Mittwoch, 22. Mai 2013

Mendime për librin “Ama e dheut”


 Bilall MALIQI

 NJË BUQETË POETIKE DHE ARTISTIKE…
 
Lirije Kajtazi “Ama e dheut” (Buqetë artistike për 100 vjetorin me femrat krijuese të Anamoravës dhe të Kosovës Lindore, sh.b. Beqir Musliu”, Gjilan, 2012, faqe 160).

“Ama e dheut” një buqetë artistike në të cilën shtrihen poezitë dhe pikturat e krijueseve të Anamoravës dhe të Kosovës Lindore (Lugina e Preshevës) të mbledhura dhe të përzgjedhura nga autorja e librit e cila në bashkëpunim me Ars Clubin “Beqir Musliu” për këtë 100 vjetor doli në dritë. Ky libër i karakterit antologjik i cili është i ndarë në dy pjesë, ku në pjesën e parë të librit prezantohen denjësisht krijueset e vendeve të lartpërmendura të cilat me poezitë e tyre të motiveve të larmishme e kompletuan këtë “buqetë” të degëzuar, poashtu edhe pjesa tjetër me një buqetë artistike të nuansuara me pika rasterike që paraqesin një botë krijuese figurative.
Vetë titulli i këtij libri të veçantë “Ama e dheut” është nxjerr nga një poezi e të njëjtit titull të krijueses Linditë Ramushi e cila nga autorja ka dalur si një ekstazë shpirtërore për degët e ndara e të rremosura të atëmëmëdheut.

Fjalë me imazhe

Degëzimet poetike të krijueseve ky 100 vjetor i ka përmbledhur në këtë libër simpatik dhe tejet tërheqës për lexim.
Mblidhen tok në këtë libër shumë bija të ndara nga “ama” nga nënëmadhja së cilës ia grabitën bijat e saja, tokat ia ndan e ia coptuan, e këto ashtu të ndara me dashuri të madhe i shkruajtën mëmëdheut dhe historisë sonë kombëtare e të tjera motive që dijnë krijuesit ti gjurmojnë e ti qesin në letër.
Secila krijuese me vargjet e saja paraqet botën poetike e cila dallon nga të tjerat, sepse secila ka gjetje motivuese në krijimet, andaj këto poezi që e kompletojnë këtë Antologji janë një përzgjedhje si të poeteshave ashtu edhe të poezive të tyre ku shumica sosh kanë motivin patriotic, secila me forcën shprehëse poetike.
Brenda kopertinave të librit është prezantuar poetesha e parë në trojet shqiptare të ish-Jugosllavisë Sadete Emërllahu-Presheva, e cila që nga viti i largët 1972 doli me librin e saj të parë me poezi e cila atëbotë u cilësua nga kritikët letrar si vepër e realizuar bukur mirë artistikisht. Pra ky portret i një poeteshe me peshë të madhe që shkroi dhe doli në hapsirën krijuese më pastaj ia çeli rrugën penave të reja për të shkruar dhe për t’u bërë pjesë e artit poetik, rrugë kjo që sidomos për femrën shqiptare ishte paksa e vështirë, por prapë se prapë pas saj dolën shumë krijuese të cilat me poezitë e tyre treguan një individualitet krijues sidomos për krijueset që janë brenda kopertinave të librit.
Tanimë në mesin tonë nuk gjendet fizikisht Sadete Presheva, ajo që filloi për herë të parë rrugën e pafund krijuese e cila la pas vete jo vetëm epitetin si krijuesja e parë, por edhe vlerën e poezive të saja si dhe dorëshkrimet . Por na mungon edhe një krijuese e cila llogaritet si poeteshë e njohur dhe shumë produktive Fehime Selimi. Me të dyja këto krijuese identifikohet poezia e femrës shqiptare të Luginës së Preshevës dhe më gjerë.
Zëri poetik i femrave u dëgjua dhe jehoi edhe më tej në Kosovë e në vende të tjera shqiptare. Ajo shpërtheu kudo në kohë më të vështira edhe kur ishte cenzura, edhe kur sankisonoheshin ato që i shkruanin atdheut (amës) së coptuar dhe atëbotë të robëruar. Ato merrnin “guximin” poetik dhe përmes vargjeve shpalosnin dhe derdhnin tërë atë inspirim që kishin dhe kështu këngëtimet e tyre poetike zënin dhe zënë vend meritor në letërsinë shqiptare.
Në këtë libër janë radhitura emrat e 19 poeteshave në mënyrë alfabetike të cilat thyen heshtjet dhe dilemat e krijuara më herët. Ato në këtë libër vijnë me plot elan për të krijuar diçka të bukur- poezi koherente dhe gjetjet e motivit tek poezitë e tyre paraqesin një tabllo reale për kohët nëpër të cilat kemi kaluar si komb dhe motive të tjera të cilat do të jenë aktuale në çdo kohë dhe situatë.
Përveç kësaj brenda librit frymojnë edhe disa krijuese artiste të cilat me pikturat e tyre paraqesin botën e artit figurativ e pamor gjithnjë me një art të posaçëm të karaktereve të ndryshme dhe secila pikturë që është e paraqitur në libër ka fshehtësitë dhe mesazhet e saja për ata që dijnë t’i lexojnë dhe ti kuptojnë.

Imazhe pa fjalë

Në kapitullin /Imazhe pa fjalë/ janë të prezantuara 11 piktore me radhitje alfabetike të cilat poashtu janë nga Anamorava dhe Kosova Lindore. Të gjitha pikturat kanë edhe emrat dhe tok janë me pika rasterike që formojnë pikturat në kolor.
Buqeta artistike ”Ama e dheut”, ka dalë në dritë në këtë 100 vjetor si libër i veçantë, me krijuese të njohura, me poezi të tyre me një art të veçantë poetik dhe me një përzgjedhje me kriter nga autorja e librit.
Tanimë edhe Kosova Lindore (Lugina e Preshevës) është bashkë me “amen” duke i thyer kufijtë kulturor krijueset e saj dhe kështu tani janë tok së bashku vlerat poetike dhe artistike të tyre të pasqyruara në këtë libër simpatik dhe me një vlerë të begatshme poetike dhe artistike…


Arsim HALILI

BUQETË POETIKE INTERKOMUNIKIM MES ETNISH

Në dioptrinë e komunikimit artistik, gjegjësisht fjalës poetike, shekulli shqiptar, vazhdimisht ka naviguar ka e bukura, jo vetëm sa për të festuar, në shesh ka nxjerr edhe vlera. Krahas botimive që na erdhën gjatë këtij viti edhe do të na vijnë edhe ditët e vitet në vijim, fare pranë festës sonë madhështore, na vje në duar të lexuesve diçka po aq fisnike, siç është edhe kjo gjini e bukur. Përzgjedhja poetike me strukturë homegjene gjinore. Edhe pse të vetmin ndryshim, ka kofiguracionin kohor dhe hapsinor. Por që është relativizuar edhe interpretuar me maturi, kjo buqetë poetike, e cila sjell aromë shprese dhe fiksim jete për të bukurën. Fjalën e ndërtuar me sens ideo-estetik.
Duke lexuar këtë panoramë letrare mund të themi se është bërë një gërshetim mes emrash të dëshmuar dhe emrave të cilat gjithësesi dita në ditë ka nisur këtë rrugë sfiduse. E që në parantezë, mund të thuhet se trasimi nga një gjeneratë tek tjetra shihet se bota poetike e Anomravës nuk është shterruse. Dhe nëse deri dje ka pas interferime individuale të cilat kanë nuancuar vlerën e akcilës poete, brenda kësaj përmledhje sado që shihen vlera të gjeneralizuar,megjithatë mund të konstatojmë një të vërtet të pamohuar. Se poetsha ynë di dhe ja del ta sforcoj vargun.
Duke qenë se disa nga poeteshat janë edhe nëna dhe mësimdhënëse, ngrohtësia e fjalës prindërore, sikur thërret për urtësinë e komunikimit për të jetësuar shpresën për jetën.
Deri sa lexojmë librin “ Ama e dheut” të autores Lirije Kajtazi, natyrisht na paraqet një reprezantim unik të së cilës përmbledhje, pa dyshim nuk i mungojnë edhe emra të Kosovës Lindore, respektivsht të Preshevës, poetesha të cilat u bënë pjesë e letërsisë shqipe. Ky transponim vje në kohë vlimesh të shkollimit e të emancipimit të shoqërisë shqiptare e në veçanti të femrës shqiptare, do të dal një emër, po nga ky trung iliro – shqiptar, e cila atë botë, në vitin pas shumë peripecive të 1972, letërsia shqipe në Kosovë dhe në hapësirat tjera ish- Jugosllave, kishte të fiksuar një emër femre poete tani më. Nga kjo kohë do të shënohet me një pikë emërtim në drejtzën e gjatë krijuese, kush tjetër, pos Sadete Preshevës. E cila për fatin tonë e të saj të keq, nuk arriti ta përjetoj fizikisht këtë jubile. Iku përjetësisht nga kjo botë, për të lënë tek lexuesit bagazhin e saj krijues, siç edhe është prezantuar në këtë panoramë dinjitoze. Atëherë kur pritej më së shumti rrezatim krijues nga poetesha tjetër e dëshmuar, Fehime Selimi, e cila edhe kjo natyrisht ishte mburrje për Preshevën, ndonëse në gjallje të saj la tri vepra të botuara dhe një pas vdekjes, megjithatë tregon fuqinë e fjalës poetike. Poezia shqipe në Preshevë, sigurisht do të mbijetoi dhe do të dalin emra që do të trasojnë rrugën e Sadetes dhe të Fehimes gjithesesi me individualitetin e saj krijues , këtë rast një emër premtues është edhe studentetja Qëndresa Jakupi.
Gjatë leximit të këtij libri janë përfshirë nëntëmbëdhjetë femra poetesha të Anomravës, në radhë të parë dëshmon se poezia shqipe në këto xixa rrezatojnë, secila me forcën e saj krijuese. Pa dyshim se meritë dhe privilegj është edhe për Asociacionin e shkrimtarëve Ars Club “ Beqir Musliu” Gjilan, i cili në familjen krijuese të këtij asociacioni ka emra që sot demostrojnë degëzime në një trung të fortë. Secila degë krijuese në arealin krijues, jep frutet më të mira brenda këtij asociacioni dhe natyrisht edhe përtej gjeografisë shqiptare. Gjatë leximit të krijimtarisë se cilës poeteshë veç e veç prazantohen variable krijuese edhe për nga motivet. Natyrisht në këtë përmbledhje është bërë përzgjedhja më me vlerë e krijuesve tona, në frymën e saj ndjesore, përmes lirikave që manifestojnë dhembjen , shqetësimet, rebelimin duke i funksionalizuar, gjithënjë me gjuhë rrjedhëse të asaj se çfarë në të vërtet poeteshat tona përcepetojnë dhe përjetojnë dhe dosido t’i përcjellin tek gjeneratat e mëpasme. Duke qenë se një numër i konsideruar i vargjeve, respektivisht të poezive të prezantuar me gjuhën e rrjedhëshme metaforike, janë në funksion të këtij jubileu, sepse aty duke portretizuar me mjaft mjeshtëri dhe kompaktibilitet të gjakimit për të ardhur te liria e shumë pritur, demostron potencialin dhe zemrën e poeteshave tona. Natyrisht se poezitë nuk janë vetëm të këtij funksioni artribues për atdheun, brenda tyre, mund të lexohen edhe vargje të cila kompozohen me mjaft mjeshtri për rrethin shoqëror në disa segmente sociale. Libri “Ama e dheut” e autorës Lirie Kajtazi, në prezantimin e këtyre poeteshave, nuk mund të jetë paraqitje e një terminologjie të ftohët, sepse aty ngërthehet zjarri i se cilës poeteshë. Atyre u flet zemra, sikur këto poetesha në evulimin e tyre dhe përmes përmbledhjes që bart emrin e një krijuese dhe bartëse të shumë proçesve për jetësimin e të madhërishmës, pra lirisë në tokat shqiptare e që është edhe vet sinonimi i saj Lirije Kajtazi. Duket se autorja në ndërdijen tekstuale të asaj që na përcjellin femrat, nënat me mesazhin e tyre krijues, sikur e sforcojnë mendimin se vyrtyti i referohet moralit i cili përbëhet nga dashuria e sinqertë, besnikria dhe respekti i ndërsjelltë, toleranca dhe durimi, natyrisht të tilla atribute nuk janë ekzagjeruese, por sfiduese edhe në momentet kur ato kanë në dorë shpëtimin e botës. Ndaj është mirë të çmojmë këtë thesar që krijon jetë. Natyrisht se u takon të ndihet në çdo takt të jetës zonjë e vërtet. Në këtë kontest më lejoni të kujtoj mendimin e Napoleonit, ku ndër të tjera thekson:” Gruja e bukur të kënaq syrin, gruaja e mirë të kënaq zemrën” Natyrisht secila grua zonjë, apo zonjushë brenda kësaj përmbledhje na ka kënaqur zemrën me poezitë e tyre. Fare në fund të këtij recensioni autores së librit dhe natyrisht të gjithë të prezantuarve pa dallim gjininë e artit: letrar apo figurativ do të shpreh konsideratën time të thellë, duke përmbyllur mendimin e Grafit:
“ Çdo sukses i madh është triumf i këmbnguljes”
Mendoj që këmngulja e autorës, por edhe poeteshave të prezantuara nuk do të mungojnë në vazhdimësi.
___________
 
 

 Nexhat Rexha

NJË BUQETË VLERASH ARTISTIKE

Vëllimi poetik “Ama e dheut” del në dritë në një moment kur atdheu ynë merr një frymëmarrje tjetër.Vjen fjala e bukur poetike nga tingëllima e ofshamat e dashurisë për një jetë krejt ndryshe.Një qind vjet udhëtim, njëqind vjet lutje e këto lutje vijnë nga shpirti i femrës sonë, e cila ka gjakuar jetën dhe poezinë edhe të pa shkruar.
Poezia e përmbledhur në këtë libër bashkon; ëndrrat, dëshirat, idealet dhe bashkon moshat e këtyre poeteshave të një treve, artikulon grishjet nëpër kohë e faza të ndryshme. Vargjet shpalosin botën krejt ndryshe nga ajo që ia kanë përshkruar fatin dhe dëshirat femrës sonë, dikush tjetër, ajo vjen me një zë të qartësuar, sepse në momentet më kyçe të histo-ries, femra jonë ka ditur të ruaj siç është më së miri virtytet njerëzore të kohëve.Ajo ka mundur me sakrificën e saj pushtuesit e ndryshëm dhe me dinjitet ka sfiduar të dukshmen e të padukshmen antikohë.
Në këtë rrjedhë të proceseve shekullore, ajo ka hapëruar në të gjitha vijat e frontit bashkë me mashkullin dhe kështu ia ka dalë ,sepse ajo ka ditur të ruaj të thënën e të pa thënën fjalë.
Në këtë Njëqid Vjetor të Pavarësisë,poezia e këtij vëllimi vjen së bashku me hullinë e poeteshës së parë shqiptare në Kosovë e trevat shqiptare të ish Jugosllavisë, ajo këndoi e para me vepër poetike, ajo i dha elan e cytje penave të reja në hapësirat e këtij trolli të mrrolur. Sadete Presheva me vargun e saj ngjalli jetën dhe shpresa erdhi bashkë me vargun e saj. Ajo krijoi besimin për të, ajo ndërgjegjësoi kohën dhe theu barrierat e huaja.
Në këtë paradigmë poetike vijnë një tufë a buqetë nyjesh të ruajtura në brendinë e kozmosit njerëzor, që harmonizojnë dhe i japin kuptim e qartësi vetëfilijit të Amës së këtij dheu.
Zëri poetik ka ruajtur retrospektivën dhe perspektivës i ka dhënë përparësi gjithnjë të avansuar. Në këtë horizont vargu i tërësishëm i këtij vëllimi identifikon kodin e veçantë të ndërtimit estetik në vargje. Frymëzimet e brendshme, sa idilike, po aq edhe burimore saktësojnë ekzistencialen e imperativit konstruktiv, duke depërtuar deri në skajshmërinë e sintezës tematike dhe metaforike të ruatjes edhe të legjendave edhe të miteve sa më origjinale. Lirikat e tyre kanë dhënë rezultatet dalluese në zhvillimin e proceseve të avansuara në shoqëri, gjithnjë me tendencë të krijimit dhe ruajtjes të substancës sonë kombëtare.
Vargjet e kultivuara në këtë vëllim poetik paraqesin vokacionin e përjetimit krejt në një formë e koncepcion të mëvetësishëm, çka i jep kuptim dallues secilës krijuese. Kjo edhe e bënë më të avansuar botëkuptimin poetik dhe përvijon komplesitetin e zgjidhjes së nyjeve shpirtërore të femrës.
Përkufizimi dallues dhe afrues karakterizon botën poetike të tyre, sikur konstatimi vjen i qartësuar dhe jep identifikimin përmbajtësor në shprehjen dhe vokabularin poetik, si në qasje, poashtu edhe në parashtrim, e këto preokupime vijnë si rezultat i paradoksit të problemeve shoqërore në periudha të ndryshme kohore.
Fuqia e paqës dhe fuqia vargut vijnë si rezultat i dashurisë së amës për atdhe, e në këtë Njëqind Vjetor vijnë poetet me kristalin e vargëzuar sikur nimfat e tregimeve mitologjike. Këtë herë vargjet sikur përbirohen në gjilpërën e arnimeve të shekujve dhe përvijimet e gjilpërës koincidojnë me qëndismën e flamurit, me emrin e Marigonës.
Po, poezia e Miradie Ramiqit, Sabile Keçmezi-Bashës, Albina Idrizit, Sevdije Rexhepit, Zana Pirës, Linditë Ramushit, Hasije Selishtës........., e shumë të tjerave tejkalojnë dilemat dhe thyejnë barrierat e heshtjeve te gjata. Ato vijnë me vargjet e tyre plot energji, ato vijnë me vargjet e tyre plot mall për Amën e dheut.
Kështu, poezia arrin të pushtojë e mund dilemën, ajo tejkalon absurditetin dhe krijon bindjen se arti fuqizon e transformon shoqërinë shqiptare, e ketij Njëqind Vjetori të Pavarësisë i jep kuptimin fuqiplotë.
“Ama e dheut” shkrinë e palon kujtesën për vizionin e besës në shfaqjet e murosura të Rozafës, si dhe i jep mesazhin e qartë portertit të femrës bashkëkohore, sepse muza e saj poetike vjen si përceptim e sintezë të dhënies së idesë për të kaluarën dhe të ardhmën e amës së dheut me shkëlqimin e saj. E në këtë vëllim për herë të parë, vijnë bashkë këto vlera nga Anamorava e Kosova Lindore.

 (Lexuar në përurimin e kësaj Buqeteje artistike, në Gjilan, më 27 nëntor 2012, në kuadër të edicionit të tretë "Vjeshta letrare e Gjilanit")
 
 
Marrë nga "Agmia" në FB

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen