Mittwoch, 27. November 2019

Sadik Krasniqi: Poetika e reflektimeve emocionale

Salih H. Haliti, "Merr pak frymë nga fryma ime“ botoi Shoqata e Shkrimtarëve „Jakup Ceraja“ Mirovicë, 2019.

        Libri i autorit Salih H.Haliti, që po e përurojmë sot, është libri i dytë me poezi pas të parit me titull "Ëndërrim Diellor“.
        Duke u nisur nga vetë titulli i ibrit "Merr pak frymë nga fryma ime“, titull i formuluar me anë të një fjalie që është njëherit edhe një metaforë poetike.
        Fraza titullore, merr pak frymë nga fryma ime, konoton në një raport emocional ndërnjerëzor si domosdoshmëri jete. Nevoja e të marrit frymë nga fryma, realisht tregon një rast akut, por që poeti e shndërron në permanencë jetësie.
        Të gjithë lënden poetike, poeti Salih Haliti e estetizon përmes situatave, ngjarjve, gjendjeve. imazheve, mirazheve, të gjitha këto si kujtime, përjetime e vizione.
        Poetika e librit "Merr pak frymë nga fryma ime“ eshtë realizuar përmes një sërë figurash poetike brenda një strukture strofike me vargje të rregullta të rimuara,që tingëllojnë bukur.
        Prosedeu i librit është strukturuar përmes tetë nënndarjeve të titulluar bukur metaforikisht si: "Gjëma e gjuhës“, "Kurorë yjesh“, "Në globin e vetmisë“, "Fijet e shpirtit“, “Tingull i mbyllur“, "Tri lule për ty“, "Jargë patriotike“ dhe "Legjendare“.
        Cikli i parë "Gjëma e gjuhës“, përfshin poezitë me një tematikë që nga stërlashtësia pellazge, deri tek e sotmja. Cikli fillon me poezinë "Gjëma e gjuhës pellazge“ që është një himn për paragjuhën shqipe. Himn ky me ngjyrime solemne dhe madhështore me përmasa të një gjeografie të gjerë dhe një historie të lashtë: "Kjo gjuhë e bukur dhe e lashtë - gjuhë hjynore e Zotit“, -shprehet poeti. Në këtë cikël kemi përceptim, reflektim e përsiatje të autorit për situata e çaste të ndryshme në kohë dhe hapësirë.
        Poezitë të realizuara bukur në këtë kaptinë janë: gjëma e gjuhës pellazge, shkrumb kënge, kur kalërojnë ëndrrat, pikë loti etj.
        Poezitë e ciklit "Kurorë yjesh“ janë poezi kryesisht përkushtimore, kushtuar figurave të ndritshme kombëtare si Isa Boletinit, Bec Sinanit, Dem Ahmetit, Shën Nënë Terezës. Azem Bejtës apo siç e quan poeti Princi i Arbanisë, Shaban Palluzhës, Abedin Rexhës, Isbicës, Ramadan Dragës, Miradije Ahmetit si dhe Çamërisë. Duke qenë të ndjeshme këto poezi, shpesh kanë nuanca baladike.
        Me gjithë ndjeshmërinë, këto personalitete historike përshkruhen përmes figurave poetike me epitete, krahasime e hiperbola .

"Sa herë të dhemb krahrori
që të kanë coptuar,
klithma jote planetare
Godet zemrën e malluar" shprehet poeti për Çamërinë.

        "Globi i vetmisë“ janë një tufë poezish me ngjyrime të përmallta të një mërgimtari, andaj edhe vetë titujt janë një mveshje e bukur metaforike si, rrugë e humbur, guri dhe rrënjët, vrragë malli, glob vetmie etj.
        Këto poezi përmbajtësisht dhe metaforikisht përjetësojnë përmallimin e mërgimtarit.
"Fijet e shpirtit“ është një cikëk i bukur erotik. Erosin poeti ia atribuon të rinjve dhe botës së tyre të zhuritur nga dashuria. Koha e dashurisë te këto poezi përjetësohet, që nga koha e dashurisë epike të Penelopës deri te dashuria personale kushtuar gruas.
        "Tingull i mbyllur“ përbëhet vetëm prej dy poezive , që janë një intermeco me një pamje të bukur nga deti.

1.
        "Jargë patriotike“, është cikli i fundit autorial, në të cilin përfshihen poezi me tematikë nga realiteti aktual i njerëzve dhe dukurive të deformuara. Ndaj këtyre fenomeneve të shëmtura autori ka një qëndrim kritik. Kjo kritikë shoqërohet me ironi të thellë deri në parodi.
Pëgjithsisht libri "Merr pak frymë nga fryma ime“ është shkruar bukur, me kujdes dhe një durim prej një poeti të matur dhe të vetëdijshëm për aktin krijues.
        Tematika dhe motivorja jane të shumëllojshme. Në këtë libër gjejmë gjetje të bukura poetike të realizuara përmes figurave të ndryshme poetike si: epiteti, krahasimi, personifikimi, metonimia, por më së shpeshti sintagma të bukura metaforike si: shkrumb kënge, gjëma e gjuhës, kurorë yjesh, damar gjaku, eshkë e djegur, ashk shpirti, pikë loti, xixa shprese, glob vetmie, vrragë malli, fije e shpirtit, valle e zjarrtë, ura e ndezur, emblema e rrejshme, kurorë mjegulle etj.
        Kjo poetikë semiotike koordinohet bukur në shëbim të semantikës së motiveve dhe temave të lëndës si poezi në këtë libër. Poezia në këtë libër, strukturohet përmes vargjeve të rregullta me një konstante ritmike, kryesisht me vargje të rimuara, të cilat kanë ritëm me intonacion të bukur dhe harmonik. E gjithë poezia e kësaj përmbledhje realizohet më një gjuhë të pasur përmes një leksiku fjalësh mjaft të shumta si nga gjuha e unisuar por edhe nga ajo e gegërishtes. Kjo larmi tingëllon bukur.
        Libri "Merr pak frymë nga fryma ime“ karakterizohet edhe për bashkangjitjen e kënges kreshnike "Te kisha e kuqe“, në ciklin e veçantë "Legjendare“.
        Këngës kreshnike i paraprin një sqarim autorial i poetit, me të cili na bën të njohur me unikalitetin e këngës që është këngë e kënduar nga Sak Hamit Haliti (gjyshi i poetit ), këngë kjo që është mbajtur në mend nga vetë poeti dhe si e tillë e rishkruar në mënyrë origjinale.
Kënga është tipike nga ato të ciklit kreshnik, me personazhet legjendarë Mujin dhe Halilin dhe bëmat e tyre. Në krahasim me këngët e tjera të këtij cikli, këtu i gjejmë disa veçori të natyrës poetike me të cilat duhet marrë në një rast tjeter, më gjerë dhe më me detaje.
Duke parë pasionin e poetit Halit Hamiti për llojin e këtyre këngëve, si dhe përgjithsisht për letërsinë poullore e asaj artistike të Rilindjes lehtë hetohet ndikimi i poetikës së tyre në poetikën e vargjeve te dy librave të tij me poezi.
        Natyrisht që ky ndikim pasuron figuracionin e poezisë te ky autor, por që në të ardhmen me gjithë këtë adhurim ndaj tyre, autori duhet pasur parasysh ngritjen e individualitetit të tij krijues në librat vijues. Për këtë i dëshirojmë shumë suksese poetit !

Franfurt, 19 tetor 2019

* Ky vështrim u lexua gjatë përurimit të këtij libri në Panairin ndëkombëtar të 19 të librit në Franfurt.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen