Samstag, 30. März 2013

VUAJTJET ELEMENT SHPREHËS

 
 Mr. Muhamed ROGOVA:
 
VUAJTJET ELEMENT SHPREHËS
NË VEPRËN E BRAHIM AVDYLIT

Brahim Avdyli hyri mjaft i ri në letërsinë shqipe si poet me prirje dhe talent të veçantë dhe mjaft premtues. Me përmbledhjen e tij të parë poetike “Nën hijet e Alpeve” filloi rrugën e tij si poet dhe krijues për të vazhduar me disa përmbledhje poetike por edhe me shkrime në prozë të botuara kohë pas kohe në Prishtinë, në Tiranë por edhe në Perëndim.

Që në hapat e parë të krijimtarisë së tij dallohej për talentin dhje shpirtin krijues që premtonte shumë. Me botimin e përmbledhjes së parë poetike u prit mirë nga qarqet letrare dhe intelektualët e Kosovës me bindjen se nga ky djalosh do të na dilte një shkrimtar me perspektivë. Ashtu edhe ndodhi. Në të gjitha botimet e mëvonshme vërehej ngritja e nivelit të vlerave poetike dhe letrare duke trajtuar tema nga më të ndryshmet të realitetit tonë. Në pjesën më të madhe të krijimeve të tij përpiqet të paraqesë shqetësimet e brendshme të cilat diti t`i artikulojë dhe përgjithësojë duke paraqitur përmes tyre fatin, shqetësimet, brengat dhe preokupimet e popullit e në mënyrë të veçantë të rinisë kosovare të kohës.

Brahim Avdyli tani së fundi na vjen me këtë përmbledhje tregimesh “Lëvozhga e vdekjes” me një profil të ri letrar dhe me një pjekuri më të lartë krijuese.

Në këtë përmbledhje tregimesh autori na sjell trembëdhjetë tregime përmes të cilave paraqiten trembëdhjetë pamje të ndryshme të jetës së tij, të rrethit ku jetonte dhe të vetë popullit tonë në një kohë kur jetonte në mes të shpresës dhe të zhgënjimit të thellë, në mes të shpresës për liri dhe të dëshpërimit nga papunësia, varfëria, përndjekjet, burgosjet dhe vrasjet e shpeshta nga ana e pushtuesit, ikja masive e rinisë së Kosovës drejt Perëndimit me shpresë për të gjetur një jetë më të qetë e më të mirë , gjatë viteve tetëdhjetë e nëntëdhjetë të shekullit të kaluar.

Një pjesë e mirë e këtyre tregimeve ka karakter autobiografik, ashtu si e thekson edhe vetë autori në tregimin hyrës të kësaj përmbledhje, “Topitja”, por përpos përpunimit artistik që i bën autori Brahim Avdyli arrin të paraqes në mënyrë artistike fatin e një pjese të mirë të popullit tonë gjatë atyre viteve të vështira, sidomos të asaj pjese të popullsisë që ishte e lidhur me fatin e atdheut tonë dhe që i kishte rënë rrisku i vuajtjeve, i burgosjeve, i leçitjeve, përballja me varfëri e kurbet të hidhur ku përherë e ndiqte ai fat nopran.

Në pjesën e parë të kësaj përmbledhje, në tregimet “Topitja”, “Gështenja përballë diellit”, “Ngushtica”, “Buzëqeshja e tretur e një gruaje”, “Rrënjët e gjakut”, autori trajton fatin e rëndë të atyre familjeve të fshatrave tona në ato vite të vështira që e kishin lidhur jetën e tyre me fatin e atdheut dhe kishin ndonjë pjesëtar të tyre nëpër burgje. Ato familje jo vetëm që ishin të përndjekura nga ana e pushtetit pushtues, por përjetonin shpeshherë edhe një bojkot nga ana e të afërmve dhe rrethi familjar e pengesat më të mëdha i kishin sidomos prej njerëzve që ishin vegla të pushtetit e që fatkeqësisht nuk ishin të pakët. Në tregimin “Buzëqeshja e tretur e një gruaje”, autori me mjeshtëri arrin të paraqesë vuajtjet e një familje, sidomos të një nëne, djalin e së cilës e kishin burgosur dhe këtë grua fisnike por shumë fatkeqe në vend se ta ngushëllonin ose t`i ndihmonin në ndonjë formë, bashkëfshatarët, e sidomos ata që ishin të lidhur me pushtetin, hapë pas hapi e ofendojnë, e përbuzin dhe në fund edhe e dhunojnë në mënyrë të turpshme, të ndihmuar nga njerëzit e pushtetit me uniforma. E shkreta grua, në pamundësi për të mbrojtur nderin e saj para atyre bishave apo për t`u hakmarrë kundër njerëzve të pushtetit dhe hyzmeqarëve të tyre, vetëm derdh mallkime, e vetmja mundësi që i kishte mbetur.

Në tregimet “Ngushtica” dhe “Rrënjët e gjakut”, autori ngjarjet i shtrin në dy dimensione; në të kaluarën e lavdishme dhe heroike të të parëve të tij dhe në zvetënimin moral, kombëtar e social të kohës kur ai jeton. Në këto tregime autori me mjeshtëri artistike diti t`i gërshetojë elementin e reales dhe të ireales, ëndrrës dhe realitetit, takimin e të gjallëve me të vdekurit që ua përkujtojnë të kaluarën e fisit të tyre. Në bisedën që zhvillon me stërgjyshin e tij dhe me njeriun e mirë që i paraqitet me një mjekër të bardhë e të gjatë i rrëfejnë për heroizmin e brezave të përparmë dhe e këshillojnë për të vazhduar rrugën e tyre. Biseda që zhvillon me një femër, qenie mitologjike, e bukur, e veshur me të bardha e me flok deri në tokë të cilën personazhi i tregimit e quan “motër qiellore” ia përkujton luftërat, vuajtjet dhe vështirësitë e kaluara të të parëve të tij. Kjo formë e përshkrimit të përkujton realizmin magjik të kultivuar nga shkrimtarët latinoamerikanë. Autori ia ka arritur të paraqesë artistikisht elementin e reales dhe të ireales në shërbim të paraqitjes së idesë kryesore të tij, si “Gjurmët mbesin vetëm aty ku kanë qenë rrënjët e gjakut, aty ku shëtit hija e atyre që ranë për t`i mbrojtur trojet”.

Në një pjesë të mirë të tregimeve të kësaj përmbledhje paraqet fatin e rëndë dhe të hidhur të mërgimtarëve tanë nëpër shtete të Perëndimit, ku kishin qenë të detyruar të strehoheshin. Nëse Perëndimi reklamohej si vend i luksit dhe i mirëqenies, si parajsë për të rinjtë tanë të pashpresë, me qëllim të shpërnguljes sa më të madhe të tyre autori mund të themi se mbase është ndër të rrallët që e trajton këtë temë duke e paraqitur edhe anën e kundërt të medaljes: vuajtjet, përndjekjet, diskriminimin dhe poshtërimin që u bëhet mërgimtarëve tanë në Perëndim.

Viktima më të shpeshta ishte ajo pjesë e rinisë shqiptare që ishte e shtrënguar nga varfëria apo përndjekja e pushtetit për shkak të ndonjë aktiviteti kombëtar që kishte zhvilluar në vendin e vet. Me sakrifica të shumta duke u paguar para të majme agjencive turistike që kishin shpërthyer si kërpudhat nëpër tërë Kosovën, i drejtoheshin Perëndimit me shpresë se atje do të gjenin qetësinë, punën dhe mirëqenien për vete si edhe mundësinë për t`u ndihmuar familjarëve që kishin mbetur për shkak të robërisë fare pa mjete jetese. Këta të rinj që shfrytëzonin mënyra të ndryshme për të shkuar dhe shkonin pa dokumentet e nevojshme i priste një kalvar i vërtetë duke qëndruar ilegalisht dhe të shumtën pa punë. Zhgënjimi për personazhin e tregimit “Takimi me një engjëll të bardhë” shkon deri në atë shkallë sa ai vendos t`i japë fund jetës së vet me vetëvrasje.

Por ai vend i “luksit” nuk ishte i rëndë dhe i vështirë vetëm për azilantët apo “rezilantët” siç shprehet autori me ironi, por edhe për një kategori të vendësve. Këtë autori e shpreh artistikisht shumë bukur në tregimin “E vetmja natë me Rozën”, në të cilën përshkruhet takimi me një femër fatkeqe vendëse po shumë e varfër e cila kishte rënë në një zhgënjim të thellë nga realiteti i hidhur i asaj shoqërie të kalbur ku zot ishte bërë paraja dhe kishin humbur plotësisht ndjenjat njerëzore. Aty njerëzit i lidhte vetëm interesi.

Tregimi “Nëpër kthetrat e djallit” dhe ai “Në gojë të gjarprit autori paraqet vështirësitë pa mbarim të asaj kategorie mërgimtarësh, të cilët përveç punëve që bënin në ato vende, merreshin edhe me veprimtari kombëtare, të rinj që merrnin rrugën e mërgimit të shtyrë nga varfëria dhe mjerimi që kishte pllakosur vendin tonë gjatë asaj periudhe të rëndë kur pushtuesi po zbatonte masa të jashtëzakonshme në të gjitha fushat e jetës. Vështirësitë në të cilat hasin atje, që janë ndër me të ndryshmet, por edhe udhëtimet e tyre për në Perëndim ose anasjelltas ishin një golgotë e vërtetë për ta. Prandaj autori ndalet më shumë në përshkrimin e anëve të errëta të një jete të tillë të mërgimtarëve gjatë atyre viteve të rënda. Në të njëjtën kohë krahas morisë së vuajtjeve e të vështirësive të paraqitura nëpër këto tregime aty këtu shihen edhe xixat e para të një revolte të organizuar që nuk do të zgjasë shumë e do të shpërthejë edhe në Kosovë.

Autori me një pjekuri artistike ia arrin të realizojë këtë vepër letrare duke paraqitur një mozaik të tërë personazhesh dhe karakteresh nga më të ndryshmet në një periudhë shumë të rëndë historike përmes të cilës kaloi populli ynë. Përmes tregimeve të përmbledhura këtu me titull “Lëvozhga e vdekjes” autori prek në ndërgjegjen e të gjithë atyre njerëzve që u bënë urë e sistemit, kurse njerëzve të rezistencës iu ngreh një lapidar në kujtesën e popullit.
 
Marrë nga www.brahimavdyli.ch

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen