Freitag, 14. Dezember 2012

Halil Haxhosaj: VARGJE KUSHTUAR KËPUTJEVE TË KOHËS


VARGJE KUSHTUAR KËPUTJEVE TË KOHËS

Sejdi Berisha: “Vargje të këputura”, poezi, botoi “Club Kultura”, Pejë, 2012.




Krijuesi, Sejdi Berisha botoi veprën e tij të 30-të me radhë me titull pak sa të pikturuar me ngjyrën e një përkushtimi, i cili simbolikisht lidh me “vargje të këputura” nyjat e historisë 100 vjeçare të shtetit shqiptar. Andaj vepra është përkushtim i këtij jubileu, i cili sivjet shënon këtë datë historike të këtij shteti kështu siç është, i cunguar, i gjymtuar, që mund të thuhet edhe i pasqyruar vetëm me një krah të shqiponjës, simbol i flamurit kombëtar. Mbi këtë koordinatë, poeti ndërthur tërë lëndën e vet poetike, duke e përbiruar nëpër të gjitha të çarat e kohës që nga fillimshekulli i kaluar e deri në këtë fillimshekull të ri, i cili mëton që dekadat e para të tij t’i mbarështojë duke i pagëzuar dekada të shqiptarëve. Këtë kërkesë e ndeshim edhe në vargjet e poezive të përmbledhjes “Vargje të këputura” të Sejdi Berishës.
 


 Koncepti i rrëfimit artistik me vargje

Ky vëllimi poetik ka strumbullarin e vet të ndërthurur nëpër hallkat e historisë së ndërtuar në shekujt e kombit dhe të shtetit shqiptar. Rrëfimi artistik i kësaj instance poetike rrëshqet nëpër frymëzimin e subjektit, i cili mëton ta pasqyrojë atë me ndjenjën intime artistike. Dhe kjo arrihet duke mos u ngatërruar me asnjë qëllim tendencioz me bagazh teprimesh të të rrëfyerit dhe me deklarime të tepruara. Për të shpërfaqur këtë, autori Berisha kalon nëpër gurrat e bollshme të bagazhit të vet frymëzues, duke e ngjyer pendën e tij aty ku më se shumti do të kullojë frymëzimi i gjetur, i shijuar dhe i shpërfaqur. Dhe këtë e sendërton duke e planifikuar ndërtimin e veprës nëpër gjashtë rrathët e qerthujve poetikë, që janë: 1. Bisedë me vargun tim, 26 poezi, 2. E pëlcas heshtjen time, 18 poezi, 3. Shekujt nuk mjaftojnë, me 16 poezi, 4. Unë kam etje dhe vetëm etje, 14 poezi, 5. Stinë të këputura, 8 poezi dhe 6. Poemë për bisedën e ngelur në fillim, më 10 poezi, të cilat pse jo mund të jenë edhe poema. Kjo arkitekturë artistike që shpërfaqet në strukturën e këtij vëllimi poetik shpesh mëton të identifikohet me intimen e intimitetin dhe me përjetimet e subjektit lirik, që në këtë rast është vet autori, Sejdi Berisha.
Poezinë e tij ky poet e shkruan për qëllim fisnik, sepse poezia është vet e fisme, është fisnike. Ajo është e vendosur në retinën e qiejve të kaltër me rreze të kristalta dielli që ngrohin dhe jetojnë deri në përjetësi. Andaj, kjo poezi specifike në këtë jubile të veçantë, ka patjetër shumëçka nga fëshfërimat e krahëve që shqiponjat e maleve tona këmbejnë me njëra tjetrën edhe pse në shumë dekada, kufiri i vdekjes nuk mund ta pengonte fluturimin e tyre andej e këtej pa shikuar fare për tragjeditë që mund të ndodhnin. Gjaku i shprishur i të së njëjtës zemër kombëtare edhe pse nuk qarkullonte lirshëm, ishte i kuq, ishte i valë, ishte i vakët dhe nuk kursehej nga trimat e heronjtë për ta derdhur në gjinjtë e kësaj toke për lirinë e saj aq të shtrenjtë. E jehona e kësaj rënie nuk pushoi kurrë derisa kufiri u bë vijë vetëm sa për të qenë:

Sa e dua Mollën e Kuqe
Kur e bashkoj me kokrrën e ullirit
Që piqet me ngrohtësinë e jugut
Që kuqëlohet me flladin e veriut


(Poezia: “Ti e paemër”, faqe 19)

Brenda përjetimeve dhe përmallimeve ka një sërë elementesh që kundërshtojnë dhe e plotësojnë njëra - tjetrën njëkohësisht. Në udhëtimin artistiko-poetik të poetit, Sejdi Berisha, drejt kësaj feste përkujtuese njëshekullore zhvishet pelerina e moshës dhe vishet ajo tjetra, e reja, ngase agimet e përgjumura nuk do të zgjohen kurrë më, sepse udha e jonë nëpër meridianët dhe paralelet e kujtesës historike nuk do të përdridhet më. Kjo s’ishte rrugë e lehtë për t’u kaluar, andaj nuk harrohet as gjurma e saj në histori, thotë poeti, sepse:

Qyteti im ...
Edhe po ndërtohet
Edhe po rrënohet
Stinët dikush i ka ngatërruar


(Poezia “Dritaren e përplasi furtuna”, faqe 53)

Për ta kundërshtuar këtë autori ndërton një kohë reale që sintetizohet më së miri në vargjet e poezisë. Brenda këtij konteksti kuptohet se poeti nuk ka qëllimin e as dëshirën të vajtojë për kohën e kaluar, por ai do të rindërtojë një kohë tjetër, andaj, kuptimi i vërtetë i saj duhet përkujtuar gjithmonë, për ta bërë atë aktive. Ky shndërrohet në një peng dhe mllef që e detyroi strukturën poetike të Sejdi Berishës të jetë e pamëshirshme me armiqtë e sunduesit, t’i godasë ata mu në ballë me armën e fuqishme të poezisë, metaforës dhe figurës poetike e letrare. Kështu gjuha poetike edhe simbolika marrin një fuqi të konsiderueshme shprehëse. Kjo qasje i jep mundësi autorit ta zgjerojë gamën e frymëzimit të tij stigmatizues, ta bëj më konkrete, pse jo edhe më të drejtpërdrejtë njëherësh, ndaj i sjellë poezisë një frymë emancipuese, por edhe luftarake kundër sundimit shumëshekullor, hipokrizisë dhe imoralitetit shoqëror që e ka mbytur shqiptarinë me shekuj. Poeti Sejdi Berisha nuk mund të pajtohet me absurdin që ishte dominues në jetën tonë historike. Në shumicën e poezive të këtij autori politika ekspansioniste dhe politikëbërësit e saj karakterizohen si sinonime të së keqes. Edhe pse aroma e gënjeshtrës përhapet, fryma e saj është larg nga portat e ëndrrës së njeriut dhe të vet poetit, ngase:

Tash e di
Asnjëherë s’të paskam njohur
As për të dashuruar
As për t’u gëzuar

për të vazhduar më tutje:

Tragjedia ime je
Me komeditë e botës
Tash të njoh
Jeta ime
Mashtruese e lezetshme
E njeriut


(Poezia: “Tash të njoh ...”, faqe 63)

Koha 100 vjeçare në vargje përkushtuese

Poeti dhe koha e historisë 100 e më shumë vjeçare kombëtare që ai krijon nuk ndihen asnjëherë të pushtuara, por përkundrazi brenda tyre ka aq shumë heronj që luftuan për të sa do t’i kishin zili edhe yjet e qiellit e të gjithësisë. Kështu krijuesi Sejdi Berisha aq sa flet me vargun e tij po aq bëhet edhe zëdhënës i atyre që punuan, luftuan por edhe u sakrifikuan, ranë dhe e derdhën gjakun e vet kundër padrejtësive dhe vendimeve të kancelarive të moteve për kufijtë e arbrit deri në ditët e sotme. Kjo përbën një nga vlerat e poezisë së tij. Kështu këto elemente në vetvete janë sa personale po aq edhe kombëtare, sa të fuqishme po aq edhe krenare për atdheun:

... Duke të kërkuar
Ty Atdhe në jetën time
Dhe jetën
Në Ty Toka ime
Kam ngelur
Vetëm duke kënduar ...


(Poezia: “Duke të kërkuar ...”, faqe 127)

Vargëzimi tash bëhet poetikë mbarëkombëtare sepse ai në poezinë me titull ”Jam këngë arbëreshe apo vazo e thyer (Në 100 vjetorin e Pavarësisë)” në mes të tjerash shkruan:

Njëqind vjet a është një shekull ...
Apo është epokë e para stinëve të tokës

Për të vazhduar më tutje:

E kam në damarët e gjakut
Kosovën tik-takun e zemrës
Çamërinë qortim historie
Shkupin pikëtakim madhështie
Ulqinin port asqerie
....
Preshevën e kam sy që loton kah Prishtina
Kullat e Oso Kukës beden trimërie
E Bjeshkët e Nemuna kurorë legjendash


Por kjo është vetëm si një ëndërr ende e parealizuar, sepse kufijtë e Shqipërisë që janë qëndisur nëpër kancelaritë e huaja apo të Botës së Madhe ende frymojnë njëjtë. Kjo ëndërr është një skalitje e endur në gjumin e gjatë 100 vjet, sepse poetit kur i ikën gjumi sheh se edhe ditën tjetër, pra në ditën e 101 nuk ka ndërruar asgjë dhe vargu nuk shprehu hiçgjë, sepse:

...
Asgjë nuk paskam thënë
O, vargu im
Sikur tash më doli gjumi
E, ëndrra ishte plot trishtim ...


(Poezia: “Jam këngë arbëreshe apo vazo e thyer” faqe 132)

Elementët që e përbëjnë gjuhën poetike të veprës “Vargje të këputura” të Sejdi Berishës arrijnë të ruajnë në vetveten ndjenjën dhe të vijnë gjithnjë në rritje, duke u veçuar nga të tjerët.

Kujtim dhe mos harrim për ardhmërinë

Poeti, shkrimtari, publicisti dhe krijuesi, Sejdi Berisha, pothuajse në të gjitha veprat e veta, por edhe në këtë e kundron fjalën si një formë artistike të manifestimit të ndërgjegjshëm të rregullave të harmonisë, duke e mbrojtur me respekt dhe dinjitet mos shkeljen e kodit të lashtë ilir e shqiptar, sepse ky është qëllimi dhe synimi i tij prej krijuesi. Dhe kësaj ia arrin me sukses e kënaqësi. Vargjet e këtyre poezive janë thesare përkujtimi për ardhmëri. Këto vargje janë perla të kristalta që gurgullojnë sikurse gurrat e krojeve të Ilirisë e të Dardanisë. Duke lexuar këtë opus kaq të pasur e kaq përkushtues patjetër se ndihet aroma e një kremte të madhe, e cila fisnikëron mendjen, trupin, por edhe begaton historinë tonë. Këtyre poreve qarkullon ngjyra e kuqe e gjakut të derdhur për shtetin shqiptar, i cili u mbjellë për ta korrur lirinë dhe pavarësinë. Por, diku-diku kjo tokë ende nuk është ujitur sa duhet me liri, andaj në këtë shekull duhet që të shikohet mbëltimi tjetër farë për të. Mbase edhe kësaj duhet trasuar rruga edhe me vargje e vepra poetike, pse jo.
Vargjet e vëllimit “Vargje të këputura” të Sejdi Berishës bëjnë një shtrirje të gjithanshme për t’i mposhtur qëllimet dashakeqe të të gjitha kohëve, por pse jo edhe të kësaj në të cilën po jetojmë dhe po kremtojmë. Ky poet mëton që me vargje e figura të shkruaj një formë poetike të veten që është poezi edhe me elemente publicistike. Andaj vargu i poezisë së Sejdi Berishës ka ngjyrime të tilla dhe dallohet si veçanti e saj. Madje, forma e këtillë shkon duke u zgjeruar dhe poezia bëhet edhe poemë që autorit i jep mundësi të shprehjes tjetër më të shtrirë dhe më të zgjeruar. Ajo del nga pena e frymëzimit të tij dhe shtrihet në të gjitha shtresimet e truallit të shqiptarëve më i ndryshëm se më parë. Tashmë nga çatitë e përskuqura të shtëpive të vjetra nga lufta kanë filluar të rigojnë currila të kthjelluara. Nga figuracioni i kësaj poezie më nuk vjen si dikur erë baroti e gjaku, por aromë jete e gjallërie tjetër. Andaj poeti nxjerrë nga thellësia e shpirtit të tij kujtimin dhe mos harrimin që do të jetë shembull për një jetë tjetër, për një stinë të re, stinën e bashkimit kombëtar.


Marrë nga AlbPOETIKA ne FB


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen