Donnerstag, 29. August 2013

Me sytë e ëndjes

Rreth përmbledhjes poetike “Me sytë e ëndjes” të poetes Lindita Ramushi

Një lirizëm magjik,
që të deh në çdo fjalë
e figurë poetike

Nga Hyqmet HASKO

Poezia femërore, që buron nga një ndjeshmëri e lartë substanciale dhe liriko-meditaive, po zë gjithnjë e më shumë vend në analet e letrave poetike kombëtare, sidomos në këto kohët e fundit të çlirimit të tyre nga të gjitha pengesat dhe jashtësitë që, në një farë mënyre, e pengonin një gjë të tillë. Kjo poezi, që kultivohet në shtratin e një pathosi dramatiko-lirik sjell me vete mesazhe të befta dhe shumëkuptimëshe, ashtu si vetë bota femërore që i shkruan ato, plot dyzime dhe alternime, qoftë ndjesore, qoftë konceptualo-shkrimore.
Këto po bluaja me vete, teksa lexoja e rilexoja për të disatën herë librin me poezi “Me sytë e ëndjes” të poetes nga Gjilani i Kosovës Lindita Ramushi. Është një përmbledhje dinjitoze, ku zotërojnë poezi të shkruara me nerv e temopritëm, poezi të befasimit lirik dhe të mesazheve që burojnë sa nga teksti aq dhe nga nënteksti poetik.
Ramushi ka si cilësi të saj ndoshta kryesore këndvështrimin modern të shqyrtimit të objektit poetik, thyerjen e grimcimin e qëllimshëm të këtij objekti, për ta rindërtuar të transfiguruar në aktin e thuajse të shenjtë të krijimit të poezisë. Ky modernitet duket jo vetëm në përdorimin e strukturave formale të zhdërvjellëta dhe të pakornizuara, por dhe në idetë e mesazhet që burojnë nga ky këndvështrim.


Ka ardhur një erë e fortë këto ditë
Për ashti kalon furia e saj
Atë ngrohtësi që kërkoja
Disa re të hirta e mbuluan si Hirushen
Me pluhur në përrallë.


(Poezia “Era e thatë”, faqe 64) 

 Risia e poezisë së Remushit është befasimi poetik, përcjellë me mjete të thjeshta, freskia e figurave dhe kontrapunti që na vjen nga gjetjet e saj origjinale. Siç thamë pak më sipër, ajo e grimcon objektin poetik, kryesisht me anë të enumeracionit, në dhjetëra miniobjekte, të cilat pastaj i bashkon me anë të një figure bazë, duke e rikrijuar të plotë dhe modern aktin e shkrimit poetik.
Në hartën e “shtëgëtimit të saj poetik” përfshihen gjendje, kujtesa, impresione, imazhe të mbetura pezull në kohë, që nga “stacioni i fletëve të vjeshtës”, ku ajo mbledh grimca kujtimesh, deri tek, bie fjala, “qerpiku i dëshirës”, që e fton atë të përcjellë një vektor idealiteti femëor.
Qyteti, rruga, “malli kristalor”, shtegtimi, kënga, dehja, iluzioni, guri, pragu, ëndrra, drita, “era e thatë” etj. janë disa nga fjalët e leksikut poetik të Ramushit, që ajo i ka kthyer në stilema poetike. Prekja e së bukurës, prekja si ndjesi, si përjetim, si kujtesë, si emocion etj., është pjesë e këndvështrimit të saj, një këndvështrim i thyer, plot dritëhije…
Shpirtëzimi i dukurive të natyrës, jetësimi i tyre, me anë të një lirizmi të ngrohtë, të thellë e të magjishëm, deprëtimi në të fshehtat e sendve, trajtave dhe dukurive që ajo bën objekt të shqyrtimit poetik, e bën poezinë e Lindita Ramushit të lexohet me një frymë…
Ajo që e bën të dallueshme poezinë e Linditës nga simorat e saj është vokali shumëgjyrësh mediativ, ritmi i përndezur, figurat e gjalla dhe të shtrira horizontalisht e vertikalisht, vrulli i fjalës dhe thellësia e ndjenjës dhe mendimit. Imazhet që na përfton poezia e saj janë imazhe flu, dehëse e trallisëse, me një kondicionim shpitëror të denjë për kujtesën, përjetimin, emocionin, imazhin, tekstin dhe nëntkestin, që përftohet nga e gjitha.
Një poezi dinamike, që rrok hapësira jete në lëvizje dhe zhvillim, një verb atdhetarie që përndizet në vatrat e përflakura të metaforës, ku e dukshmja dhe e padukshmja, e thëna dhe e nënkuptuara rrinë së bashku në të njëjtin vektor dhe shprehin një botë ideo-emocionale sharmante, plot thyerje dhe digresione, siç është vetë jeta njerëzore që ajo plazmon në poezinë e saj. Kështu mund të përcakothet në vija të përgjithshme poezia e poetes Lindita Ramushi e cila na përcjell një botë të thyer, plot ritme dhe vrulle, siç është vetë jeta e tij në lëvizje, drejt dashurisë universal.
Aventura poetike e Ramushit është një aventurë e bukur, në një rrugëtim të natyrshëm drejt vetvetes së saj autentike, vetvetes poetike. Njëherësh është një udhëtim historik, mitologjik, gati profetik, në thelbin e vetë kohës shqiptare. Poetja konfiguron një peisazh të thyer të shpirtit njerëzor, na jep tablo në lëvizje, si vetë jeta e saj dinamike, në kërkim të gjërave të bukura, për të cilat ia vlen të jetosh.
Të rrugëtosh me poezinë, të identifikohesh me të, do të thotë të jeshë i pushtuar nga magjia e fjalës, nga thellësia e figurës dhe imazhit, nga ndjenjat dhe mendimet më të fuqishme, që mbartin botën e gëzimeve, hidhërimeve, dashurive, iluzioneve, duke flakur çdo çast të keqen nga vetja dhe nga të tjerët, në emër të një sistemi vlerash tek të cilat beson dhe të cilat janë kthyer në një kredo të jetës dhe artit tënd. Duket se kjo është në fakt kredoja poetike e Ramushit, një dashuri e pamasë për jetën dhe njerëzit, një etje për të rilindur në çdo fije bari dhe në çdo qelizë të gjallë të tokës, për hir të gjërave për të cilat ia vlen të luftosh dhe të ëndërrosh.
Afresku i gjendjeve, imazheve, mbresave, përjetimeve, kujtesave të ridimensionuara në artin e shkrimit poetik, ideve dhe mesazheve, që na sjell kjo poete, përfshin prirjet dhe tendencat më serioze të poetikës bashkëkohore mbarëshqiptare, sharmin dhe elegancën e vargut, freskinë dhe modernitetin e figurës, spontanitetin dhe natyrshmërinë e gjetjeve.
Lindita shkruan një poezi ku gërshetohet tradicionalizmi poetik me risitë e modernitetit, më pak përdor vargun me rimë, asonanca dhe ritme të matura, më shumë vargun e lirë, (të lirë në kuptimin më tekonologjik të kësaj fjale, por jo të çliruar nga përkujdesja ritmike dhe prozodike, siç ndodh me një duzinë të vetëshpallurish poetë, që çdo renditje fjalësh, në çfarëdolloj forme e strukture, e quajnë me gojën plot poezi, kur në fakt nuk janë as thjeshtë vargëzime të rëndomta).
Në këtë vëllim të saj të dytë, Ramushi ka shënuar një sukses të ri në shkrimin e poezisë, duke u identifikuar si një zë i veçantë, tok me poetet më të njohura të botës shqiptare.
Në analizë të të fundit, mund të themi se tek Lindita Ramushi shohim një poete e formuar plotësisht e me një profil të vetin poetik, që edhe në këtë libër me poezi, si në të vëllimin e parë, dëshmon një talent e përkushtim përtej të zakonshmes, duke na përcjellë vrullet dhe ritmet e botës shqiptare, me një lirizëm të ngrohtë, të vetvetishëm, fin e spontan

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen