonë, pra, e paraqet atë jetën autentike shqiptare të vetërregulluar e të vetorganizuar. Piter Berger do të thoshte se strukturat shoqërore specifike, si dhe strukturat e tilla historike, i krijojnë tipat e identitetit, të cilët do të mund të përveçoheshin e të njiheshin në shumësinë e në përdallimet e këtyre strukturave.
Te “Kanuni i Pleqnisë”, po përgjithësisht te KLD jo pak studiues i pëkulen prirjes gjuhësore e sintetizuese të Gjeçovit, tek ka arritur që t`i veçojë ato formula e njësi ligjërimore-stilistike (si “Beja merr gjanë e vet”, “Beja lanë gjaqet”), të nocioneve shqiptare të së drejtës zakonore (ndore, dorëzanë, kapucar), të njësive e fomulësimeve ligjërimore që shprehin esencën etnike apo “palcën e etnisë” (si lisi i gjakut, lisi i tamblit), apo të semantizimit etnospsikologjik të fjalëve-nocione si mik, besë, gjak, burrë, be, gur, plak, zjarrm etj. Apo si bën hire formula shqiptare e mikpritjes: “Buka e krypa e zemra, zjarmi e trungu e do firi për shtrojë do të gjindet gadi për mik në çdo kohë të natës e të ditës” (KLD, paragrafi 609); apo i besës si virtyt i lartë njerëzor: “Me çue gjind për besë asht kanû, me dhanë asht detyrë e burrni”(KLD, paragrafi 855).
Do të thoshim, se KLD dhe Kanuni i Pleqnisë do të përbëjnë identitetin e përjetuar dhe identitetin e projektuar: të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e këtij etosi të spikatur e të shprehur. Emil Benveniste dikund thotë se fjalët kulturë dhe civilizim (qytetërim), janë krijime e fjalëfomime brenda identitetit kulturor evropian: “E tërë historia e mendimit modern dhe e tërë baza e të arriturave të kulturës intelektuale të botës perëndimore lidhen me lindjen dhe ndryshimin e disa fjalëve qenësore, të cilat iu takojnë gjuhëve të Evropës Perëndimore”. Krijuesi e dijetari ynë, Sabri Hamiti, Kanunin e sheh njërin ndër tri monumentet e kulturës shpirtërore të shqiptarëve, duke theksuar se ai ndërton “kultin e përsosmërisë morale (besë, trimni, burrni)”. Nuk ishte për t`u habitur, prandaj, pse tradita e këshillave të pleqve, gjatë viteve `90, u ngrit në këshilla të pajtimit, në Lëvizjen e madhe të Pajtimit të Gjaqeve, duke paraqitur para vetes dhe para botës fytyrën e një populli të civilizuar, që di, në momente të caktuara historike e shoqërore, si t`i mënjanojë dukuritë ndëshkimore të dëmshme për trupin e kombit. Gjakmarrja mbahej e ushqehej nga institucionet e huaja e nga ato të totalitarizmit e jo nga KLD, siç iu pëlqen të thonë ideologëve të “humanizmit socialist” në Kosovë apo gjetiu. Prandaj, pas shembjes së ngrehinës totalitare, në Kosovë del në skenën e historisë edhe njëherë Alternativa e Harmonisë dhe e krijimit të shoqërisë harmonike shqiptare. Si te miti biblik i harmonisë. Kjo alternativë, gjithsesi, e ka burimin te Kanuni. Te logos-i dhe ethos-i shqiptar.


(Shënim: kjo kumtesë gjendet në librin e autorit  “Odeoni i fjalës” (2003),- i botuar, së pari tek revista klinase “Zoja e Këshillit të Mirë”, organ i Kishës Katolike, Klinë, nr 2.  2002, mandej te “Gjurmë të Gjeçovit 2002”, reviste periodike e TAKIMEVE TE GJEÇOVIT.)

Donnerstag, 16. Juni 2011

Prend Buzhala: HAPËSIRAT LIRIKE TË ATDHESISË



HAPËSIRAT LIRIKE TË ATDHESISË

(Hajdin Morina: “Prushi i fjalës”, poezi,
Klubi i shkrimtarëve “Vorea Ujko”, Klinë 2011)

Prend BUZHALA

I gjendur tek pragu i Sezamit të tij poetik, për të na zbuluar pamje të papërsëritshme atdhetare e historike, përvoja lirike e meditative të ndjeshmërisë së atdhesisë së shenjtë; Hajdin Morina sikur e spikat atë postulatin e moçëm: Poeti nuk bën pa Atdheun. As Atdheu nuk bën pa poetët e tij. Së këndejmi, poezia e Hajdin Morinës e gjen frymëzimin nga bëmat e mëdha njerëzore: nga vetëflijimi humanist për t’i dhuruar njerëzve dritën e shpirtit, nga sakrifica atdhetare e rënies së dëshmorëve për lirinë, nga atdhesia jonë e shenjtë. Është tipi i asaj lirike që kërkon jo vetëm personalen, përjetimin intim; por edhe identifikimin e personales tek fati i përgjithshëm, ashtu sikundër e gjurmon me pasion edhe komplesitetin e botës së ideve e të trajtimit artistik. Që me librin e parë “Brenda dritareve të vogla” (1995), ai ka dëshmuar përgjegjësinë ndaj fjalës së shkruar. Ndryshe nga qindra poetë, që nguten për të botuar sa më shumë përmbledhje poetike, ky krijues këtë përgjegjësi e ndien edhe më shumë me këtë botim poetik, duke pasur parasysh se distanca kohore mes dy vëllimeve poetike përfshin më shumës se një dekadë e gjysmë. Dhe, ndryshe nga shumë poetë të traditës e të së sotmes, që e mbushullojnë poezinë e tyre me thirrma sentimentale, me frazeologjizma përgjëruese, apo me thënie retorike; Morina arrin ta shqiptojë thelbin e natyrës së brendshme të identifikimeve lirike, duke e pasuruar përmbajtjen e tillë, atdhetare, me marrëdhëniet e ndërliqshme me kohën e hapësirën, me nyjat etnike të atdheut, me njerëzit e tij të dashur e me burimet mitike të frymëzimit. tillë.


1. Fjala, energji e shqiptimit në nivel të lartë e domethënies lirike

Gjithçka nis me Fjalën (si shenjim biblik i fillesës) dhe me Zjarrin (si element kosmik i krijimit). Prandaj, në ballë të librit qëndrojnë ciklet: i pari, “Kryekështjella (me dy tekstet poetike “Gjuha shqipe” dhe “Zanafilla”) dhe i dyti “Burimi i agut” (poezi për Jasharët, për dëshmorët dhe për luftën çlirimtare). Posi tek libri i parë, edhe këtu poeti e tematizon poetikisht gjuhën dhe Fjalën (rrënjë e shenjtë e fjalës), ku secila fjalë, secili varg, i gjithë korpusi artistik tekstor, qëndrojnë si kika shenjash semantike e estetike. E kjo ngarkesë semantike, si një tharm i brendshëm, shpërthen jashtë akumulimit shpirtëror të krijuesit, si vetëdije letrare, si energji krijuese, si sintezë e thënies poetike. Gjuha, kjo kryekështjellë (asociacion kadarean) shndërrohet në temë-simbol mbi qëndresën e shqiptarit përballë situatave të rrezikimit të qenies. Poeti, duke ndjekur Fjalën, kërkon shpirtin e njerëzve. Kurse gjuha nuk e kishte vetëm funksionin estetik; ajo e ka edhe energjinë e shqiptimit në nivelin më të lartë të domethënies lirike (“bukuria më e gjallë”). Gjuha është tradita jonë. E kjo traditë është vetëdije sintetike e qenësimit dhe e historisë sonë, rojë dhe mburojë e identitetit nacional. Kjo do të thotë, se kusht për t’u bërë Atdheu, kusht për t’u sendërtuar funksioni estetik i gjuhës, është edhe socialiteti i realizuar. Poeti veç sa i thellon me rrezatime të reja kryetemat e ngritura në librin e parë... Në sfondin estetik të tematizimit të gjuhës, krijuesi i vendos shenjat mbrojtëse...madje i tërë libri e ka titullin e një ndërthurjeje të sdy kryesimboleve e kryetemave të librit: push i fjalës, apo një cikël tjeër i tër (“Fjala fjalë).
Mandej vjen zjarri. Për simbolizmin e zjarrit, krijuesit dhe simbolistët përmendin anën pozitive dhe anën negative të tij. Aty mbëshenjohet theksimi në rritje i një vetëdijeje, për energjinë në vetvete që e posedon subjekti lirik. Zjarri transformon materialet, shënjon në përmasë tjetër të realitetit të kësaj “lënde, duke dhuruar dritë, energji dhe lëvizje… Konteksti lirik i krijimit të imazheve të përflakura e të përshkëndijëzuara me artin e fjalës poetike, prodhon një përvojë emocionale, por autori krijon edhe rrjetin e pasur asociativ që prodhojnë kuptime antinomike, ndërsa poeti hidhet të kontrastojë - zjarr dhe mjegull, diell dhe terr, ngrohtësi dhe të ftohtë, prush dhe akull, qiriu dhe nata, - për të shënjuar edhe situata emocionale poetike, edhe hapësira të ndjesive të realitetit: pasione, emocione të situatave të skajshme, qëndrime humaniste apo liridashëse, lakmi, urrejtje, apo zemërim… dhe deri te simbolika e transformimit që shkakton ai. Madje, kontekstualizimi i tillë i zjarrit, për ta shënjuar këtë situatë ekstreme historike, poetit i shërben si shkas për ta vënë në spikamë, mahnitshëm, ndryshimin epokal të historisë:

Qielli deshi t’i binte
Kosovës përmbi kokë (...) Por sakaq
Qielli që digjte saç mbi Prekaz
Si një shqiponjë fluturoi lart (poezia “Zjarri i Jasharëve”)

Te kjo lirikë për Jasharët, poeti e koncepton këtë simbolikë në dy plane: në atë kozmik, si shkatërrues , për ta zbritur mandej në rrafshin historik (një si rikrijim binar - çmitizim krijues- mitkrijues), por edhe si gjenerues i forcës, i energjisë së jetës për ndryshime; poeti e “demitizon” mahnitshëm këtë mister të moçëm të zjarrit, duke e veshur me kuptimin burimor të shkatërrimit e dënimit (“Qielli digjte saç”) dhe si spastrim e ripërtëritje shpirtërore (“Për besë zjarr del/ Nga përqafimi i tij/… Dhe në Kullë të Jasharëve/ Ballin mbështet Liria” ose ““Qielli që digjte saç mbi Prekaz/ Si një shqiponjë fluturoi lart”). Të duke sikur natyrën mistike të përflakjes me zjarr, ai e shndërron në një zjarr të shenjtë, në një aureolë lirie rreth kokës së Jasharëve (posi shenjtorët biblikë): “Për besë zjarr del/ Nga përqafimi i tij”.


2. Estetika subverzive

Ndërsa këto rrezatime figurative e kuptimore shtrihen tutje e tutje nëpër ciklet tjera: Shpirtin lexoj”, “Gurin drurin ujin”, “Zbulime ekspertësh”, “Zemra e dhimbjes”, “Bukuri e magjishme”, “Fjalë fjale”, “Prushi i shprushur”, “Vranësirë loti” dhe “Mallkim”. Është ai korpus i pasur tipologjik temash e idesh; atdhesia e shenjtë, me antimonitë e veta të shumta, me shkëputjet jashtëkohore, me rrethin lirik të ironizimeve për anakronizmat atdhe-shpërbërs, me problematizimin e niveleve të shumta të kuptimit ekzistencial, me lojën suptile e arketipeve të lashta të ambientit në ndërthurje të ankthit ekzistencial me vështirësitë sociale… dhe duke e mbushur realitetin me përshakllëzime drramatike përjetimesh, me reflektim dhe ndjeshmëri – një si amzë psiko-lirike dhe poeto-ontologjike e atdhesisë së shtrirë në gjithë librin… kërkon të shpalosë dimensione tjera të shqiptimit poetik, të tërheqë të tjera kategori korrespdonduese kuptimore. Për dallim nga shumë poetë, Hajdin Morina preferon atë poetikë që afirmon thellësitë e gjerësitë e jetës e të realitetit, për të nxjerrë dhe për të krijuar, së andejmi, sinteza të bukura lirike; synon t’i kthehet referencialitetit, botës së konkretësisë. Pikërisht botës së konkretësisë... prandaj kjo poezi i ruan lidhjet ndërkomunikues me lexuesin e të gjitha shtresave.
Do theksuar se hapësirat e atdhesisë së kësaj lirike marrin nuancime e forma interesante. Për poetin, atdheu është një, i bërë nga Zoti, kurse të tjerët nuk kanë se si ta krijojnë ndryshe. Ndërkaq poezia “( Nuk ) e dua atdheun”, me përdorimin e figurës së subversionit estetik, krijon një atmosferë sa ironike-satirike, aq edhe lirike, sa protestuese, aq edhe intime e shumëkuptimore:

Një fotografi me fytyrë Shqipërie
E pata fshehur dikur në mal e në mur
Për ta përqafuar larg syve të spiunëve...
Por…( nuk ) e dua Atdheun...
E si ta dojë atë Atrdhe që e përfytyrojnë armiqtë e tij, sojsorollopësh qi shpikin emra të paqenë të kombit e të atdheut... Për dallim nga libri i parë, ku nuk kishte një ndarje në cikle, po një larushi tematike, motivore e strukturore-tekstore; libri i dytë e ngërthen këtë ndarje në cikle, po kur ciklet shërbejnë vetëm si pika ndalese, si stacione lirike, për të hyrë në universin e njëjtë lirik: të atdhesisë, të luftës dhe thelbeve të qenies sonë nacionale... Mirëpo, habitshëm, si t libri i parë (pa cikle), si te libri i dytë, secila poezi mund të lexohet si tërësi më vete. E, megjithatë, të dy librat lexohen si një tërësi e bukur poetike. Te secila poezi dhe te secili varg do t’i ndjesh si unitetin e neo-eskpresionizmit lirik, ashtu edhe mbarështrimin konceptual të ideve, si koherencën stilistikore, ashtu edhe atë tematike e kuptimore, e, mbi të gjitha, lirizmin e ndjeshëm. Këtë tërësi dhe homogjenitet e sigurojnë edhe sfondi kohor, apo kontekstualizimi letrar, edhe sfondin harmonik i botës tekstore. Në këtë mënyrë endëzohen e bëhen një teksti poetik i H. Morinës dhe konteksti: gjithë elementet tekstore korrespondojnë me faktet konkrete nga realiteti jetësor, kurse vepra poetike do të ngrihet, së këndejmi, në totalitet konkret e dinamik, sikundër do të thoshin tekstologët modernë. Kjo do të thotë se fjala poetike dhe vargu i Morinës janë krijuar mbi parimin e të folurit me kursim, do të thoshim: mbi parimin e dendësisë së thënies lirike. Të duket sikur ato thënie përafërohen me formula lapidare ligjërimore, të kërkuara me mund krijues.


3. Teksti poetik, model i realitetit

Poetikë më vete te poezia e H. Morinës, përbëjnë edhe sfondi kohor, apo kontekstualizimi letrar, ku vendoset makrostruktura tekstore (vitet ’80 e këndej në librin e parë dhe lufta e paslufta në të dytin), me gjithë shenjimin edhe të rrethanave të komunikimit artistik në vetë aktin poetik. Pra, nga sfondi kohor (nga situata e krijimit të teksteve) autori ka kaluar në sfondin harmonik të botës tekstore. Në këtë mënyrë endëzohen e bëhen një teksti poetik i H. Morinës dhe konteksti: gjithë elementet tekstore korrespondojnë me faktet konkrete nga realiteti jetësor, kurse vepra poetike do të ngritet, së këndejmi, në totalitet konkret e dinamik, sikundër do të thoshin tekstologët modernë. Të vërehet, pra, se teksti poetik i Morinës nuk është emfatik; ai është edhe “model i realitetit”, edhe pjesë “ e një sistemi më të gjerë modelativ, i literaturës” (Lotman), tek e ngërthen si strukturën tekstore, si atë jashtëtekstore. Po e saktësojmë: pos kontekstit, teksti poetik i tillë e ngërthen arkitekturën; njëri tekst poetik e “interpreton” dhe e përplotëson tjetrin; poezitë dialogojnë me njëra-tjetrën, po edhe me kohët e me tekstet e përparshme. Domethënë: raportet e intertekstualitetit përcaktojnë edhe anët kuptimore të tekstit.

Freitag, 10. Juni 2011

Majlinda Rama: LIRIZIMI NË POEZINË MODERNE

LIRIZIMI NË POEZINË MODERNE

 (Poetë shqiptar dhe të huaj)

  Nga:  Majlinda RAMA

Lirika nuk është një konvencion i instrumentimit magjepsës të Orfeut. Ajo është një gjendje, një formë, një përmbajtje, një shprehësi  shumëplanëshe  me një rezonancë të palimituar figurative, ku fjalët tejshtyhen përtej planit fjalorik dhe anës konotative. Qysh ku francezi Bodler do të botonte ‘Spleen”, poetika botërore do të njihte një tjetër diskurs, jo vetëm për faktin se Bodler ishte emfatik ne poezinë e tij, por edhe estetikisht vargu njohu një hop cilësor.
Dhe poezia, aq më tepër ajo lirike, ka një shteg diapazonal që bëhet karakteriale jo vetëm për bardët e këtij lëvrimi, por për këdo që synon të lirikojë. Le të marrim ngasje ilustrative. Përmes titullit oksimoronik “Vdekje e ëmbël”, poetizimi i Bodlerit vargon: “Aty në një copë truall plot humus e kërmij/ Do desha ta gërmoj gropën time thellë vetë…/ Të flija në harrim si peshkaqen nëpër dallgët”. Në një mjedis ku nuk ka zbrazëtirë, por është cepëtira ku “...trupi pa shpirt vdekur mes të vdekurish” sfilon torturat.
Shpesh është vënë re një tendencë e përdorimit të elementeve komparativ përsa i përket poezisë lirike në kohë, por kjo do të shërbente thjesht si indicje më tepër me vlera evidentuese të thata. Ka një paralele midis lirikës dhe percepsionit të konceptit “poezi”. Shkëpusim një vlerësim të Lamartinit, i cili, te “Fati i poezisë”, do të ciklojë: “Poezia është ndjenjë dhe ndijim, shpirt dhe materie; kjo është arsyeja që shprehëse e saj është gjuha e përsosur, gjuha shkëlqimtare, që e pushton njeriun tërësisht dhe plotësisht, është ide që përshkon tejembanë qenien njerëzore, është ndjenjë e shprehur përmes shpirtit, është figurë e selitur në imagjinatën e njeriut, është muzikë që të ledhaton veshin”.

Assesi nuk duhet perceptuar skrupuliteti me termin “lirikë”. Poezia ka kodin e vet komunikues me lexuesin, herë lehtësisht i dallueshëm dhe herë - herë pakëz i vështirë, por gjithsesi ekzistues. Një poezi flet jo vetëm përmes fjalës, por edhe efekteve tingullore dhe ritmike, duke krijuar kështu një ndjesi mbresëlënëse si në të lexuar, ashtu dhe në të dëgjuar. Tingulli, fjala, imazhi krijojnë trialen e ngjizjes së vargut, duke komponuar sinkretizëm dhe duke i dhënë poezisë formësimin e duhur. Mendimi poetik ka një shtrirje komode përmes rrjedhës logjike të ligjërimit dhe, për anën e shprehësisë, shërben figuracioni letrar që kompleton tharmin poetik. Heroi i poetit lirik është në lëvizje, jo gjithherë një hero i tipizuar në konkrete, por edhe në abstrakizëm, mbishfaqur e nënshfaqur në trajtëza të ndryshme: një fijëz bari, një gjethe e biskuar në sythin e parë të pranverës, lumi që dredhon zallishtes, kërkërimat e degëve të rrapit të qëmoçëm, teli i këputur i kitarës apo një mace e përhitur në shkallëparën e pragshekullit…Gjithashtu, është rasti i volitshëm të kujtojmë se “…poezia është magji që, për një çast, dhe pas një fjale të vetme, bën të shfaqet në botë”, - siç do të shprehej Gyjo në veprën e tij “Arti në këndshikimin sociologjik”.
Poetët lirikë modern na shfaqen si gjenerata më e gjallë, më shprehëse, më emocionale. Tingulli që zbret prej këtij vargu, është i mbrujtur me një frymë e  cila depërton përmes natyrës dhe mendimit të kristaltë. Vargu i kësaj rryme  ka një mendim asociativ, ku mrekullitë shprehen në fare pak fjalë. Poezia lirike moderne shestohet si e tillë, kulmatike. Ajo ka një trend drejt lidhjes së anës grafike me atë të shprehësisë, duke u përpjekur që mesazhi të impostohet qoftë dhe me anë të vlerësimit vizual. Por, lirika moderne e tejshtyn dhe zgjeron këtë nocion, përtej stadit konservativ. Ajo i jep mundësinë lexuesit që të marrë detajet e mjaftueshme dhe, pastaj, të jetë vetë ai, lexuesi pra që, sipas imagjinatës së vet, të ndërtojë në mënyrë eksklamative ose jo, botën e pafundme lirike realo - fiction.

Më mendjevjen këtu vargu i poetit amerikan Wallace Stevens: “Bota juaj jeni ju. Unë jam në botën time” - Kjo nuk duhet parë vetëm si klithmë e filozofisë së papajtueshmërisë, por edhe si një koncept kufijsh vizional. Nuk është as përplasje në bazë numrash (“JU” - “UNË”), nuk ka as “ju” të politesës (secila veç e veç e të gjitha së bashku), por poeti përdor ndarjen e “botëve”, duke dashur të mbrojë hierarkinë “Bota ime”, pa “…diellin që duket si kënetë e zezë” të një bote tjetër.
Në “rravgimin” lirik të poezisë së Marianne Moore, nuk ka sesi t’i përvidhesh vargut: “Deti është një koleksionist” apo togut emërzues të epitetit metaforik “sy grabitqar”, të shprehëtirës “gjeldeti - smerald” etj. Moore është një personazh i njohur i letërsisë, vlerësuar me çmime të ndryshme prestigjioze, si: “Bollingen”, “Pulitzer” etj., një poete që nxiste ideaturë, imazhime, mbështeur mbi një gjuhë saktësisht të thukët figurative dhe konkludim të qartë mesazhpërçues. Për Moore, në një ese të shekullit të kaluar, William Carlos William do të shprehej: “…ajo e ndjen veten vorbull të ngjarjeve të mëdha” dhe vargu me pak fjalë: “Deti është një koleksionist”, krijon një sintoni të paqtë me atë që përbën shpirtin poetik: kaltërsi, thellësi, akumulim, artikulajë, frymëzim, ondulacion, vibrim, shtijëz, botë e dallgavitur me vargun në buzë...
 Madje në Amerikë, poezia  moderne e lëvruar aty rreth viteve  1900 deri 1940 e më pas, deri në ditët tona, na rikujton se këto nota kanë tingëlluar si metafizikë, duke synuar të shpjegojnë në varg natyrën e qenies dhe realitetin. Kjo praktikë solli një erë të re ndryshimi, duke renduar mes shpirtit të poetit të lirë dhe lëndës.
Mjafton të kujtojmë këtu poetët: amerikanin Wallace Stevens, me krijme si: "Sunday Morning","The Snow Man", etj,  Marianne Moore, Hart Crane, Robert Frost, Mina Loj etj., të cilët thyen rekorde krijuese në skenën bashkëkohore letrare. Por kjo vlen edhe gjermanin Gottfried Benn, spanjollin Federico Garcia Lorca e shumë të tjerë, të cilët  në kohë të ndryshme rritën ngrehinën  e lirikës. Kjo armatë poetësh lirikë në letërsinë botërore, duket se vjen më elokuente në vargun e tyre  me meditime krijuese mbi natyrën, krijimin, familjen dashurinë, duke ofruar njëherazi edhe një pasuri shpirtërore. Këta poetë  na vijnë më sensitiv dhe, herë - herë, vargu i tyre jep mesazh udhëzues e praktik dhe përjetohet njësoj prej lexuesit.
 Elizabeth Bishop, poetja amerikane, lindur në Worcester Massachusetts më 1911, e cila me të drejtë është  konsideruar si një nga poetet më të rëndësishme dhe të shquara amerikane të shekullit të XX, fare natyrshëm derdh në letër këto vargje: “Në  6:00 ne jemi duke pritur për kafe,/ duke pritur për kafe dhe thërrime bamirësie/ që do të ishin shërbyer nga një ballkon / si mbretërit e vjetër, ose si një mrekulli. Ajo ishte ende errët./ Një këmbë e diellit,  në një gurgullimë të gjatë në lumë”….
Pra, ku qëndron e veçanta e këtyre vargjeve? Ato janë dehëse, shprehin me origjinalitet një çast, një gjendje, një mëngjes…
Vargu lirik troket vrullshëm dhe, për nga pikpamja ndërtimore e strukturiale, sjell  një dukuri përmasative. Për hir të së vërtetës, lirika moderne ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të letraristëve, por edhe të linguistëve, sepse kjo lloj poezie ka imazh, shenjëzon me anë të gjuhës, ka nocion, konvencionohet përmes tingullit dhe ngjyrave…
Kujtimi për diellin në zemër u mpak./ Bar i zbehtë./ Flokë të hershëm dëbore që larg / Era po nget”, - shkruan kështu Anna Ahmatova, rusja e famshme që, ndonëse u kritikua për akmeizëm , u nderua me çmimet “Honoris Causa” dhe “Etna Kaormina”.

Poezia lirike ka një rrjedhë e natyrshmëri më dinamike. Motivet vrulltojnë perceptimin më konkret dhe lexuesi është më i predispozuar drejt kësaj lloj poezie.
Nëse do të ndaleshim te poeti zviceran, Andri Peer, ai ka një mënyrë tepër të veçantë, të natyrshme dhe të thjeshtë të ndërtimit të vargut, duke krijuar ura komunikimi fare të lirshme me lexuesin e  tij. Le të citojmë prej Peer, katrenën:
“Unë të lashë që ti të ikje / e lehtë dhe ajrore/ me parfum vishnjeje dhe tymi/ në buzët e tua gjysmë të mbyllura”.
Lexo, sa me natyrshmëri: “ …parfum vishnjeje dhe tymi”. Është një ikje. Ajo, e lehtë dhe ajrore… Po pse parfum vishnjeje? Sepse dashuria purpuron all; e kuqe dashuria dhe po kështu parfumi. Jo vetëm aromatisës por edhe vishnje, ndërsa tymtaja mbështjell mistershëm gjithë atë ikje me “…buzët e tua gjysmë të mbyllura”. Lehtësisht kaq e perceptueshme dhe e thjeshtë kjo e poezi e Peer-it.

Lirika europiane e shekullit XX ka hapur për lexuesin një tjetër dritare komunikimi letraristik. Ajo nuk solli ndërlikime. Ishte e thjeshtë dhe pa konstruksion kompleksual, ndonëse ka edhe autorë të tjerë që, megjithëse implementojnë vargun modern, bëhen edhe programatik, edhe të vetëkontrolluar.

                                                *    *    *   

E nisëm me poetët e huaj për të mbërritur tek ajo që ka gjetur një simbiozë dhe sikronizim të paqtë edhe në letërsinë shqipe. Mjafton të përmendim emra tingëllues, si: Lasgush Poradeci, Martin Camaj, poeti kosovar Azem Shkreli, Ali Podrimja apo Frederik Rreshpja, poetë këta aspak të dogmatuar, nga ndikimi  i RealSoc-it dhe asfare konformal. 
   
“Nga Camaj te Camaj” - do të formulësoja një titull që “religjion” artin e lirizmit modern të poetit të njohur shqiptar që jetoi në kapërcyellin e një kohe të vështirë për fatet e vendit. Profesor i katedrës së gjuhës shqipe, “shejzëtar” te “Le Pleadi”, Camaj sintetizon në shumëplanësi një poezi lirike që bëhet shpeshhershëm referenciale për studiuesit dhe kritikët. Poezia e shkruar para viteve ’90 - të të shekullit të kaluar nga shqiptarët përtej Shqipërisë, pati dhe “privilegjin” që u shpreh lirshëm dhe pa indikesat ideologjike të sistemit të kohës të instaluar në vendin tonë. Kësisoj, poezia e Camajt shndërrohet në “orën e kohës” që nuk i ka ndalur rrahjet e tik - takjes në asnjë dekikë. “Poezia e Martin Camajt, në çdo ind të saj, është poezi shqiptare; që nga largësia ku ishte e paracaktuar të krijohej, ajo fokusohej drejt hije - dritave të universitetit shqiptar, të cilat i kalonte pastaj aq imtësisht në kaleindoskopin e vet të papërsëritshëm që ishte edhe fyell, edhe organo, edhe arkaikonaivist, edhe modern”, - vlerëson studiuesi Ymer Çiraku mbi veprën poetike të Camajt. Për hir të së vërtetës, lirika e Camajt përfshin Shqipërinë e pacak, duke u mbështetur në vulgun e trikohësisë: dje - sot - nesër. Brenga e Camajt ka një timbrim të veçantë, një rrekje e prajshme për t’u ngjitur në cakun e komunikimit të brezave, të elementimit të përcjelljes me natyrshmëri të fjalës së skalitur: “Ndëgjo, ti djal, pse na jemi pleq”, për të synuar drejt mesazhit të qartë të stafetës apo sjellja e një poezie me një botë të qashtër, ku kodatura e asaj që përcjell poeti, merr vlera sentencore, duke u shpërshfaqur si antologji të padiskutueshme e pakundërshtueshme didaktike: “Por bijve të mij un kam u thanë tu’ u rritë:/ Mos shkelni n’bukë,/ Mos pështyni n’zjarrm,/ Mos pështyni n’dritë!”. (Poezia “Besimi ynë”). Buka - Zjarri - Drita - një konotacion “triniteti” mes një “tercine” moralizuese të Camajt… Poeti mbeti atje, tej Atdheut, nëmur e ëndërrimtar, liriku i papërsëritshëm, duke skalitur vargjet tharmues dhe emblematik: “Kur tallazi të bijë në pushim/ e njimij bimë ujse kryepezull të përshëndesin ngjyrat e agut/ due me u kthye në jetë buzë ujit të kthjellët/ që e njoh si vehten”, - kjo është brenga e Martin Camajt për mungesën e dheut mëmë te poezia “Kthimi”…Ai ishte liriku që shkroi shqip, frymoi shqip dhe përcolli artin poetik në të gjithë komponentët e duhur dhe i treti hapësirat përmes fjalës, duke bërë dhe që gegërishtja të fitojë nuanca të reja shprehëse.

Nuk kish se si të mbetej jashtë vëmendjes poeti Frederik Rreshpja, një nga zërat më virutalë të lirikës shqiptare të fundshekullit të kaluar, por jo vetëm. Rreshpe ka një varg të veçantë, të mbushur gjithë klithmë e dhimbje, një varg apostrofik që vajton me kujën e erës që cijat xhamave të akullt të ditës së ftohtë gri:
Një pemë në horizont si një njeri i braktisur./Bien shirat mbi vetminë e saj./Tringëllijnë telat e shiut/kur i bie violinës era”.
Pema e vetmuar, njeriu i braktisur, shira që pushtojnë trup peme dhe tela të këputur shiu mbi “viloinimin” e erës - kjo është poezia e Rreshpes që, nëse do t’i shtohej një fjalë tjetër, do t’i zbjerrej mrekullia ndërtimore.

Ndërsa vargjet e Podrimes bien aromën e dashurisë për tokën, vendlindjen, dheun e mëmës dhe të babës, cakun e të parëve, gurin e varrit, truallin e larë me gjak…
“Unë, biri yt, Kosovë t'i njoh dëshirat e heshtura,/t'i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,t'i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet…”.

* * *

E shkruar në formë elegjiake, madrigal, vjershë meditative, eklog, stanca, epigrame, poezia lirike është dhe mbetet një nga format më komunikuese me lexuesin.

Vargu vjen i brishtë, i ashpër; i butë, por edhe i “sertë”; i tingullt, por edhe i memectë; i bukur, po edhe i mrekullueshëm. Ai bëhet rigëz çeltirës së kaltër  të letërsisë… Bie, ngjitet, lakohet, bëhet lidhëz, josh, grish “mëkaton”, kulmon, klith, belbet, trishtet e rend… Lirika ka thyer tribunalin e elitës dhe nektarit letrar. Ajo ka një shtrirje diametralisht universale dhe ka vesuar në të shkuarën, të tashmen duke shtruar traditën e së tejmes...


                                     10   Qershor, 2011

Donnerstag, 19. Mai 2011

Suzana Zisi:"Të jesh...Fjalë"

Promovimi i vëllimit poetik “Të Jesh…Fjalë”, Shtëpia Botuese “Ombra GVG”

Panairi i Librit
Ishte promovimi i parë i Panairit Ndërkombetar te Librit “Prishtinë 2011″. U zhviillua të enjten në orën 14:00 në datë 04. 5. 2011. Morën pjesë miq, lexues, dashamirës të poezisë, shkrimtarë, poetë, gazetarë, studjues si psh: Agim Vinca, Adullah Konushevci, Abdyl Kadolli, Behxhet Bici, Adem Gashi, Naim Kelmendi, Flori Bruqi etj…

Suzana Zisi
Promovimin e hapi Botuesi i Shtëpise Botuese “Ombra GVG” Gëzim Tafa i cili foli për librin dhe poeten Suzana Zisi duke theksuar vlerat artistike dhe estetike të vëllimit poetik dhe vlerat e padiskutueshme të poetes.
Prof. Agim Vinca bëri nje analizë të vëllimit poetik duke evidentuar vlerat, të vecanta, mesazhet dhe idetë që përcjell libri. Midis të tjerave Agim Vinca tha:
“Poetja ka një ligjërim poetik sugjestiv. Fjalët e saj shkapërderdhen si pikat e ujit. Ajo nuk synon ta imponojë mendimin e vet por e le që këtë ta nxjerre vetë lexuesi nëpërmjet komunikimit me tekstin poetik. Libri “Të jesh fjalë”, është një vëllim homogjen që ka një rrjedhshmeri, që ka një unitet.
Nuk ëshëe një përmbledhje vjershash të shkruara në kontekste dhe forma të ndryshme por nga poezia në poezi, kalohet rrjedhshëm, lirshëm, si të ishte një ligjerim i pandërprerë poetik për botën, për gruan, për dashurinë, për fjalën. Feja e poetes është FJALA, ndërsa atdheu, është DASHURIA. Këto janë dy koncepte themelore.
Libri i Suzanes meriton të lexohet pa e hapur ende. Eshtë titulli kaq sugjestionues dhe i thellë.

Libri me poezi nga Suzana Zisi

Poetja e identifikon veten me fjalën për ti bërë të qartë lexuesit se, ato që ato shkruan nuk janë të rastesishme apo të kërkuara. Janë shpirti i saj, idetë, filozofia e saj, dhe jo vetëm të saj por te brezi, kohës, jetës, vendit te saj, të cilat ajo në mënyre krejt të natyrshme i mpleks, për të prodhuar në kudhren e talentit, poezi, zëra, fryme, ide, filozofi, ndjenjë, dashuri dhe jetë…
Libri hapet me poezinë “Një fjalë për ty”.
Fjalë,
Thënë ashtu sic duhet,
Hieroglif që flet shumë
…”
Kjo është hyrja e poezisë. Ndërsa mbyllja është kjo:
Hieroglif i vogël që flet shumë
E gërme pas gërme bëhet poezi.
Rrënjët kapen fort tek unë.
Degët e heshtura të atyre që kurrë nuk i thashë,
Blerojnë tek ti…”
Tek këto vargje kemi dy figura poetike, dy metafora.
Eshtë nje dialog i përhershëm midis dy subjekteve: “rrenjet tek unë”, “degët tek ti”.
Eshtë ky një dialog i përhershëm për të gjetur pozitën e vet në hapësirë, për te gjetur edhe harmoninë me vetën.
Fjalën e quan hioeroglif, një shenjë e vogël por që thotë shumë…
Ashtu edhe Suzana në poezite e saj, flet pak por…nënteksti është i fuqishëm, ajo thotë shumë, levron me profesionalizëm fjalët, figurat poetike, idete dhe filozofinë, për të na thenë ato që ndoshta i kemi cdo cast para syve dhe nuk i shohim.
Instikti dhe syri i poetes, i kap, i përpunon, i vesh me petkat e mendimit dhe shpirtit te saj dhe na i jep ne që ti shijojme dhe të mendohemi, të përceptojmë dhe të gërmojmë më tej për të zbuluar varg pas vargu, thesarin që fshihet diku në thellësi të vargjeve.
Poetesha Suzana Zisi, është ende në kërkim të fjalës së saj të vërtetë poetike.
Me këto 4 libra dhe sidomos me këtë të fundit, ajo dëshmon që nuk është nisur rastësisht në udhën e poezisë.
Zëri saj ka ngjyren e vet dhe mund të themi me plot gojën që po bëhet njëra nga poeteshat më të spikatura teëpoezisë së sotme shqipe.
E përgëzoj Suzanën për poezitë e saj cilësore dhe unike njëkohesisht përgëzoj botuesin e “Ombra GVG”, , Z. Gëzim Tafa për befasinë këtij botimi cilësor jo vetëm nga pikpamja e brendisë dhe përmbajtjes por edhe e përgatitjes teknike.
Gjërat e bukura flasin vetë dhe nuk kanë nevoje për shumë fjalë. Le ta lemë librin e Suzanës që t’ju flasë me gjuhen e tij të artit poetik.”
Pra kjo ishte nje pjesë e fjalës së Agim Vinces.
Me pas, pati recitim poezish(nga Suzana), diskutime nga të pranishmit dhe pyetje drejtuar poetes.


Mittwoch, 13. April 2011

Pilo Zyba: NJË ZË I RI NË ORKESTRËN E POETËVE



Nga Pilo ZYBA

NJË ZË I RI NË ORKESTRËN E POETËVE

 
Në orkestrën e madhe të poetëve ka ardhur një zë i ri poetik. Emri i saj është i lidhur dhe me vetë artin poetik. Ajo quhet, Deshira, më ngjet se vetë emri i saj lidhet me dëshirën e saj poetike.Dëshira, troket në portën e madhe të poetëve dhe hedh në tryezë librin e parë me titull " Dashuri Ëngjëllore". Për ata që e njohin nga afër poeten, kuptojnë dhe ndjejnë duke lexuar se, në atë varg është vetë Dëshira dhe bota e saj e pasur artistike.Kuptojnë shpirtin e saj, brishtësinë, dëshirën dhe dashurinë e saj për artin poetik.
Autorja vjen në art e pjekur, e plotë në ato që shkruan, që ndjen dhe që shpreh nëpërmjet vargut të saj. Kjo tregon se ajo ka kohë që shkruan, por botimet ja ka lënë kohës dhe të ardhmes. Në librin e saj të parë duket talenti, por edhe aftësia e lartë krijuese.
Libri i saj i parë " Dashuri Ëngjëllore", është i përfshirë nga tre cikle të plotë dhe domethënës…kjo për arsyen e vetme, për të rrokur gjithë tematikën artistike dhe,
për të sistemuar ato në dritaret përkatëse, në mënyrë, që lexuesi të dijë ku ti gjejë, ti lexojë dhe shijojë sipas këndvështrimit që autorja u ka përgatitur...
Në ciklin e parë që mban dhe titullin e librit " Dashuri Ëngjëllore" poetja shpalos për lexuesin ndjenjat e saj shpirtërore.Ky cikël është i përfshirë nga 50 poezi që i këndojnë dashurisë,gëzimit, ndjenjës, trishtimit, dhimbjes. Të gjitha këto,janë parë në një këndvështrim orgjinal e të bukur, të shprehur me delikatesë dhe varg të ëmbël. Poezitë dallojnë dhe nga bukuria vizuale, dhe nga ngyrat që autorja përdor në ndërtimin e skeletit të tyre, por, edhe në atë të shprehjes së bukurisë së pemës poetike...duke shkuar më pas në frytin e pjekur të mendimit, dhe telajon e bukur të fantazisë dhe figurës letare.Ja si shprehet ajo në poezinë "Dashuri Ëngjëllore" :
Dua të prek ëmbëlsinë e buzëqeshjes tënde
Ta kem në shtrat, në mendimet e natës së vonë.
A e di qe çelsin e lumturisë time,
Pafajësisht i dashur, e mban ti në dorë?!

Në të bie në sy përfytyrimi i bukur poetik si dhe mënyra dhe forma e shprehjes artistike. Vargu është i punuar me kujdes dhe i gërshetuar me fantazinë dhe mendimin poetik. Poezia ka ngjyra të ndezura artistike, ëmbëlsi, rimë e ritëm. Mendimi, vargu dhe ndërtimi poetik janë në harmoni të plotë dhe kanë muzikalitet, bukuri në shprehje, dhe qartësi në realizimin e qëllimit të poezisë.
Në këtë cikël, Deshira, i këndon dashurisë dhe të gjithë ndjenjave të saj në mënyra të ndryshme.Në çdo rast i cili dallon nga veçoria dhe pesha e gëzimit apo dhimbjes, ajo përdor
veglën e saj artistike që i përshtatet kësaj ndjenje.Herë bëhet violinë dhe herë flaut i ëmbël, herë violençel e herë korno, herë pjanofortë e herë klaviçembalo, por në të gjitha rastet, qoftë me nota minore të trishtushme apo maxhore të këndshme dhe pranverore, Deshira shpreh bukur mendimin, ndjenjën dhe botën artistike të momentit poetik.Të gjitha këto vegla poetike të përdorura përbëjnë një orkestër të plotë, të bukur, të arrirë, e cila komandohet dhe drejtohet me kujdes dhe aftësi nga dirizhentja poete. Si më të arrira në këtë cikël bien në sy poezitë "Dashuri ëngjëllore", " Çmendurisht" " Zoti harrojë hënën të ndezë", " Skalita dhimbjen", " Magjike", " Shiu shtegëtar", " Aromë romantike", " Të vodha zemrën" etj.
Cikli i dytë mban emrin e bukur dhe domethënës "Mozaik". Jo pa qëllim është vënë ky titull, pasi, vetë cikli është një mozaik i bukur artistik. Në të bëjnë pjesë poezi të cilat rrokin jetën e përditshme si; vëndlindja, jeta në emigracion, marrdhëniet familjare, meditime, ëndërrime, ato prindërore dhe ato kombëtare.
Autorja, me këndvështrimin e saj origjinal, nga dritarja e saj poetike e shikon botën me një sy poetik të veçantë. Ajo, mbresat e marra, i fut pastaj në punishten e saj artistike dhe i kthen me art në pëlhurë, triko, kostume të bukura poetike, që ti shikojë, t’i lexojë dhe shijojë lexuesi. Në këtë cikël bie më shumë në sy aftësia e autores për të parë, përzgjedhur dhe ngritur në art tematikën që ajo mendon se është pjesë përbërëse e shoqërisë, dhe individit që duhet të nxjerrë në skenën poetike për të parë dhe shijuar të gjithë. Këtë e bën me vërtetësi, pa shtirje, pa fjalë të tepërta, por me bukuri të
fjalës e të mendimit poetik dhe të ndërlidhjes së temës me jetën dhe anasjelltas.Poetja është e pakët në fjalë, por e gjerë dhe e larmishme në mendim e tematikë. Ajo i jep liri vargut e mendimit, nuk i krasit frazat dhe as fjalët por i lë të lulëzojnë brënda poezisë ashtu si ato janë, pa i kornizuar, çensuruar, për të prurë mendimin poetik atje ku dëshiron.Çdo gjë rrjedh natyrshëm nëpër gjelbërimin e pyllit poetik, duke fituar bukurinë dhe veçorinë e lulëzimit dhe aromën e shijes e të mendimit artistik.Ja si shprehet, Ajo, te poezia "Ëndërroj":
Shumë mirë ndjehem sot,
Si një pupul mjaft e lehtë,
Që fluturon në hapësirë
Dhe ndalet aty ku do vetë.

Fjala duket e zakonshme, por vizioni poetik është shumë i ëmbël, ka brënda tij ngjyrat e bukura të ndjenjës, për të shprehur botën e gëzushme shpirtërore, gjallërinë e jetës që lëvron në arterjet e poezisë.
Në këtë cikël dallohen si më të arrira poezitë, " Vëndlindja ime". " Babait". "Kurbeti", "Ëndërroj", "Emigranti", "Për nënën", " Fotografia" etj,etj.
Cikli i trete dhe i fundit mban titullin, "Prozë poetike", veçori tjetër e autores. Në këtë cikël bie në sy një veçori tjetër e Deshires: Ajo mendimin e saj poetik e shpreh jo më në poezi, por në prozë. Në prozë, por që në të vërtetë është një poezi me shtrirje më të gjatë dhe më me fantazi poetike. Fantazia është e thellë dhe e shprehur me mjeshtëri përsa i
përket fjalës së zgjedhur, dhe dëshirës së autores për të shprehur atë që ajo mendon, me nota sa më të larta artistike në pentagramin e saj poetik. Dhe ajo e arrin këtë si një poete e pjekur dhe me një qëllim të largët dhe të pasur artistik.Të dyja poezitë poetike bien në sy për aftësinë që ka poetja në ndërtimin, zbërthimin dhe hedhjen në letër të artit që mendon.Dhe këtë e bën me kujdes dhe aftësi profesionale, me shije dhe aromë poetike, pa u penguar në rrjedhën e mendimit, të frymëzimit, por dhe të hedhjes së të dyjave në faqen e bardhë të letrës.
Pra, po ta marrim librin si një të tërë, ai ngjet me një ekspozitë të pasur, e cila i ka brënda dhe tematikën, dhe bukurinë, dhe artin poetik, por mbi të gjitha ngjyrat poetike të arrira premtuese për të ardhmen.
E vërteta është se, Autorja në fjalë, dëshironte që në libër të përmblidhej edhe një cikël me poezi në gjuhën greke që ajo ka botuar herë pas here në organet ditore e mujore që botohen në greqi, por, Unë nuk pranova.Kjo për të vetmen arsye, për të mos i prishur kësaj ekspozite hijeshinë, ngjyrat dhe bukurinë që ka.Poezitë në gjuhën greke do botohen në një libër më vete për lexuesit që i përkasin asaj.
Me këtë rast i urojmë autores, rrugë të mbarë në maratonën e gjatë të artit poetik. Dhe mendojmë se flauti i saj shumë shpejt do zërë vëndin që i takon në orkestrën e madhe të poetëve.