Mittwoch, 30. Mai 2012

NËN SHENJËN E PËRTËRITJES ESTETIKE


DR. ANTON PAPLEKA 

 NËN SHENJËN E PËRTËRITJES ESTETIKE 


(Petraq Risto, “Lojë shahu në shekullin XXI”)
 


Tregohuni zemërgjerë, kur të na krahasoni
Me ata që qenë përsosuria e rregullit
Ne që kërkojmë kudo aventurën
Nuk jemi armiqtë tuaj
Ne duam t'ju japim në zotërim gjëra të çuditshme
Ku misteri gjithë lule i falet atij që don ta këputë
Atje ka zjarre të reja, ngjyra që kurrë s'i kemi parë...


                                                        Guillaume Apollinaire, Flokëkuqja e bukur

              I
Nga njohja disavjeçare që kam me poetin Petraq Risto, mund të them se ai është nga ata autorë që nuk janë prekur nga sëmundja e narcisizmit, që nuk e mbajnë veten si poetë kombëtarë dhe nuk i thurin vetes kurora vetëlavdatash. Duke qenë i tillë, ai i përket asaj kategorie krijuesish, të cilët dyshimi për atë që kanë shkruar i shoqëron gjatë gjithë jetës dhe motoja që do t'u përshtatej më shumë do të ishte kjo thënie e poetit spanjoll Juan Ramon Jimenez: "Vepra ime më e mirë është pendimi i përhershëm për veprën time."1 Mendoj se letërsinë tonë mund ta shpien përpara vetëm ata që kanë kërkesa të larta ndaj krijimtarisë së tyre dhe ndaj letërsisë shqipe në përgjithësi.
Prirja drejt një letërsie cilësore dhe moderne nuk përcaktohet nga ndonjë dekret hyjnor apo parlamentar, por ajo është një përmasë e brendshme e krijuesit, e cila lidhet ngushtë me talentin dhe me kureshtjen e tij të vazhdueshme për të njohur zhvillimet e reja letrare, eksperimentimet apo praktikat e ndryshme që janë shprehje e përtëritjes estetike të letërsisë. Studiuesja Michèle Finck i vë shumë rëndësi kësaj veçorie të poetit. Duke folur për poezinë e T. S. Eliotit dhe për atë të J.Bonnefoy-së, ajo shkruan: "Ja verdikti i Bonnefoy-së: shterpësia e botës (ajo e "terra gaste" apo e "tokës së shkretë") është vepra e një vetëdijeje që ka rënë pre e "moskureshtjes së zymtë", e cila gjetiu është quajtur "gjumi i keq" - domethënë një forcë vdekjeje që kërkon të na mbushë mendjen se bota nuk ka kuptim."2
Libri më i ri i Petraq Ristos "Lojë shahu në shekullin XXI" dëshmon se ky autor nuk vuan nga "moskureshtja e zymtë" bodleriane, përkundrazi ai përpiqet të ketë një informacion sa më të pasur që nuk kufizohet vetëm në qytetin ku rron, madje as me Shqipërinë. Një nga burimet kryesore të këtij informacioni janë udhëtimet e gjata e të largëta, të cilat dihet se sa shumë i vlerësonin modernistët. Jean - Marc Debenedetti shkruan: "Shumica e poetëve të Modernitetit ishin udhëtarë të mëdhenj; udhëtimet e tyre, ata i përjetonin si poema, duke luajtur si xhongler me horizontet dhe me epokat".3 Për Petraq Riston kanë qenë shumë dobiprurëse sidomos udhëtimet në Amerikë që i kanë dhënë lëndë për të krijuar tablo me karakter të theksuar modern: "Unë lëviz një oficer (jo të CIA-s, as të FBI-së)/ dhe e vendos në Central Park / Ti lëviz një kala në Wall Street, në Kuotën Zero / Obelisk të kullave binjake / Dy dhëmbëve të parë të rënë të Manhattanit po u vënë protezën".4
Krahas udhëtimeve që në të vërtetë janë lexime të kësaj Bible të madhe që quhet rruzullim, Ristoja shfrytëzon dhe burime të tjera informimi si librat apo mjetet e komunikimit masiv: "Merr një pus nafte dhe vendose në Gjirin Persik/ një ushtar prej kokaine vendose në Kolumbi/ mbretëreshë bëj Dianën në një tunel frojdian:/ të vritet nga që s'kishte frikë./ Dhe kuajt mbretërorë të hingëllijnë në zi."5 Ky autor nuk ngurron të futë në poezi edhe një mjet shumë modern, siç është interneti: "Çdo mbrëmje pas orës 8 me kodin Epidamus/ luaj shah në internet/ shah me një spanjoll, kinez, italian, brazilian/ me një rus, anglez, amerikan, indian/ shah: paralelet dhe meridianet krijojnë kuadratet/ një shah i përbotshëm me fatet tona".6
Shfrytëzimi i mbresave, i përvojave, i teknikave dhe i formave të reja i ka dhënë mundësi P. Ristos që ta përtërijë vazhdimisht poezinë e tij. Veç të tjerash, përtëritja estetike duket edhe në titujt e përmbledhjeve që ka botuar në vitet e fundit. Në strukturimin e librit "Lojë shahu në shekullin XXI", ai ka pasur parasysh lojën e shahut, e konceptuar si metaforë e atyre ligjeve të padukshme që përcaktojnë fatin e individëve apo fatin e shoqërisë njerëzore: "Çdo mëngjes marr një gur shahu në xhep (të bardhin)/ një gur shahu merr me vete (të ziun)/ dhe zbresim në Tiranën tonë me kuadrate:/ skakierë gjigande ngjyrë miu./ Lëvizja e parë: unë - një ushtar (të papunë)/ vendos te Ushtari i Panjohur/ Ti - një kalë të zi (si në Trojën pas Helenës/ te kali i Skënderbeut"..7 Në një tekst tjetër, skakiera metaforike ka përmasa planetare: "Unë lëviz ushtarin e qendrës te Kisha e Shën Gjergjit/ gjarpri i mëkatit ka ngrirë nën shtizë/ Të gjallët dhe të vdekurit/ në skakierën me kuadrate të historisë". 8
Përdorimi i rregullave të një loje si strumbullar i një vepre letrare nuk është një dukuri e panjohur në letërsinë botërore. Njëri nga romanet e Jasunari Kavabatës që titullohet "Mjeshtri dhe turneu i go-së" është strukturuar pikërisht sipas rregullave të "go-së", një lojë e ngjashme me lojën e damës. Ndërsa një autor tjetër, poeti belg Werner Lambersy-ja, në përmbledhjen poetike "Të zotët e shtëpisë dhe shtëpitë e çajit" (1988), si element strukturues përdor ritualin që ndiqej gjatë pirjes së çajit: "... ajo që duket qartë te libri "Të zotët e shtëpisë dhe shtëpitë e çajit", është se në qendër të kësaj përmbledhjeje gjendet ceremonia e çajit japonez, le shansyu, e cila i jep librit atmosferën, ritmin, pulsin e saj."9 Metafora e lojës së shahut ndeshet në ndonjë tekst të veçantë të poetëve që u përkasin hapësirave të ndryshme kulturore, siç janë J. L. Borges-i, M. Soresku apo Ch. Dobzynski, nga i cili po citoj strofën e mëposhtme: "Jeta e tij ishte skakiera / e një loje ku koha bën rokadë / e një loje ku ai luan me çdo veprim të tij / mati i padukshëm fillon".10
Loja e shahut si metaforë e përditësisë dhe e historisë është e pranishme në shumicën e krijimeve të librit, kurse në disa tekste përmendet në mënyrë të drejtpëdrejtë: "Lojë shahu në shekullin XXI",11 "Lojë shahu në New York"12, "Lojë shahu në Boston"13, "Lojë shahu në Uashington"14, "Lojë shahu buzë lumit (L)Ibër" etj...
Përveç rrafshin referencial apo konceptual, në përmbledhjen e P. Ristos, loja e shahut luan një rol të rëndësishëm edhe në rrafshin stilistik. Ka raste kur gurët e kësaj loje shërbejnë për të ndërtuar krahasimin: "Ime bijë më thotë se në New York jetojnë si gurët e shahut në katrorë".16 Në një tekst tjetër, me po këto elemente ndërtohet metafora: "Tek zbresim çdo ditë në New Yorkun e madh, / me gurët e bardhë e të zinj në xhep, / kuptojmë se jemi thjesht gurë shahu: të tjerë luajnë me ne"17.
Përqasja e jetës, e peripecive dhe e të papriturave të saj me lojën e shahut, i jep dorë poetit të krijojë situata dramatike si kjo që haset në poezinë "Lojë shahu në New York", ku ironia shndërrohet në humor të zi: "Unë mund të jem një oficer i degraduar nga gjeneral Asgjëja,/ ti mund të jesh mbretëreshë e kurorëzuar nga një Prometé. / New Yorku - lule hekuri mbi rrënjët e metrove gjithë jetën shah - sheh"18.
Në ndonjë tekst me ngjyra të theksuara tragjike, loja e shahut simbolizon një lloj fataliteti historik, pamundësinë e njerëzve normalë për të shmangur barbarinë e së shkuarës, e cila ia beh në ditët tona, për shkak se ndonjë nga lojtarët e kësaj loje që quhet ndryshe histori njerëzore, ka bërë një lëvizje të gabuar, ka mbetur rob i skemave që i janë ngulitur në kokë: "Luajmë / me qen që ndjekin fëmijë / me fëmijë të mbytur / të përgjakur / shah me tanke të bardhë e të përflakur / shah: ura ylber / ku e zeza me dhunë ka ardhur..."19.

II
Në librin e P. Ristos përfshihen disa përbërës që janë karakteristikë për poezinë moderne. Poeti është i vetëdijshëm se edhe në letërsi, ashtu si në sferat e tjera të shoqërisë njerëzore, vepron ligji i përdorimit dhe i vjetrimit: "Kjo që dje ishte e re / sot u bë e vjetër"20. Një vetëdije e tillë e ka shtyrë që të përpiqet në mënyrë sistematike për ta përtërirë krijimtarinë e tij, për t'u larguar sa më shumë nga ujërat e ndenjura të tradicionalizmit, domethënë të stanjacionit, të vlerave të tejkaluara dhe të teknikave të vjetruara. Duke e vënë theksin te domosdoshmëria e përtëritjes estetike, Vielé Griffin-i shkruante në shekullin XIX: "Arti nuk është diçka që vetëm mësohet, ai krijohet papushim. Ai nuk jeton vetëm nga tradita, por nga evolucioni"21.
Ashtu si për çdo letërsi të gjallë, edhe për letërsinë tonë përtëritja estetike është një problem jetik. Kundërvënia midis tradicionalistëve dhe modernëve, midis të vjetërve dhe të rinjve nuk ka marrë fund as në fillim të viteve gjashtëdhjetë, siç nuk do të marrë fund as në fillim të viteve dy mijë. Në gjysmën e dytë të shekullit XX, në kulturën tonë, kjo kundërvënie mori formën e një debati të politizuar, u trajtua në shkrime skematike që mëtonin të shqyrtonin marrëdhëniet midis traditës dhe novatorizmit. Jam i mendimit se edhe në kohën e pluralizmit politik e estetik, ky debat nuk e ka kapërcyer cakun e qasjeve të cekëta.
Duke analizuar këtë kundërvënie që është e pranishme në të gjitha ato letërsi, për të cilat janë të huaja amullia dhe monotonia, Thomas G. Pavel-i ka shkruar se "të vjetrit" e konceptojnë krijimtarinë letrare si prodhim të objekteve të reja, duke u nisur nga rregullat ekzistuese, kurse sipas "modernëve" krijimtaria prodhon rregulla të reja. Më tej, Pavel-i thekson se ky dallim është i pranueshëm kur rregullat për të cilat bëhet fjalë, kanë karakter gjinkues (genérative)22. Krijimi i rregullave të reja në art është shenjë e një origjinaliteti që qëndron më lart se sa përdorimi i rregullave të njohura prej kohësh.23
Në rastin e përmbledhjes "Lojë shahu në shekullin XXI", nuk kemi të bëjmë me formulime rregullash teorike, me ndonjë manifest poetik, por me një poetikë moderne të mishëruar në përbërës konceptualë dhe tekstorë.
1. Bota e sotme, shoqëria njerëzore konceptohet si një tërësi unike, pa kufij racash, kulturash, qytetërimesh apo shtetesh. Një ngjarje që ndodhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç qe sulmi terrorist i 11 shtatorit 2001, pati jehonë dhe pasoja që u ndien në tërë planetin: "Natën e parë në New York u shkrinë dy qirinj / dy flutura i shkrinë dhe shpirtrat erërat i përpinë / klithmat zgjuan Babiloninë."24 Më tej thuhet: "Brenda në një arkivol plumbi një ushtar prej mishi / në sytë pa jetë kish ngrirë loti i Shqipërisë".25
2. Ndonëse nuk përmenden gjëkundi miti i kthimit të përhershëm apo zhvillimi ciklik i historisë, në disa krijime lihet të nënkuptohet se disa dukuri apo ngjarje përsëriten, se, në një mënyrë ose në një tjetër, e kaluara është e pranishme tek e sotmja. Ky konceptim e shtyn autorin drejt teleskopimit të ngjarjeve, siç ndodh në poezinë "Prostituta Maria Magdalena": "Pasi Maria Magdalena puthi këmbët e Krishtit / mes lotëve iu falën mëkatet... / Maria Magdalena lëviz nëpër shekuj: metaforë pikëllimi / po asgjë s'ndryshon... / Maria Magdalena më kot lutet"26. Në poezinë "Sheherazada: 1001 netë pas 11 shtatorit 2001" thuhet: "Kryeveziri Xhafar nuk ka faj / faj kam unë dhëndrri i saj / i dhashë tri mollë arapit të zi, / tri bomba në formë molle... Faj kam unë, Babiloni"27.
3. Dihet se modernistët europianë të fillimit të shekullit XX kishin kultin e shpejtësisë dhe të makinës. Në Manifestin e futurizmit thuhej: "Ne deklarojmë se shkëlqimi i botës është pasuruar nga një bukuri e re: nga bukuria e shpejtësisë".28 Duke e komentuar këtë dukuri, kritiku francez Jean - Marc Debenedetti shkruan: "Në të vërtetë, shpejtësia nuk është e bukur në vetvete, por ajo të jep mundësi për të zotëruar botën. Përmendja e saj i modifikon horizontet, duke i dhënë njeriut një vizion unitar"29. Sipas këtij kritiku, falë shpejtësisë përftohet një nga elementet më të qenësishme të poezisë moderniste, siç është befasimi. Ai shton se shpejtësia e turbullon hapësirën, e modifikon gjeometrinë e saj dhe shpik një poezi të re, të çastit, e cila bënë që t'ia behë "befasimi".30 Kulti i shpejtësisë dhe i makinës zuri vend në poezinë tonë sidomos me përmbledhjen e Ismail Kadaresë "Shekulli im": "Në këtë shekull shpejtësish / Më shpejt se TU-104 / Më shpejt se sputnikët në fluturim, / Fluturojnë vjetët e tu, / Brezi im".31 Adhurues i shpejtësisë dhe i mjeteve moderne të transportit është dhe autori i përmbledhjes "Lojë shahu në shekullin XXI": "Dhe ne vrapojmë në drejtime të ndryshme / herë Kolombë, herë Magelanë, herë Piratë, herë Odise, herë Mobi Dik / Kudo na presin brigje të buta e brigje të rrezikshme"32. Një poezi e tij titullohet: "Me Boing dhjetë mijë kilometra mbi Atlantik"33. Shpejtësia dhe mjetet moderne të transportit përmenden në disa tekste: "Kur vij te ti: më ndihmon Toka në rrotullim / dhe kur iki: rrotullimi i Tokës më pengon / Kontinentet Babë - Bijë përshkoj me avion"34; "Anijet lundrojnë mes furtunaleve"35, "Unë eci / po koha më mund me supersonikët e saj spiunë"36.
4. Modernistët dhe më vonë syrealistët e huazuan nga Piere Reverdy-a përkufizimin që i kishte bërë imazhit poetik: "Imazhi është një krijim i kulluar i mendjes. Ai nuk mund të lindë nga një krahasim, por nga përqasja e dy realiteteve pak a shumë të largëta. Sa më të largëta dhe më të sakta të jenë raportet midis dy realiteteve të përqasura, aq më shumë ai do të ketë fuqi emotive dhe realitet poetik" 37. Një procedim i këtillë që ndeshet shpesh në përmbledhjen "Lojë shahu në shekullin XXI ", pa dyshim është një nga risitë e saj më të dukshme: "Ora qukapik / në trungun e kohës / krimbat e sekondave çukit"38. Edhe një figurë e thjeshtë si krahasimi të befason me ekzotizmin dhe origjinalitetin e saj: "Retë majtas e djathtas ndezin vetëtimën: / si koloni strucësh kur lëvizin qafat e gjata në ndërzim "39. Po kaq befasuese është edhe metafora që përdoret për fijet e barit: "Veç unë poeti i shtrirë mbi lapsat e thyer të barit "40. Kjo metaforë rimerret edhe në tekste të tjera, pa shkaktuar përsëritje: "Minaretë e xhamive dhe kambanaret e kishave: /lapsa që shkruajnë lutjet e përditshme në qiell/ pemët - lapsa klorofili shkruajnë poema drite/ dhe lapsa mishi çdo sekondë shkarravisin njerëz/ në mitër/ si në letër"41. Midis metaforave të shumta që ekzistojnë për malet në poezinë tonë, të befason metafora e mëposhtme, e cila të sjell ndër mend përkufizimin e reverdy-së për imazhin poetik: "...dhe malet në krah: papirusë që shkruheshin nga dielli"42. Nuk janë të pakta ato raste kur autori, me guximin e një modernisti të vërtetë,: shpërfill të gjitha klishetë e së kaluarës, duke përtërirë edhe imazhin që lidhet me objekte shumë të njohura, siç është hëna: "Hëna: Noea i thinjur/ timonieri biblik/ mbi Tokën e përmbysur"43.
Në disa tekste, metafora, e cila mund të konsiderohet edhe si kryefigura e përmbledhjes që po shqyrtojmë, i referohet mitologjisë klasike: "Kulla Eifel - shigjeta e ngulur te thembra e Akilit"44. Më rradhë, ajo i referohet edhe mitologjisë popullore: "Hëna: dhëmb i vampirtë ngulur në gushën e një reje"45. Në tekste të tjera, metafora ka referenca historike nga periudha të largëta: "S'është Ivani i tmerrshëm/ por nga thithka e Floridas - gji lope/ Uragani/ Ivan/ mjel frikë"46, apo nga periudha të afërta: "Kulla e Pizës: shishe vere më në fund u rrëzua e zhgënjyer".47 Në poezinë e P. Ristos, nuk mungojnë edhe metaforat që kanë referenca kulturore nga moderniteti letrar: "Hija ime - tulipan drite në një kopsht absurd"48.
5. Në kuadër të poezisë shqipe, krahas eksperimentimeve avanguardiste të Giuseppe Schiro di Maggio-së, do të zënë vend edhe kërkimet formale të ndonjë autori tjetër si Petraq Risto. Një eksperimentim i tillë, një teknikë vizualizuese që synon ta afrojë poezinë me pikturën është kaligrami, i cili, siç dihet, suksesin më të madh e arriti në krijimtarinë e Guillaume Apollinaire-it. Në kaligrame origjinale si "Litari i të varurit"49, "Ezra Pound dhe Kulla e Pizës"50 apo "Dialog shqiptar"51, karakteri ludik ndërthuret me një domethënie të ngjeshur.
Poeti i njohur Tristan Tzara-ja që mbahet edhe si themelues i dadaizmit, në shkrimet e tij teorike është shprehur se ka dy tipa poezish: poezia që shërben si mjet shprehjeje, domethënë poezia tradicionaliste, dhe poezia që është veprimtari mendore, domethënë poezia moderne52. Shumica e teksteve të përfshira në përmbledhjen "Lojë shahu në shekullin XXI" i përkasin tipit të dytë të poezisë, sipas klasifikimit që bënte Tzara-ja. Disa prej tyre kanë ngjashmëri me kërkimet poetike të ULIPO-së (Atelieja e letërsisë potenciale). Të tilla janë tekstet: "Gjenealogji"53, "Kombinim gjarpri dhe molle"54, "Karrigia e së vërtetës 4"55, "Lumi (L) Ibër"56, "Pandora"57, "Rëndësia e shkronjës P"58, "Tabu tabut"59, "Evropa: oratorio në tri kohë"60, "Logjikë pellazge"61etj...
Në këtë tip poezie, një rol të rëndësishëm luan anagrama, siç vihet re në këta dy shembuj: "Medea medet vëllain vret"62 ose: "Të paturpshëm dhe pëllumbat në Qeens / Më thanë se PEACE shqiptohet PIS"63. P.Risto ka shfrytëzuar me mjeshtëri edhe etimologjinë poetike për të shtuar karakterin ludik të tekstit: "Pellazg do të thotë Pjell në ag apo Pjell azgan"64, "Një tjetër tha se veç në Shqipëri / toka mëmë quhet dhe trojë (t'rroj)..."65 "Tungjatjeta krimb mëndafshi (mënd + afsh)"66. Etimologjia poetike fiton një dendësi të madhe kuptimore kur gërshetohet me ironinë apo groteskun: "Pushteti vjen nga fjala pushtë si etërit (apo Pushtët kanë etje? Pyeta unë)"67. Në një tekst tjetër: "Me lëkurën e Sheng(r)enit bëra një xhaketë", "Berlin, Berlin, Berlin / në pesë copa e pret Shqipërinë / Bjer(lind) / Bjer(lind) / Bjer(lind)...", "Romë Romë Romë / Gjergji ynë osmanët t'i ndali me taborë / (v)Romë (v)Romë (v)Romë"68.
6. J. M. Debenedetti ka shkruar: "Në të vërtetë, ëndrra është ajo gjendje mendore, me të cilën syrealistët janë orvatur të afrohen"69. Elemente të onirizmit janë të pranishme në disa tekste të përmbledhjes "Lojë shahu në shekullin XXI", të cilat janë shkruar sipas teknikës së ëndrrës: "Më në fund / nga bota e përtejme u kthye një njeri / i veshur si në ditën e vdekjes / me një karafil të kuq te xhepi i xhaketës të zezë / te xhepi sipër zemrës"70. Mendoj se me po këtë teknikë është shkruar edhe poezia "Raporti i parë i një jashtëtokësori për Tokën": "U ktheva nga planet blu: / kopsë në këmishën e Gjithësisë / Kishte ujë dhe minerale, kafshë, bimësi, / ca qenie gjysmë inteligjente / ulërinin lart e poshtë / pështynin lart e poshtë / asgjësonin dhe vetëasgjesoheshin71.
Me risitë e dukshme që përmban, jam i bindur se përmbledhja "Lojë shahu në shekullin XXI" e Petraq Ristos është një nga prirjet avanguardiste dhe një nga arritjet e suksesshme të poezisë sonë të sotme.

Referenca bibliografike
1. La poésie espagnola, Paris, 1963, f.243
2. Europe, juin-juillet 2003, f.197
3. La poésie moderniste, Paris, 1992, f.16
4. Petraq Risto, Lojë shahu në shekullin XXI, 2005, f.46
5. Po aty, f.50
6. Po aty, f.50
7. Po aty, f.45
8. Po aty, f.49
9. Werner Lambersy, Maîtres et maisons de thé, Bruxelles, 1988, f.149
10. Anthologie de la poesie française du XXe siècle, Paris 2004, f.346
11. P.Risto, vep. e cit., f.45
12. Po aty, f.46
13. Po aty, f.49
14. Po aty, f.51
15. Po aty, f.52
16. Po aty, f.54
17. Po aty, f.48
18. Po aty, f.18
19. Po aty, f.52
20. Po aty, f.29
21. La poésie symboliste, Paris, 1992, f.23
22. Solomon Marcus, La sémiotique formelle du folklore, Paris, 1978, f.290
23. Po aty, f.291
24. P.Risto, vep. e cit., f.121
25. Po aty, f.124
26. Po aty, f.118
27. Po aty, f.121
28. La poésie moderniste, Paris, 1992, f.12
29. Po aty, f.18
30. Po aty, f.15
31. Ismail Kadare, Shekulli im, Tiranë, 1961, f.79
32. P. Risto, vep. e cit., f.119
33. Po aty, f.56
34. Po aty, f.56
35. Po aty, f.75
36. Po aty, f.115
37. La poésie moderniste, Paris, 1992, f.15
38. P.Risto, vep. e cit., f.110
39. Po aty, f.108
40. Po aty, f.10
41. Po aty, f.29
42. Po aty, f.34
43. Po aty, f.32
44. Po aty, f.145
45. Po aty, f.162
46. Po aty, f.103
47. Po aty, f.159
48. Po aty, f.148
49. Po aty, f.14
50. Po aty, f.70
51. Po aty, f.97
52. Tristan Tzara, Poéte d'anjourd'hui, Paris, 1966, f.72
53. P.Risto, vep. e cit., f.10
54. Po aty, f.16
55. Po aty, f.27
56. Po aty, f.52
57. Po aty, f.61
58. Po aty, f.98
59. Po aty, f.10
60. Po aty, f.144
61. Po aty, f.107
62. Po aty, f.11
63. Po aty, f.48
64. Po aty, f.61
65. Po aty, f.155
66. Po aty, f.161
67. Po aty, f.99
68. Po aty, f.145
69. La poésie surréaliste, Paris, 1992, f.14
70. P.Risto, vep. e cit., f.84
71. Po aty, f.91

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen